Shkodra, si të mos përsëritet

0
46

Haki Kola, 08.12.2010

Tragjedia e Shkodrës kishte vite që luhej në prapaskenë. Herë pas herë jepte sinjale shqetësuese, si me shpërthimet e pazakonta të Kirit, Gjadrit, ndonjëherë edhe me Drinin e Bunën.

Tek sheh mijëra vëllezër me shtëpi e katandi të fundosura nën ujë, ku nuk dihet se sa do të qëndrojnë, fjalët dhe komentet bëhen të vështira. Toka jonë pasqyrë e qiellit po u bën jehonë trilleve klimatike.

Nëse i referohemi historisë, kjo nuk është hera e parë. Nëse kthehemi tek arkeologjia, e kujtojmë se sa qendra të mbuluara nga dheu trashëgojmë, kjo të shton trishtimin e të pakëson shpresën. Shkodra po përjeton pasojat e sjelljes së natyrës thonë të shumtët.

Të tjerë ngulmojnë se fajtore është shoqëria, me gabimet që ka bërë në shekuj, në trajtimin e malit e fushës, lumit e përroit, urbanizimit e industrisë. Dikush përmend edhe ndryshimet klimatike e ngrohjen globale. Duket se historikisht ka qenë një problem tejet i vështirë për t’u shtruar.

Ndoshta më i vështirë për t’u shtruar se sa për t’u zgjidhur. Vërshimi i lumenjve në fusha dhe përmbytjet e tyre kanë qenë një ndër dukuritë kryesore të jetës shqiptare. Por debati dhe tentativa për të shtruar problemin ka qenë gjithmonë, e mendjeve të nxehta, në kohën që uji kishte bërë pushtimin. Më pas vazhdonte rutina, e territori kënetor zgjerohej, njerëzit linin fushën e i ngjiteshin malit.

Administratat tona duket se kanë ecur përherë në shina të vjetra e të ndryshkura, tepër të interesuara për ta mbyllur debatin përpara se të niset nga frika e risive, të cilat paragjykohen si të paramenduara për t’i dhënë dikujt kapital politik, apo për të hapur telashe e humbur autoritetin.

Opinioni publik duket si i përgjumur, dhe ndahet e merr rrugën në atë drejtim politik që i beson, pa menduar se në këtë rast po shkelet një e drejtë themelore e tij.

Kësaj vetëdije të pamjaftueshme për të drejta i përgjigjet një vetëdije e pamjaftueshme detyrash, një mungesë interesash për fatet e pasurive të përbashkëta që ndikojnë ndjeshëm në jetën tonë të përditshme. Komunitetin mund ta nxjerrin në rrugë vetëm partitë politike, edhe ata nën kërcënimin se po grumbullon kapital nga një fatkeqësi natyrore.

Dhe për shekuj me radhë nuk bën asgjë, dhe ka shumë gjasa që edhe pas kësaj tragjedie të mos bëjë kurrë asgjë për t’u rebeluar, për të kërkuar diçka, për të dëgjuar problemin të shtrohet nga ata që e drejtojnë, të shtrohet në tërë kompleksitetin e tij, duke angazhuar ekspertizën vendore e atë ndërkombëtare, pasi një kërkesë e tillë është legale, është pjesë e të drejtave të tij themelore njerëzore.

Duket sikur njerëzit nuk e dinë që kanë të tillë të drejta.
Ndërsa dëgjohen shumë zëra që e kërkojnë në fushë zgjidhjen, (të thellojmë Bunën, të bëjmë kanale kulluese), veset dhe parregullsitë e Kirit, Gjadrit, Drinit, Osumit e gjithë lumenjve tonë, vijnë nga zanafillat e tyre malore.

Këto vese varen nga përdorimi i tokës në këto male e shpate, e veçanërisht nga shpyllëzimi i paarsyeshëm që ka ndodhur e vazhdon te ndodhë prej shumë e shumë vitesh në gjithë shpat malet e Shqipërisë, një shpyllëzim zhvat të zhvatim, pa radhë e pa sërë, në pasurinë e të gjithëve e njëkohësisht të askujt, drurë të prerë për një degë të vetme, pyje të tëra te sakatuara nga prerjet, e me pas djegur e ridjegur, për të maskuar e fshehur faje të administratës, duke lënë pas tokë të djegur, skelete drusore të zgjyrta që u ngjajnë siluetave të krijesave parahistorike.

Pas drurëve iku edhe bari. I tej kullotur e djegur herë pas herë, i menaxhuar si mall i askujt, nën nepsin që secili të marrë më tepër nga fqinji i tij, ai u zhduk e u zëvendësua nga barëra të pangrënshëm nga blegtoria, të cilët natyra i solli të mbrojë tokën, pasurinë më të shtrenjtë për njeriun.

Zjarret e njëpasnjëshme e bënë që shumë shpejt të dështonte kjo tentative mbrojtëse e natyrës. Barinjtë kërkojnë me çdo kusht bar. Mjafton tufa e tyre të kullose.

Pas zjarreve, mbi shpatet pa zot të maleve tona, shirat e dendur e të shpeshtë, vijnë herë pas herë, pikat ngrenë dheun përpjete duke formuar një si lavë të gjakosur qe duke u rrokullisur pa asnjë pengesë, në ato rrëke noprane, i dërgon drejt lumit mijëra tonelata tokë të dobishme.

