Nga Andrea Stefani
Në qershor 2009 Presidenti i Partive Popullore Europiane, Vilfred Martens, zbarkoi në Tiranë për të deklaruar një gënjeshtër të madhe për Sali Berishën në sheshin “Skënderbej”. Ishte mitingu përmbyllës i fushtës së PD dhe Martens deklaroi se Sali Berisha është i vetmi lider që mund ta çojë Shqipërinë në Europë. Plakaruqi Martens, sikur të mos ishte një konservator evropian por një PD-ist i thekur, tha edhe shumë të pavërteta të tjera që do ia kishte zili propaganda kultngritëse e të gjithë diktatorëve dhe autokratëve të botës të gjallë e të vdekur, nga Hitleri e deri te Enveri, nga Çavez deri te Llukashenko. Në fakt konservatori Martens nuk bëri gjë tjetër veçse mbështeti atë që shfaqet sot si pengesa kryesore e europianizimit të Shqipërisë, kultin e Sali Berishës.
Dhe kur flasim për këtë kult, nuk kemi parasysh vetëm personin Sali Berisha por tërë atë piramidë nënshtrimi njerëzish dhe institucionesh, tërë rrjetin e kapjeve, korruptimeve apo shantazheve që nuk e lejon shtetin ligjor dhe drejtësinë të ngrejë kokën në Shqipëri. As votën e lirë. Kulti i individit Berisha nuk është thjesht individi Berisha, por një qenie sa kolektive aq antidemokratike. Eshtë një Leviatan me shumë kokë. Atij i del në mbrojtje jo vetëm një ministër i oborrit berishist që fiton miliona por edhe fshatari shkodran, të cilit i është përmbytur bagëtia dhe shtëpia për faj të ministrit.
Dukuria nuk është e re. Nuk qenë të paktë ata fshatarë që u bënë themeli i diktaturës komuniste për dekada me radhë edhe pse ushqeheshin vetëm me bukë misri dhe dhallë. Edhe kulti i Berishës i ka rrënjët sa te lakmia aq edhe të verbëria. Te po ajo verbëri që ushqeu për 45 vjet kultin e ish-diktatorit Enver Hoxha. Dhe “europiani” Martens vuri një tullë në piramidën e këtij kulti antieuropian. Sepse Berisha jo vetëm që nuk është lideri që mund ta çojë Shqipërinë në Europë (në fakt ai s’e ka fare një qëllim të tillë), por kulti i tij është sot shkëmbi që ka bllokuar rrugën e Shqipërisë drejt Europës. Ndryshe si shpjegohet që pas 20 vjetësh “drejt Europës” nën udhëheqjen e politikanëve si Berisha, Shqipëria është ende larg saj?
* * *
Kulti i Berishës nuk ka të bëjë më vetëm me Berishën. Por natyrisht ai kult nuk mund të marrë fund pa fundin politik të Sali Berishës. Kjo është edhe arsyeja që krahas denoncimit të sistemit të këtij kulti (një sistem që ka kapur për fyti sistemin e demokracisë dhe shtetit ligjor), kritika i drejtohet pa prerë kokës së këtij kulti që është vetë politikani Sali Berisha. Ka shumë argumente që provojnë se politikani Berisha është pengesë për europianizmin e Shqipërisë. Edhe pse ca “europianë” si Martens vazhdojnë të thonë të kundërtën. Por nuk ofrojnë dot prova për këtë.
Martens thotë se Berisha luftoi me tolerancë zero korrupsionin. Por është KE-ja që tha të kundërtën në raportin e progresit. Martens bëri altoparlantin e propagandës së rëndomtë berishiste kur tha se Berisha zhduku bandat. Por ndërkohë krimi organizuar dhe korrupsioni galopant mbeten një nga shkaqet që Shqipëria nuk fitoi dot statusin e kandidatit të BE. Martens e paraqet Shqipërinë që po ndryshon si një parajsë të krijuar nga demiurgu Berisha. Por pyetja që i bëhet atij është se përse Europa nuk ia hapi derën e kandidatit kësaj parajse? Shqipëria nën Berishën vërtet po ndryshon por po ndryshon për keq.
