Fejzi Braushi, 04.06.2010
TIRANË – Abuzimet me pagat, dietat dhe buxhetin nga ana e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, rrezikojnë të bëhen objekt i një hetimi parlamentar ose në më të keqen objekt i një hetimi penal.
Grupi parlamentar socialist teksa ka diskutuar dje lidhur me penalizimet e herëpashershme të Kuvendit me të ardhurat për kryerjen e funksionit të deputetit nuk ka përjashtuar mundësinë që në ditët në vijim të kërkojë edhe zyrtarisht ngritjen e një komisioni parlamentar për të parë mënyrën e përdorimit të buxhetit të Kuvendit nga ana e kryeparlamentares Topalli dhe trajtimin financiar të çdo deputeti përfshi këtu edhe atë vetë si spikere e këtij institucioni.
Duke i konsideruar penalizimet e vazhdueshme me pagat dhe dietat, si një hakmarrje dhe tentativë për të paralizuar jetën parlamentare të opozitës dhe kryerjen e funksionit të ligjvënësit, të zgjedhurit socialistë nuk kanë përjashtuar as mundësinë e paditjes në Gjykatë të kryetares Jozefina Topalli, sekretarit të Përgjithshëm, Marlind Myftiu, si dhe financieres së Kuvendit.
Grupi
Deputetët socialistë kanë vendosur që të mos ia falin më kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, mbajtjen e rrogës dhe të të gjitha të ardhurave të tjera që iu siguron statusi i deputetit për kryerjen e funksionit të të zgjedhurit të popullit. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar midis të tjerave përfaqësuesit socialistë kanë diskutuar edhe për këtë çështje, duke e vlerësuar këtë veprim si një sulm i drejtpërdrejtë ndaj opozitës dhe parlamentarizmit. I pari që ka ngritur si çështje mësohet të ketë qenë deputeti Erion Braçe, i cili nuk e ka parë çështjen e pagës dhe dietave thjesht si një e ardhur për deputetët, por si instrumente që bëjnë të mundur ushtrimin e funksionit kushtetues të deputetit.
Qëndrim ky që ka gjetur dhe mbështetjen e të zgjedhurve të tjerë socialistë, të cilët kanë vendosur që të mos heshtin më, por ta ngrenë këtë çështje si një përpjekje të kryeparlamentares Topalli për të cenuar aktivitetin e parlamentarit, por pse jo edhe si një abuzim të kësaj të fundit me të drejtat dhe liritë që i jep Kushtetuta, si dhe dhunuese e ligjit “Për statusin e deputetit”. Për t’i prerë rrugë një herë mirë këtij problemi dhe për të vendosur në vend figurën e deputetit, grupi ka diskutuar edhe për mundësitë e ndërmarrjes së disa hapave ligjor për të kërkuar transparencë për mënyrën sesi shpenzohet buxheti i Kuvendit. Kështu, deputetët kanë vendosur që të konsultojnë edhe me juristë mundësinë e ndërmarrjes së një kërkese për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili të mund të shihte mënyrën e trajtimit financiar të deputetëve dhe të vet kryeparlamentares Topalli, si dhe sa është zbatuar ligji “Për statusin e deputetit”.
Gjithashtu, objekt i punës së këtij komisioni mund të jetë dhe hetimi i mënyrës së menaxhimit të buxhetit të Kuvendit në pesë vitet e fundit, kohë gjatë së cilës ai është drejtuar nga Jozefina Topalli. Pra, një hetim për të parë raportet e buxhetit që përdoret për mbështetjen e aktivitetit legjislativ të deputetëve dhe buxhetit që përdoret për aktivitetin e kryetares së Kuvendit.
Seanca
Një çështje e tillë është bërë objekt i debateve të gjëra dhe në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët socialistë të gjendur përpara një veprimi të përsëritur për disa muaj me radhë të ndalimit të pagës dhe dietave, kanë denoncuar në fjalimet e tyre këtë akt të drejtueses së Kuvendit si abuziv dhe kundër opozitarizmit dhe parlamentarizmit në përgjithësi. “Sulmi që i bën statusit të deputetit, trajtimit ligjor, matja e orarit sikur ne të ishim sekretarët e tu, refuzimit që i bën mbështetjes me logjistikë, vjedhjet që i bën rrogës së secilit prej nesh është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj opozitës dhe parlamentarizmit. Ti do që ne mos të funksionojmë, mos kemi mjete të ndjekim elektoratin”, – tha deputeti Arben Ahmetaj.
