Shkrimtari Lazër Stani u kthehet kujtimeve nga vendlindja: Historia e gruas që strehoi At Anton Harapin para pushkatimit

0
23

Në përmbledhjen me tregime “Kohë për nuse” Lazër Stani ka edhe një me titull “Daiza Zaharia”, kushtuar gruas që strehoi At Anton Harapin, fratin françeskan, mendimtarin e shkrimtarin, që u dënua me vdekje nga pushteti popullor. Një rrëfim mes historisë dhe fiksionit, për shtëpinë në fshatin Plan, burrat e së cilës u dënuan me 101 vjet burg se strehuan fratin.


Lazër Stani

Vetë fëmijëria e autorit të librit “Kohë për nuse” i ngjan një libri. Kur tregon rrëfenjat me gjyshër, të gjalla siç ende i ka në kokë, edhe kujtimet e Lazër Stanit, ngjajnë si fiksion… Një fëmijë që vështron për orë të tëra një shtëpi misterioze, nga dritarja e shkollës, sot, pas kushedi sa vitesh, ulet të shkruajë për ato mure të nxira brenda të cilëve, dikur, jetonte një grua. Jo nga këto të “gjallat” që jetojnë në tokë, por nga ato të përrallave që nuk kanë të përshkruar. Autori ka zgjedhur ta quajë, Daiza Zaharia, sado që, emri, në rastin e një historie si e saja, nuk ka kurrfarë rëndësie.

Historia është në sytë e tij, e ka mbajtur në krye qysh kur e ka dëgjuar për herë të parë nga i gjyshi. Nga ajo kohë, e ka tjetërsuar mijëra herë, vetëm Daiza i ka mbetur njësoj. Është historia e At Anton Harapit që strehohej në një shtëpi të fshatit Plan, aty ku Stani është rritur. Sa herë shihte shtëpinë me bodrum që fshihte Harapin, Lazërit i shfaqej Daiza, gruaja që mbeti krejt e vetme në atë shtëpi që iu burgosën të gjithë burrat. Mundimet e brendshme, përpëlitjet nevojtare në shtrat, besimin në qiell… Përshkrimet e figurës së saj, atmosfera në të cilën gjendet, na bëjnë të na duket sikur Daizën e kemi njohur të gjithë, ndaj sot, përmes këtij tregimi, vetëm sa na erdhi ndër mend…

Na përshkruani kujtimet e para, ato të fëmijërisë, ato të cilave u jeni rikthyer për të shkruar “Daiza Zaharian”… Vështrimet nga dritarja e shkollës, shtëpinë e shkatërruar dhe gruan imagjinare në të…
Fëmijëria ime ka qenë krejt e veçantë, ose brenda meje ajo është projektuar si e tillë dhe vazhdon të ekzistojë si e tillë. Djali dhe burri i pjekur jetojnë brenda të njëjtës qenie njerëzore, në konflikt ose në harmoni me njëri-tjetrin, duke kërkuar secili sa më shumë prani. Nëse për një moment kthehem pas në fëmijërinë time, di se kam qenë një fëmijë i vetmuar, që nuk shoqërohej shumë me bashkëmoshatarët, që i pëlqente shumë të zhdukej nga shtëpia, të bridhte anës lumit, të sodiste me orë të tëra rrjedhën e nxituar të ujërave të përrenjve malorë, ose të sodiste troftat që llokoçiteshin në lumë, zogjtë që fluturonin në qiell, kafshët e egra në pyll, lulet, bimët, drurët, muzgjet, agimet, stinët me ngjyrat e tyre, gjithçka që krijon peizazhin mahnitës të alpeve. Merresha shumë me veten dhe rindërtoja në mendjen time botë fantastike, të cilat ishin vetëm të miat dhe të askujt tjetër.

