Shqetësimet dhe kujdesi për lekun

0
82

Adrian Civici

ADRIAN CIVICI, 03.02.2010

Nënçmimi i ditëve të fundit i lekut ndaj euros dhe dollarit në tregun tonë të këmbimit shkaktoi natyrshëm jo vetëm reagimin e biznesit, por dhe debate e analiza të shumta për shkaqet dhe faktorët e këtij fenomeni shqetësues. Megjithëse këmbimi i lekut në vlerat 99.9 lekë, në raport me dollarin dhe 139 lekë në raport me euron nuk është nga më të lartat e viteve të fundit, përsëri ajo që duket më shqetësuese është një tendencë e qëndrueshme disamujore e nënvleftësimit të lekut ndaj dy valutave kryesore ndërkombëtare. Në këtë kohë të turbullt krize ekonomiko-financiare ndërkombëtare, lajmet dhe analizat për luhatjen e pjesës dërrmuese të monedhave të botës janë mëse normale. Të gjithë janë të shqetësuar, të gjithë përpiqen t’i bëjnë “skanerin” e duhur ekonomive dhe monedhave të tyre. Nga kjo situatë shumë fluide ndërkombëtare dhe nga efektet e saj direkte e indirekte nuk mund të bëjë përjashtim as Shqipëria.

Problemi është që të mos luajmë as rolin e të “habiturit”, as atë të “pesimistit alarmant”, dhe natyrisht as të “indiferentit” me justifikimin se kështu vendosi tregu dhe pikë. Të mësuar me një lekë shumë të qëndrueshëm gjatë një periudhë pothuajse dhjetëvjeçare, është mëse normale që çdo luhatje e tij, aq më tepër çdo nënvleftësim apo zhvlerësim i tij, të jetë objekt preokupimi serioz. Në radhë të parë për bizneset, sidomos për ato degë e sektorë që nuk kanë cikël të mbyllur përpunimi në vend dhe lëndët e para i marrin nga tregjet ndërkombëtare; së dyti, për individët që të ardhurat kryesore i kanë në lekë, ndërkohë që janë të detyruar të bëjnë pagesa në euro ose dollarë për kreditë që kanë marrë në këto monedha, apo për të realizuar blerje e shërbime të ndryshme që në tregun shqiptar ofrohen vetëm në euro; së treti, për të gjithë njerëzit në pozitën e konsumatorëve sepse nënvleftësimi i lekut përveçse shkakton një inflacion të importuar, çon edhe në një rritje të përgjithshme të çmimeve, sidomos të mallrave të importuara; së katërti, çdo destabilizim që pësojnë individët apo bizneset, si pasojë e humbjes së vlerës së lekut, mund të jetë me pasoja të vogla apo të mëdha për rritjen e përqindjes së kredive të këqija e me probleme, për uljen e importeve, sidomos atyre teknologjike, për zvogëlimin e të ardhurave në buxhet, si pasojë e tkurrjes së aktivitetit ekonomik të një kategorie biznesesh, etj.
Por, nënvleftësimi i një monedhe lokale në raport me monedhat valutë ka edhe disa aspekte pozitive. Së pari, nxit dhe lehtëson eksportet duke i bërë ato më të lira; së dyti, frenon importet dhe dërgon “mesazhe” pozitive drejt nxitjes së prodhimit vendas, pasi i bën çmimet e brendshme atraktive për prodhuesit; së treti, i krijon fuqi më të madhe blerëse e të ardhura më shumë atyre familjeve që të ardhurat kryesore i kanë nga remitancat; etj. Parë nën këtë këndvështrim, bilanci i efekteve është kompleks dhe e rëndësishme është të dish të lexosh thelbin e “sinjaleve” që vijnë nga ecuria e kursit të këmbimit lekë/euro apo lekë/dollar. Eksperienca e shumë vendeve, përfshirë këtu edhe vende të vogla apo në zhvillim, që ngjajnë me Shqipërinë, e kanë nënvleftësimin apo mbivlerësimin e lekut si pjesë të politikave të tyre ekonomike e financiare në funksion të fazave të ciklit dhe konjukturave të ekonomive të tyre.
Po cilët janë faktorët që ndikojnë në ecurinë e një kursi këmbimi dhe kujt duhet t’i “kërkojmë llogari” apo të presim që ta ndryshojë rrjedhën e forcimit apo nënvleftësimit të lekut. Megjithëse, përqindja e këmbimit është një fenomen mjaft kompleks dhe vështirësisht i kuantifikueshëm në ekuacione apo indikatorë të fiksuar, përsëri, në literaturën dhe analizat e specializuara të këtij fenomeni identifikohen katër faktorë apo grupe faktorësh bazë që ndikojnë në këtë dukuri. Të tillë janë: faktorët psikologjikë në vendimmarrjen e biznesit, individëve, etj.; faktorët konjukturorë të tregut të parasë; faktorët strukturorë të ekonomisë dhe financave të një vendi; faktorët e ndikimit të jashtëm ose të konjukturës ndërkombëtare. Nëse duam që leku të ketë qëndrueshmëri dhe stabilitet në raport me euron, dollarin, sterlinën, etj., qoftë edhe duke pranuar ekuilibra të rinj në përqindjen e këmbimit dhe vlerën e tij, duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta përballojmë problemin në të katër komponentët e mësipërm të tij.