Ndërsa deputeti tjetër socialist, Damian Gjiknuri, ndërsa e ka konsideruar këtë akt si dhunim të ligjit për statusin e deputetit, e ka akuzuar Topallin se po përdor paratë e Kuvendit për të shpërblyer veten e vet me dieta të justifikuara me faktin se gjoja jeton në Shkodër, megjithëse realisht jeton në Tiranë.
Më i ashpër në fjalën e vet ka qenë deputeti Taulant Balla, i cili i ka komunikuar Topallit pikërisht atë që ishte diskutuar edhe në mbledhjen e grupit, pra mundësinë e kërkesës për transparencë të shpenzimeve të Kuvendit. Por të gjitha këtyre akuzave Topalli iu është përgjigjur me argumentin se administrata ka zbatuar vetëm ligjin dhe se ajo nuk mund t’u japë dieta deputetëve për ditët që kanë qenë në grevë urie.
Debati në Kuvend
Ahmetaj:
Ne kemi menduar se në tentativën dhe në dëshirën, madje dhe në kënaqësinë për të shtypur e dhunuar opozitën, kryeministri Berisha nuk ka pasur konkurrencë, por këto ditët dhe muajt e fundit mendojmë se ti je një konkurrente dinjitoze që shpesh më krijon dhe idenë se del dhe jashtë kontrollit. Sulmi që i bën statusit të deputeti, trajtimit ligjor, matja e orarit sikur ne të ishim sekretarët e tu, refuzimit që i bën mbështetjes me logjistikë, vjedhjet që i bën rrogës së secilit prej nesh është një sulm i drejtpërdrejtë ndaj opozitës dhe parlamentarizmit. Ti do që ne të mos funksionojmë, të mos kemi mjete të ndjekim elektoratin. Dua t’ju them se ju jeni një nga arsyet kryesore pse ky parlament sot quhet një parlament që nuk funksionon. Konkurrente e denjë jo kompliment”.
Topalli:
“Më lejoni që të mbështes tërësisht administratën, meqenëse i keni bërë jashtëzakonisht presion për dietat që nuk u kanë dhënë ju. Unë mendoj se administrata ka vepruar drejt se një grevë pa vënë gjë në gojë dhe me marr dieta nuk mund të shkojë. Kështu që ju kërkoj që t’i kërkoni ndjesë administratës së kuvendit”.
Ahmetaj:
“Merri dhe çoji në Shkodër dietat tona se të duhen për atje”
Gjiknuri:
“Fatkeqësisht është vazhduar dhe me dhunimin e ligjit për statusin e deputetit. Jo vetëm me instrumentet financiar që nuk janë teka të deputetëve, por janë instrumente që bëjnë të mundur ushtrimin e funksionit kushtetues. Jo më dietat që përmendi ju se nuk i merituakan disa njerëz në çadër apo që padashje na shkuakan te një shtëpi virtuale në Shkodër, megjithëse ju banoni në Tiranë, por e kam fjalën për një sërë të drejtash që i garanton ligji për statusin e deputetit. Siç është kontrolli mbi veprimtarinë qeveritare. Sa nga ju e dinë që për të marrë një informacion nga një institucion publik, shkresën duhet ta siglojë zonja Jozefinë. Sa nga ju e keni këtë problem, por ju mbylleni në heshtjen tuaj se keni dhunën e diktatit politik të mazhorancës dhe unë e kuptoj këtë shumë mirë. I keni mohuar këto se keni frikën e zërit të opozitës. Është koha për veprim, jo për atë që ju mendoni, për një veprim të përbashkët për ta shpëtuar parlamentin nga dita më e zezë”.
Topalli:
“Konstatoj prej disa ditësh se keni hequr dorë nga transparenca dhe ju duket dita më e zezë ajo ditë, në të cilën ju nuk merrni dietat për ditën e grevës së urisë. Ju vë në dijeni se kjo nuk është parimi dhe principi themelor. Do respektohet rregullorja. Vendimet e parlamentit ditë për ditë për secilin prej deputetëve. Më vjen mirë se ju jeni të pranishëm në Parlament. Jemi tamam një vit pas zgjedhjeve.
Balla:
“Zonja drejtuese e seancës na je bërë si ajo brigadierja Lume tek filmi “Parullat”. Ti moj zonjë ke një problem shumë të madh, ti di të përdorësh vetëm gomën, nuk di të përdorësh lapsin, ti di vetëm të fshish nuk di të ndreqësh. Zonja Topalli po flasim këtu për transparencë dhe unë po u them këtu se nuk do të vonojë dita që transparenca do t’i kthehet dhe kuvendit të Shqipërisë për ta marrë vesh dhe Shqipëria që ka një kryetare kuvendi, që merr 17 milionë lekë në vit për shpinë e saj në Shkodër, se ka një kryetare kuvendi që për 5 vjet me radhë ka marrë 27 mijë e 30 euro dieta për rrugët jashtë shtetit. Këtë transparencë do ta bëjmë dhe mos guxo të flasësh për dieta për grevat e urisë se nuk keni nevojë për dietat e tua.
