Shqetësimet e Berishës, postuar nga Gjermania në RD

0
38

Nga Mero Baze, 9 Shkurt 2012

Dy lajme interesante ka prodhuar Jozefina Topalli në udhëtimin e saj në Gjermani. E para, sulmi ndaj Ilir Metës, dhe e dyta, sulmi ndaj Kreshnik Spahiut. Të dyja janë interesante, pasi tregojnë shqetësimet reale të Berishës në këto momente. Sulmet i shqiptoi përmes raportuesit të CDU-së për Shqipërinë, Roderich Kiesewetter, i cili dha me rastin e vizitës së Topallit një intervistë në portalin e Deutsche Welle-s, e cila u botua jo vetëm në gazetën TemA, por “çuditërisht” me ndërhyrje të Berishës, edhe në gazetën Rilindja Demokratike të ditës së djeshme.

Kiesewetter është një mbështetës i qartë dhe pa hezitim i Berishës në CDU dhe ka qenë pranë PD në shumë momente delikate të saj, biles dhe në momente jo të këndshme për një perëndimor. Ai qëndron realisht pas vizitës së Topallit në Gjermani dhe është pika e referimit të politikës gjermane ndaj situatës në Shqipëri kohët e fundit.

Në intervistën e tij, Roderich Kiesewetter duke mbështetur pa rezerva qeverinë Berisha dhe politikën e saj, dha dy sinjale tepër delikate që duket se ziejnë brenda shumicës në pushtet, problemi Meta dhe problemi Spahiu. Edhe pse vetë Berisha ka shprehur mbështetje për Ilir Metën dhe është përdorur gati si truprojë për të frikësuar gjykatat, duket se është i shqetësuar nga dëmi që i ka shkaktuar pushtetit dhe imazhit të tij historia e video-skandalit, e cila tashmë përfundoi me një pakt mes dy kundërshtarëve dhe me një taksë shumë të rëndë për imazhin e qeverisë Berisha.

Jozefina Topalli dihet që nuk e duron dot Lulëzim Bashën. Por së fundmi ajo nuk duron dot sidomos aleancën e Lulëzim Bashës me Ilir Metën, të cilët po funksionojnë si një pol pushteti brenda shumicës. Edhe më tej ajo ndjehet e acaruar nga fakti që dyshja Meta- Basha, për të shpëtuar imazhin e tyre të rrënuar me video-skandalin dhe vrasjet e 21 janarit, kanë nisur të moderojnë gjuhën dhe t’i bëjnë karshillëk pushtetit, duke dashur të kompensojnë problemet me ligjin përmes gjuhës së moderuar. Është kjo arsyeja që ka nxitur zonjën Topalli të jetë porositësja e qartë e sulmit që Roderich Kiesewetter i ka bërë Ilir Metës në këtë intervistë.

Ai e përshkruan mosdënimin e Ilir Metës si një gjë të pakuptueshme për qytetarët dhe ky është sulmi më i rëndë që miku i pushtetit të Berishës, një mik dhe i sotëm dhe mbështetës i fortë i tij, e bën me kaq shumë detaje. “Në rastin e Ilir Metës gjykatat nuk morën një vendim të kuptueshëm. Njerëzit prisnin në fakt që ai të dënohej, e nuk kuptohet se përse gjykatat kanë marrë një vendim të tillë”. Siç duket qartë nga teksti, ai është i udhëzuar të flasë me kaq detaje për skandalin Meta dhe faktin që ai i prish punë imazhit të shumicës në Shqipëri, aleat i së cilës është vetë zoti Roderich Kiesewetter.

Ngelet për të parë nëse zelli për ta sulmuar publikisht Ilir Metën si hajdut është vetëm i zonjës Topalli apo ka qenë dhe një direktivë e Berishës, i cili ndjehet i shqetësuar nga pakti Meta- Prifti. Ajo që shohim kohët e fundit është se Berisha po kërkon një zgjerim të madh të koalicionit të ardhshëm, një zgjerim deri në atë shkallë sa të mos i duhet më Ilir Meta. Por deri atëherë, mos prisni ndonjë fjalë të keqe prej tij për Ilir Metën, përveç ndonjë sinjali si intervista në fjalë, tek gazeta RD. Është e para herë që gazeta e pushtetit shkruan se mosdënimi i Ilir Metës, ka ngjallur shqetësim tek qytetarët.

Shqetësimi i dytë që lexohet në intervistën e zotit Roderich Kiesewetter është shqetësimi për Aleancën Kuq e Zi. Ai e karakterizon atë si një lëvizje populiste të djathtë, e thekson të djathtë, e cila është e dëmshme, bile dhe e rrezikshme për Shqipërinë. Nga përkufizimi që i bën Aleancës Kuq e Zi si lëvizje e djathtë populiste, ai duket se është i shqetësuar për futjen e kësaj lëvizje në tortën elektorale të PD dhe Berishës, dhe e ka sulmuar atë. Është e qartë se ai nuk është se monitoron Shqipërinë apo çfarë ndodh këtu.

Deklaratat e tij gjatë vizitës së zonjës Topalli në Gjermani duhet t’i lexojmë si sugjerime të zonjës Topalli ndaj situatës aktuale në Tiranë. Dhe kjo kuptohet qartë se Berisha ka dy shqetësime kryesore, shqetësimin se Aleanca Kuq e Zi mund t’i marrë vota, dhe shqetësimin se Ilir Meta mund t’i ulë vota. Duke dashur të mos jetë vetë artikuluesi i këtyre shqetësimeve, ai ka zgjedhur një partner të PD-së dhe njeri të besuar të tij në Gjermani që t’i bëjë këto deklarata si shqetësime të Perëndimit. Por në të vërtetë deklarata të tilla nuk është se i prishin ndonjë punë Aleancës Kuq e Zi.

Ato e ndihmojnë atë të forcojë identitetin e saj dhe të zgjerojë rrethin e mbështetësve nacionalistë në vend, që i shikojnë edhe mbështetësit perëndimorë të Berishës si kundërshtarë të tyre. Por më shumë se për të dëmtuar Aleancën Kuq e Zi, ajo intervistë e porositur vlen për të kuptuar shqetësimet e Berishës për skenën aktuale politike në Tiranë. Siç shihet nga intervista ai nuk ka prekur fare çështje delikate siç është zgjedhja e presidentit, hetimi i 21 Janarit, apo rënia e drejtësisë nën ndikimin e pushtetit, që janë dhe probleme madhore për Shqipërinë.

Ai ka bërë madhore për Shqipërinë ato probleme që janë në këto momente madhore për zonjën Topalli, e cila është e injektuar non stop nga shqetësimet e kryeministrit Berisha. Ndaj në këtë rast kemi arsye të mësojmë për dhimbjet e kokës së Berishës në Tiranë, nga receta që sugjeron një mik i tij në Gjermani, i cili nuk ka harxhuar shumë kohë për të përgatitur ato që ka thënë. Thjesht koha që i duhet përkthyeses së zonjës Topalli për t’ia shpjeguar hallet që kanë në Tiranë.