SHKODRA JEME….

0
45


nga BLERTI DELIJA, (dhjetor 2010)

…âsht përmbytë. Pesë- gjashtë herë në ktë’ mot. Shinat e ditëve të mbrame të këtij vjeti, janë kumt jo i mirë për përmbytje të reja. Portat, ato të hidrocentraleve, kanë nisë mu hapë prap. Në fakt, Shkodra âsht përmbytë vazhdimisht rrugëtimit këtyne shekujve të shumtë të jetës. E jo gjithmonë ka kenë përmbytë prej ujit, prej shiut.

Përmbytjet kanë fillue qysh në krye të herës, kur tan’ bota ish veç nji sheshbetejë për plaçkë e hapësinë. Përmes shekujve herë u zvoglue e herë u rrit, por gjith’herë mbijetoi. U munduen me e nëperkambë, me e zhdukë krejt prej ftyrës s’tokës. I ndërruen emnin, i ndërruen popull, i ndërruen princa e udhëhjekësinë. Po nuk mujtën me ja mbrritë, as atëher’ kur themelet e Shkodrës u venduen bashkë me vetëflijimin e nji grueje-viktimë e pabesisë se gjithëmonshme që e ka shoqnue historinë e kësaj kalaje.

Shkodra âsht ba prej njerëzish, por çdokohë ajo i ka dhanë atyne ma shume se i kanë dhanë. E nuk u ka dhanë vetëm emnin, kryenaltësinë me e mbajtë ktë’ emën. Turret e fuqive të hueja por dhe atyne vendase shumëherë e banë ndoshta të pendohet për vetë ekzistencën e saj. Ajo asnjihëre nuk u lodh së rezistuemi. Ma së shumti, u sulmue nga ata që nga gjini i saj i nxuerr e që asnjiherë nuk i mallkoi me gjithë zemër se nâma e nanës të kapë gjithmonë.

Shkodra ishte përkundësja e gjithçkaje. Zoti apo natyra i blatuen nji pozicion të pashoq me askënd tjetër mbi rruzulli. Çdo gjâ e mirë dhe e bukur mbi ktë’ hapësinë, e ka zanafillën në ktë’ trollë. Ma vonë, ndoshta prej kësaj zanafille të lakmueme, ajo u true e u shitue nalt e poshtë, tuj mallkue vedin pse ishte nistore, kur krejt mirë kish mujtë me kenë e dyta. Po kjo âsht Shkodra, përndryshe, do t’ kish nji tjetër emën, por kurrherë Shkodër.

Shkodra nuk ka nevojë për emna të përveçëm me i naltue zânin asaj. Të tjerë ia kanë kërkue atë dhe ajo ua dhá me bujari e pa dhimbë. Shumëkush ja ka përdorë e të tjerë ja kanë shpërdorue at’ emën. E ajo gjithmonë ka falë, ka shtri dorë, ka ledhatue. Edhe atëherë kur e kanë shâ, e kan’ rrëzue, e kan’ shkelë me kambë, e kan’ plagosë edhe deri ne fill të dekës.

E Shkodra âsht gjallë, gjallë dhe e fortë! Njishtu ka ecë përjetë e njishtu ka me ecë derisa Hyji ti ketë caktue fatin e saj, që shihet se âsht aq jetëgjatë sa edhe Ai. Shkodra âsht përmbytë! Jo vetëm prej ujit e shiut. Shkodra âsht përmbytë nga vuetjet e pamata. Vuejtje që pambarimisht po e shoqnojnë gjith’herë, aq sa duket se paska le me vuejt! Shtati i saj kollaj shihet i ligështuem prej vuetjeve. Vragat e thella të shekujve shquhen kjartë, vraga që as’herë mund të zhduken. Djemtë e saj plagprishës lanë plagë të padukshme kundruall atyne që u përpoqën me e zhdukë, prej Rome e deri te “Tirana e kuqe”.

