Shqipëria dhe ecomafia (italiane)

0
68

Nga Doriana Metollari, hermesnews.org

Shqipëria hyri në hartën e vendeve të ndotjes toksike, pas viteve ’90, pas hapjes së kufijve. Në një kohë me Qipron, Egjiptin, Libanin dhe Turqinë, nga viti 1992- 1994, Shqipëria ka qenë një prej zonave ku mblidheshin rëndon mbetjet toksike të ardhura nga Europa.

Në verën e vitit 1991, mes Ministrisë shqiptare të Agrikulturës dhe asaj në Bonn, u finalizua një ndër marrëveshjet e para që do t’i hapte rrugën hyrjes në Shqipëri të rreth 500 ton pesticideve të skaduara që vinin nga Gjermania si “ndihma humanitare”. Pesticidet u lanë stoqe në Durrës, Fier, Milot, Shkodër dhe Bajzë.

Transformimet nga këto ilaçe po merrnin nga dita në ditë, sollën ekspertët e “Greenpeace” në Shqipëri (1993), të cilët panë me sytë e tyre afrimin e një katastrofe ekologjike, që mund të krijonin këto pesticide në ambient dhe në shëndetin e njerëzve.

Që prej asaj kohe, thirrje të herëpashershme i ishin bërë qeverisë gjermane nga ministria jonë e Shëndetësisë (e fundit më 19 nëntor 1993), për t’i kthyer në vendin e tyre mbetjet toksike, por asnjërës prej këtyre thirrjeve Gjermania nuk iu përgjigj pozitivisht.

Ekspertët e “Greenpeace”, arritën që 10 ton pesticide (ato me rrezikshmëri të lartë), t’i mbyllnin nëpër kontenitorë, për të ndaluar reaksionet kimike të tyre dhe prej këtu me një kamion, vullnetarët e “Greenpeace” ia kthyesh mbrapsht Gjermanisë 10 ton skorje toksike.

Pas ardhjes së ilaçeve të skaduara nga Gjermania, mbërritën edhe trenat me amiant (asbest), të hequr nga hekurudhat e gjysmës së Europës për në Shqipëri, ashtu si dhe projekti i vitit 1998 i Tiger Technology, një kompani off shore, me adresë e seli që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në Londër, e cila do të studionte mënyrën për të transportuar “ldd”, lëndën djegëse të derivuar nga mbeturinat, prodhuar në Pulia të Italisë për në Shqipëri.

Debati ndërkohë kishte nisur që të ndizej edhe në Itali. Më 30 qershor 2004, gazeta italiane “Corriere della sera” shkruan për një marrëveshje sekrete të bërë në atë kohë nga qeveria e Fatos Nanos (qershor 2004), marrëveshje që pati një oponencë të fortë nga ana e qytetarëve dhe e opozitës së atëhershme.

Në protestën që zgjati me javë të tëra, qytetarët shtriheshin përtokë përpara dyerve të ministrisë, bllokonin trenat dhe dilnin me sllogane anti- qeveritare para kryeministrisë.

Shqipëria në atë kohë do të merrte përsipër shkarkimet e mbeturinave në Sharrë të Kasharit, veprim që shumë media shqiptare e cilësuan si një “biletë e Shqipërisë për në BE”.

“Kompania AlbaniaBeg kishte një kapital social prej 17 mijë eurosh dhe ishte ngarkuar për ndërtimin e një krematori në Tepelenë, inagururuar më pas nga Nano,” do të shkruanin gazetat.

Kompania përfaqësohej nëpër zyrat e Tiranës nga një zotëri që ishte në atë kohë edhe këshilltar ekonomik i Nanos.

Opozita e atëhershme, Berisha, tha se në të vërtetë “kemi të bëjmë me një biznes prej 180 milionë eurosh. AlbaniaBeg do të djegë gratis mbeturinat e shqiptarëe vetëm për pesë vite. 25 vitet e tjera do të shërbejnë për të djegur mbeturinat që vijnë nga Italia,” qe deklarata e Berishës, i cili në atë kohë hodhi edhe akuza për korrupsion. Nano u akuzua se po hapte ekomafian në Shqipëri. Mbeturinat italiane do të transportoheshin me anije nga Brindizi për në Durrës.

Në këtë mesele do të përfshihej edhe ambasadori i atëhershëm italian në Tiranë, i akuzuar nga mediat shqiptare se kishte favorizuar një trafik. Ai u përgjigj se polkemika të tilla mund të influenconin negativisht hyrjen e Shqipërisë në BE. “Unë nuk garantoj marrëveshje private nëpërmjet kompanive dhe qeverisë shqiptare,” tha ai. “Përjashtoj faktin se e gjithë kjo mund të kishte të bënte me një trafik të paligjshëm nëpër Adriatik”.

Por ambasadfori italian në atë kohë iu desh të përballej edhe me akuzat që vinin nga senatori “i gjelbër”, Drancesco Mortone, i cili e akuzoi Januçin se po shkarkonte te vendet më të varfra paaftësinë e Italisë për të përpunuar mbeturinat dhe se po favorizonte ekomafian.

“Është një histori e errët” deklaroi senatori, – nën flamurin e ndihmave humanitare dhe bashkëpunimit fshihet një projekt që ndihmon më tepër Italinë. Terreni është i virgjër, pas drogës, trafikut të qenieve njerëzore, ai i mbeturinave është kthyer në biznesin më të ri në Shqipëri.”

Në vitin 2009, gazeta “Osservatorio Balcani e Caucaso”, shkruan për një ndotje me përmasa alarmante që është vënë re nga ekspertët në pjesën lindore të Adriatikut, e cila është transformuar në një shkarkim mbeturinash me pasoja tepër të mëdha për biodiversitetin.

Shkencëtarët u përballën asaj që nuk e kishin parashikuar ende, një sasi të madhe mbeturinash (për dekompozimin e një shisheje plastike duhen 400 vjet) në thellësi prej 1200 metra, ku nuk ishin parë më speciet e zakonshme të peshqve.

E gjitha kjo nuk mbaron me kaq. Sot në raportin e vitit 2010 të Legaambiente, me gjithë krizën ekonomike të vitit 2009, thuhet se fatura e ekomafias ka arritur shifra rekord, duke kaluar 20.5 miliard euro. Trafiku ilegal italian (që nuk përfshin vetëm trafikun ilegal të mbeturinave) ka patur fluksin më të madh sidomos me vendet afrikane dhe Azinë Juglindore.

Në artikullin e fundit “Gea Press”, publikoi finalizimin me sukses të operacionit të doganave të Barit, në bashkëpunim me nukleun operativ ekologjik të karabinierëve, në kuadër të aksionit për parandalimin e trafikut ilegal të mbeturinave. Materialet që do transportoheshin ilegalisht në Shqipëri ishin gjithsej 92 lavatriçe, 68 frigoriferë dhe shumë aparate të tjera elektroshtëpiake brenda në një kamion. Shoferi është arrestuar, ndërsa malli është vënë nën sekuestrim. Hetimet vijojnë…