Shpërdorimi i njerëzve me vetura shtetërore

0
30

Nga Pëllumb Kulla, 10 Shkurt 2013

Jemi këtej nja dhjetë mijë kilometra larg e sipas logjikës së atjeshme ne të përkëtejmit mund të flinim të qetë.

Po nuk mundemi të gjejmë rehat. Dhjetëmijë kilometrat nuk janë ilaç. Ajo që ka ndodhur në një gjykatë të Tiranës duhet të trondiste dhe marsianët në se ekzistojnë dhe nëse do ta merrnin vesh.Kryeministri i Shqipërisë është mes ethesh të një fushate të vështirë elektorale dhe si ai, ashtu edhe ndjekësit e tij syskuqur do të mendojnë se edhe ky shkrim i im është në menynë e kësaj fushate. Sistemi bardhezi që zotëron trutë e njerzve si ata, nuk pranojnë brenga të ngjyrave të tjera. Ata mendojnë se është Edi Rama ai që nxjerr sadopak profit nga këto shënime. Mua as më hyn në sy fare nevoja e Ramës dhe as më ze meraku për fatin e tij. Bile në duan që ta dinë saktë, unë atë e ngarkoj me përgjegjësi të madhe për mbijetesën e zgjatur të Sali Berishës me frerët e vendit në dorë.

Para dy ditësh atje është konsumuar vepra më skandaloze në historinë e Europës paskomuniste. Nuk janë gjyqtarët kukulla që u dhanë pafajësinë vrasësve të fatkeqëve që protestuan, objekte të zemërimit popullor. Ata gjyqtarë janë lecka para këmbëve të pista të sundimtarit të sotëm. Ai ata i shpërdoroi pa ia bërë syri tërrr.

Në tërë këta 20 e ca vjet në krye të politikës është konsumuar një histori e tërë shpërdorimesh. Sali Berisha ka shpërdoruar me qindra e mijëra njerëz që fillimisht rreth tij i mblodhi dëshira për një Shqipëri më të mirë se ajo e para 90. Nuk ka qenë i sukseshëm në shpërdorimin e të gjithëve, por kjo e ka tërbuar edhe më shumë dhe të pabindurve u është vërsulur me egërsinë më të madhe mediatike, policore, rrugacërore. Le të përmend ca emra, si detyrim qytetar, duke filluar me kryeministrin Meksi, Presidentët Mojsiu dhe Topi, prokurorët Sollaku dhe Ina Rama, deputetët Ngjela, Biberaj, Oketa dhe dhjetra të tjerë të nxjerrë në plan të parë nga ai vetë. Ai gjithmonë ka menduar se kjo nxjerrje në plan të parë ka qenë kryeborxhi për të ndënjur gatitu në marrëzitë e tij kriminale.

Po për fat të keq, monstra në krye të qeverisjes së shqiptarëve, ka qenë i sukseshëm me shumë dhe shumë të tjerë, zvkryeministra, ministra, kontrollorë, gjeneralë, biznesmenë, kryetarë partie, deputetë, kryebashkiakë, ambasadorë dhe diplomatë të të gjitha rangjeve. Shpërdorime mospërfillëse të llahtarshme!

Kam treguar për shpërfilljen e të nënshkruarit në rastin e embargos së naftës, kur nga libri i kujtimeve të Bullatoviçit Berisha u detyrua ta pranonte se e pat thyer disiplinën ndërkombëtare, mbasi na paskesh pasë deklaruar publikisht që nuk do ta ndalonte futjen e karburanteve në Jugosllavi! Ai e di se ku na e paskesh bërë këtë deklaratë që nuk e kishim dëgjuar ne, ambasadorët e tij, ministrat e jashtëm, kryeministri dhe doganierët “patriotë”. Është me mjaft interes të rrëfehet se në fillim të 1997, për gjestin e tij luftarak të refuzimit për të pritur dy politikanë të lartë të Uashingtonit, ai i la në padituri të dy ambasadorët që kishte dekretuar në territorin e ShBA-ve.

