Preç Zogaj, 18.03.2010
Qytetarët shqiptarë, më të përcaktuarit në Ballkan dhe ndoshta në gjithë botën në favor të Aleancës Euroatlantike, janë normalisht shumë të shqetësuar rreth tensioneve që janë krijuar midis Shqipërisë në një anë dhe SHBA-së dhe NATO-s në anën tjetër në lidhje me ndryshimet që po i bëhen ligjit për shërbimin sekret.
Ky shqetësim bëhet akoma më i mprehtë për faktin se shpallja e divergjencave në fjalë përkoi në kohë me një vizitë të Ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, në Beograd.
Në kohën tonë të integrimeve, të gjitha llojet e takimeve vlejnë për diçka. Në këtë vështrim, rëndësia dhe pesha e tyre përcaktohet nga konteksti dhe bilanci, ndërsa skupin shpeshherë e bëjnë rastësitë.
Është një rastësi e trishtë dhe e pakëndshme sigurisht, fakti që problemi i Shqipërisë me SHBA-në dhe NATO-n, që kanë çliruar Kosovën, u shpall pikërisht ditën kur Ministri ynë i Jashtëm pretendonte se po shkrinte akujt me vendin që ka pas pushtuar Kosovën.
Duam, s’duam, këto lloj rastësish të pazakonta dhe tronditëse çdo qytetar i lexon sipas mënyrës së vet, por jam i bindur se të gjithë pa përjashtim janë ndier në siklet duke parë ministrin e tyre në një shfaqje të pavetëdijshme naiviteti, ndërkohë që ambasadori i SHBA-së po lëshonte si gjyle vërejtjet e qeverisë së tij për ligjin e ShISh-it.
Në fakt në këtë lidhje ngjarjesh lajmi nuk është shkrirja e akujve me Serbinë. Këtë lajm e futen kot zëdhënësit e Metës. Në pikëpamje të marrëdhënieve diplomatike, të vizitave dhe shkëmbimeve me interes të ndërsjellët, marrëdhëniet e Shqipërisë me Serbinë, edhe pse të kontraktura për arsyet që dihen, nuk mund të thuhet se kanë qenë të ngrira.
Ekziston objektivisht pjesa e ngrirë e këtyre marrëdhënieve, që ka të bëjë me krimet e ushtrisë, policisë dhe paramilitarëve serbë në Kosovë gjatë pushtimit dhe për të cilat autoritetet e sotme të Beogradit nuk kanë kërkuar as falje; ekziston akulli që ka të bëjë me pengesat që Beogradi i sotëm mundohet t’i krijojë shtetit të ri të Kosovës nëpërmjet minorancës serbe në Kosovë dhe në forma të tjera. Por diplomacia shqiptare e shmang këtë “akullnajë”. Dhe nga një anë mirë bën. Disa gjëra i duhen lënë kohës.
Me Serbinë as me turinj s’ka përse rrimë, as dasmë s’mund të bëjmë. Shqipëria, objektivisht, nuk ka për të pasur ndonjëherë marrëdhënie normale me Serbinë pa e lënë Serbia Kosovën të qetë në punën e saj, pa kërkuar falje për krimet e kryera, pa ndihmuar për gjetjen e të zhdukurve, pa njohur dëmet e luftës e tjerë.
Edhe po të shkojnë dhjetë herë ministrat e jashtëm të Shqipërisë në Beograd dhe të thonë se po shkojnë për herë të parë ngaqë nuk kanë pasur e nuk kanë agjendë!
Lajmi në lidhjen e ngjarjeve që po trajtojmë mbetet konfrontimi me SHBA dhe NATO-n për projektligjin. Kryetari i Komisionit të Sigurisë, i nderuari Leonard Demi, njoftoi pardje se projektligjit i ishin bërë ndryshimet e duhura në nenet që kanë ngjallur shqetësim te partnerët tanë.
Pa vënë fare në dyshim kumtesën e zotit Demi, për vetë pështjellimin e krijuar me këtë projektligj, opinioni publik do të dëshironte të dëgjonte ekspertët e NATO-s dhe përfaqësuesit e qeverisë amerikane.
