Nga Mero Baze, 22 Maj 2012
Tragjedia e fundit në Himarë na ekspozoi dy pamje të ndryshme të shoqërisë dhe shtetit shqiptar përballë një fatkeqësie. Me një përkufizim të përgjithshëm, shoqëria shqiptare e përballoi më me dinjitet fatkeqësinë dhe reagoi në mënyrë më të sinqertë dhe qytetare ndaj saj, ndërsa shteti na la shijen e një tribuje primitive, të rrëmujshme, të paaftë dhe hipokrite.
Le t’i shikojmë më me qetësi disa elementë të këtij reagimi. Në momentin e parë kur ndodhi aksidenti, që nga vendngjarja e deri në spital, qytetarët e Himarës shkuan aty vetë, pa i thirrur askush, ndihmuan sa mundën, nuk prodhuan panik, dhe më pas në Vlorë, Himarë dhe Tiranë qindra qytetarë shkuan pa i thirrur askush të dhuronin gjak.
Përballë tyre ishin strukturat e shtetit që mbërritën në vendngjarje, pa mjetet e emergjencës dhe ngarkonin kufomat, siç thoshte një dëshmitarë, në kamionçina pasi mungonin ambulancat. Në Vlorë morgu ishte jashtë standardit për gjithë viktimat dhe personeli mjekësor në spital humbi kontrollin mbi territorin, aq sa gazetarë, qytetarë dhe mjek hynin e dilnin në korridore si një qendër emergjencë në Afganistan kur ka bërë ndonjë kamikaz ndonjë atentat vetëvrasës.
Pasi kaloi vala e parë e emergjencës dhe të aksidentuarit u kompletuan nëpër spitale, në ekrane u shfaqën ministrat, të cilët çuditërisht donin të jepnin lajme. Në çdo administratë normale në botë, në raste të tilla spitalet mbyllin dyert për popullin dhe caktojnë me rigorozitet një zëdhënës që mund të informojë çdo minutë, çdo gjysmë ore apo një orë medien, dhe një ekip që merret me marrëdhëniet me familjarët, por askush nuk mund të hyjë e të dalë si në një han pa porta në një vend ku mjekohet, dhe aq më tepër që lajmet t’i marrim nga ministra apo zyrtarë të emergjencës civile. Edhe më tragjikomike ishte skena në Spitalin Ushtarak, ku deputeti Tritan Shehu kishte veshur bluzën e mjekut dhe bënte si reanimator, por në vend që të pyeste se çfarë ilaçesh kishin, pyeste tek cila firmë i blejnë ilaçet dhe pse nuk i blejnë tek një tjetër.
Përkundër tyre, qytetarët u treguan më dinjitozë. Ata shkuan në spital, dhuruan gjak dhe u larguan në heshtje në shtëpitë e tyre. Edhe ata që u intervistuan nga media duket që ishin të sinqertë në atë që kishin bërë.
Në fazën e tretë të reflektimit gjatë ditës së zisë qytetarët sërish ishin më civilë. Pa i organizuar askush ata shkuan në homazhe, vendosën lule, himarjotët shkuan sërish tek vendi i aksidentit dhe respektuan kujtimin e tyre, ndërsa administrata shtetërore ngatërroi arkivolet dhe filloi të bëjë teatër në homazhet e Elbasanit. Kulmi arriti kur Sali Berisha bllokoi një orë rrugën Tiranë-Elbasan se mos aksidentohej vetë, dhe arriti të qajë për tu dukur njeri i përkushtuar ndaj qytetarëve, edhe pse në rast tragjedish një shtetar duhet të jetë në krye të situatës për tu përballur me problemin, kurse në rast demonstratash politike si 21 Janari duhet të mbajë dorën dhe të mos vrasë qytetarë duke lënë fëmijë jetimë siç la pa iu dridhur dora dhe qerpiku.
Ose dhe më keq akoma pasi dërgon badigardin e vet të blejë gjakun dhe nuk i ecën pazari, dënon viktimat e veta me gjoba marramendëse. Kryeministri i një vendi është aty për t’i dhënë kurajo qytetarëve për viktimat e Zotit dhe për t’i dhënë llogari drejtësisë për viktimat e veta. Berisha bën si njeri që e ka ndëshkuar Zoti se i ka marrë 13 jetë të rinjsh, ndërkohë vetë ka lënë 8 jetimë pa iu dridhur as dora, as qerpiku, që dje bënte sikur i lagej.
Përballë këtij reagimi hipokrit të kryeministrit qytetarët ishin më të hapur dhe për shkaqet. Ekspertë të pavarur folën dhe po flasin për një neglizhencë të qëllimshme të qeverisë së Berishës për të mos e ndryshuar projektin e asaj rruge duke e devijuar me një urë për të shmangur katastrofat. Të tjerë folën për kushtet teknike se si licencohen mjetet, ndërsa qeveria foli që “mjeti ishte i sigurt”, “rruga ishte e sigurt”, vetëm jeta e studenteve u bë e pasigurt si nga Zoti. Mungesa e thellë e dëshirës për të reflektuar për atë që ka ndodhur, një lloj papërgjegjësie në përballimin e fatkeqësisë, një lloj hipokrizie publike që ngjan si ato skenat e talebanëve me burra që çjerrin faqet pas shpërthimit të kamikazit, i japin një kontrast të fortë mënyrës e si shteti ynë reagon ndaj një fatkeqësie të tillë në raport me reagimin normal të shoqërisë.