Mua këtë lajm ma dha një aktivist politik shqiptaro amerikan, ndaj të cilit me shumë vështirësi u hoqa sikur më kish njoftuar kryeqyteti. Unë, pastaj, ia përcolla menjëherë të ndjerit Dilja lajmin që e habiti, ngaqë duhej njoftuar ai i pari zyrat e Presidencës. Ne ishim në pozitën qesharake të përdorimit rëndë-rëndë të “no comment”-it ndaj qindra telefonatave të shqetësuara për paudhësinë e kreut tonë të shtetit. U gjendëm të papërgatitur se atëherë, edhe amerikanët nuk e kishin shfaqur aq hapur pakënaqësinë, sa ç’po e shfaqin këtë herë skandalizimin për padrejtësinë kriminale të vrasjeve të janarit 2011.

Kështu vazhdon zotëria e tij të shpërdorojë. Por sidomos të shpërdorojë në një sektor nga më delikatët që për pasojë dëmton rëndë edukimin e gjeneratave të tëra të shqiptarëve, përveçse vadit lulëzimin e krimit. I tillë është shpërdorimi i pardjeshëm dhe nënshtrimi ndaj vullnetit të tij vrastar.

Bash kështu, pat shpërdoruar në një janar më parë, pesë gjyqtarët të një gjykate shumë më të lartë, kur i tregoi botës se ai ua pat vënë mbi tryeza për firma dhe ua zbuloi para kohe vendimin që ata do të jepnin të nesërmen.

Politika dhe diplomacia kanë thellësisht elementë të teatrit dhe ai mund të luante gjoja preokupimin, dhe një gjoja pritje të shqetësuar për vendimin që Gjykata e Lartë do të jepte të nesërmen në drekë. Dhe as dyshon njeri që ai e di këtë aktrim diletant politikanësh, por instikti i shpellarit inatçi e shtyu t’i shkonte të akuzuarit ballëlart për darkë, pasi pat urdhëruar tërë kameramanët e Tiranës të zinin vend një orë më parë te hyrja e banesës së ortakut të tij. Dhe si asnjëherë tjetër, shkoi me të edhe piu publikisht edhe kafenë në mëngjesin e ditës së shpalljes së vendimit. Ai sakrifikoi imazhin e pafajësisë të ortakut për të dhënë një mesazh më të rëndësishëm për të: atë që në Shqipëri të gjithë rrijnë sus përpara tij. As nuk iu dhimbs ai mender-dinjitet i shërbëtorëve të tij mjeranë me toga të zeza. As i gjykatësve dhe as i ortakut!

Por sot vepra atyre dy grave me toga dhe atij burri që lexoi vendimin është rezultat i një shpërdorimi edhe më të rëndë akoma.

Ata tre gjyqtarë e dinin që një vrasës po i dënonte vetë ata shumë rëndë. Vrasësi për nevojat e tij u hodhi katranin e turpit përpara tërë shqiptarëve bashkëkohës dhe shqiptarëve që do të lindin. Nuk e di sa rëndohen, por ata tre gjyqtarë fatkeqë, u vranë më keq se ata katër më 21 janar.

Nuk ka se si të mos e dinin se ata, ai burrë dhe ato dy gra me toga, po i shërbenin një vrasësi. Gjaksorët ordinerë vrasin në errësirë dhe bëmat e tyre merren vesh të nesërmen, a ditë më pas, kurse ai është një vrasës i dokumentuar. Prokurorët dhe gjyqtarët e këtij procesi e kishin detyrën shumë të vështirë: gjaksori i tyre pat vrarë në mes të ditës. Ai ishte një vrasës i përfolur në televizion, nëpër demostrata, nëpër gazeta të vendit dhe të botës, nëpër kanceleritë e mëdha, nëpër bisedat informale brenda ambasadave të huaja që vëzhgojnë bëmat e tij në ato vise të Ballkanit. Ishin kërkuar ekspertiza balistike në laboratorë jashtë oborreve ku fryn tufani berishian.

