
Mustafa Nano
T’bona ner; duhet t’më pagush.Shikoni ç’më shkruan një shqiptar i mirë via e-mail: “Ne që kemi marrë dhenë dhe kemi mësuar nga vendet demokratike, ku jetojmë, ndjehemi të pafuqishëm për të ndihmuar vendin tonë. Kam një ide që duhet ta zhvilloj dhe kërkoj mbështetje. Ju lutem, dua që t’ma ruani anonimatin (jetojmë në “demokraci” dhe kemi frikë nga reperkusionet e regjimit të Berishës). Ambasadori Amerikan në intervistën e tij në Zërin e Amerikës akuzoi të gjithë shqiptarët si të korruptuar. Kjo për mua është një akuzë e fortë që nuk duhet ta pranojmë. Unë mendoj që ne duhet ta padisim atë për fyerje publike, diskriminim dhe mbështetje të regjimeve të korruptuara. Unë mendoj se duhet të kontaktojmë një zyrë avokatie të njohur që të ndjekë këtë problem.
Kjo nuk është kundër SHBA-ve, por është një sinjal që ne nisim kundër të gjithë atyre “demokratëve dhe të djathtëve” (Pack, Daul, Fyle, Arviziu, Countryman, etj, etj) që për interesa të ngushta ….. mbështesin regjimin më të korruptuar të Europës. Unë mendoj se kjo është mënyra e vetme që ne mund të ndihmojmë vendin tonë. Pas kësaj, me siguri këta do maten përpara se të lëshojnë deklarata ofenduese për ne të pafajshmit, idealistët e Shqipërisë. Kërkoj ndihmën tuaj. Çfarë mendoni? E-mail-i im është i rremë. Për momentin dua të di publikisht nga ju, nëse kjo është, apo jo, një ide e mirë.”
Ka dy gjëra, që meritojnë vëmendje, në këtë letër. Së pari është problemi që ngrihet, por me këtë do merrem më poshtë. Së dyti, është frika që ky shqiptar ndjen, dhe lidhur me këtë dua t’i them dy fjalë menjëherë. Është një frikë që nuk e lejon të dalë e të thotë atë që mendon. E tepron, vallë, me këtë frikë? Ia fut kot? Mos është ndonjë natyrë hipokondriake? Hm, këto po i sjell si pyetje të mundshme, por mos kujtoni se janë pyetje që unë ia bëj vetes. Unë e lexoj këtë frikë kudo. Nuk është frikë për jetën (ndonëse në ndonjë rast edhe e tillë është); është frikë prej një pushteti që kontrollon një pjesë të madhe të botës shqiptare, rrjedhimisht e ka të lehtë të hakmerret.
Dhe hakmarrja fillon me variantin më rutinor të largimit nga puna e shkon deri tek presione të llojeve të tjera, që ta ngushtojnë gjithnjë e më shumë hapësirën për të jetuar me dinjitet në këtë vend që është i të gjithëve. Shkojnë dhe më tutje, sigurisht. Në datë 21 janar, policia ka rrahur keq në bulevardin e protestës edhe pronarin e televizionit Koha (i cili është duke u kuruar në Itali; ka marrë plagë të shumta). Dhe është për të ardhur keq, që askush nuk ka folur për këtë ngjarje. Ndoshta është dhe ai vetë që kërkon të mos e bëjë publike. Pse? Për t’mos i zemëruar më shumë bandat policore (nuk janë të gjithë policët kështu, të kuptohemi) në shërbim të pushtetit. Është një gjë që ndodh rrallë?
Mundet, por nga momenti që është një dhunë arbitrare ajo është e rrezikshme për disa arsye. Së pari, dhuna arbitrare, pikërisht ngaqë është arbitrare, nuk dihet se ku e kur ndalet; mund të ketë për pasojë dhe vdekjen e dikujt. Së dyti, dhuna arbitrare, pikërisht ngaqë është arbitrare, mund të shumëfishohet në çdo moment. Së treti, dhuna arbitrare, pikërisht ngaqë është arbitrare, nuk di t’i zgjedhë viktimat; viktimë mund të jetë dhe ai që kujton se gjen strehë të sigurt tek jeta prej sehirxhiu e bërë nën moton “ç’më duhet mua me atë që ndodh larg shtëpisë sime”. Katër personat e vrarë tek porta e kryeministrisë janë pasojë e kësaj dhune.
Një frikë të ngjashme me atë të autorit të letrës ma kanë shprehur në të njëjtën formë dhe shumë të tjerë; më shkruajnë, duan që unë t’ua publikoj shkrimet, por në fund më kërkojnë që t’ua ruaj anonimatin (njëri syresh, që bën jetë akademike në një nga vendet e ulta, kur i thashë se kam marrë vendimin të mos publikoj shkrime me emra të rremë, hoqi dorë nga ideja. “Ok, tërhiqem”, më tha. “Nuk dua të më heqin tim’atë nga puna në administratë”. Dhe më erdhi keq edhe për një arsye tjetër: shkruante mirë. Ndërsa një tjetër, që më tha se punon në administratë, ra dakord të vinte emrin e vërtetë; por në fakt ma ridërgoi me emër të rremë; dhe unë bëra sikur ‘e hëngra’ hilen).