Para se të arrijnë lumin rrëketë futen pushtojnë rrugë e shtëpi duke mbytur fusha të tëra. Rezervuarët e hidrocentraleve të Drinit kanë fshehur nën ujë një pjesë të madhe të kësaj toke, zvogëluar kapacitetin e mbufatur e derdhur pas çdo stuhie.

Toka e malit në këtë, mënyrë është holluar e holluar, në pjesën më të madhe, shkëmbi mbi të cilën ajo qëndronte, ka dalë në sipërfaqe e theket në diell.

Ajzenhaur (ish-president amerikan) i pyetur për dëshirën më të madhe në jetë, është përgjigjur, “që është të lësh një copë tokë që e ke gjetur kur linde, në kushte më të mira kur të ndërrosh jetë.

Malet shqiptare në pjesën më të madhe të pjerrësive që janë arritur nga njeriu, e kanë humbur shtresën e sipërme të tokës. Pa këtë shtresë, toka bëhet tepër e ndjeshme, ndaj çdo dukurie të natyrës.

Ringjallja e kësaj toke të sëmure si një kafshë që i kanë hequr lëkurën, kërkon terapi shumë të kujdesshme afat gjatë, kërkon ndryshime radikale në politikat shtetërore për tokat malore të destinuara për të rritur pyje dhe kullota.

Këto politika duhet të shoqërohen me marrëveshje sociale, me edukim të popullsisë dhe ndërgjegjësim të saj, për stadin në të cilin ndodhet sot toka jonë, dhe për rrugën e gjatë dhe sakrificat që na duhet të bëjmë si shoqëri, për të filluar kurimin, me përmirësim të kurikulave shkollore, që akoma na mësojnë për tokën tonë nga libra të huazuar nga vende pa problemet tona.

Këto që përmenda e bëjnë të vështirë shtrimin e problemit. Më i vështirë është pranimi Mediave, u duket si temë që nuk i tërheq lexuesit. Politikanët i largohen si djallit, se mos gabimisht marrin ndonjë zotim e vihen përpara përgjegjësisë.

Alpet e Europës qendrore e jetuan këtë situatë degradimi që me fillimin e revolucionit industrial, duke e arritur kulmin në vitet 1840.

Në atë situatë, zgjidhja u gjet, duke u shpërndarë malin e kullotën të gjithë banorëve të alpeve, duke u dhënë atyre përgjegjësinë e menaxhimit, dhe duke rregulluar një kuadër ligjor që të pajtonte njerëzit qeverinë dhe natyrën.

Pas mese se një shekulli e gjysme banorët i kane kthyer alpet në një perlë të Europës, të veshur me drurë, plot biodiversitet, peizazhe të bukura e kulla të ujit, me infrastrukturë moderne.

Alpet europiane janë afër, si qeveritarët, ashtu edhe ekspertët mund të shkojnë e t’i vizitojnë, të njihen edhe me evolucionin e tyre nga male te shkatërruara në begati.

Fan Noli në programin e reformës agrare e propozoi një skemë të ngjashme edhe për malet e Shqipërisë, program që nuk arriti ta shtronte e zbatonte.

Një model është filluar të ndërtohet edhe në pyjet komunale që synon përfshirjen e komuniteteve në menaxhimin e tokës dhe pyllit.

Duke munguar njohja e kompleksitetit të problemit, kjo lëvizje tashmë kombëtare, nuk shoqërohet me rregullime përkatëse ligjore e institucionale. Përvoja ndërkombëtare ka vërtetuar, që çdo grup që tenton të menaxhojë burime të përbashkëta (si pyje, sisteme juridike, kullota etj) për të arritur rezultat të qëndrueshëm duhet të zgjidhë një sërë problemesh, me qëllim që të krijojë institucione për veprime kolektive; si dhe të projektoje parimet për të krijuar të tilla institucione që mund të tejkalojnë tragjedinë e të përbashkëtës.

Parimet fillojnë që nga vendosja e kufijve të qartë, shoqëruar me rregulla për të drejtat e detyrimet reciproke shtet – komunitet, familje, që duhet te përputhen me kushtet dhe nevojat lokale. Individët që janë pjesë e këtyre marrëveshjeve, duhet t’i kenë rregulluar marrëdhëniet dhe të kenë të drejtë të marrin pjesë për t’i rishikuar këto marrëveshje, nga ana tjetër autoritetet shtetërore duhet ta respektojnë të drejtën e komuniteteve në vendosjen e këtyre rregullave.

Të gjitha këto duhet të shoqërohen me një sistem për vete monitorim të sjelljes së anëtareve, i cili duhet të ngrihet prej tyre e të jetë funksional. Kjo duhet shoqëruar me një sistem të pranuar sanksionesh për shkelësit, dhe për të zgjidhur konfliktet anëtaret e komunitetit duhet të kenë mundësinë e arritjes së mekanizmave juridike me kosto të ulët.

Njohja me këto parime të propozuara nga nobelistja Elinor Ostrom, mundësimi i zbatimit të tyre me një marrëveshje sociale për të pranuar problemin e shtruar, si dhe bashkëpunim për të pranuar probleme të administrimit të tokës pyjore e kullosore në Shqipëri mund të ishte hapi i parë, për të filluar largimin nga tragjedia që ka shekuj që na ndjek hap pas hapi.