Arben Rrozhani, 27.11.2009
Dje për shumë shqiptarë, veçanërisht për ata të besimit mysliman, ishte një ditë për të marrë urime.
Ashtu thjesht, siç ia thonë njëri-tjetrit shqiptarët pa dallim feje për ditën e sotme të rëndësishme në kalendarin mysliman, si dita e ndjenjës së përulësisë, shprehjes së forcës së besimit dhe të shërbesës së lartë dhe çlirimin e shpirtit dhe të mendjes nga rëndesat e vështirësive të jetës së përditshme dhe të padrejtësisë njerëzore.
Por jo, për kryeministrin e shqiptarëve, të cilit ndërsa po i rrëshqet ndër vete pushteti i rrëmbyer para pesë muajsh, ka hedhur në sulm skizofreninë, që nis nga truri i tij dhe trushpëlarët e tjerë të skalionit që drejton.
Dje ishte një ditë e turpshme për shqiptarët, teksa dëgjonin një kryeministër të çekuilibruar, me një fjalor pervers dhe të denjë për gratë e përdala, që shtyjnë jetën duke marrë nëpër gojë dynjanë.
Ndërsa dje ishte një ditë e çmuar dhe e munguar për t’i ofruar vendit zgjidhjen e kërkuar politike, kryetari i qeverisë së shqiptarëve zbrazte kazanin e fyerjeve dhe sharjeve ordinere dhe krupëndjellëse ndaj të gjithë atyre, që i kërkojnë as më shumë as më pak të rikthejë dinjitetin e një vendi që kërkon, pas dy dekadash të dhimbshme të mos jetë delja e zezë e botës së qytetëruar dhe peng i diktaturës së partisë-shtet.
Nuk është hera e parë që para shqiptarëve kryetari i PD-së, është kjo gruaja llafazane që mbrëmë fliste nga foltorja e kuvendit, ku pak orë më parë kishte zbrazur edhe ajo thesin e shpifjeve spikerja e Kuvendit gjysmak me vota të trafikuara dhe ditë më parë, deputetët me mandate të vjedhur.
Ai kështu e ka pasur për zakon sa herë kur me kundërshtarin politik ka sfida zgjedhore, kur ndjen se pushteti po i rrëshqet ndër duar. Kështu bëri më pak se dy dekada më parë, ku po në atë sallë kuvendi nuk donte të kishte fare opozitë, kur u burgoste kryetarin, kur më 3 mars 1997, ndërsa vendi digjej nga rënia e shtetit të tij piramidal, ai me votat e deputetëve të tredhur merrte një mandat të dytë si president dhe betohej se do ta çonte deri në fund misionin e vet shkatërrues për ta çuar në zero Shqipërinë.
Skizofrenia e atij që është sot kryeministër i shqiptarëve, merrte shkas demek nga përmendja e familjes së tij.
Ajo që për të ka qenë njëra prej meritave dhe medalja që shpaloste para shqiptarëve, si simbol të vlerave të një lideri. Por deri më sot, askush nuk është marrë me anën intime të familjes Berisha.
Prej katër viteve që ky lider pretendoi se do të sillte një model tjetër qeverisjeje, jo për fajin e kundërshtarëve politikë dhe as të mediave kritike, e ka kthyer qeverisjen në një biznes familjar. Dhe ashtu thotë faktet kokëforta deri më sot.
Se asnjë biznes vendas dhe i huaj nuk bën hajër në Shqipëri, po nuk pati kaluar nga zyra e konsulencës ligjore të vajzës së kryeministrit, se djali i tij ishte sekser dhe personazhi aktiv i dokumentuar në tragjedinë vrastare shtetërore të Gërdecit, se bashkëshortja e tij po rend nëpër ankande bamirësie për të mbledhur fonde që nuk dihet ku shkojnë dhe biznesmenët e Tiranës rendin të blejnë paçavure për hatër të saj vetëm që të duken se janë pranë familjes së kryeministrit, se madje edhe një zyrë informimi e BE-së për të mësuar shqiptarët me një histori që drithëron po edhe mjeron shqiptarët se çdo të thotë të jesh evropian, duhet të hapet në vilën e kunatit të vet.
Kësisoj pra, kryeministri i sotëm i shqiptarëve nuk mund të krenohet më me vlerat e familjes dhe principet e larta morale, sepse edhe ai mund të ketë dëgjuar fjalët poshtë e lart se edhe paraardhësi i tij mund t’i kishte 1001 të zezat, por ama fëmijët nuk i futi në bizneset e zeza të qeverisjes së vet kleptokrate.
Dhe kjo për të është shumë e rëndë. Por as për fajin e kundërshtarëve të qeverisjes së tij familjare dhe as të mediave kritike me të. Ky është sistemi që ai ka ngritur me duart e tij “të pastra”, duke fëlliqur mbarë klanin e ngushtë rreth vetes, duke kërkuar të ndotë me të mbarë Shqipërinë.
Ata persona që mbrëmë ishin sërish viktima të skizofrenisë kryeministrore dhe llapaqenërisë së një ish-mjeku duhet të ngushëllojnë veten me qetësues dhe shpresën se Zoti do të mendojë edhe për qetësinë e tyre shpirtërore.
Po edhe për shpirtin e baltosësit të gjithkujt dhe të gjithçkaje, të cilin nuk ka mjek neurolog që ta marrë më përsipër. Sepse ai është një pacient i pashërueshëm, për të cilin ka vetëm një zgjidhje: lidhjen me zinxhirët e ligjit, për ta çuar atje në qoshen e tij, atje ku nuk ka mundësi të lëndojë dhe të baltosë askënd.