TemA, 26 Prill 2012
Presidenti thotë se marrëdhëniet e tij me Partinë Demokratike janë një kapitull i mbyllur. Presidenti thotë se Fatos Nano po flet me gjuhën e Berishës, duke iu servilosur atij për kandidimin
Presidenti Bamir Topi, duke folur në studion e Top Story, tha se televizioni publik është kthyer në një frëngji të Berishës për të sulmuar atë. Madje ai tha se analistët e media nuk po flasin për faktin se po kalohet nga një diktaturë në simptomat e një diktature tjetër. Presidenti tha se TVSH është një institucion në dorën e kryeministrit. Sërish duke folur për sulmet që i bëhen atij nga mazhoranca, Topi tha se njerëzit kanë nisur të kenë frikë për të folur. “Sulmet ndaj meje bëhen sepse ata shqetësohen. Karriget janë bërë shumë të mërzitshme për mua. Nëse do kthehem në politikë, do kthehem si misionar. Njerëzit kanë filluar të kenë frikë edhe për të folur.
Misioni im do jetë për të folur haptas,” tha Topi, që e quajti si zhvillim pozitiv daljen në skenë të Aleancës Kuq e Zi, por edhe të forcës së re politike, që identifikohet me emrin e tij. Por Topi bëri një kritikë për median. “Do doja të jepja një këshillë për median, që prej muajsh e etiketojnë këtë formacion me emrin Partia e Topit. Gabim. Do jemi këtu dhe sikurse është thënë edhe kohë më parë se jam akuzuar se pas formacionit Aleanca Kuq e Zi është presidenti, koha e vërtetoi se nuk ishte. Unë pres të mbaroj këtë mandat për ta gjetur vendin tim në një mjedis demokratik,” tha Topi duke shtuar “Nuk është e thënë të jem lider.
Sipas presidentit, nuk është demokratike të mos pranosh rotacionin.
I pyetur për marrëdhëniet e tij me PD për faktin se ai është anëtar i Këshillit Kombëtar, Topi tha se këto marrëdhënie janë një kapitull i mbyllur. “Tashmë është një kapitull i mbyllur. E kanë mbyllur ata që kanë pritur të më largojnë qoftë edhe me ngritje në detyrë. Në jetën time asnjëherë nuk jam sulmuar më shumë nga ata me të cilët kemi kaluar sfida të jashtëzakonshme. Pjesa më e rëndomtë është kur disa të ardhur nga preferencat e kryetarit, njerëz të emëruar, njerëz pa lidhje e memorie me atë subjekt politik, janë më agresivë. Gjërat janë të qarta,” tha Topi.
Presidenti tha se njëkohësisht me marrjen e detyrës së tij si president nisi dhe sulmi i tij. Topi aludoi se qëllimi është që të mos lejohet rikthimi i tij në PD. “Do jem në politikë si një personazh aktiv,” paralajmëroi presidenti.
Presidenti madje ka rezervuar kritika edhe për klimën në vend sa i përket sulmeve dhe dhunës verbale. “Të jeni i sigurt që nuk kam asgjë të fshehur në mendimet e mia. Në rast se unë flas, është pozicioni që më detyron të flas në ktë mënyrë. Dhe jam shumë më i kufizuar si një analist, si një deputet, që performon sipas vullnetit se si ngrihet kryetari i partisë. Pse është klimë normale për një vend të vogël si Shqipëria? Nga mëngjesi deri në darkë vetëm prononcime të ashpra. Keni dëgjuar të trajtojnë tema për ato që shqetësojnë njerëzit në nevojë. Pse, gjithçka me hiperbolizime për arritje e suksese?
