Lavdosh Ferruni, Shqip
Kopenhagë, 17 dhjetor 2009. Kryeministri i Shqipërisë u drejtohet liderëve të botës dhe audiencës prej 45 mijë personalitetesh të të gjitha fushave nga rreth 200 vende të botës me një shou-fjalim: “Shqipëria synon drejt një ekonomie pa karbon”; “Ne po i përmbahemi parimit: Të veprojmë lokalisht dhe të mendojmë globalisht”; “Shqipëria mbetet e gatshme… për të vënë në jetë vendimet e këtij samiti të rëndësishëm”, ishin sloganet e përhapura në këtë audiencë.
Kopenhagë, 18 dhjetor duke u gdhirë 19 dhjetor 2009. Liderët e botës me përgjegjësi të madhe e me një transparencë mbarëbotërore vendosin për marrëveshjen globale të reduktimit të emetimit të gazrave serë, për të mbajtur rritjen e temperaturës globale poshtë 2 gradë Celsius, që konsiderohet nga shkenca si prag kritik, për të shmangur katastrofën klimatike.
Tiranë, 18 dhjetor 2009. Sipas porosisë, më saktë urdhrit të liderit shqiptar z. Berisha, në mënyrë krejt të papërgjegjshme dhe krejtësisht fshehurazi, në Ministrinë e Ekonomisë organizohet tenderimi për të vendosur tender fituesin, me të cilin do bëhej një marrëveshje që do të shtonte jo pak emetimin e gazrave serë, në një cep të bukur të Tokës, që quhet Vlorë. Sipas kësaj masakër–marrëveshje, e cila pret firmat e fundit, do të rrafshohen 500 hektarë të pyllit me pisha të Vlorës (të Sodës e quajnë disa), furnizuesin e vetëm me oksigjen të qytetit dhe absorbuesin më të madh të gazit karbonik të emetuar me shumicë edhe tani në Vlorë, për të mbjellë aty qindra oxhaqe që do vjellin gaz karbonik dhe gazra të tjerë helmues. Është fjala për marrëveshjen e transformimit të zonës së zënë me pyll e plazh në “zonë të lirë”. Berisha e ka hedhur firmën për të në VKM. Tani priten dhe kartonët e Kuvendit për miratimin përfundimtar të masakër-marrëveshjes. Kjo marrëveshje është pazgjidhshmërisht e lidhur me atë të ndërtimit të portit të kontejnerëve me kapacitet të stërmadh prej 3 milionë kontejnerësh, apo 200 herë më të madh se Porti i Durrësit. Duke lënë mënjanë në kuadër të këtij shkrimi, shkatërrimin ekologjik dhe ekonomik të Gjirit të Vlorës prej këtij porti, vlen të shihet sa gaz karbonik vjell kjo vepër. Tre milionë kontejnerë, që janë kapaciteti i këtij porti, është ekuivalent i 3 milionë kamionëve në vit. Duke ditur që një kamion emeton rreth 110 kg CO2 për çdo 100 km e nëse llogaritet një distancë mesatare e rrugës së përshkuar për çdo kamion prej afërsisht 250 km në territorin shqiptar, rezulton se në vit vetëm si efekt i portit do të shkarkohen në rrugët e Shqipërisë rreth 1 milion tonë CO2. Kjo shifër do të thotë rritje e përvitshme prej mbi 10% të emetimeve të CO2 në Shqipëri, krahasuar me nivelin e sotëm. Mungojnë të dhënat se në ç’përmasa do rriteshin emisionet prej industrive që do instaloheshin në zonë e lirë. Nga ana tjetër, janë lehtësisht të kuptueshme problemet e mëdha sociale që do të shkaktoheshin nga futja e mijëra punëtorëve të huaj (aziatikë, afrikanë etj.) me paga shumë të ulëta në një zonë me potenciale të mëdha turistike.
