Shqetësimet për bashkëjetesën dhe mbijetesën në media

0
37

Mero Baze

Nga Mero Baze

(Një replikë me kolegun Fatos Lubonja)

Dje, ndoshta me vonesë, kuptova se problemet, me të cilat ndeshet puna ime si gazetar dhe problemet, me të cilat ndeshet kolegu im, Fatos Lubonja, janë të ndryshme. Në shkrimin e tij të djeshëm në gazetën “Korrieri”, në një përpjekje të mundimshme për të bërë diferencën mes lirisë së shprehjes dhe lirisë së medies, Lubonjën, ndryshe nga unë, e shqetësonin dy probleme të mëdha: Problemi i parë dhe shumë i madh për të është se “cilat janë pazaret e prishura mes meje dhe Berishës”, një pyetje kjo e neveritshme prej së paku katër vjetësh, dhe problemi i dytë, i cili shfaqej gati në formë habie dhe meskiniteti, ishte se ku i gjej unë paratë, që akoma, e theksoj akoma, vazhdoj të botoj gazetën “TemA”.

Në fakt, problemet që ka liria ime dhe liria e shumë kolegëve të tjerë të mi për të qenë gazetarë sot, janë të ndryshme. Ato kanë të bëjnë mbi të gjitha me përpjekjet për të thënë të vërtetat tona dhe marrjen përsipër të kostos shpesh deri fizike për të mbijetuar pas këtij akti. Shqetësimet e zotit Lubonja i ngjajnë rëndom shqetësimeve të njeriut që përpiqet të përligjë bashkëjetesën e tij me diçka që s’do ta kishte qejf ta kishte si fat, por që s’ka fuqi ta zbojë tutje, kurse unë dhe kolegët e mi të gazetës “TemA” nuk e kemi problem këtë lloj bashkëjetese, por mbijetesën, që tashmë na e kanë imponuar.

Meqë për zotin Lubonja shqetësimet e mia reale nuk janë pjesë e shqetësimeve të tij, siç nuk janë dhe të një pjese tjetër të medies, për respekt të historisë së tij do t’i përgjigjem, jo për shqetësimet e mia, por për shqetësimet e tij.

Shqetësimi i tij mundimshëm, nëse “unë me Sali Berishën jemi prishur për pazare”, tani, edhe pas gati katër vitesh, është banal. Zoti Lubonja ose të ngjashmit e tij në këtë makth duhet së paku të gjejnë qoftë dhe një rast, kur dikush në këtë vend është prishur me Sali Berishën, se s’ka rënë dakord për pazare me të. Edhe ata që 18 vite më parë janë ndarë me të për pazare postesh, janë rikthyer tek ai, se e kanë gjetur më në fund pazarin. Edhe ata që janë ndarë me të pas 1997-ës, se nuk kishin çfarë të vidhnin në opozitë, janë rikthyer prapë, sapo erdhi në pushtet. Edhe ata që kanë urdhëruar arrestimin madje dhe vrasjen në tentativë të tij, janë rikthyer prapë dhe tashmë kërkojnë eliminimin e opozitarit të radhës.

Pra, profili i Sali Berishës, sidomos pas rikthimit në pushtet, nuk të lë asnjë dyshim se me të mund të prishesh për pazare. Për pazare me të tani mund të bëhesh mik dhe të harrosh gjithë historinë tënde me të, dhe nëse e ke pasur armiqësore, siç e kanë pasur shumë nga ata që janë në kabinetin e tij.

Arsyeja tjetër, përse unë me Sali Berishën nuk jam prishur për ndonjë pazar, është dhe sjellja jonë e ndërsjellë. Është e vërtetë se unë kam bërë akuza të forta dhe ekstreme ndaj tij dhe ai po ashtu s’ka lënë gjë pa bërë për të shkatërruar biznesin dhe mbijetesën time si gazetar. Në të tilla raste, një njeri që do të ishte prishur për pazare, s’do të guxonte as të hapte gojën dhe ai tjetri as të ngrinte dorën. Nëse do të kisha qoftë dhe një moment kompromentimi me Sali Berishën, do t’i ngjaja atyre bashkëpunëtorëve fatkëqij të Sigurimit, që vetëm për operativin e tyre nuk flasin. Dhe për ta mbyllur këtë debat të pështirë, që fyen dhe Sali Berishën në fakt, do të thosha se dikush që prishet për pazare, nuk largohet nga pazari.

