Arjan Th. Kallço
Homazh zonjës Miryam Benvenuto
Këtë artikull mbi Pavarësinë, rrethanat dhe konfliktet i vunë përsëri bashkë dy vendet tona në mbrojtje të një ideali shqiptar që kishte shekuj që e aspironin, do të deshim ta shkruanim me qetësi dhe me kohë të mjaftueshme në dispozicion, por rrethanat e jetës ngandonjëherë nuk na e lejojnë dhe na nxjerrin para dhjetra prova, të cilat me pak durim mund t’i kapërcesh ose jo. Nëse dështon një herë e ke rastin e dytë, të tretë e kështu me radhë, derisa vendos që ta çosh një synim në fund apo ta braktisësh dhe të dorëzohesh. Por kur në mes ka shkaqe dhe rrethana të tjera, të pavarura nga forca jote, nga dëshira e madhe që ke ushqyer brenda vetes, atëherë duhet të ndalesh dhe t’i dedikosh kohën e duhur, duke bërë vlerësimin e situatës dhe duke marrë një vendim. Largimi i parakohshëm drejt Italisë i akademikut Italian Benvenuto, vajza e vet ka pak kohë që ndërroi jetë në Tiranë, ndoshta na i përmbysi disi planet tona.
Por unë shpresoj që hidhërimi t’i japë forcë dhe të mund të vazhdojmë bashkëpunimin tonë edhe në vitet në vazhdim, pasi jetëgjatësia dhe dashuria e tij e veçantë për Shqipërinë, janë një burim që sikur të jepte të gjithë erudicionin e vet, do të ishte një kontribut i madh për ne. Në një moment të jetës, kur shëndeti nuk ecën mirë, na duhet të braktisim gjithçka dhe t’i dedikohemi jetës së njeriut tonë të afërt, le ta mendojmë pastaj, kur hallet nuk janë më individuale por kombëtare, siç është vetë historia e Shqipërisë, gjithmonë në efektin e shtrëngatave ballkanike dhe europiane.
E Shqipëria, halle jete dhe mbijetese ka patur gjithmonë në historinë e saj, që nga koha e Heroit tonë Kombëtar e deri në mbarim të Luftës së dytë botërore. Mënyra sesi i zgjidhën paraardhësit tanë, na lejojnë që t’i gjykojmë, interpretojmë ato nën dritën e fakteve të shumta dhe të reja; t’i shohim nga këndvështrime neutral dhe jo me pasione apo nacionalizma të sëmura, për të dhënë një lloj zgjidhje në kohë të tjera, por që kurrë nuk do të korrespondojnë me realitetin, kur këto zgjidhje u arritën.
Në to ndikojnë shumë faktorë, midis të cilëve edhe faktori ynë kombëtar, njerëzit që ishin në krye të punëve në atë kohë, por dhe ai ndërkombëtar në shumë raste vendimtar. Nuk është puna se në cilat diskutime morën pjesë, çfarë përpjekje bënë, apo cilat ishin debatat e brendshme dhe të jashtme, por se cilën zgjidhje vendosën në radhë të parë, atë të interesit të klasës së cilës i përkisnin, të së keqes më të vogël, apo interest e mbarë kombit. Historia jonë ka parë shpesh që të anashkalohen interesat e vetë shqiptarëve, duke vënë në krye ato të pushtetit absolut të një grupi apo ato personale. Por le t’i kthehemi Pavarësisë sonë kombëtare dhe bisedës që zhvilluam mes nesh me prof. Emilio Benvenuton.
100 vjet nga Pavrësia jonë, çfarë flitej në atë kohë për këtë ngjarje që përfshiu edhe vetë Italinë?
Indipendenca shqiptare erdhi 6 vjet para se të lindja unë, por kam shfletuar dhe degjuar se në Pulja, veçanërisht në Bari, pati jehonë të madhe. Vëmendja e Italisë u tërhoq 3 vjet më vonë, pasi ishte në luftë me Austro-Hungarinë. Humbja e Sërbisë solli edhe vetë pushtimin e saj prej austrohungarezëve dhe qeveria sërbe u detyrua të largohej deri në portet shqiptare, Durrës dhe Vlorë dhe në Itali u shoqërua nga flota italiane.
Austrohungarezët e pushtuan Shqipërinë nga Shkodra deri në Fier. Në Jug, në Vlorë dhe Sarandë, e ndalën përparimin e tyre. Të njëjtën gjë bënë edhe francezët me Korçën e Gjirokastrën. Kjo situatë ishte tepër e çuditshme për italianët. Në Greqi kishte zëra për luftë dhe Venizellosi ishte në favor të saj, bashkë me aleatët kundër Gjermanisë dhe Austrisë. Kërcënimi më i madh për integritetin e Shqipërisë vinte në vitin 1916 nga një fitore e mundshme e aksit gjerman. Shqipëria do të ishte e ndarë Austria në veri, në jug francezët dhe italinët, me Greqinë që kërcënonte me hyrjen në luftë me synim Korçën dhe Gjirokastrën për një Greqi të madhe.
Le t’i kthehemi atij që vulosi Pavarësinë më 28 nëntor 1912, Ismail Qemalit, si shihej nga Italia?
Italia e ndihmonte me para, siç ndihmonte edhe politikanët shqiptarë që luftonin për pavarësi, pasi nuk kishin ndihmë nga Anglia, Franca apo Gjermania, që ishin indiferentë. Në Itali gjeti mbështetje politike, e vetmja midis fuqive të kohës. Vitet 1912-1915 flasin për kontakte të shumta midis Qemalit dhe qeverisë italiane, që shihnin tek Italia mbrojtësen e natyrshme. Edhe në vitin 1919 Italia e mbështeti shumë Shqipërinë dhe e favorizoi kundër pretendimeve jugosllave dhe greke.
A ishte shenjë fati vdekja e tij e paimagjinueshme në një hotel të Peruxhës në Itali?
Ai kishte një prirje të natyrshme ndaj Italisë dhe i dukej sikur të ishte në Atdhe.
A ka hetime për vdekjen e tij në rrethana tepër misterioze?
Në Itali erdhi kur ishte në moshë të madhe dhe i tërhequr në jetën private.
A mund të kishin gisht italianët në vrasjen e tij?
Sigurisht që jo, nuk kishte fare gisht në këtë ngjarje. Ai kishte qënë gjithmonë miku i Italisë.
Në udhëtimin e fundit, nga Vjena kthehej në Itali…
Besoj se ishte besnik ndaj Italisë, sepse vendi ynë e mbrojti gjithmonë në atë kohë Shqipërinë.
Kush mund të ishte i interesuar për vdekjen e tij?
Ndoshta shërbimet sekrete franceze, duhet ta kuptosh, pasi Shqipëria nuk duhej të kishte mbështetje dhe të gjente në vazhdim në të ardhmen tek Italia.
Një llojë loje që hedh gurin dhe fsheh dorën që të akuzonin më pas Italinë si shkaktare të kësaj ngjarje.
(Vazhdon…)