Shqipëria, as perëndim, as lindje

0
39

Nga Lorenc Vangjeli

Eshtë një histori që ka të bëjë me një vend të vogël të ish-Lindjes komuniste dhe me një vend tjetër të madh të ish-Lindjes komuniste. Nuk ka të bëjë hiç me Shqipërinë. Të paktën në dukje dhe të paktën për hir të krenarisë kombëtare, çdo përkitje e saj me atdheun është tërësisht e rastit.

Vendi i madh i Lindjes, ish-komunist dikur dhe pothuaj komunist sot, rriti çmimin e gazit natyror që tregtonte në vendin e vogël të Lindjes. Megjithatë, me zemërmadhësi jo kapitaliste, por pothuaj me “klering” komunist, shkëmbim mall me mall, drejtuesi i vendit të madh të Lindjes pranoi që në vend të rritjes së çmimit, të merrte një orë seks oral nga drejtuesi i vendit të vogël të Lindjes. Në fillim një gjë e tillë u duk shumë për krenarinë e madhe të vendit të vogël të Lindjes, por kapitalizmi është i egër dhe ligjeve të tregut – është ekonomia, budalla! – nuk mund t´u shmangesh. Drejtuesi i vendit të vogël të Lindjes pranoi sakrificën e epërme për hir të vendit të tij të vogël dhe të varfër duke vënë një kusht: do ta kryente orën e mikrofonit diplomatik vetëm nëse drejtuesi i vendit të madh të Lindjes do të hipte në këmbë mbi tryezën e tij të punës! “Në këtë mënyrë, unë nuk i bie atij në gjunjë”, tha me gojë drejtuesi i vendit të vogël të Lindjes, që edhe mbas orës me gojë gjysmë të hapur, nuk humbi, kështu, krenarinë vetjake së paku dhe krenarinë kombëtare së shumti, përballë drejtuesit të vendit të madh të Lindjes.

Kjo është një histori që nuk ka të bëjë me Tiranën, një vend i vogël i Lindjes, dikur komunist, sot pothuaj komunist. Krenaria dhe kulti i mashkullit të fortë, qoftë burrë, qoftë grua në politikë apo në familje, është vlerë e panegociueshme në këto vise të ashpra, ku njerëzit e quajnë për nder të vrasin për nder edhe për shkakun “Si më pe e si të pashë”!

Në Shqipëri ka shumë këngë të hershme për çuna si llokum. Ka, fatmirësisht, edhe një valë civilizimi që pranon të ndryshmin si të barabartë në dinjitet dhe të drejta. Ka, fatkeqësisht, edhe shumë përçmim e indiferencë për çunat si llokum. Por këtu nuk është fjala për seksin. Eshtë fjala për politikën. Eshtë fjala për tryezat e saj të larta ku hipën herë dikush dhe herë dikush tjetër dhe që sa kohë ndodhet aty, shumëkush nuk ndjehet i prekur në krenari ngaqë i bën me dëshirë dhe vullnet orën e mikrofonit. Nuk mbaron këtu pamja. Në një shtet piramidal në hierarki, por jo në vlera, sistemi i tavolinave i ngjan shkallëve. Një tavolinë poshtë tjetrës dhe shumë e shumë të tilla, njëra poshtë tjetrës. Në pamje lokale, brenda për brenda atdheut krenar e dheut të shqipeve, ka një tavolinë më të lartë dhe poshtë saj ato vijnë rresht duke u zvogëluar. Kush i shërben një tavoline më të epërme, është i shërbyer nga dikush tjetër që ndodhet në një tavolinë më të poshtme. E kështu me rradhë. Në pamje “gjeopolitike”, me demek në rajon e më gjerë, ndryshon sistemi i tavolinave, ndryshon caku i krenarisë dhe gjuhët e psherëtimave, por pakkush nga “punëtorët e sistemit”, e le gojën e tij pa punë. Kjo është bota e sotme globale. Ky është sistemi, kështu ka qenë shoqëria njerëzore që në fillesat e saj; kush nuk pranon të bëhet pjesë e skemës është përjashtimi që e bën edhe më të fortë rregullin.

Këtë javë, Shqipëria hyri në një orkestër sllave me dirigjent rus, një lloj “Quintet-i”, bashkë me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, për të luajtur pjesën e parapëlqyer të kohës: luftën kundër krimit të organizuar. Siç thuhet zyrtarisht në Tiranë, “luftë kundër trafikut të paligjshëm të lëndëve narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve të tyre”. Sa mirë! Natyrisht pa Kosovën! Moska nuk e njeh Prishtinën si shtet evropian, ndaj për të nuk ka vend në orkestër. Kosova, siç mendojnë rusët është problemi, jo pjesë për zgjidhjen e tij.