Topalli:
“Mbaroi koha”
Balla:
“Ty të ka mbaruar koha me kohë”
Braçe:
“Ku banon, tregojua këtyre që banon në Tiranë dhe merr dietat sikur banon në Shkodër”
Topalli ka marrë një vendim i cili ka për qëllim uljen e pagave të deputetëve që nuk marrin pjesë në seancat plenare dhe Komisionet Parlamentare. Vendimi “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve” specifikon se paga e deputetit përbëhet:
40 për qind nga pjesëmarrja në seanca plenare,
50 për qind nga pjesëmarrja në mbledhjet e komisioneve
10 për qind nga pjesëmarrja në veprimtari të tjera
Sipas vendimit, nga mospjesëmarrja në seance apo mbledhje hiqen edhe dietat, shpenzimet e transportit, shpenzimet telefonike dhe strehimi.
* * *
Skandali i dietave, Topalli shpërblen veten me 73 mijë lekë plus çdo muaj
TIRANË – Skandali i dietave në Kuvend përfshin edhe kryetaren e këtij institucioni, Jozefina Topalli. Ashtu si gjithë deputetëve të djathtë, kryeparlamentarja Topalli në 7 muajt e fundit, në kundërshtim me ligjin “Për statusin e deputetit”, i ka njohur vetes luksin e përfitimit të një shume të konsiderueshme prej 73.2 mijë lekësh të reja çdo muaj si shpenzime në formën e dietave për ardhjen nga Shkodra ku “banon” në Tiranë ku merr pjesë në jetën parlamentare. Ndërkohë që shpenzimet e tjera, ato të telefonit dhe karburantit, ndryshe nga çdo i zgjedhur tjetër, për shkak të detyrës si kryeparlamentare, i gëzon pa limit.
Shpenzimet
Kursimet e bëra nga mbajtja e rrogave të deputetëve socialistë për gjatë periudhës së bojkotit i kanë dhënë mundësi kryetares së Kuvendit që të “shpërblejë” deputetët e djathtë pa përjashtuar as veten e vet me dieta të ekzagjeruar. Kështu, zyra e financës duket se ka qenë e prerë në përllogaritjet e ndarjes së këtij kursimi, pasi e ka trajtuar kryeparlamentaren me dieta mujore me të njëjtën shumë që ka trajtuar edhe gjithë deputetët e tjerë të shumicës qeverisëse. Gazeta ka mundur të sigurojë së fundi edhe tabelat zyrtare të lëshuara nga zyra e financës për shpenzimet dhe pagën e kryetares Jozefina Topalli.
Për të 6 muajt e fundit, duke filluar nga tetori, kryetares së Kuvendit, si dhe gjithë të zgjedhurve të tjerë të djathtë, i është akorduar një dietë fikse prej 73.2 mijë lekë të reja, çka presupozon se ajo është trajtuar me ditët e plota të dietave, ashtu siç përcakton ligji për të gjithë deputetët që nuk jetojnë në Tiranë dhe do të duhet të vijnë në kryeqytet për të marrë pjesë në jetën parlamentare. Ç’ka në rastin e Topallit, ashtu si dhe në rastet e shumë të zgjedhurve të tjerë, nuk rezulton të jetë një referim shumë i saktë ligjor, pasi dihet tashmë që ajo jeton në Tiranë, në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit.
Përllogaritja
Ndërsa vendimi i Kuvendit i vitit 2003, i cili i ka dalë në bazë të ligjit “Për Statusin e deputetit” përcakton se “përfitojnë dietë 12 ditë në muaj deputetët që banojnë jashtë qytetit të Tiranes dhe 6 ditë në muaj deputetët që banojnë në qytetin e Tiranës dhe kanë zonën jashtë këtij qyteti”, kryetarja e Kuvendit duket se e ka klasifikuar veten e saj në grupin e parë, pavarësisht se jeton në Tiranë. Kjo pasi në rast se do të kishim respektim të ligjit “Për statusin e deputetit” dhe pikërisht pikës 2 të nenit 14 të tij, kryetarja e kuvendit do të trajtohej me dietë me një masë prej 4 për qind të vlerës së pagës mujore të saj, çka nga llogaritë del diku tek 8.9 mijë lekë.
