Shoqata, kundër idesë për heqjen e pensionit prej 330 eurosh në muaj

0
37

Bledar Hoti

Shoqata OMONIA i kërkon shtetit grek që të mos i ndërpresë ndihmat që jepeshin nga viti 1998 për 18 mijë personat që jetojnë në Shqipëri. Në një deklaratë për median, OMONIA përshëndeti interpelancën e deputetit grek të Demokracisë së Re, Jani Mihelaki, i cili bëri thirrje për të mos u shkurtuar pensionet e minoritarëve grekë në Shqipëri. Të cilësuarit homogjenë, banorët e minoritetit pritet të privohen nga pagesa prej 330 eurosh në muaj që shteti grek u jepte. “Ne mirëpresim nismën e deputetit Mihelaki në lidhje me rastin e pensioneve të OGA. Edhe një herë zoti Mihelakis tregoi ndjeshmëri për vuajtjet e grekëve Epirin e Veriut”, thuhet në deklaratën e OMONIA-s.

Në të njëjtën kohë i kërkohet shtetit grek, që prej vitesh po përjeton një krizë të thellë ekonomike që të mos ndërpritet kjo ndihmë. “Ne i kuptojmë vështirësitë që po kalon atdheu vitet e fundit, dhe mbështesim përpjekjet e bëra nga popullit grek dhe qeveria për përmirësimin ekonomik. I dërgojmë një apel shtetit grek, dhe palëve politike në qeveri, të bëjnë përpjekje të ngjashme, që të mos ketë implikime të tjera financiare për Epirin e Veriut”, përfundon deklarata e OMONIA-s.

Deputeti i Demokracisë se Re, Jani Mihelaki, ka kërkuar interpelancë me ministrin grek të Punës dhe atë të Financave, lidhur me ligjin që parashikon heqjen e pensioneve të rreth 18 000 minoritarëve grekë nga Shqipëria. Ai e ka quajtur këtë ligj “një padrejtësi të madhe që u bëhet pensionistëve të Epirit të Veriut”, të cilët deri tani kanë marrë nga enti i sigurimeve OGA, një shumë prej 330 eurosh në muaj dhe me prerjen e këtij pensioni, sipas tij, “do të marrin një goditje të padurueshme”. Trojka në Greqi, parashikon prerjen e pensioneve për 18 000 minoritarë nga Shqipëria, të cilët që nga viti 1998 merrnin çdo muaj një pension minimal prej 330 eurosh.

Mihelaki theksoi se “në një kohë, kur Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, këmbëngul në deklaratat provokative rreth “Shqipërisë së Madhe”, Greqia duhet të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përkeqësimin e standardeve të jetesës së minoritetit grek dhe të shmangë në këtë mënyrë rrezikun e çrrënjosjes së tyre nga vendi”. Brenda një muaji shteti grek duhet të paguante shumën prej 5.940.000 milionë eurosh për 18 persona të përfshirë në kartën homogjene. Ndërsa në vit, shteti grek duhet të paguante shumën e 71.280.000 eurove.

Agimi i Artë
Censusi dhe Berisha, interpelancë me Avramopoulos

Rezultatet e Censusit në Shqipëri do të jenë objekt i një interpelance në Parlamentin grek. Deputeti i partisë naziste, të Agimit të Artë, Kristo Papas, i është drejtuar me anë të një letre ministrit të Jashtëm, Dimitris Avramopoulos, për t’i kërkuar shpjegime mbi rezultatet e Censusit në Shqipëri, ku pati një ulje të popullsisë shqiptare të besimit ortodoks. “Cili është qëndrimi i qeverisë greke për rezultatet e regjistrimit të popullsisë në Shqipëri?

A do t’i pranoni këto shifra para organizatave ndërkombëtare? Cilat janë mjetet politike dhe diplomatike që do të përdorni si reagim ndaj manipulimeve të shqiptarëve që kërkojnë të fshehin praninë greke dhe ortodokse të krishterë në këtë vend? A do të kërkoni hetime të mëtejshme dhe efektive në pohimet e falsifikimit të rezultateve?”, thuhet në kërkesën e Papas. Gjithashtu, ai kërkon përgjigje dhe për deklaratat nacionaliste të lëshuara së fundmi nga Kryeministri Sali Berisha.