Nga TemA
Përmbytja zgjerohet, rreth 8 mijë të evakuuar. Përmbyten 13 mijë hektarë tokë dhe 2100 shtëpi, mijëra të tjera të rrethuara nga uji. Kryeministri Berisha thotë se situata është në kontroll, por nuk parashikon përmirësim të saj
E premtja e gdhiu Shkodrën sërish mbi ujë. Krahasimet me Venecian për fat të keq vetëm sa e shtojnë dramën e këtij qyteti, që brenda një viti po e përjeton tragjedinë e tij disa herë. Liqeni i Shkodrës ka avancuar tej brigjeve të tij duke përfshirë dhe disa hektarë të tjerë nga qyteti, ndërkohë rrethinat e tij janë përmbytur nga lumenjtë dhe derdhjet e hidrocentraleve. Situata i ngjan një apokalipsi, njerëz që ecin me varka nëpër qytet për të blerë ushqime apo ilaçe, dyqane dhe katet e para të pallateve të mbushura me ujë.
Si të mos mjaftonte kjo, kanë shpërthyer dhe ujërat e zeza dhe qyteti rrezikon një epidemi. Ndërkohë kryeministri Berisha dje pati aktivitete në Tiranë dhe komentoi situatën si të keqe, por nën kontroll. Pas pjesëmarrjes në konferencën për fëmijët autistë, Kryeministri Berisha foli për mediat lidhur me situatën më të fundit të krijuar nga përmbytjet në Shkodër, ku u shpreh se “situata është nën kontroll”.
“Ka pasur disa operacione shpëtimi. Mbi 7 mijë banorë janë evakuuar. Situata është e tëra aktualisht nën kontroll. Po ndërmerret furnizimi më ushqime, me ujë dhe me çfarëdo që nevojitet për popullatën e evakuuar, si dhe po vazhdon me intensitet evakuimi i pjesës tjetër. Kjo është pak a shumë situata. Ka rritje prej 11 centimetër të nivelit të liqenit, ndonëse shkarkimet kanë qenë lehtësisht më të pakta. Por burimet e liqenit dhe derdhjet në të janë të mëdha”, tha ai.
Informacionet e fundit që vijnë nga Shtabi i Emergjencës flasin për mijëra të evakuuar nga shtëpitë e tyre dhe mijëra shtëpi të përmbytura tërësisht. Sipas këtyre të dhënave, ujërat e liqenit të Shkodrës tashmë kanë përpirë dhe fushat e Torovicës, ku ndahet Shkodra me Lezhën. Deri në orën 17.00 janë 13 mijë hektarë tokë e 2100 shtëpitë e përmbytura dhe mijëra të tjera të rrethuara nga uji. Janë evakuuar 7944 persona. Nen ujë janë edhe disa shkolla, ku është pezulluar mësimi.
Tejfryrja e Liqenit të Shkodrës ka bërë që ujërat e tij të përmbytin segmente të tëra të aksit rrugor nacional Shkodër-Hani Hotit, duke vështirësuar së tepërmi qarkullimin e automjeteve. Ndërsa në segmentin nga kthesa e fshatit Hot, në komunën e Bajzës dhe deri në doganë, në kufi me Malin e Zi, qarkullimi është i bllokuar tërësisht. Mësohet se në këtë segment rrugor, niveli i ujit ka kaluar lartësinë mbi 1 metër, duke bllokuar jo vetëm qarkullimin e automjeteve të vogla, por në tërësi të gjithë qarkullimin, edhe me mjetet e larta.
Presidenti Topi: Do të thërras Këshillin e Sigurisë Kombëtare
Presidenti Bamir Topi e ka cilësuar me shumë rëndësi situatën ku ndodhet vendi, ku qyteti i Shkodrës është i përmbytur dhe pritet të ketë përmbytje dhe në Lezhë. Siç njofton zyra e shtypit pranë tij, ai po përgatitet të thërrasë mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për të diskutuar mbi situatën. Ky këshill që përbëhet nga kreu i shtetit, kryeministri, disa ministra dhe krerët më të lartë të institucioneve të pavarura, mblidhet sa herë ka katastrofa natyrore ose gjendje të jashtëzakonshme që cenojnë sigurinë e vendit. Sipas zyrës së shtypit pranë Topit, Presidenti po ndjek me shqetësim situatën e shkaktuar nga përmbytjet në veri-perëndim të vendit.
“Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, kthyer me urgjencë në atdhe nga Kazakistani në orët e para të mëngjesit të sotëm, ku mori pjesë në Samitin e Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të OSBE-së, po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në veri-perëndim të vendit nga reshjet dhe përmbytjet e ditëve të fundit.