Shembuj ka me bollëk dhe te vetë stacioni televiziv Klan, ku Lubonja angazhohet. Dhe duke e hedhur poshtë me neveri këtë meskinitet, do t’iu lutesha më mirë të debatonim përse duhet prishur miqësia me udhëheqës të tipit Sali Berisha, kur ata sundojnë, kështu siç po sundon ky. Nëse unë e kthej debatin në të kundërt dhe pyes plot kolegë të mi, përse nuk e ngrenë zërin kundër Sali Berishës, po të përdor logjikën e tyre, kam të drejtë të them, se kjo ndodh, sepse ata nuk janë prishur ende në pazare me të apo janë dorëzuar në një sistem që poshtëron profesionin tonë. Nuk e kam thënë kurrë dhe nuk do ta them kurrë këtë për askënd, dhe për ata që i shoh se turfullojë të pafuqishëm nga ky poshtërim, pasi kjo nuk është një betejë kolektive, por mbi të gjitha individuale.

Duke qenë e tillë ajo nuk detyron askënd të luftojë medoemos, por natyrisht dhe askënd të fyejë ata që luftojnë medoemos. Kur në këtë betejë ka shumë individë dhe kur ata dominojnë me betejat e tyre, natyrisht një debat i tillë si ky i Lubonjës kundër meje bëhet periferik. Argumenti i Fatos Lubonjës se unë kam mbrojtur “bëma dhe gjëma” më të mëdha të Sali Berishës më parë dhe kjo është një arsye, se të dy i jemi nënshtruar një “Kodi të Heshtjes”, është po ashtu i pabazë. Unë, jo vetëm që s’kam mbrojtur asnjë bëmë të Sali Berishës në pushtet, por ndjehem keq që jam shumë i vetmuar shpesh në betejat kundër bëmave të tij. Unë kam qenë një mbështetës publik dhe gati-gati një luftëtar për të ri-ngritur figurën e Sali Berishës pas vitit 1997, kur ai ishte në opozitë dhe përfaqësonte një opozitë, e cila po dërrmohej pa mëshirë. Nuk dua të ribëj histori, pasi atë s’ka qejf ta kujtojë as Sali Berisha dhe as TV Klani, por dua të them se për mua shumë pak gjëra kanë ndryshuar në profilin tim si gazetar.

Unë kam përballë të njëjtët njerëz, të njëjtat probleme dhe të njëjtat teza: Antiopozitarizmin dhe korrupsionin. Kam përballë sërish TV Klanin, që nuk është se zgjedh “politikë editoriale”, siç thotë Lubonja, por zgjedh pushtetin e korruptuar për t’i dalë zot fitimeve të veta të paligjshme. Krahasimi vulgar se TV Klan ka zgjedhur pushtetin si Top Channel opozitën, megjithëse çalon, edhe sikur të merret i mirëqenë, ka një diferencë të madhe morale, nëse nisemi nga paranoja e Lubonjës se dikush i paguan. Të zgjedhësh opozitën, e ke të sigurt, se së paku nuk ke zgjedhur pagesën, s’ke zgjedhur tenderët, s’ke zgjedhur pushtimin e tokave të të tjerëve, s’ke zgjedhur zaptimin e Kinostudios, dhe as reklamat qeveritare me shumicë. Asnjë paralele nuk mund të bëhet mes këtyre dy fateve.

Kjo më shfajëson dhe mua për atë pse kam mbrojtur Sali Berishën në opozitë për tetë vite, pasi në atë kohë gazeta ime dhe unë sërish ishim pa pará, me mundësi ekstreme mbijetese dhe me një pushtet arbitrar, që stimulonte izolimin dhe ekstremizimin e qëndrimeve. Ato “bëma dhe gjëma” që unë ia kam justifikuar Sali Berishës për tetë vite në liri, janë thjesht betejat e tij për të mbrojtur opozitën, për të protestuar ndaj vjedhjes së votave, dhe natyrisht, për të mundur një sistem kleptokrat. E vetmja gjëmë që nuk i mbuloj dot Sali Berishës është se tashmë është aleat me ata që mundi më 3 korrik të 2005 dhe unë jam sërish përballë gjithë tyre, tashmë dhe Sali Berishës.