Në rast se do të pjesëtonim shumën prej 73.2 mijë lekësh që evidentohet në lajmërimin e shpenzimeve të Topallit me masën e dietës prej 8.9 mijë lekësh që asaj i takon si kryeparlamentare, i bie që ajo është trajtuar me dietë për me shumë 8 ditë çdo muaj ose me 2 ditë më shumë. Megjithatë në përcaktimin e shumës prej 73.2 mijë lekësh të reja, duket se zyra e financës e cila ka bërë dhe përllogaritjen nuk ka marrë parasysh aspak këtë kriter që përcakton ligji, pasi ajo ka qenë taksative, pra e barabartë, për të gjithë deputetët e djathtë dhe jo një shumë që ka dalë nga shumëzimi masës së dietës ditore me numrin e ditëve për të cilat i është njohur një shpenzim i tillë. Ndërkohë, deputetët socialiste vazhdojnë të trajtohen me një dietë qesharake prej 18.3 mije lekësh në muaj e papërcaktuar në asnjë vendim apo ligj konkret, që flet për statusin e deputetit.
Dhjetori, Topalli mori 170 mijë lekë “gabim” për karburantin
Shpenzimet e Kuvendit rezultojnë se kanë arritur kulmin në muajin dhjetor. Nga krahasimi i tabelave të lajmërimeve të kreditimit të shpenzimeve të kryeparlamentares Jozefina Topalli në 6 muajt e fundit, rezulton se në muajin Dhjetor ajo ka marrë plot 244.7 mijë lekë, përveç rrogës prej 222.5 mijë lekësh të tjera. Nga detajimi që zyra e financës i ka bërë shumës së llogaritur si shpenzime për këtë muaj, vërehet se 169.3 mijë lekë Topallit i janë njohur si rimbursim për karburantin pavarësisht se transporti i saj kryhet me mjetet dhe shpenzimet e institucionit, 73.2 mijë si dieta dhe 2.2 mijë për pjesëmarrjet në mbledhjet e Byrosë.
Por duket se një interesim i deputetëve të majtë për këtë skandal, ka detyruar kryetaren e Kuvendit që të japë urdhër që ti hiqet sërish kjo shumë e akorduar në mënyrë të paligjshme. Kjo ka detyruar zyrën e financës që në tre muajt e mëpasshëm, pra Janar, Shkurt dhe Mars ti mbajë kryetares nga llogaria e saj e shpenzimeve lekët e dhëna në dhjetor shpenzime për karburantin, duke e konsideruar atë një shumë të dhënë gabim.
Tabelë
Paga mujore e kryetares së Kuvendit 222.5 mijë lekë
Dieta ditore 4% qind e pagës ose 89 mijë lekë
Shuma e përfituar si dietë 73.2 mijë lekë
Ditët e trajtuara me dietë më shumë se 8 ditë
Telefoni celular pa limit
Transporti me mjetet e Kuvendit
Vendimi i Kuvendit i vitit 2003
III. Përfitojnë dietë 12 ditë në muaj deputetet që banojnë jashtë qytetit të Tiranes; 6 ditë në muaj deputetët që banojnë në qytetin e Tiranës dhe kanë zonën jashtë këtij qyteti, si dhe 6 ditë në muaj të gjithë deputetët e tjerë.
IV. Deputetëve u paguhet për shërbime telefonike 17 000 lekë në muaj, ndërsa kryetareve të komisioneve të përhershme dhe kryetarëve të dy grupeve parlamentare më të mëdha 20 000 lekë në muaj.
* * *
21 prill
Zbulohen super-dieta të firmosura nga J. Topalli
TIRANË – Rrogat e gjashtë muajve të 64 deputetëve të PS-së në periudhën e bojkotit parlamentar nuk kanë qenë të ardhura që mbetën në buxhetin e shtetit. Një pjesë e mirë e tyre i është dhënë deputetëve të mazhorancës, përmes dietave tejet të fryra, lekëve për karburantin apo telefonin, dhe që në total përbëjnë një shumë që në disa raste ia kalon edhe rrogës, që ata marrin.