Dhe mbrëmjet e gjata të dimrit ishin të mbushura me histori, rrëfime fantastike, ngjarje që tregoheshin me pasion, madje interpretoheshin nga stërgjyshja ime, Zogë Stani, që u shua në moshën 99-vjeçare, im gjysh, ose ime më, që ishte një story-teller e jashtëzakonshme, edhe pse jam i bindur se shumica e rrëfimeve të saj ishin fiksion i pastër. Stërgjyshja ime jetonte më shumë te të vdekurit e saj të dashur se me ne të gjallët, gjithë rrëfimet e saj i kish me të vdekur, me shpirtra, me hije dhe me fantazma, me histori që me siguri, sipas saj, kishin ndodhur njëherë e një kohë, kur burrat ishin burra dhe gratë ishin gra e jo si gjindja sot në këtë botë të prishur, ku asgjë nuk është më si dikur dhe asgjë nuk ka mbetur nga lavdia e shkuar. Unë i dëgjoja historitë dhe bëmat e saj duke m’u ngjethur mishi.

Ka qenë edhe At Anton Harapi pjesë e këtyre rrëfimeve?
Në një nga këto net të fëmijërisë, dëgjova prej gjyshit për herë të parë emrin e At Anton Harapit, që gjyshi e quante “Engjëll i Zotit” dhe që komunistët e pushkatuan si të ishte një kriminel i rëndomtë. Për fat të keq, atë e arrestuan në fshatin fqinj me timin, në një familje në Plan, që sipas gjyshit ishin një familje shumë e mirë, besimtarë dhe të ndershëm, që edhe ata vetë vuajtën pasoja shumë të rënda nga regjimi. Meshkujt e shtëpisë u dënuan me nga 101 vjet burg, ndërsa dera e shtëpisë nuk u mbyll, u mbajt hapur nga nusja e shtëpisë, që sfidoi fatin për të mbajtur hapur derën e shtëpisë dhe për të mos e shuar zjarrin në oxhak.

“Që ferra të mos mbijë në prag”, siç thonë. Me kalimin e viteve kjo grua u përsos në imagjinatën time dhe nga kjo perspektivë është rrëfyer tregimi Daiza Zaharia, që natyrisht është fiksion, jo prozë dokumentare, pasi nuk di dhe nuk mund të shkruaj prozë të tillë. Në prozë, gjatë rrëfimit të historisë gjithnjë futen dhe imazhe, elementë, ngjarje që janë shtresuar në nënvetëdijen tënde, hyjnë pazëshëm dhe pa të lajmëruar, por hyjnë të shndërruar në procesin e krijimit, siç futet dhe shpirti im në çdo krijim, ndjenjat, emocionet, vizionet, imagjinata, gjithçka që formon identitetin tim si krijues.

Kush ishte Daiza? Çfarë ju tregonte babai (apo rrëfimtarë të tjerë, banorë të tjerë të fshatit) rreth saj e fatit të familjarëve?
Daiza është krijesë letrare. Askush nuk më ka rrëfyer kurrë për të, por di që është një grua që t’i shenjtëron të gjitha ndjenjat. Edhe personazhet e tjera të tregimit, karakteret e tjerë, janë krijesa letrare, por nëse kjo prozë ngjan më e vërtetë se vetë e vërteta, atëherë ia kam dalë të shkruaj një prozë të mirë, që disa miq të mi e kanë quajtur miniroman.

Njerëzit rrëfenin për At Anton Harapin, për këtë intelektual, klerik dhe shqiptar të jashtëzakonshëm, që kush e kishte takuar një herë nuk mund ta harronte kurrë. Mjaftoi vrasja e tij që gjyshi im ta cilësonte regjimin komunist të zi dhe kriminal. Nga rrëfimet e shumta të tij për At Anton Harapin, unë krijova përfytyrimin tim për të dhe interesimin e vazhdueshëm për të lexuar e mësuar të gjitha hollësitë, detajet faktet për jetën dhe fundin e tij tragjik dhe çka është më e rëndësishmja një lexim i vazhdueshëm i çdo rreshti të shkruar prej tij, qofshin këto vepra letrare dhe etnokulturore, ese filozofike apo shkrime të botuara prej tij në revistën “Hylli i Dritës”.