Shqetësimi tjetër madhor i Fatos Lubonjës, i përsëritur dhe më parë, është burimi financiar i gazetës “TemA”. Dua t’i kujtoj Fatos Lubonjës, se prej 11 muajsh shtypshkronja dhe investimet e tjera të gazetës “TemA”, të cilat shkonin deri në 500 mijë euro, janë bllokuar me dhunë dhe janë shkatërruar prej qeverisë. Deri atëherë gazeta mbahej me biznesin e shtypshkronjës së saj në mënyrë modeste dhe mund të mbijetonte. Prej 11 muajsh ajo është në rrugë prej Sali Berishës, dhe thuajse ka kaluar çdo limit mbijetese. Ekipi është shkurtuar tri herë dhe tashmë ajo është më shumë një newsletter editoriale sesa një gazetë e mirëfilltë dhe e plotë pikërisht për shkak të problemeve financiare. Unë vetë punoj aty vullnetarisht dhe paguaj prej pagës sime në një medie tjetër rrogat modeste të disa gazetarëve që bëjnë të mundur botimin e saj.

Në këtë gjendje skeletike që e ka katandisur qëndrimi politik i Sali Berishës ndaj medies kritike, ajo ka një buxhet aq modest, sa do turpëronte çdokënd që do ishte përgjegjës i atij projekti. Për këtë unë jam gati që nesër t’u lë me orë të tëra, nëse keni kohë, të bisedoni me financieren e gazetës dhe po deshët dhe ta administroni atë vetë për të parë nga vijnë paratë dhe sa duhen për të mbijetuar. Ajo që më shqetëson në këtë rast, është meskiniteti i tepruar, që të punosh në një medie si TV Klani, ku miliona euro shkojnë në mënyrë të paligjshme nga arka e qeverisë në xhepat e pandershëm të një botuesi të korruptuar dhe të mos të të zërë gjumi, përse nuk mbyllet një “newsletter” si gazeta “TemA”, e cila i prish gjumin qeverisë. Jo, i dashur Fatos. Në këtë gjendje që e ka çuar qeveria gazetën “TemA”, ajo nuk mbyllet më.

Ajo që mua më duket e tepërt, është se në gjithë këtë lukuni mediesh, që rrojnë, herë duke iu servilosur Ilir Metës me Edi Ramën, kur ishin bashkë në pushtet, dhe tani Ilir Metës me Sali Berishën, çuditem se si shqetësim përbën fakti se, “si ka mundësi që nuk mbyllet kjo gazeta “TemA”. Kjo është një pyetje torturuese për zotin Berisha, i dashur Fatos, dhe ty nuk të ka hije. Lëre atë t’ia bëjë vetes dhe miqve të vet këtë pyetje dhe kur të humbasin qetësinë, siç e kanë humbur shpesh këtë vit, të nisin jeniçerët e tyre të djegin makina, të rrethojnë redaksitë dhe të mbrojnë ditën banditët, që nisin për të linçuar gazetarë natën.

Mos e lejo veten të vuash nga të njëjtat makthe që vuan dhe Sali Berisha për ditën kur do mbyllet kjo gazetë. Realisht nuk ke asgjë të përbashkët me të, dhe këtë gjë e them dhe e besoj. Beteja jote e respektuar kundër Edi Ramës në fillim të viteve 2000 nuk u paragjykua kurrë nga askush, as si prishje pazaresh dhe as si financim i dikujt tjetër. Është e tepërt të vulgarizosh betejën tonë për mbijetesë me paranoja që ne nuk i kemi pasur sinqerisht për ty. Ne e dimë se nuk jemi duke bërë një gazetari normale, pasi kjo s’mund të bëhet kurrë në një mjedis anormal, jo-konkurrent, dhe të korruptuar prej pushtetit. Ne e dimë se nuk jemi engjëj në betejën tonë, pasi përballë kemi djajtë.

Por jemi në luftë për mbijetesën tonë dhe si çdo luftë që nuk është mbyllur kurrë, pse ka munguar fisheku i fundit, dhe beteja e kësaj gazete me qeverinë nuk ka për t’u mbyllur kurrë për 30 lekëshin e fundit të një lexuesi, që ngrihet çdo mëngjes për ta blerë, qoftë dhe për ato pak faqe që i kanë mbetur, me një foto policësh në krye të çdo faqeje. Lëre Berishën ta përjetojë këtë makth, se ai e meriton. Ti ke bërë plot beteja për lirinë dhe pavarësisht zhgënjimit, s’ke pse zhgënjen dhe të tjerët. Na lër të zhgënjehemi vetë.