Ai pat vrarë edhe pse fati, për dreq, punonte kundër tij. Ai priti që demostruesit t’i hynin në korridoret e ndërtesës, siç patën hyrë ata militantët e tij, që ai vetë ia pat ndërsyer kryeministrisë, ca vjet më parë. Të mos e kish praktikuar vetë atë lloj mësymje, sot do të ishte, po vrasës përsëri, por i një shkallëze më shfajësuese. Më 21 janar nuk e ndihu fati se përgatitjeve të tij populli i revoltuar nuk iu përgjigj. Populli, për bela, nuk ishte aq i revoltuar saç e priste ai që të ishte, dhe as krahasoheshin me mësyemsit e tij trima të vitit ’98. Dhe as qëllimet e kësaj mësymje të janarit nuk ishin aq djallëzore sa të tiat në atë shtator të largët. Nuk e ndihu fati se, për tersllëkun e tij, demostrata u shpërnda dhe ai u detyrua të bënte vrasjet e planifikuara, kur bulevardi po shpopullohej. Atij po i ikte shansi me shpejtësi marramendëse.

Kur do t’u a tregonte qejfin demostrantëve që të mos guxonin e të vinin më aty, me bastuna dhe me shkopinj?! Po të mos bënte ato vrasje dhe plagosje (që mund të ishin fare lehtë vdekjeprurëse dhe ato, por ato as po i zenë fort në gojë!) që kishte llogaritur, nuk do të mundte dot t’u thoshte burrave opozitarë të parlamentit “do t’jua bëj si më 21 janar!” Nuk e ndihu fati edhe për faktin se vrasja që bëri xhiron nëpër ekranet e botës, nuk shkonte hiç me deklaratat e gardistëve të tij, se “paskëshin qëlluar ngaqë po u rrezikohej jeta kryeministrit!”. Dhe tërë bota pa se si një njeri me duar në xhepa, lëvizte qetësisht te dera e hapur kurreshtar se sa gëzhoja ishin derdhur në oborr. Dhe ky fatkeq paqësor, me duar thellë në xhepa, jepej si model i agresorit mbi kryeministrin!

Pas kësaj dite, shënimet për gjaksin kryesor, janë ekzemplare: shpifje për puçe dhe puçistë; njerëz të dërguar për të mbyllur me para gojët e familjarëve të viktimave; cilësime rrugaçërore për krerët e institucioneve; akuza dhe kundërakuza, të denja për një njeri që është dhe frikacak dhe i pabesë dhe gënjeshtar dhe qënie pa sensin e vetkontrollit, që arrin deri aty, sa të thotë: “Do t’ju a bëj siç ju a bëra më 21 janar!”

Dhe këtë ua thotë deputetëve opozitarë?! Përveçse është defacto pranim i krimit për katër jetë njerëzish të revoltuar por absolutisht të pafajshëm, është dhe shprehja më fëminore e një gjaksori me pushtet! Ja, ta pyesim, zotin kryeministër: çfarë u bëri ai deputetëve kundërshtarë më 21 janar? I vrau? I plagosi? U vrau ndonjë të afërm? Thjesht, vrau katër fatkeqë që sa pa vdekur, asnjë nga deputetët nuk u a pat ditur emrat! U dha politikanëve kundërshtarë ndonjë mësim? Çfarë mësimi qe ai? I la që të kthehen në shtëpi pranë fëmijëve të tyre! E çfarë ndëshkimi na qënka ky?! Qindra tellallë dhe papagallë pas tij po përsërisin deri në mërzi fajësimin e Ramës “që i shpuri njerëzit drejt vdekjes!”

Jemi dy vjet pas asaj ngjarje. Drejtësia për këtë krim në mes të bulevardit është zero. Jeni shpërdoruar ndyraz, o të mjerë gjyqtarë! Dhe ju, dhe prokurorët e atij procesi! Është dhënë një pafajësi e turpshme! Paska një faj dhe fajtorë nuk paska! Gardistët nuk paskan faj, të vrarët po ashtu! Nuk ka në botë faj pa fajtor! E ka Rama, sikundër trumbetohet? Dy vjet pat kohë plot të kryqëzonin të akuzuarin e tyre, kryetarin e PS. Përse nuk e bënë? Por jo! Pëllitjet e tyre akuzatore janë për zhurmë, se ata e dijnë mirë që nuk është Rama fajtor. Është e përpjetë e madhe për ta ajo udhë që e përmendin po nuk kanë ndërmend t’i ngjiten.

Gjykata turpëroi veten, duke nxjerrë të pafajshëm dy pushkatarë të verbër, por vendi dhe historia e shqiptarëve kërkon kryevrasësin. Dhe bota në pesë kontinentet e di që është ai, bash ai, mallkim i kohës sonë!

Botuar në DITA