Shqipëri, Partia Socialiste bojkoton parlamentin dhe del në shesh

0
38

Nga Sergio Bagnoli

Në protestën treditore morën pjesë jo më pak se 100 mijë njerëz, 3% e popullsisë shqiptare. Zgjedhjet e fundit legjislative nuk u konsideruan transparente as nga vëzhguesit e pavarur të OSBE

Tiranë – Njëzet vjet pas rënies së Murit të Berlinit, një vend në portat e Evropës Perëndimore ka dalë në shesh për herë të parë për t’i vënë përfundimisht kapak korrupsionit, kriminalitetit dhe kulturës mafioze, e cila karakterizon ende shumë vende të Evropës Lindore, në radhë të parë Shqipërinë. Shqipëria është e lodhur nga intrigat dhe gënjeshtrat e mikut të vjetër të Enver Hoxhës, kryeministrit aktual, Sali Berisha, i cili me pretekstin e integrimit evropian ka zëvendësuar komunizmin e vjetër me regjimin e ri të ndërtuar me të njëjtin imazh e ngjashmëri.

Kështu mendojnë anëtarët dhe simpatizantët e opozitës socialiste, të cilët, të udhëhequr nga lideri i tyre, Edi Rama, si dhe kryebashkiak i Tiranës, kanë rrethuar Presidencën e Këshillit të Ministrave, nga dita e premte deri të dielën. Ishin shumë, rreth 100 mijë, d.m.th., 3% e popullsisë shqiptare, të gjithë për t’i kërkuar Sali Berishës, kryeministrit aktual dhe ish-kardiologut të diktatorit Enver Hoxha, rinumërimin e kutive të votimit të zgjedhjeve të kaluara, të zhvilluara në fund të qershorit, kur Partia Socialiste e Edi Ramës humbi me një diferencë pa peshë përballë Partisë Demokratike. Kjo e fundit arriti të formojë një qeveri të re, vetëm sepse pesë deputetë socialistë formuan një partizë dhe u bashkuan me kardiologun nga Tropoja.

Ato zgjedhje nuk u konsideruan plotësisht transparente as nga vëzhguesit e pavarur të OSBE, veprimtaria e të cilëve u pengua me çdo mënyrë nga qeveria që po dilte prej këtyre zgjedhjeve me në krye vetë Sali Berishën.

Pavarësisht verdiktit jo plotësisht të favorshëm, Shqipëria, mbi të gjitha falë edhe mbështetjes pa kushte të kryeministrit Silvio Berlusconi, u pranua të firmoste Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, dhe kërkesa e saj për pranim në Bashkimin Evropian me 27 vende u vlerësua pozitivisht nga Këshilli i ministrave të Jashtëm të Evropës.

Sali Berisha ka bërë me dije se kërkesa e opozitës, për të cilën deputetët ndërkohë kanë braktisur punimet parlamentare, “është e papranueshme, sepse dhunon Kushtetutën”

Por të rinjtë, që ëndërrojnë një Shqipëri evropiane, dhe moderne janë në krah të Ramës, i cili akuzohet nga të përditshmet e Tiranës si “një disfatist, që pengon procesin e integrimit evropian të vendit”, dhe kërkojnë me këmbëngulje ndihmën e Bashkimit Evropian që të bindë me doemos Berishën të tërhiqet.

Por gazetat shqiptare në pjesën më të madhe të tyre janë të nënshtruara ndaj kryeministrit dhe ato pak prej tyre që janë vërtet të pavarura bojkotohen vazhdimisht, aq sa pak ditë më parë u ndalua shitja në kryeqytet e “Gazetës Shqiptare”, botim lokal i “Gazzetta del Mezzogiorno”, dhe drejtori i një prej organeve më të mëdha të informacionit të pavarur, “TemA”, u rrah nga truprojat e tregtarit të naftës Taçi, mik i kryeministrit.

Dhe së fundi, të shumta janë dëshmitë e sipërmarrësve puliezë, krahina italiane e cila për arsye të afërsisë gjeografike sheh më shumë se çdo krahinë tjetër industrialistët e saj të investojnë përtej Adriatikut, të cilët ankohen për faktin se Berisha ka vendosur në Shqipëri një regjim të vërtetë iliberal. Evropa, pas manifestimit të 100 mijë njerëzve në Tiranë, nuk ka më alibi: Duhet të ngrejë zërin e saj për të garantuar të drejta më të mëdha brenda kufijve të tokës së lashtë ilire dhe mos kthejë kokën nga ana tjetër duke u mjaftuar vetëm me garancitë që jep Berisha.