Gjatë qëndrimit në Astana, Kryetari i Shtetit ka qenë në mënyrë sistematike në dijeni të ecurisë së zhvillimeve e situatën konkrete dhe gjatë ditës së sotme ka vijuar kontaktet me të gjithë përfaqësuesit institucionalë mbi ecurinë dhe masat që po merren për ta përballuar sa më mirë atë. Pas marrjes së këtyre informacioneve të fundit dhe vlerësimit të situatës, në bashkëpunim me të gjithë aktorët institucionalë, Presidenti i Republikës po përgatitet për të thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, thuhej në njoftimin e djeshëm.
Ministria e Transporteve: Bllokohen rrugët e veriut
Ministria e Transporteve ka bërë dje një evidencë të të gjitha rrugëve të vendit ku janë hasur probleme për shkak të motit të keq. Sipas të dhënave të kësaj ministrie rrugët e veriut, si ajo e Shkodrës, Kukësit e Dibrës kanë probleme të mëdha. Më poshtë të dhënat e plota të MPPT-së.
Shkodër: Në hyrje të qytetit Shkodër, para urës së Bunës dhe në Harku i Bërdicës, rruga është e pakalueshme pasi ka përmbytje të rrugës me rreth 1m ujë mbi rruge. Tek Ura e Bunës uji ka kaluar mbi urë duke krijuar përmbytje të rrugës dhe duke e bërë të pakalueshme rrugën. Rruga për në Muriqan është e bllokuar, po kështu edhe rruga për në Shirokë është e përmbytur. Ndërsa në segmentin rrugor Harku i Bërdicës – Velipojë, kuota e ujërave në urën e Gjolulit është rreth 50-60cm, qarkullojnë vetëm mjetet e mëdha, mjetet e vogla qarkullojnë nga rrugë dytësore.
Në segmentin rrugor Koplik – Dedaj – Bogë si rezultat i bllokimit te zona e Përroit të Thatë, qarkullimi i mjeteve kryhet nëpërmjet një rruge dytësore provizore, sasia e ujit është 60 cm. Hyrja për në Shkodër bëhet nga Mjeda. Gjithashtu edhe aksi rrugor Shkodër- Velipojë është i pakalueshëm pasi është rritur niveli i ujit mbi rrugë në orët e pasdites. Shkodër- Hani i Hotit, ne vendin e quajtur Vukpalaj, rreth 5 km, deri te dogana, rruga është e pakalueshme pasi uji mbi rrugë është rreth 1 m.
Kukës: Në segmentin rrugor Sopot-Ura e Bujanit, në urën e Bujanit, kalimi bëhet me vështirësi pasi është rritur niveli i lumit të Valbonës. Po e njëjta situatë është edhe në urën e Fierzës. Nuk ka problem për qarkullimin e mjeteve. Në segmentin rrugor Bajram Curri– Fierzë km 11, lumi ka marrë murin mbajtës të rrugës (shembur), rruga me një kalim. Në Shishtavec lumi ka marre një pjesë të rrugës duke bërë njëkalimëshe rrugën.
Dibër: Po punohet tek ura e Cerenecit, qarkullohet me një kalim. Në segmentin Peshkopi- Muhurr- Qafë Draj rreth 5 km larg Muhurit, është shembur ura e Shehut dhe rruga është e bllokuar duke bllokuar 4 komunat e Reçit, Zalldardhës, Arrëzit dhe Lures. Dalja e rrugës Peshkopi- Ura e Skurajt (ku bashkohet rruga e Peshkopisë me autostradën) rruga është e bllokuar pasi ka dalë uji mbi rruge rreth 1 km dhe sasia e ujit mbi rrugë është rreth 1.5 m e lartë. Janë bllokuar disa mjete në rrugë. Nga Burreli ne Milot në 30-40 vende ka shkarje dhe rruga është me 1 kalim. Është bllokuar rruga nga përmbytjet e shkaktuara për shkak të hapjes së portave të hidrocentraleve të Ulzës.
Lezhë: Ka bllokim të rrugës ne aksin Ura e Skurajve në drejtim të Burrelit për shkak të përmbytjes se rrugës pasi janë hapur portat e hidrocentraleve të Ulzës.
Tiranë: Gjendja në autostradë po shkon drejt normalizimit, trafiku po fillon të lëvizë, ka dhe 2 orë punë për normalizim të plotë. Nuk ka problem për qarkullimin e mjeteve në akset e tjera.
Elbasan: Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve. Ka pasur bllokim të rrugës në vendin e quajtur Dragostunj në km 80- ka pasur bllokim të rrugës për rreth 40 min nga shembje të shkaktuara nga reshjet e menjëhershme. Aktualisht rruga është e hapur.
Vlorë: Në aksin rrugor Vlorë– Sarandë qarkullimi kryhet me një kalim në vendet e quajtura Jonufra 1, Dukat Fshat, Dalje Piqeras. Në këto pika është vendosur sinjalistika përkatëse. Në akset e tjera nuk ka problem për qarkullimin e mjeteve.