A mendojnë ata se ndryshimet e orëve të fundit e kanë çuar projektligjin në standardet e NATO-s? Kjo është themelore për fatin e ligjit dhe marrëdhënieve në vazhdim me SHBA-në dhe NATO-n. Po të ishte për qeverinë dhe deputetët e shumicës sonë, projektligji do të kishte kaluar me kohë në variantin e para dy muajve.
Por dje, edhe pse Demi kishte deklaruar ato që deklaroi, ambasadorët e SHBA-së, Anglisë dhe OSBE-së kanë vijuar të shprehin shqetësimin e thellë për ndryshimet, duke paralajmëruar ashpërsimin e qëndrimeve nga NAT0 dhe vendet që përfaqësojnë.
Ligjvënësit shqiptarë, që nuk kanë rol në nismën për ndryshimin e ligjit të SHISH-it, duket se janë në konfuzion në lidhje me atë që u kërkohet të bëhet.
Ata rregullojnë ndonjë paragraf aty këtu, ngrenë kartonët sipas direktivës së ditës, por nuk janë brenda lojës që po zhvillohet. Edhe po të jetë ndonjëri, i vjen më për mbarë të duket sikur nuk është.
Sepse çështja është më e thellë se sa duket. Ajo , siç e kam vënë në dukje në një shkrim të ditës së diel në gazetën “Shekulli”, ka të bëjë para së gjithash me angazhimet dhe bashkëpunimin e shërbimeve për çështjet e sigurisë dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Në këtë pikë, kryetari i Qeverisë dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë duket të kenë aksesin që kanë homologët e vendeve të tjera të NATO-s. As më pak, as më shumë. Unë nuk mund ta di a i është kufizuar ky akses kryeministrit Berisha në ligjin ekzistues, që vendosi ta ndryshojë.
Këtë mund ta demonstrojnë publikisht ekspertët e tij. Ne të gjithë dimë një gjë që anëtarësia në NAT0, si arritje historike, ka përfitime dhe njëherësh detyrime. Kush ka parë vetëm përfitimet dhe ka harruar detyrimet është i gabuar. Kryeministri e ka lenë shërbimin në punën e vet gjatë katër viteve kur nuk kishim hyrë në NAT0.
Ai nuk mund të mos befasonte, kur kërkoi ta ndryshonte pa NAT0-n tani që jemi në NAT0.
Ndryshimet duhet të përputhen pikë për pikë me standardet e NATO-s. Këtu nuk është fjala për të shitur krenarinë dhe vetëvendosjen.
Qytetarët e mbrojmë në çdo kohë këtë vlerë të qeverisë së tyre, por nuk është ky rasti. Qeveria e ka për detyrë të ruajë dhe të zhvillojë aleancat strategjike të vendit dhe popullit të vet.
Qeveria e ka për detyrë të evitojë fërkimet dhe të zhvillojë marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA-në, me NAT0-n, me vendet anëtare të Aleancës. Këto marrëdhënie kanë përparësi absolute.
Serbia, që nuk është më një vend fqinj tani që Kosova dhe Mali i Zi kanë shpallur pavarësinë, vjen më poshtë në radhë. Në këtë kontekst, për të evituar çdo ekuivok, ministri i jashtëm Meta mund ta kishte shtyrë vizitën në Serbi.
Po të mos e ketë ditur se amerikanët po bëheshin gati “të shpërthenin”, gjë që nuk e nderon një ministër të jashtëm, duhej t’ia kishte kërkuar kryeministri Berisha. Por, si për të na treguar se Meta është për Berishën më shumë se një alet me katër deputetë, vizita megjithëse pa ndonjë agjendë, u realizua.
Së shpejti, Meta do të zhvillojë një vizitë në Uashington. Atje presim prej tij të “shkrijë” vërtetë ndonjë copë akull të ditëve të fundit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës na duhen. Serbia pret.