Do ju them diçka për Çernobilin: Pas ardhjes së re nga veriu i resë atomike, Italia e Jugosllavia groposën ushqimet, Greqia groposi ushqimet. Vetëm në studion televizive ku prapa perdes qëndronte Foto Çami, njerëzit që u prononcuan thanë se vetëm në Shqipëri nuk ka probleme. Ka një konotacion që duhet marrë në konsideratë,” tha Topi.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit të ri, Topi tha se ai është për një emër konsensual. “Ka një presion nga opinioni dhe faktori ndërkombëtar që presidenti të mos i përkasë vetëm një krahu. Presidenti nuk duhet të jetë përzgjedhje politike e një krahu. Unë jam për një president konsensual,” tha Topi.
Presidenti komentoi edhe sulmet që i bëhen për nënkryetarin e KLD, duke thënë se nuk ka shkelur Kushtetutën. “Do doja që nënkryetari i KLD të ishte një figurë që nuk i merr urdhrat nga politika,” tha Topi.
Ndërkohë, duke komentuar një emërim të ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, të kreut të forcave detare, Topi tha: “Antikushtetuese. U provua nga vetë ministri i Mbrojtjes. Pranoi që ka bërë një emërim antikushtetues. Bëri reflektimin. Tani është procesi i ngritjes në gradë. A e bën me këtë president, a menjë tjetër, ai është i detyruar të zbatojë korrespondencën me presidentin.”
Presidenti ka kritikuar faktin që mazhoranca ngre komisione hetimore, kur kjo është detyrë e opozitës.
Presidenti komentoi edhe vizitën e tij të fundit në Britaninë e Madhe, duke thënë se është e papërgjegjshme që nuk kemi ambasador aty.
“Të lësh pa ambasador Britaninë e Madhë është papërgjegjësi. Ndërkohë që Britania e Madhe e zëvendësoi menjëherë ambasadorin në Shqipëri,” tha Topi.
Ndërkohë presidenti ka deklaruar se duhet pranuar ekspertiza e FBI për hetimet e 21 janarit si e tillë.
Presidenti Bamir Topi, ka komentuar në studion e Top Story deklaratën e Fatos Nanos, të vetëshpallur kandidat për president, se më 21 janar, Topi nuk veproi si president.
Topi deklaroi se Nano po përdor gjuhën e Berishës, për t’iu servilosur atij për kandidaturën e tij.
“Kur ma thanë ditë më parë, mendova se zoti Nano e kishte fjalën për 14 shtatorin, por duke e parë e mendoj se qëndrimi i tij lidhet me një pragmatizëm konkret, por ndjej keqardhje se ai ka perifrazuar gjuhën e Berishës. Duke dashur të jetë tërheqës për të qenë në krye të shtetit, unë nuk do bëj komente të tjera, por do i kujtoj zotit Nano nëse ka qenë në Shqipëri, nëse ka qenë jashtë, uroj të ketë ndjekur rolin e presidentit.
Në rast se nuk e ka ndjekur, po e përsëris, më 20 janar kam organizuar një pritje me trupin diplomatik, dhe duke parë që klima ishte shumë e tensionuar, unë kam dalë nga teksti i shkruar dhe kam bërë një apel ekstrem për atë çast, duke iu kujtuar forcave politike përpara ambasadorëve që të qetësohen. Ky apel shkoi për fat të keq në vesh të shurdhër. Unë nuk dëshiroj të kthehem tek një temë që e kam ezauruar, por presidenti i Republikës ka zbatuar në mënyrë të përpiktë për të dalë nga ajo situatë e krijuar nga tensioni mes dy forcave politike, ata e realizojnë dhe fajin ia vënë dikujt tjetër,” tha Topi.
“Kjo klimë politike nuk precipiton për një ditë. Ajo është konsumuar ditë pas dite. Sot është momenti që çdo njeri që ka një projekt politik, duhet ta bëjë në mënyrë dinjitoze, unë i uroj sukses në ambicien e tij, por duke iu referuar asaj që ai tha, do t’i uroja që këtë garë ta përballojë me dinjitet.
Zgjedhja e presidentit nuk duhet të bëhet për interesat e një individi. Siç ka ardhur puna me tendencën për pushtimin e institucioneve, një zgjedhje në këtë frymë, do prishte balancën e institucioneve,” vijoi presidenti.







