Shqipëri e maqedonosur!!!

0
44

Nga Bledi Mane, 24.09.2011

I kam fiksim, pasion, dëshirë…alkimi të brendshme i kam udhëtimet. Më japin energji dhe përshtatem e argëtohem kudo që shkoj. Nuk ka rëndësi nëse jam në Montreal të Kanadasë a në Qatrom të Korçës, Fierzë të Tropojës a Karaçi të Pakistanit, Mineapolis të Minesotës a Vërtop të Beratit, unë do të gjej mënyrat si të çlodhem e argëtohem. Më pëlqen të takoj e flas me njerëz pavarësisht se janë hebrenj a çamë, pa bukë a me shkollë, sunitë a prostituta. Dua të marr më të mirën e atij vendi që vizitoj e natyrisht të mësoj e t’i mësoj gjindjes lokale ç’ka kemi të dobishme që na vlen të gjithëve.

Kam stërudhëtuar aq shumë kur ndihmoja njerëzit të emigronin jashtë Shqipërie dhe më besoni kur u them se nga udhëtimet jashtë a brenda këtij vendi kam nxënë më tepër se 19 vitet e shkollimit tim zyrtar. Edhe brenda Shqipërisë nuk mjaftohem vetëm me Tiranën a rrethinat, por sa herë gjej kohën, paratë dhe njerëzit e duhur marr tren, autobus, furgon a autostop rastësor e nisem të zbuloj ndonjë destinacion të ri.

Vetëm para pak ditësh u ktheva në Tiranë nga Jugu i Shqipërisë dhe rruga deri në kufijtë e Mallakastrës me Fierin më ka brengosur dhe shqetësuar aq shumë sa jam gati t’i zhvishem nudo Fatmir Mediut në shenjë proteste para ministrisë që drejton.

Nuk po shkruaj sot për ndotjen legjendare të mjedisit me naftën e gazrat e Ballshit, as për boshtin e jugut që nuk po mbaron së ndërtuari, as për togjet me plehra që i gjejmë çdo 300 metra si bajga lopësh. Unë kam ardhur në kryeqytet i kryeshokuar nga kryeshkatërrimet që u kemi bërë pyjeve tona me kryezjarret që kanë shëmtuar sëmurshëm përfundimisht mushkëritë e natyrës dhe mushkëritë tona.
Tentoni të hapni programin Google Earth në kompjuterin tuaj dhe çdo ditë shikoni tek update-ohet ngjyra bezhë e gjelbërimit të dikurshëm mbi Shqipëri. Nuk janë pyje të zhveshura nga vjeshta, janë sipërfaqe mijëra hektarëshe të zhuritura nga dora e humanit që tejzgjaten si metastaza deri aty ku tkurret edhe kufiri shtetëror administrativ i Republikës së Shqipërisë.

Më pëlqen kjo luftë e jona hakmarrëse me natyrën. Pasi rrahim gratë e motrat te shtëpia, pasi kemi vrarë me TT atë tipin përballë që na pa vëngër, pasi kemi përdhunuar mbesa, nipër, kuti votimi, kunata apo komshie, pasi kemi vjedhur edhe gurët e lumit edhe ushqimin e spitaleve, kemi tenderosur ndonjë rrugë a urë që s’ka për tu ndërtuar kurrë, i jemi kthyer luftës finale. Do ia nximë jetën edhe Mami Natyrës deri sa t’ia shkërfitim koren e tokës a t’i thajmë rrënjët e pemëve ndërkohë duke mos u lenë të ardhme pasardhësve tanë, atëherë do të vdesim të qetë.

Atdheu im më dhimbset, më duket si pulë e rrjepur Bulqize tek çokit me sqep mbi glasën e vet sa për të ngrënë diçka, sa për mbijetesë. Si pulë e rrethuar në një kotec të ndotur me rrjeta teli, izoluar për të mos infektuar pulat e shëndetshme komshije.

Ia shkatërruam jo vetëm vlerat shpirtërore e historike këtij vendi, por tashmë me shkatërrimet mjedisore harbute vulosim përfundimisht mungesën e identitetit kombëtar evropian, ndjesinë elementare të të qenit humanë me logjikë bazike.

