Shpresë në vend të rrënimit

0
74

Nga Mero Baze

Duhet të ndalem pak tek disa hollësi për lexuesin për të qartësuar rrënimin e procesit. Të shtunën Edi Rama u shqiptua si fitues i këtyre zgjedhjeve me dhjetë vota diferencë. Për shkak të paqartësisë së shifrave në momentet e para dhe natyrisht inteligjencës së mangët të zonjës Vokshi, demokratët festuan për rreth dy orë fitoren e Bashës nëpër rrugët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë. Kryeministri Berisha doli i qartësuar për shifrat dhe hodhi dyshime për gabimet njerëzore të mundshme të bëra gjatë mbledhjes matematikore. Pas katër- pesë orësh gjithçka u bë e qartë.

As gabime njerëzore nuk kishte në llogaritje dhe as shans për të fituar Lulëzim Basha. Atëherë u bllokua KQZ dhe tabela e fundit e rezultateve nuk u azhornua deri në këto momente. Rezultati paraprak, i cili qëndron në themel të integritetit të procesit nuk u shpall kurrë. Pas tri ditësh Berisha arriti të seleksionojë disa kuti, të fusë dhe të nxjerrë prej tyre fletë votimi dhe të fillojë para syve të të gjithëve një shfaqje të shëmtuar të masakrimit të votës.

Tani procesi ka degraduar tërësisht dhe as që ja vlen ta ndjekësh më këtë shfaqje të shëmtuar. Lulëzim Basha do të shpallet kryetar i Bashkisë së Tiranës me 4 vota pro dhe 3 kundër, duke u bërë kryetar paralel bashkie në Tiranë me zotin Rama. Pra, do të jemi në kushtet e dështimit të procesit, i cili nuk do të prodhoj dot një kryetar bashkie legjitim. Në këto kushte ne gjendemi para faktit që në këtë vend pushteti nuk ndërrohet me vota, sa kohë procesin e zgjedhjeve e mbikëqyr Sali Berisha. Edhe pse ka pasur një presion të fort ndërkombëtar, edhe pse është koshient se Shqipëria do bëjë hapa mbrapa me këtë rrënim të procesit zgjedhor që ai bëri, ai është i vendosur në rrugën e tij. Arsyetimi popullor shqiptar se të marrit i hapet rruga, në këtë rast nuk vlen.

Propozimi i djeshëm i opozitës për revolta popullore deri në rrëzimin e qeverisë, edhe pse ka një kosto të lartë për vendin, mbetet një mundësi më shpresëdhënëse për të rivendosur rregullat e lojës, se sa tërheqja zvarrë pas institucioneve të kapura të Berishës. Por revolta popullore nuk duhet përkthyer doemos në egërsi, dhunë dhe rrënim institucionesh. Ajo pikësëpari duhet kuptuar si fuqi e njerëzve të zemëruar që nuk pranojnë poshtërimin politik në vitin 2011.

Sali Berisha është i lidhur personalisht me procesin e rrënimit të zgjedhjeve në Tiranë, pasi objektivi i tij kryesor në këtë zgjedhje ishte goditja ndaj liderit të opozitës për të kontrolluar politikisht opozitën. Ai përqendroi gjithë makinerinë shtetërore në Tiranë, që ka prodhuar një trupë votuese artificiale për Bashën, duke i shkuar shumë afër rezultatit, dhe falë rritjes së madhe elektorale që kishte zoti Rama, nuk ja ka kaluar.

Duke mos rrënuar dot liderin e opozitës dhe duke pësuar një humbje katastrofike në gjithë Shqipërinë, Berisha ka dalë i mundur keqazi nga kjo betejë, pasi as opozitën s’e ka mposhtur dot, as liderin e opozitës nuk e ka mundur dhe as zgjedhjet nuk i ka certifikuar dot si të lira dhe të ndershme. Në këto kushte ai nuk ka çfarë humbet më, dhe as që ka ndërmend ta lëshojë Tiranën.

Unë nuk mund të them sa e gjerë dhe e thellë mund të jetë revolta popullore e opozitës, por di të them se Shqipëria s’mund të gjejë qetësi më nën qeverisjen e një njeriu, partia e të cilit tani ka mandat të qeverisë vetëm 600 mijë nga 3 milionë shqiptarë. Protestat dhe bllokimi institucional duhet të detyrojnë Berishën të shkohet drejt zgjedhjeve të parakohshme, pa atë si kryeministër. E thënë sot kur ende nuk ka mbaruar një proces i rrënuar zgjedhor, kjo duket si teprim, por tensioni është aq i lartë dhe gjendja aq afër shpërthimit, sa është më mirë të shfryhet përmes gjesteve politike se sa në rrugë dhe ndaj institucioneve të shtetit shqiptar.

Berisha e di mirë, sidomos nga viti 1997, se atë që më 1 Mars i dukej shumë dhe nuk e jepte për opozitën, më 4 mars i dukej pak dhe nuk ja pranonin. Por, nëse atëherë nuk kishte çfarë humbiste veç pushtetit, tani duhet të mendojë mirë se përveç pasurive dhe standardit të familjes së tij, Shqipëria humbet shumë nga një përplasje e re e madhe vetëm për shkak të vesit të tij për të rrënuar çdo zgjedhje që nuk e nxjerrin fitues. Unë shpresoj që shqiptarët do të dinë të ruajnë qetësinë dhe ta ndalin këtë njeri duke e bërë të pafuqishëm t’i bëjë dëm përsëri vendit.

Por nëse ai ja del t’i tërheqë ata në konflikt, siç ka provuar më parë, duhet të bëhemi gati për një betejë finale, e cila duhet të lartësojë dinjitetin e Shqipërisë si një betejë demokratike dhe jo si një kacafytje primitive. Askush nuk është i tepërt në këtë vend të përfshihet në një betejë për shkak të ligësive të Sali Berishës, por askush nuk e ka jetën tepër ta shpenzojë atë nën regjimin e Sali Berishës. Pranvera shqiptare e këtij viti i ka të gjitha shanset të kthej shpresën në vend të rrënimit dhe të largojë të keqen që tenton të sundojë.