Tiranë, 19 dhjetor 2009. Berisha del në konferencë shtypi dhe bën të kuptojë median dhe publikun e gjerë se angazhimet e tij në emër të Shqipërisë në Kopenhagë kishin qenë vetëm një gënjeshtër në nivel global. Ai jo vetëm paturpësisht justifikoi dështimin kriminalo-spektakolar të TEC-it fosil të Vlorës, por la të kuptohet se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga monstra tjetër fosile, TEC-i me qymyr i Porto Romanos, për të cilin ka parashikuar tenderin më 10 janar 2010. Ky TEC sapo të vihet në punë rrit me 100% emetimet e dyoksidit të karbonit në Shqipëri. Ai do emetojë plot 9 milionë tonë CO2 në vit, veç shkretimit që përhap ky TEC përbindësh në një rreze të paktën prej 50 km. Ndërsa në Kopenhagë flet për synim drejt një ekonomie pa karbon, tashmë Berisha e ka fiksuar në gjithë dokumentet strategjikë, përfshirë edhe në “Komunikimin e dytë kombëtar të Shqipërisë për konferencën e palëve në Konventën për Ndryshimet e Klimës në kuadër të Kombeve të Bashkuara”, publikuar vetëm pak javë para Samitit të Kopenhagës, që energjia e gjeneruar nga burime fosile në Shqipëri të arrijë në vitin 2025 në 59% nga 5% që është sot.
Ajo që mund të ketë bërë dyshues cilindo në Kopenhagë dhe natyrisht në Shqipëri, është deklarimi i Berishës atje se: “Deri tani janë licencuar mbi 2000 MW parqe eolike, mijëra të tjera janë në studim e sipër”. Kjo aureolë euforike duket krijohet qëllimisht për të mbuluar një nga aferat që ka të ngjarë të jetë nga më korruptivet e tranzicionit shqiptar, që është kalimi i gadishullit të Karaburunit në përdorim të një kompanie siciliane, për ndërtimin atje të një parku eolik monstër prej 500 MW, më i madhi në Europë. Kjo monstër e përbërë prej 250 kullave të hekurta nga 117 m të larta secila, të vendosura kryesisht në kreshtën e gadishullit të Karaburunit, i cili është quajtur si “vendi mitik, kartolina se ç’ka qenë Mesdheu”, “…pasuria më e madhe për rajonin si mënyrë për tërheqjen e turistëve nga Bashkimi Europian” (Profesor Belmonte, 2008), duke e shpartalluar atë me 150 km rrugë nëpër këtë ekosistem, tashmë zonë e mbrojtur mund të jetë e pranueshme vetëm nga një Kryeministër si Sali Berisha. Ndërsa është e pabesueshme se si një Kryeministër mundet të detyrojë pronarët qindravjeçarë të një treve, si Dukatasit në rastin konkret, të zbythen nga trojet e tyre për t’ia dhënë këtë territor një kompanie të huaj për maksimalizimin e fitimeve të saj, e për më tepër të fusë në arkën e shtetit vetëm 1 euro. Nëse do t’i quanim të realizuara vetëm licencat që paska dhënë Kryeministri ynë prej 2000 MW parqe eolike, sipas raportit botëror të vitit 2008 (Shoqata Botërore për Energjinë e Erës), Shqipëria do të renditej e 13 në botë për kapacitete të instaluara të energjisë së erës, pak më pak se Italia, duke lënë pas edhe shtete si Japonia dhe Australia. Kur Kryeministri thotë se po studiohen edhe mijëra të tjera, veçse bëhet grotesk. Shqipëria, sipas studimeve të shumta, nuk bën pjesë aspak në hartën e vendeve me parametra më të mirë të burimeve të erës.
