Nga Mero Baze
Një i kërkuar ndërkombëtar për trafik droge është lënë i lirë pa adresë konkrete nga një trupë gjykuese e Gjykatës së Apelit në Tiranë, përbërë nga Gjin Gjoni, Hysni Demiraj dhe Agron Papajani. I kërkuari nga shumë shtete perëndimore Abdulselam Turgut nuk është një emër i zakonshëm. Përveçse mbi të rëndojnë një sërë akuzash për linjat e trafikut të drogës nga Turqia drejt perëndimit, dhe sidomos Gjermanisë, historia e tij lidhet edhe me qytetarë shqiptarë, të cilët kanë marrë në kohë të ndryshme dënime të ndryshme për trafik droge.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka ndërmarrë një hetim ndaj gjyqtarëve, por ka pak shpresa se do t’ia dalë, pasi vendimin për shkarkimin final të tyre e merr Ministri i Drejtësisë. Siç ndodh rëndom në këto raste, tipa të tillë i shpëtojnë ndëshkimit me shërbime politike. Edhe në këtë rast druaj se skema tradicionale do të përsëritet.
Ky është dhe problemi i madh që ka përpara drejtësia shqiptare. Nëse do të bënim një portret për modelin e gjyqtarit të korruptuar këto vite, nuk ka rëndësi t’ia vëmë emrin Gjin Gjoni apo Hysni Demiraj, nuk ka nevojë ta vizatojmë me flokë të rënë apo të mbjellë, nuk ka rëndësi t’i vëmë nofkën “malok” apo “lab”, por ka shumë rëndësi të shikojmë dinamikën e mbijetesës së tyre në këtë sistem të kalbur karriere në drejtësi. Ai është pak a shumë kështu. Në fillim përdoren politikisht.
Sa herë shkonin në gjykatë kundërshtarë të pushtetit, qofshin këta politikanë apo gazetarë, tipa si këta dilnin vullnetarë për vendime absurde duke futur në burg politikanë dhe gazetarë, duke i dënuar ata pa asnjë argument ligjor, pastaj duke u shkelur syrin avokatëve të tyre se kishin urdhër nga lart… Kështu bëheshin heronj të përkohshëm të pushtetit duke eliminuar politikisht kundërshtarë të tyre. Pasi bënin këto shërbime, fillonin bënin kërdinë në çështje civile dhe penale, duke liruar trafikantë, duke tjetërsuar pasuri, duke dhënë vendime absurde që kushtonin miliona. Kështu dilnin lekët për jetë luksoze, për pasuri të patundshme dhe deri për operacione plastike për gjoksin dhe lifting kur janë femra mbi 40 vjeçe dhe deri mbjellje flokësh kur janë meshkuj.
Ashtu qesharakë, gjysëm provincialë e gjysëm hileqarë, janë lëpirë pas çdo pushteti për t’i bërë shërbimin e radhës. Kur pushtetet ndërronin, fillonin paguanin një taksë për haremet e vjetra dhe korruptonin pushtetin e radhës. Herë shkarkoheshin e herë gradoheshin sipas faturave që paguajnë nga pisllëqet që kanë bërë. Gjahu i tyre i preferuar për tu ngjitur politikisht në karrierë janë gjithmonë opozitat dhe gazetarët. Sa herë i kanë punët keq me pushtetin, nxitojnë të marrin çështje politike në dorë, i bëjnë shërbime pushtetit dhe pastaj rehabilitohen duke filluar të kompensojnë paret e humbura nga traku politik.
Kjo specie gjyqtarësh dhe prokurorësh, ku nuk kanë shumë rëndësi emrat konkretë, janë prototipat e figurave që kanë shkatërruar drejtësinë shqiptare. Nëse sheh biografinë e tyre i gjen gjithmonë të paralajmëruar për shkarkime dhe të rigraduar, të keqpërdorur në ekstrem nga politika dhe të mbrojtur prej saj. Ata përfaqësojnë në një farë mënyre tumorin që po rritet në kokën e drejtësisë shqiptare dhe që e ka paralizuar atë. Modeli i këtij tumori është bërë Gjykata e Apelit në Tiranë, e cila me shërbimet politike që ka bërë dy- tri vitet fundit, ka marrë një lloj leje për të qenë të lirë të bëjnë ç’të duan me çështje të tilla të trafikut të drogës apo korrupsionit, edhe pse ato nxijnë imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Duke dashur t’i rikthehem rastit në fjalë, të një trafikanti të njohur ndërkombëtar me lidhje të frikshme në kupolën e policisë së shtetit shqiptar, dhe bashkëpunëtorë të tij në Tiranë që janë përfshirë dhe në ngjarje të rënda kriminale dhe deri në investime në media proqeveritare, kam frikë se jemi në rastin ekzemplar të bërjes së një shërbimi që përveç anës financiare ka dhe lejen politike brenda tij.
Nëse politika shqiptare ka ndërmend të çlirohet ndonjëherë nga ky tumor në drejtësi, është mirë të shkatërrojë pikërisht këtë linjë brenda saj, linjën e gjyqtarëve sharlatanë që bëjnë shërbime politike në momente të caktuara për të pasur pastaj leje për vendime dhe veprime kriminale në drejtësi në interes të pasurimit të tyre dhe shkatërrimit të besimit tek drejtësia shqiptare. Askënd të mos gënjejë mendja, as Berishën, as Ramën, as Topin, se tipa të tillë mund tu duhen në ndonjë rast politikisht, ndaj duhen mbajtur. Tipa të tillë janë të gatshëm të të shesin dhe të blejnë për 24 orë pasi nuk kanë parime gjyqtarësh dhe as kanë përkushtim tek drejtësia. Ata bëjnë padrejtësi për tu shpërblyer politikisht. Ndaj duhet të marrë fund mbështetja politike për ta.








“Tipa të tillë janë të gatshëm të të shesin dhe të blejnë për 24 orë pasi nuk kanë parime gjyqtarësh dhe as kanë përkushtim tek drejtësia. Ata bëjnë padrejtësi për tu shpërblyer politikisht. Ndaj duhet të marrë fund mbështetja politike për ta.”
Kur ligjet ekzistojne eshte mentaliteti qe duhet te ndryshoje.
Albert Einstein thote:
“Nuk mund te zgjidhet nje problem duke perdorur te njejtin mentalitet me te cilin ai eshte krijuar.”
Toka eshte punuar nga traktori i demokracise,por kane ngelur plisa te medhenj;
nuk mund te behet mbjellja pa coptuar me pare plisat.
Shpresuam ne “shiun e botes” qe ta bente kete sherbim,por………………………
Ka ardhur koha qe te marrim shatin dhe t’i thyejme vete plisat dhe pastaj te bejme mbjelljen dhe te gjitha proceset e nevojshme qe vijne me pase.
Comments are closed.