MST: Tu them diçka? Reagoni ashpër me mua po të doni!
Kemi blasfemosur dhe katranosur mbretërimin e Ahmet burrelsit dhe akuzave për diktator e borgjez u kemi shtuar edhe akuzën e tradhtisë. Iku bishtshalosur më 7 prill ’39 dhe i shiti Jugosllavisë tokën tonë. Historiografia jonë na tregon që Shën Naumin e bekuar buzë liqenit të Ohrit ua dha si shpërblim fqinjëve më 1924 e tashmë këtë perlë e gëzon Maqedonia.

Imagjinoni dot sikur Shën Naumi të ishte në anën tonë, sa ndërtime pa leje do të kishte, sa i ndotur do të ishte, sa pallate do hidhnin shtat dhe sa pemë do të kishim sharruar? Sa skerdilajdkonomër do të tritoloheshin nëse do të kërkonin pronat e ligjshme, sa malësorë e jugorë nëntëdhjetëeshtatësha do kishin zaptuar troje, sa qofte do të haheshin, sa shurrë e sa të dhjera do të notonin mbi atë bregliqenas…më thoni të vërtetën! A s’shpëtoi mrekullisht Shën Naumi i bekuar se edhe manastirin do e kishim bërë nevojtore si vila e Mehmet Shehut në Vlorë?

Ndërsa u kujtoj ju të dashur lexues Shën Naumin e Maqedonisë, për vete kujtoj prezantimin ekselent të Maqedonisë në Kampionatin Evropian të Basketbollit për Meshkuj Lituani 2011. Ishte skuadra më simpatike dhe surprizë, e cila u rendit e katërta në kontinent. U kthyen “Luanët e Kuq” (jo komunistë) në Shkup mes një pritjeje madhështore spontane, më e bukur se ajo që fushëkrujasit i bën George W.Bush-it. Ne edhe peshëngritësit që i kemi elitarë rekordmenë i nisim nëpër kampionate ndërkombëtare me bukë me vete me djathë, xaxiq e qepë të njoma duke ua përlarë dietat dhe paratë që meritojnë.

Maqedonasit, fqinjët tanë lindorë e nisën historinë moderne si një shtet multietnik sharlatan dhe i sforcuar gjeopolitikisht më 1991, por po stabilizohen fuqishëm e kanë një krenari e egocentrizëm që tërbon jo vetëm Athinën e Sofjen, por herë-herë edhe Brukselin dhe Washingtonin pa venë në refene Tiranë e Prishtinë.

Shpenzojnë miliona euro për të ndërtuar vepra arti klasike duke tjetërsuar identitete helenësh e thrakësh, ndërsa ne presim të kalojmë në orgazëm nëse prishet ose jo Piramida. Tallen me origjinën e Shenjëtores shkupiane Gonxhe Bojaxhi e ia shkatërruan shtëpinë e lindjes, ndërkohë që ne e avokatojmë katoliken Nënë Terezë me muslimanët shqiptarë të Çarshisë që flasin turqisht.

Prezantohen bukur e thjeshtë nëpër festivalet e këngës së Eurovizionit ndërsa ne çojmë ala Aurela Gaçen me këngë shqiponjash si të jetë laraska hutaqe e reklamës riniring. Ne mburremi me Nato-n ku na futi Amerika natën fshehurazi, fqinjët tanë ia plasën buzën Greqisë dhe nuk ndryshojnë as qëndrim as emër republike.

E kanë bërë Shqipërinë treg masiv ku shesin tranguj, patillxhanë, lopë, viça, heroinë, xhel flokësh, patatina dhe euro fallco, ndërsa ne mburremi se kemi prodhime bio të cilat s’i hamë as vetë. Bëjnë zgjedhje lokale e parlamentare para ose në kohë dhe pas përfundimit palët pranojnë në heshtje rezultatet e shikojnë punën e tyre në janë opozitë apo qeverisësa.
Këtij i them shtet unë që edhe shqiptarizmin e atjeshëm e kanë përçarë dhe e kojnë me kocka të vogla sa për tu lëpirë e mos të ankohet në Bruksel.

U shkruajnë marrëveshje ohrash vetëm nëpër letra dhe i tundojnë pak e nga pak çdo dekadë duke ua dhënë me pikatore të drejtat shqiptare. I kënaqin me pak sepse ua (na i) kanë lexuar prej shekujsh mendjen shqiptarëve. Nuk duan ta pësojnë si Amerika me kubanezët gjatë depresionit të madh të 1929… Sa larg shkoj dhe unë me këto krahasime. E kanë Shqipërinë në perëndim të tyre dhe e shikojnë sesi këtu perëndon çdo vlerë çdo ditë, çdo minutë…

facebook.com/bledi.mane