Për shembull, “Andrra e Pretashit” është një monument gjuhësor dhe etnokulturor për një komunitet shqiptar, që për fat të keq u shprish në dramat e historisë, dhe që vështirë se do të mund të ekzistojë më si i tillë, por unë gjithnjë kthehem dhe e rilexoj për bukurinë dhe pasurinë e gjuhës shqipe, për ambëlsinë e pafundme të gegnishtes, për aftësinë e saj për të shprehur tragjeditë më të mëdha me një aftësi komunikuese të jashtëzakonshme. Pas një interviste në TV, ku kisha folur diçka edhe për At Antonin, një mik më tha se në Arkivin e Shtetit është një dokument që provon se At Anton Harapi është ekzekutuar me porosi të jugosllavëve dhe se pas ekzekutimit të tij, nëpërmjet një shkrese, funksionarët shqiptarë u kishin raportuar jugosllavëve për ekzekutimin e tij dhe kryerjen me sukses të misionit të ngarkuar.

A ju është dashur që, për të shkruar këtë tregim, të ripyesni e të merrni të dhëna të tjera, sado që, tregimi mund të jetë përgjysmë fiksion…?
Këtë tregim e kam mbajtur shumë vite në krye, madje e kam filluar disa herë dhe gjithmonë e kam braktisur. Por ai nuk më braktiste mua asnjëherë. Herë pas here më shfaqej papritmas: gjatë një shëtitjeje në rrugë, në udhëtim e sipër, ose i shtrirë në shtrat në orët e pagjuma. Unë e gjeja befasisht veten brenda historisë, në një episod të saj, i rrëmbyer, i pushtuar. Një ditë ia dola ta shkruaj fjalinë e parë dhe pastaj gjithçka u ftillua: perspektiva e rrëfimit, ritmi, gjuha, fjalët, ngjarjet, karakteret.

Gjithsesi, nja një muaj para se të shkruaja tregimin, pyeta dhe një herë babën në lidhje me këtë histori, por nuk më tha ndonjë gjë thelbësore, ndonjë të panjohur që unë nuk e dija dhe nuk e kisha dëgjuar më parë. Në procesin e krijimit nuk të ndihmojnë faktet historike, por faktet letrare, argumentet letrare. Daiza Zaharia është krejtësisht produkt i imagjinatës sime krijuese, i vizionit tim për vlerat e një gruaje të jashtëzakonshme, që di të sfidojë tragjeditë dhe mbrapshtitë e fatit dhe të dëshmojë vlerat e jetës dhe të njeriut. Në anët tona për ndonjë grua të përmendur (dhe kishte shumë të tilla) thuhej: “Ajo grua korit çdo burrë”.

Kjo shprehje përdorej në kuptimin që ajo grua është aq e fisme, e mençur dhe e virtytshme, sa i bën hije edhe burrit më të mirë. Një grua e tillë është edhe Daiza e tregimit tim “Daiza Zaharia”.
Në tërësi, libri me tregime “Kohë për nuse”, sa të vërteta dhe sa prej shkrimtarit ka, sepse po të shohësh nëpër radhë, gjendesh shpesh mes situatave reale të së shkuarës…
Të vërtetat letrare janë ndryshe nga të vërtetat historike, shkencore, filozofike. Sabato thotë se aty ku shkenca dhe filozofia ngrenë duart, aty fillon letërsia. Të vërtetat letrare janë metafizike, të painterpretueshme me metodologjinë e njohjes shkencore. Por letërsia ekziston, është e pranishme dhe mbijeton se vetë njeriu është qenie metafizike, është i njohshëm, i prekshëm, i perceptueshëm, por ndërkaq është shumë më tepër i paarritshëm, i paperceptueshëm, mistik në vetvete.