Në Shqipëri është ndryshe. Që nga koha kur sovjetikët morrën shumicën e nëndetëseve të tyre nga baza e Vlorës, që Shqipëria i konsideronte të vetat, që nga koha kur trashëgimtarët e tyre thoshin në Bruksel dhe në Tiranë se Prishtina ishte zemra e Serbisë, deri në këtë kohë kur rubla ruse nuk ka erë, shije dhe ngjyrë si gjithë llojet e parave të tjera, Shqipëria kurrë nuk ka mundur t´i afrojë këtë mundësi të artë vetes dhe Ariut të madh të Lindjes. Mundësinë për të dëgjuar pak rusishte të bekuar në “aspektet e shkëmbimit të informacionit për fushën përkatëse, qoftë në atë të organizimit dhe planizimit të goditjes së grupeve kriminale, të bashkërendimit të punës së përbashkët të agjencive përkatëse në goditjen e kësaj veprimtarie kriminale, trafikut të drogës”, thotë zyrtarisht Tirana. “Marshallah”, do të thoshin turqit, siç thanë kur Shqipëria ju afroi një marrëveshje konsullore për të mbrojtur interesat e qytetarëve shqiptarë në vende ku ajo nuk kishte përfaqësim diplomatik, por sidomos, kur i dha Enka-s që fliste turqisht, shumë para për 56 kilometra rrugë dhe dy tunele, në emër të anglishtes së Bechtel-it. “Hajt për hajër”, duhet të thuhet dhe gjetkë nga Arabia dhe Lindja e Mesme, ku Shqipëria po kërkon tashmë para për të ndërtuar vepra madhështore në infrastrukturë apo dhe për të ndërtuar Parlamentin e ri duke shembur Piramidën e vjetër. Kjo po, kjo është politikë e hollë. Në rastin e parë, ngjan se ja kemi hedhur Ariut të madh Rus. Sepse droga është problem i fortë në Shqipëri, paçka se Shqipëria është pjesë e problemit ndërkombëtar dhe jo vetë problemi, siç mendojnë rusët se është Kosova, fjala vjen. Tanimë, atë që nuk e bën dot vetë Shqipëria, në bashkëpunim me SHBA-në që e kemi edhe në NATO, Britaninë e Madhe apo Italinë e të tjerë, gjithashtu si ne, anëtarë të NATO-s, do të na e kryejë Rusia e madhe. Çfarë do ta kishte këtë kontribut antitrafikor, të shtrirë nga Afganistani e deri në breg të Adriatikut një vend me 140 milionë banorë? Asgjë! Do ta kishte vetëm një shëtitje të lehtë me një makinë depiluese të markës Braun në kofshën e Ariut. Në rastin e dytë, Enka turke na dha veprën më të madhe të kombit që nga koha kur Gjergj Kastrioti ndaloi turqit në dyert e Adriatikut, pas të cilave vinte Evropa, dhe, në rastin e tretë, borxhet dihet kush i merr, por jo gjithmonë dihet se kush i paguan. Dhe kjo është gjeopolitikë, duhet të thotë me seriozitet Tirana zyrtare. Siç duhet të ketë thënë edhe në vitin e largët 1992 kur anëtarësoi Shqipërinë në Konferencën Islamike.

Shqipëria, jo gjeografikisht në fakt, është një vend i Lindjes. Edhe ish-komunist atëherë, edhe pothuaj komunist sot. Por në fakt, jo Shqipëria, por drejtuesit e saj, kanë një etje të pafundme dhe një dashuri të pazakontë për rërën arabe, për kulturën e tespijeve dhe atë një çikë lezet të pabesueshëm ekzotik që afron Orienti, me pak raki të mirë dhe këngë plot lotë për çuna si llokume. Në Orient, përdorimi i gojës si mikrofon, nuk shkakton cënim krenarie, edhe kur e bën krenarisht hapur. Tryezat e larta në Shqipëri e duan Orientin si jaranin e fshehtë, për ta ai është xhehneti, pa të, është dynjaja është xhehnemi. E duan edhe atëherë kur i shkelin syrin në anglisht amerikanëve dhe britanikëve, edhe kur përgjërohen për kostumet e Bruskelit, edhe kur marrin para borxh për të shkuar në funeralin e Nënë Terezës siç bëri zoti Berisha në 1997-ën, edhe kur 14 vjet më pas i harrojnë ditëlindjen siç bëri zoti Berisha, edhe atëherë, pra, sërish, shallvaret e gjera i thithin me magjinë e tyre. Sepse ato janë shembulli që të paktën në nivel lokal, dëshmojnë si mund të mbetesh në përjetësisht majë tavolinës. Sepse Shqipëria nuk është, fatkeqësisht, as Lindje dhe as Perëndim, është vetëm një vend pothuaj komunist feudal. Por jo për faj të shqiptarëve, është kështu në dëm të shqiptarëve, të cilëve “zyrtarisht” thjesht ju thonë: Eshtë politikë, budallenj! Dhe tallen me ta edhe kur mbeten me gojë gjysmë të hapur e me gojë gjysmë plot përballë tavolinave të pushtetit krenar.