Të gjitha ato që tha dhe thotë Martens e K°, janë pjesë e një propagande që verbon sot jo pak shqiptarë. Dhe është një propagandë jo pa pasoja negative kur një politikan i lartë europian del në mbrojtje të berishizmit, korrentit politik më antieuropian në Shqipëri. Gjithsesi pa u përhapur shumë në fakte të tjera, do të ndalemi vetëm në një fakt të vetëm që dëshmon pa ekuivoke natyrën antidemokratike dhe antieuropiane të Berishës. Ka mbi 20 vjet që është Krijuar Partia Demokratike (PD). Dhe ajo u krijua me premtimin se do të ishte e kundërta e PPSH si në formë dhe organizim ashtu edhe në përmbajtje. Duke patur parasysh se në partinë komuniste lideri ishte i përjetshëm, në statutin e PD u fiksua që lideri, kryetari i partisë nuk duhet të qëndronte më shumë se dy mandate në krye të saj. Por ç’ndodhi? Sikundër denoncon sot Besnik Mustafaj, ky nen i statutit, që pengonte Berishën të bëhej një Enver Hoxhë në PD, u hoq.
Te kjo lëvizje e padukshme statutore duhet të shikojmë spermatozoidin e autokratizmit që degjeneroi demokracinë në PD duke e shndërruar atë, gradualisht, në një parti, në thelb, bolshevike. Në një parti të kuqe flakë por të maskuar me bojë blu. Pa një modifikim të tillë Berisha nuk do të kish qëndruar dot në krye të partisë për mbi 20 vjet rresht. Pa qenë kryetar i PD ai nuk do të kish qëndruar dot as në krye të politikës, të opozitës dhe më pas edhe të shtetit po aq gjatë. Në sajë të këtij deformimi statutor, sot PD-ja është shndërruar në një klan ku shumica i bindet verbërisht liderit, ashtu sikundër dje shumica i bindej verbërisht Enverit. Në jetën e brendshme të PD-së nuk ka asgjë thelbësore të ndryshme nga ajo e PPSH-së.
Eshtë po ai nënshtrim, bindje dhe verbëri absolute ndaj liderit. Rivalët e vërtetë, si Selami, Ngjela, përzihen me shkelma nga partia dhe janë të mirëpritur të rikthehen atje vetëm si servilë, si djem plangprishës që i përulen patriarkut dhe i kërkojnë falje. Sikundër u rikthyen Ruli, Pollo apo Imami. Në PD Berisha është sot Zot si “shoku Enver” dje në PPSH. Prandaj ca pyetje shkojnë për konservatorin Martens: A është normale, për standardet evropiane, që një lider të qëndrojë në krye të partisë së tij 20 vjet e kusur pa u ndërruar fare? A është lideri i përjetshëm tipar i partive demokratike apo i partive totalitare?
A është e mundur një parti jo demokratike të aspirojë qëllime dhe strategji demokratike sikundër është integrimi europian i Shqipërisë? Së fundi që Berisha është një autokrat dhe nuk ngopet me pushtet as në hapësirë por as edhe në kohë nuk do koment. Sikur të kish edhe një fije sens për demokracinë, Berisha jo vetëm nuk do ndryshonte statutin e PD por do vetë-largohej pas dy mandatesh nga kreu i saj. Pra do sillej ndryshe nga Enveri. Por atëherë Berisha nuk do ishte Berishë . Prandaj dhe një pyetje tjetër për “evropianin” Martens: A është e mundur që një maniak i pushtetit, një lider që po konkurron ish-diktatorin për jetëgjatësi në krye të partisë, të jetë lideri që mund ta çojë Shqipërinë në Europë?