Kur për lexuesin një krijim letrar duket më i vërtetë se vetë e vërteta, është shenjë se kemi të bëjmë me letërsi, që i kapërcen kufijtë e të zakonshmes. Asnjë ngjarje në vetvete nuk është krijim letrar, por elemente të ndryshme të ngjarjeve jetësore mund të bëhen shkas, mund të stimulojnë një krijim letrar. Kur dominohesh nga e vërteta konkrete apo fakti historik dështon të bësh letërsi, ndaj gjithmonë i kam parë më dyshim të ashtuquajturit romane historike. Kur dua të lexoj histori lexoj histori, jo fantazi historike. Tregime të tillë si “Daiza Zaharia”, “Me sy të fiksuar pas një ylli”, apo “Idioti udhëton për Amerikë” kanë një shkas të vërtetë: Anton Arapi është ekzekutuar dhe një grua nuk braktisi të shoqin në fatkeqësi, po mbajti hapur derën e shtëpisë, dy poetë janë pushkatuar dhe miku im është arratisur në 1990 me “Idiotin” e Dostojevskit në çantën e shpinës. Por gjithçka tjetër është fiksion dhe kjo i bën ato krijime të mirëfillta letrare.

Si u arrestua At Anton Harapi në fshatin Plan


At Anton Harapi në gjyqin komunist

Prapë ju kujtua ajo e martë qershori, kur u gdhinë të rrethuar nga forcat e të kuqve. Të shtënat në ajër, thirrjet për t’u dorëzuar, klithmat dhe ulërimat e tërbuara të oficerëve me uniforma të gjelbra. I shoqi, sikur flinte gjumin e vdekjes, nuk tundej nga shtrati. Burrë, zgjohu se mbaruam! Na kanë tradhtuar! Kur i shoqi hapi sytë, të trokiturat në derë ishin bërë të padurueshme. Dëgjoheshin përplasje grushtesh dhe shqelmash. Prisni të vishemi, u thirri nga brenda Pjetër Zaharia. Ke tre minuta kohë të hapësh derën, kërcënoi zëri nga jashtë. Ndryshe do ta shqyejmë.
Burrë e grua u veshën shpejt e shpejt në errësirë dhe mbajtën vesh. Asgjë nuk po kuptonin, edhe pse e ndjenin se fati i zi u pati zënë derën. Daiza Zaharia e ndoqi të shoqin, që doli në korridor dhe iu drejtua derës së jashtme. Me dorën mbi shul, pyeti: Kush është?
Nga jashtë erdhi përgjigjja që Daiza Zaharisë ia ngjethi shtatin: Jeni të rrethuar. Hapeni derën dhe dilni me duar lart! Ndryshe do të qëllojmë.

Burrë e grua dolën duke mbajtur duart lart, ecën deri në mes të oborrit dhe u ndalën pa dalluar frymë njeriu. Qëndruan ashtu në këmbë, me duart nga qielli, duke pritur komandën tjetër. Pas disa minutash, një skuadër ushtarësh me armët u shfaq në fund të oborrit. Duke këqyrur majtas e djathtas si të trembur, ushtarët u afruan drejt tyre me armët gati për zjarr. Pastaj njëri prej tyre ua tërhoqi duart pas shpine dhe i lidhi me pranga të reja gjermane. Ashtu të lidhur, i hoqën zvarrë nga oborri, i zbritën nëpër një shteg të ngushtë midis pemëve dhe i ndalën buzë përroit, ku një oficer nofullmadh e syskuqur (sygjakët, e mbajti mend gjithmonë Daiza Zaharia) po i priste me dhëmbë të skërmitur.