Tani po hidhem tek argumenti i letrës. Ka të drejtë ambasadori? Tani, që kuturisja nuk ishte shumë diplomatike, kjo u mor vesh; madje, dhe ai vetë nuk vonoi të bënte korrektimin e mesazhit të përcjellë. Doli dhe foli për një keqkuptim. Shkurt, u tërhoq, gjë që mund të merret dhe si ndjesë e kërkuar prej tij. Unë besoj që letra (e cila më vjen nga Amerika. Kaq mund ta them, dhe nuk mendoj se ky informacion e lëndon apo e komprometon anonimatin) është shkruar përpara këtij momenti. Në rrethanat e reja, edhe dërguesi i letrës ka arsye ta rikonsiderojë ‘vrullin’ e tij për të ngritur një padi ndaj ambasadorit amerikan. “Kokë e falur nuk pritet”, themi ne shqiptarët. Apo jo?
Mirëpo, le ta lëmë mënjanë ambasadorin, dhe le të merremi me afermacionin e tij. “Korrupsioni është një problem i shoqërisë shqiptare”, tha ai. Pyes (përsëris: le të harrojmë se kush e ka thënë): ka ndonjë gjë që s’shkon me këtë afermacion? Nuk besoj. Ne kemi probleme si shoqëri në këtë drejtim. E problemet janë shumë më të thella e më të mëdha se sa ato që nënkuptohen prej frazës së ambasadorit të kapur ‘në flagrancën’ e një ngasjeje analitike. Të gjithë themi se, fjala vjen, në sistemin e drejtësisë ka korrupsion, dhe unë nuk njoh asnjë shqiptar, që të ketë denoncuar ndonjë gjyqtar që i ka kërkuar pará përpara se t’i japë të drejtën që i takon me verdiktin në sallën e gjyqit. Doni tjetër? Të gjithë paguajmë nën dorë në këmbim të shërbimeve që na ofrohen në sektorin shëndetësor publik (i cili me ligj është falas), dhe unë nuk di ndonjë shqiptar që të mos ketë paguar mjekun apo kirurgun në rrethana të tilla.
Të gjithë kemi paguar nën dorë për të përfituar një shërbim, për të cilin kemi paguar njëherë nëpërmjet taksave. Edhe unë kam paguar. Është një sistem i tërë që, në saj të heshtjes, miratimit apo kontributit tonë, nuk funksionon mbi bazën e rregullave, të ligjeve, të moralit; përkundrazi, funksionon në mënyrë korruptive. Dhe korruptueshmëria e secilit nuk qëndron në faktin që secili paguan nën dorë një kirurg; jo, qëndron në faktin që sistemi i tërë është korruptiv, dhe ne nuk bëjmë asgjë për ta luftuar sistemin; përkundrazi, i bindemi. Sepse jashtë këtij sistemi vdesim. Epo, thoni ç’të dini, por kjo për mua është simptomë e një shoqërie të korruptuar.
E di, nuk është e drejtë të padisësh shoqërinë në mënyrë të rrumbullakosur. Miku i letrës fliste (në një pjesë, që unë e kam hequr) dhe për shumë idealistë shqiptarë. Ka të tillë? Ka. Ka kudo. Ka në gazetari; ka në në sistemin e drejtësisë; ka në biznes; ka në shëndetësi; ka dhe në politikë n‘daçi (dikush po më thosh mbrëmë, se Namik Dokle, ndonëse ka njëzet vjet në politikë, banon në një shtëpi modeste. Ju vret sytë Namiku, sepse e shihni si veteran enverist? Po kjo është tjetër gjë. Unë po ju them se ai banon në një shtëpi të thjeshtë, gjë që do të thotë se është i ndershëm; dhe i ndershëm mund të jetë dhe një politikan që nuk jeton në mënyrë modeste; nuk është thjesht modestia ndershmëri; ndershmëri është ta shohësh postin si mënyrë për të shërbyer e për të bërë gjëra, e jo si burim për t’u pasuruar e për të përfituar në mënyrë të padrejtë).
Megjithatë – po kthehem sërish tek afermacioni i ambasadorit – korrupsioni është gjithë ditën një problem i shoqërisë shqiptare. Unë e nënshkruaj këtë afermacion. Por nuk do ta thoja po të isha në vend të një ambasadori të huaj në Tiranë; aq më pak do ta thoja për të përligjur një qeveri, që në vend të luftojë korrupsionin brenda saj, lufton ata që e zbulojnë këtë korrupsion (në rastin konkret, gazetarët e programit Fix Fare).
Me sa më sipër, e kam zhgënjyer dërguesin e letrës? Shpresoj që jo. Nëse po, pres me padurim të shoh në inbox-in tim replikën e tij të nënshkruar me emrin e vet, të ardhur nga një adresë e rreme e-mail-i, dhe si gjithmonë, të shoqëruar me lutjen, që emrin t’mos ia bëj publik. Dhe këtë të fundit nuk e them për të përqeshur frikën e tij; s’do ia lejoja vetes. Përkundrazi, e them për të nënvizuar një psikozë frike që egziston gjithandej. E sidomos, për të denoncuar pushtetin, që e mbjell këtë frikë.