Në faktorët psikologjikë që mendoj se ndikojnë në këtë tendencë nënvleftësuese të lekut është klima e përgjithshme e konfliktualitetit politik dhe vlerësimet për ecurinë dhe gjendjen e ekonomisë shqiptare, që duket se në të dy ekstremet e tyre janë larg të vërtetës. Vlerësimet e tipit “nuk na ka prekur fare kriza”, “ekonomia jonë është maksimalisht eficente”, “rritja jonë ekonomike do jetë me dy shifra”, apo të tipit “jemi në kolaps ekonomik total”, “kriza ka prekur çdo qelizë të ekonomisë”, “financat publike janë në rrezik”, etj., natyrisht që shkaktojnë konfuzion dhe ndikojnë në vendimet e aktorëve ekonomikë. Direkt apo indirekt, “strehimi” mund të gjendet te lëkundja e besimit te leku dhe ridemsionimi i strategjive apo vendimeve të çdo aktori ekonomik në funksion të monedhave më të qëndrueshme si euro apo dollari. Po kështu, edhe diskutimet formale të tipit “shumë shpejt do futemi në zonën euro”, “e ka fajin leku që është i dobët”, “Mali i Zi, Kosova, Rumania apo Bullgaria që kanë adoptuar euron nuk kanë problemet tona”, etj., nuk bëjnë gjë tjetër veçse lëkundin besimin te monedha jonë.

Natyrisht që e ardhmja jonë është futja në zonën euro dhe përdorimi i euros si monedhë në Shqipëri, por kjo përveç vullnetit politik, kërkon edhe kohën e nevojshme të reformave strukturore integruese në këtë zonë. Nëse duam që leku të vazhdojë të jetë sa më i stabilizuar në kursin e tij të këmbimit, është mirë që vlerësimet për ekonominë dhe financat shqiptare të jenë sa më realiste e të dominohen nga fjalori teknik e profesional dhe jo në formën e opinioneve dhe vlerësimeve politike, duke e bërë ekonominë thjesht një kalë beteje për kredo politike.
Faktorët konjukturorë që janë me veprim të përkohshëm shkaktojnë shpesh efekte të dukshme e të rëndësishme në kursin e këmbimit. Në fund të fundit, kursi i këmbimit nuk është gjë tjetër veçse “çmimi i një monedhe në raport me një tjetër” dhe raporti i tyre kërkesë ofertë në treg bëhet determinues. Nga kjo pikëpamje ne kemi njohur mjaft raste në gjithë këtë periudhë tranzicioni, kur leku është vënë në presion pozitiv apo negativ në kërkesën dhe ofertën në raport me euron apo dollarin. Tashmë të gjithë e dimë se nëntor dhe dhjetor apo korrik, gusht e shtator, leku forcohet si pasojë e “bollëkut” të eurove që hyjnë në Shqipëri nga emigrantët apo turistët, etj.