E plagët mbyllen tuj lanë shenja, shenja të pashmangshme të nji kirurgjie plastike kurrë të arritshme, që as sot nuk mundet me ja mshehë. E si për ironi të shekujve të lamë mbrapa, këto plagë lidhen me të sotmen, e prap me përmbytje. Dhjetë vjetët e mbramë të shekullit të kaluem nisën me përmbytjen e fundit të murtajës së kuqe që nuk i kurseu dhambtë mbi shpritin e djelmnisë shkodrane. Nanat vunë shamitë e zeza mbi sy shumë herë deri në kapërcyell të shekullit që lamë. Për fajin e bijve të Shkodrës, do herë edhe për faj të kopilave që ia morën emnin si mburojë. Përmbytjet vazhduen edhe me langun e errët që lëviznin kulçedrat e luftës mbi shtatin e kombit të damë n’dyshë. Pa e kuptue, Shkodra muer karabojë e jo për fajin e vet.

Shkodra kjâu bijtë e vet që dje e sot, nuk e din se kush ja përlau. I mikluen me dishirin e martinave t’ndryshkuna nënahrave, e Shkodra pâ me sytë e vet tuj u shue rinia. Trolli u përmbyt prap e ktë herë në gjak. Gatitej të ndahej me motin në derë, e dikush në pritë, u perpjek me e varrosë edhe atë, por nuk ia mbërrijti. Shkodra me krye mbuluem në e zi, me zemrën e coptueme, me trupin e gjakosun, dijti me qëndrue.
Ndër ne, cilli e mban mend Shkodrën e para 20-25 vjetëve?! Ajo ka ndryshue shumë. Thonë âsht rinue, modernizue. Në fakt, âsht plagosë prap. Betoni mbulue ftyrën ja ka. Hiret, sapo përshnetesh me kalanë Rozafës.

Kjo shpikje e njerëzve, âsht nji armë e fortë në dorën e bijve të vet por edhe të kopilave për ta fshî nga faqja e dheut. Arteriet që ngijnë me ajër e ushqim Shkodrën, janë bllokue thuejse në frymënxanie. E lotët kthehen në përmbytje, përmbytje që duen me dënue bijtë plangprishës, këtu e atje, nalt e poshtë. Shkodra din me u idhnue, me marrë hak. Sodoma e Gomorra janë asgja me at’ që zemërimi i vet mundet me sjellë. Po tash vetëm po derdh lot, e këto lot bashkohen për te tregue se Shkodra ofshan dhe jo nga dishira me ofshâ…

Shkodra jeme ka kenë dhe âsht, tham ka me mbetë bastion, kala! Më ban mu ndie’ jo mirë tuj i shkrue këto rreshta. Na ishim bastion në shumë kohë e motë, për mbarë e për mbrapsht! U gëzojshim me fatkeqësinë e tjetrit e u trishtojshim për mirësinë e dikujt. Ma së fundit, deri në dihatje të shekullit të kaluem- bastion i antimurtajës së kuqe. E do ditë a javë ma mbrapa- prap bastion. Tash bastion i atyne që luftuen murtajën e kuqe të paret. Bastion dje- bastion sot- bastion nesër. E çka na shërbeu?! Asgja! Murtaja e kuq për krejt pak gjâ na çkuli rranjët. Shumoi vraga në shtatin e Shkodrës e dô plagë, që gjakojnë në ditë t’sodit. E ata- që ju gatitëm si bastion në erën post-murtajë e kuqe?! Thuejse asgja prap! E nuk po due me tjerrë ma shumë këto rreshta se mund t’mi jesin hatri Shkodrës e bijve të vet, ma shumë kopilave.

Shkodra jeme sot ka nevojë, nevojë për mos me e rrejt, mos me u tall me te si deritash! Ka shtri krahët mbi bijtë e vet por kjo nuk u mjafton këtyne. Mbroja e dashnia e saj nuk u mjafton, e duen krejt, krejt…për! Dikur e pat shkrue si “dashnorja e shekujve”. Dhashtë Zoti që ktë’ te mos duen edhe bijtë, e ma shume se t’tanë, kopilat!

Shkodra jeme… Nuk ka aspak nevojë me ja kjâ hallin! As me e vue n’ krye t’sofrës! Se atje ka kenë, âsht e ka me kenë, gjith’herë. Na kena nevojë për Te!