Kjo situatë vazhdon ende, ku deputetë të PD-së favorizohen nga kryetarja e Kuvendit në mënyrë krejt antiligjore, ndërsa homologët e tyre socialistë janë bërë pre e penalizimeve pa fund, edhe kur bëhet fjalë për shpenzimet që ata kryejnë në përmbushje të detyrimeve dhe të përgjegjësive të ngarkuara nga detyra që kryejnë. Gazeta “Shekulli” disponon faturat e lajmërimit të kreditimit të shpenzimeve të muajit mars për disa deputetë të djathtë dhe të majtë, ku natyrisht evidentohet qartë ndryshimi i përfitimit financiar i të zgjedhurve socialistë, si dhe abuzimi që në këtë rast bën kryeparlamentarja në shpenzimin e buxhetit të institucionit të Kuvendit. Nga krahasimi i këtyre tabulateve vihet re se të gjithë deputetët socialistë për muajin mars janë trajtuar financiarisht vetëm me 18.3 mijë lekë për dieta, ndërsa nuk u është kompensuar asnjë lek qoftë për karburantin ashtu edhe për telefonin.
Ndryshe nga ata, kolegët e tyre të djathtë përveç dietave të majme që arrijnë deri në 74 mijë lekë të reja, janë trajtuar financiarisht edhe për karburantin që kanë konsumuar në udhëtimet e tyre, për telefonin celular, çka në total në disa raste shuma ka shkuar deri në 160 mijë lekë të reja. Kështu, deputeti socialist i Beratit, Erion Braçe, ka mundur të marrë si kompensim për shpenzimet e muajit mars vetëm 18.3 mijë lekë dhe këto të detajuara vetëm si dieta dhe nuk i është paguar kompensuar as karburanti dhe as telefoni, megjithëse kjo parashikohet në ligjin “Për statusin e deputetit”.
Ndërkohë që kundërshtari i tij i të njëjtit qark, Lefter Maliqi, pavarësisht largësive të barabarta nga Tirana ka marrë në total 140 mijë lekë të reja, nga të cilat 73.2 mijë si dieta (një deputet që banon në Tiranë i paguhen 6 ditë dieta me nga 30 mijë lekë, ndërsa një deputeti që banon jashtë Tirane i njihen 12 ditë të tilla), 40.5 mijë për karburantin, 17 mijë për telefonin, si dhe 9 mijë lekë për pjesëmarrjen në komisione. Në rastin e Maliqit duhet të theksojmë se nga deklarata e tij e pasurisë në ILDKP rezulton se ai ka shtëpi në Tiranë.
Pra, nga krahasimi i të dhënave duket qartë trajtimi me dy standarde që Kuvendi i bënë deputetëve të të njëjtit qark, pavarësisht se ligji parashikon një trajtim të barabartë mes tyre. Një tjetër rast është ai deputetit Taulant Balla, i cili ashtu si Braçe ka marrë vetëm 18.3 mijë lekë për dieta, duke mos iu njohur as kompensimi i karburantit dhe as i telefonit. Ndërsa kolegu i tij i të njëjtit qark, Luçiano Boçi, ka përfituar në total 139 mijë lekë të reja, nga të cilat 73.2 mijë lekë dieta, 37.8 karburant, 17 mijë lekë telefon dhe 10.8 mijë lekë nga komisionet.
Pra, sërish vihet re fenomeni i favorizimit të deputetëve të djathtë. Një rast akoma më flagrant përbën ai i deputetit Igli Cara, i cili pavarësisht se është deputet i Durrësit, pra vetëm 30 km larg Tiranës, ka mundur të marrë në total 132 mijë lekë, nga të cilat 73.2 mijë si dieta, 33.3 mijë për karburantin dhe 17 mijë lekë për telefonin. Pabarazia mes deputetëve të djathtë dhe të majtë bëhet edhe më e madhe në rastin e deputetëve të zonave të largëta.
Kështu, ndërsa deputeti socialist Qemal Minxhozi ka përfituar si dietë vetëm 18.3 lekë, kolegu i tij i djathtë i të njëjtit qark Bedri Hoxha ka marrë plotë 160 mijë lekë të reja si dieta, karburant, telefon dhe për pjesëmarrjen në komisione, ose thënë ndryshe rreth 300 mijë lekë më shumë sesa rroga që ai merr si i zgjedhur.
Mjere ky popull! Mjere ky popull! Mjere ky popull!
Jane ne ate foltore per te mbrojtur interesat e popullit dhe merren me dietat, rrogat interesat e tyre. Mjere Ne qe degjojme, mjere Ne qe shikojme, mjere Ne qe pesojme.
Indiferentizmi, mosangazhimi jane molat qe hane kete demokraci; qe nuk eshte nje
peme e re, por nje mobilje e vjeter e Europes, e eksportuar ne Shqiperi.
Te gjithe jemi te molepsur (na ka hyre mola), dhe ky pluhur i drurit te kalbur po i hidhet gjithe popullit per ta thithur. Mjere Ne…!
Comments are closed.