Po ashtu e dimë se në janar, shkurt e mars leku dobësohet si pasojë e mungesës së hyrjeve masive të eurove, si dhe kërkesës së madhe për to në treg, meqenëse një kategori e caktuar kompanish e kthejnë fitimin e tyre vjetor nga lekë në euro, pra bëhen kërkues dhe blerës të mëdhenj të euros në pak ditë apo javë. Po kështu, edhe në rastet kur tregtarë të mëdhenj bëjnë blerje masive eurosh apo dollarësh në pak ditë për kategori të caktuara mallrash importi. Natyrisht që në faktorët konjukturorë ndikojnë edhe veprimet spekulative në tregun monetar, por që deri tani në Shqipëri nuk rezulton që këto të kenë përmasa shqetësuese apo ndikuese. Parë nën këtë optikë, çdo lloj mase që e bën sa më të njëtrajtshme kërkesën për euro apo dollarë gjatë vitit, si dhe ngushtimi i çdo mundësie për spekulim në tregun monetar do të ndihmonte kursin e këmbimit nga goditjet. Ndryshimi i kursit të këmbimit i ditëve të fundit duket se ka ardhur kryesisht nga ky grup faktorësh. Shumë të rëndësishëm për shkallën e ndikimit të tyre janë faktorët strukturorë. Ndër të tjera, ne kemi pasur një lek të fortë e të qëndrueshëm sepse në 10-12 vitet e fundit kemi pasur tregues makroekonomikë të qëndrueshëm e stabël.

Dy apo tre vitet e fundit ku patëm një ndërthurje të krizës globale me shumë efekte mbi ekonominë tonë me situatën elektorale dhe paqartësitë politike, disa nga treguesit makroekonomikë nuk janë të stabilizuar. Borxhi publik, bilanci i pagesave, deficiti buxhetor, deficiti tregtar, realizimi i të ardhurave publike, investimet e huaja, financimet publike, rritja ekonomike, papunësia, investimet në teknologjitë e reja, ecuria e kredisë, ulja e remitancave, etj., kanë shfaqur mjaft probleme e devijime nga disa standarde të domosdoshme eficence për një ekonomi të shëndoshë e në ekuilibër. Natyrisht, që e gjithë kjo është një nga faktorët që ndikojnë në qëndrueshmërinë dhe kursin e këmbimit të lekut. Shpesh në media artikulohet kërkesa që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë në tregun monetar sa herë që leku nënvleftësohet. Natyrisht që Banka e Shqipërisë e ndjek me vëmendjen maksimale ecurinë e lekut dhe në gjithë politikën monetare apo operative të saj është e kujdesshme për qëndrueshmërinë e tij, por nuk duhet harruar se Shqipëria hyn në grupin e atyre vendeve që kanë adoptuar kursin fleksibël të këmbimit të lekut dhe për pasojë vlerën e tij në treg e përcakton kërkesë-oferta për të.

Prandaj, duhet kuptuar drejt, se edhe në rastet kur mund të bëhen ndërhyrje monetare për të rregulluar ekuilibrin kërkesë-ofertë, ato janë të përkohshme dhe përgjithësisht rregullojnë devijimet që vijnë si pasojë e efekteve konjukturore. Kemi ardhur në një pikë, që modeli jonë ekonomik duhet të ndryshojë, që burimet e të ardhurave, sidomos ato në euro e dollarë, duhet të diversifikohen e të bëhen më të qëndrueshme, që të fillojë realisht e me baza shkencore procesi i një konvertimi të shpejtë të ekonomisë dhe financave tona me standardet dhe kërkesat e BE-së. Në ekonominë e globalizuar dhe integruar, çdo dobësi strukturore e një ekonomie në raport me ekonomitë e zhvilluara reflektohet ndjeshëm te fuqia apo dobësia e monedhës së saj, dhe në rastet kur monedha është e përbashkët, te çmimet dhe fuqia blerëse.

Dhe së fundi, faktorët e jashtëm që kanë të bëjnë me forcimin e monedhave apo luhatjet e tyre në tregjet ndërkombëtare. Jo pak herë në këto 18 vite, ecuria e lekut është ndikuar nga këto luhatje të markës, lirës, frangut, euros, dollarit, stërlinës, yenit, etj. Këtë lloj ndikimi është zor që ta ndalosh apo modifikosh strukturalist, sepse atje veprojnë faktorë shumë të mëdhenj e të rëndësishëm në ekonominë dhe financat ndërkombëtare, por gjithsesi, e rëndësishme është ta ndjekësh me kujdes dhe të bësh politikat përshtatëse më të mira në kuadër të trendeve të tij. Në rritjen e fundit të vlerës së euros dhe dollarit në tregun shqiptar nuk duket se ka ndodhur një ndikim i këtij faktori.