Papritmas u shfaqën në breg të përroit edhe tre oficerë të tjerë me uniforma të reja dhe të rregullta. Mbajeni shtëpinë të rrethuar, urdhëroi oficeri i parë, që duhej të ishte komandanti i tyre, ndërsa ti Petro, iu drejtua njërit nga oficerët, kontrollo shtëpinë dhe gjej ku e kanë fshehur priftin. Tre oficerët e tjerë u larguan, ndërsa oficeri madhor vazhdonte të rrinte në këmbë, pranë burrit dhe gruas të shtrirë përtokë, me duar të lidhura fort pas shpine. Pas një grimë herë, oficeri madhor urdhëroi disa nga ushtarët: Ma hiqni këtë kurvën!

Ushtarët e tërhoqën zvarrë anës përroit, e larguan dy-treqind metra më tutje dhe e lëshuan si një thes mbeturinash pas një guri në anë të rrugës së madhe. E mbajtën ashtu deri pasdite, të shtrirë në tokë, në pishë të diellit. Ushtarët flisnin me njëri-tjetrin për gratë, pinin cigare, tregon histori të ndyra. Daiza u kujtua se njëri nga ushtarët fytyrë zeshkët me uniformën gjithë njolla vaji, e këqyrte herë pas here vjedhurazi të tjerëve, duke ia ngulitur sytë përpirës, epshorë.
Dhe luante paturpësisht në sy të saj me organin e fryrë nën pantallona. Pak më tutje dy ushtarët e tjerë zgërdhiheshin, pinin cigare, luanin me armët, flisnin të ardhmen, talleshin me armiqtë që po i zinin në çark si minjtë njëri pas tjetrit.

Pothuajse në muzg erdhi një oficer i ri dhe urdhëroi ushtarët t’i hiqnin prangat. Lëreni gruan të kthehet në shtëpi, tha. Ushtarët e zgjidhën, e ngritën në këmbë dhe i thanë të shkonte. Daiza e gjeti shtëpinë të përmbysur. Sytë i mbetën te kapanxha e hapur e bodrumit. E kuptoi se gjithçka pati marrë fund. Dikush i kishte tradhtuar, dikush që e dinte vendin ku e strehoni priftin. Dhe ai pati përfunduar si Krishti në duar të çifutëve. Nuk e kryqëzuan, por e pushkatuan, kurse i shoqi, ah, ku-ku, po kalbej për së gjalli në burg, nëse ishte ende gjallë. Më mirë ta kishin vrarë edhe atë. Ditën që gazetat botuan lajmin për pushkatimin e priftit, Daiza Zaharia veshi rrobat e zisë, për të mos i hequr më kurrë…

Pushkatimi
At Anton Harapi ka qenë frat françeskan, mësues, mendimtar, shkrimtar dhe politikan shqiptar. Një nga penat më të njohura të kohës, në prill të 1940 bëhet pjesë e Institutit Mbretnuer të Shkencave dhe më 1941 u zgjodh Provinciali i Urdhrit Françeskan në Shqipëri. Më 13 shtator 1943 emërohet anëtar i Këshillit të Regjencës, ku ka qëndruar deri në fund të vitit 1944. Me marrjen e kryeqytetit nga ana e komunistëve, frati bashkë me mikun dhe kolegun e tij në Regjencë, Lef Nosin, shkojnë në Shkodër dhe bujtin për disa ditë në Kuvendin Françeskan të qytetit.

Iu ngjitën Dukagjinit dhe mbas pak ditësh në Kir, më 5 dhjetor të 1944 vendosen në Plan të Pultit. Prenkë Ndou, kryetari i këshillit dhe bajraktari i fshatit e strehon te një vejushë në Lumaj, një vend ku ishin vetëm dy shtëpi. Më 6 ose 8 qershor 1945 arrestohet kur ishte duke u lutur. Me vendim të datës 19 shkurt 1946 të Gjykatës Speciale në Tiranë, Pater Anton Antoni është shpallur “kriminel lufte, armik i popullit, sabotator i pushtetit”. U dënua me pushkatim dhe u ekzekutua të nesërmen. Nuk dihet vendi ku iu varros trupi.

ANI JAUPAJ