
Erjon Ajazi
Presidenti Topi: Topalli më kërkoi të ndërhyja tek Prokuroria
Presidenti
Kreu i shtetit: Të flasë vetëm drejtësia dhe të gjithë të heshtin
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ka kërkuar politikës të heshtë dhe të lërë institucionet e pavarura të vazhdojnë punën e tyre. Gjatë këtij mesazhi të drejtpërdrejtë që lidhet me tensionin e krijuar që prej datës 21 janar, kreu i shtetit ka dhënë arsyet pse nuk është mbledhur ende Këshilli i Sigurisë, është përgjigjur për të liruarit e “Gërdecit”, dhe ka dhënë versionin e tij për të ashtuquajturin “puç shteti”. Presidenti ka shfrytëzuar rastin për të dhënë përgjigje edhe për letërkëmbimin konfidencial mes institucionit të Presidentit dhe Kuvendit.
Apeli i Presidentit
Mesazhi i Presidentit ishte i qartë dhe i prerë dje, duke theksuar se nuk duhet të pengohet drejtësia në zbardhjen e ngjarjeve të 21 janarit. Kreu i shtetit ka theksuar se ekziston një mendësi e pushtetit politik për të nënshtruar institucionet kushtetuese të pavarura. “Fatkeqësisht, kur duhet të flasë vetëm drejtësia në gjithë këtë heshtje, beteja e gjatë politike që shkaktoi 21 janarin vazhdon të përgojojë përgjegjës dhe bashkëpërgjegjës, të akuzuar dhe akuzues, duke penguar drejtësinë në të gjitha hallkat e saj që të ndajë të vërtetën nga jo e vërteta. Jam besimplotë se drejtësia do dijë të kapërcejë këtë sfidë. Nënshtrimi dhe frikësimi ndaj pushtetit të politikës do të ishte fatale për shtetin e së drejtës. Suksesi do të rimëkëmbte besimin e humbur dhe rikthente shpresën se Shqipëria ka një të ardhme të sigurt demokratike”, – tha Topi.
Letërkëmbimi me Topallin
Letërkëmbimi konfidencial mes Presidentit dhe Kryetares së Kuvendit ka nxjerrë dje në dritë një fakt të ri mes komunikimit ‘sekret’ Topi-Topalli. Burime nga Kuvendi kanë bërë me dije për “Shqip” se, në kërkesën e saj, Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar nga Presidenti të zbatojë Kushtetutën në lidhje me vendimin e Prokurores së Përgjithshme për urdhër-ndalimin e 6 gardistëve. Kreu i shtetit, gjatë konferencës së djeshme është treguar i rezervuar për respektimin e konfidencialitetit mes tij dhe kryeparlamentares, megjithëse gjatë përgjigjes së tij ai ka zbuluar në mënyrë indirekte një tjetër detaj të kërkesës së Kryetares së Kuvendit. “Ka qenë një kërkesë që i është bërë Presidentit të Republikës për të ndërhyrë në një institucion tjetër të pavarur”, – tha Presidenti Topi.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit theksoi se, “në natyrën e institucioneve, natyrisht që ka edhe komunikime të karakterit konfidencial, por përderisa linja e konfidencës nuk u respektua, unë do ta respektoj”. Në interpretimin që i bën kësaj çështjeje, Presidenti Topi specifikoi se sipas neneve, Presidenti do të akuzohej nëse do të ndërhynte. “Presidentit nuk i lejohet të ndërhyjë në asnjë lloj institucioni për çështje partiake. Pa u futur në linja të tjera, duke interpretuar këtë korrespondencë konfidenciale, them se askush nuk duhet t’i jap nota dramaticitetit. Nëse dikush kërkon të mos ta respektojë linjën e konfidencialitetit, unë jam i hapur që gjithçka të bëhet publike. Gjithçka është kushtetuese dhe zyrtare”, – tha Topi.
Këshilli i Sigurimit
Kryetari i Shtetit ka bërë dje publike arsyet pse nuk ka thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për ngjarjen e 21 janarit. “Institucionet, të gjitha, sidomos në vëmendje të ngjarjes së 21 janarit, janë në punë më shumë se kurrë. Duke parë zhvillimin e ngjarjeve, duke mbështetur institucionet e pavarura, duke mbështetur pikërisht atë që unë sapo e thashë, linjën e një hetimi tërësor, të paanshëm, profesional, që do të thotë jo politik, në këto kushte, institucionet operojnë për të kaluar situatën dhe sidomos kur situatat janë akute, natyrisht secili i ka fare të qarta përgjegjësitë e veta ligjore”, – tha Presidenti Topi.
Sipas tij, Këshilli i Sigurimit Kombëtar thirret atëherë kur vërtet gjërat duhet të jenë për t’u analizuar, për të gjetur pikërisht atë që nuk ka funksionuar si duhet dhe për të vazhduar në mënyrë shumë korrekte punën e institucioneve. “Kështu që unë mendoj që jemi plotësisht në detyrimet tona kushtetuese dhe institucionale, se të gjitha institucionet, sikurse thashë, janë në punën e tyre. Mënyra se si e shprehin pastaj, është çështje e secilit institucion”, – tha Presidenti.
“Puçi i shtetit”
I vendosur përballë pyetjes së çfarë qëndrimi ka për të ashtuquajturin “puç shteti”, Presidenti Topi tha se, “kam kohë që nuk vendos diagnoza, që do të thotë se merrem vetëm me aktivitetin tim si institucion, dhe padyshim që ky institucion është transparent për të gjithë”. Presidenti theksoi se është në të drejtë të çdo institucioni që të zhvillojë parametrat e tij brenda parametrave kushtetuese. “Unë uroj që çdo institucion të reflektojë. Në radhë të parë, edhe Parlamenti shqiptar. Parlamenti duhet të rikthejë hapësirën demokratike, me punën, procedurën dhe produktin. Ai është organi përfaqësues i popullit, sepse ligji dhe aktiviteti i Parlamentit është i rëndësishëm për të gjithë. Ky është reflektim që duhet të bëhet nga çdo lloj institucioni”, – tha Topi.