Tjetër, parqet e erës duke qenë se kërkojnë hapësira të mëdha për t’u instaluar turbinat nuk favorizojnë vendet me dendësi të madhe popullsie dhe ku toka është e paktë, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Kjo është arsyeja që Italia, me gjithë nevojat e mëdha për energji të rinovueshme që ajo ka dhe territoret me kushtet më të favorshme të saj për përdorimin e energjisë së erës, si në Sardenjë apo në Sicili, po tenton të kalojë me instalimin e parqeve të erës në det dhe ambicia është të arrijë deri 6-7% e kërkesës për energji nga era në 2020, kundrejt 1.97% në vitin 2008. Kurse sipas Berishës, Shqipëria kërcen në 60% energji të gjeneruar nga era, duke kaluar automatikisht vendi i parë në botë me këtë strukturë prodhimi të energjisë. E gjithë Sicilia me 5.2 milionë banorë dhe një territor gati sa Shqipëria (25460 km2), ka të instaluar një fuqi nga era prej 795 MW. Si rrjedhojë e dendësisë së popullsisë, por edhe e mbrojtjes së peizazhit dhe të turizmit parqet e erës nuk janë aspak të përmasave të atij të Karaburunit (500 MW). Parku më i madh i erës në Europë, ai i Marankonës në Spanjë, ka një kapacitet vetëm 208 MW, kurse në Itali më i madhi është ai i Francofontes në Sicili me 72 MW. Sardenia ka 272 MW kapacitet të instaluar nga era të shpërndarë në 15 parqe ere, pra mesatarisht vetëm 18 MW. Në gjithë Italinë, madhësia mesatare e parqeve eolike është 30 MW. A thua do të kundërshtohej në Shqipëri ndërtimi i disa parqeve të kësaj madhësie? Sigurisht që jo, ashtu si nuk ka pasur kundërshtim, madje ka pasur mbështetje për mbi 100 hidrocentrale të vegjël të licencuar, ashtu siç nuk janë kundërshtuar edhe disa parqe të tjera eolike në vend. Por parku i Karaburunit është absolutisht i patolerueshëm në çdo anë që ta zësh.
21 dhjetor 2009. “Unë u kërkoj të gjitha qeverive të firmosin zyrtarisht marrëveshjen e Kopenhagës, duke regjistruar mbështetjen e tyre”, tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. “Sa më shpejt të kemi të gjithë firmat, më shumë forcë ne i japim asaj”, shtoi ai. Shqipëria, sipas dokumentit të paraqitur publikisht prej qeverisë dhe PNUD-it, duhet të arrijë të reduktojë 48% të emetimeve të CO2 në vitin 2025, krahasuar me vitin 2010. Nuk dihet akoma nëse do jetë Berisha ndër të parët kryetarë shtetesh që do ta firmosë apo jo këtë marrëveshje botërore?
Viti 2010
Ka shumë të ngjarë që Berisha të shfrytëzojë vitin 2010, i cili do të jetë viti tranzitor që do ta kthejë marrëveshjen e Kopenhagës në marrëveshje ligjërisht të detyrueshme (dhjetor 2010, Mexico COP 16), për ta vendosur komunitetin ndërkombëtar para faktit të kryer me veprat, që do të shumëfishonin emetimet e CO2 në atmosferë, duke firmosur kontratat për TEC-in me qymyr në Durrës, kompleksin e veprave të stërmëdha shkatërrimtare të Gjirit turistik të Vlorës dhe serinë e fabrikave të çimentos përgjatë ultësirës veriore të vendit, të cilat jo vetëm që rrisin me të paktën 50% emetimet e CO2 kundrejt nivelit të sotëm, por shkretojnë me qindra hektarë pyll shkurrishtash mesdhetare.
Ka shumë të ngjarë që amullia politike, dukshëm evidente edhe në fillim të vitit që vjen, të përdoret për të kthyer në kontrata ligjore veprat e mësipërme, që në nivel kombëtar e fusin vendin në një qorrsokak, ku ai humbet tërësisht fizionominë e vet dhe kthehet në një truall për t’u përdorur për disa dekada nga multinacionalet e fqinji i pasur përtej detit. Kjo vendimmarrje do e linte Shqipërinë në bisht të Europës pa asnjë shans për t’iu afruar asaj në dekadat e ardhshme.
Nëse shqiptarët do t’ia lënë në dorë këtë moment tepër delikat papërgjegjshmërisë vendimmarrëse të Berishës, do të ishte e pafalshme. Për hir të së vërtetës, duke konsideruar kokëfortësinë dukshëm pleksur me elemente korruptive, qoftë ekonomike apo politike të Berishës dhe duke njohur autoritetin absolut të tij në grupin parlamentar të PD-së, janë 4 deputetët e LSI-së që vihen para një momenti historik për të shmangur futjen e Shqipërisë në 2010-n në qorrsokakun e diktuar nga Berisha. E gjithë kjo zallamahi politike aktuale shpejt do të harrohet, sapo të arrihet një kompromis. Ajo që do të përbëjë referencë historike për Shqipërinë është pikërisht lejimi ose ndalimi i ekzekutimit të planeve të stërmëdha të mbrapshta ekonomike të Berishës.