Shkodra duhet t’i japë një shans Keti Bazhdarit

0
28

Arben Çokaj, 18 qershor 2015

Në një fushatë elektorale intensive, ne mundëm të shohim cilësitë individuale dhe programet e dy zonjave që konkurrojnë për Shkodrën, Keti Bazhdari e Voltana Ademi, njëra nga të cilat do të bëhet edhe kryetare e bashkisë së re të Shkodrës. Diferenca mes këtyre zonjave, programeve dhe mundësive që ato ofrojnë për drejtimin dhe zhvillimin e bashkisë, përbën edhe diferencën për rrugën që do të ndjekë Shkodra në zhvillimin e saj pas 21 qershorit.

Keti e ka kuptuar domethënien e politikës dhe përcjelljen e mesazhit tek qytetarët. Zgjedhësi e jep votën kur beson se një kandidat/e i/e caktuar bën diçka për të, dhe jo për veten e vet. Kështu që Keti nuk po mendon të bëjë diçka për veten, pasi për veten ka bërë mjaft, më shumë se shumëkush tjetër, si vajzë e re shkodrane në kohën e saj, por ajo synon të bëjë diçka për Shkodrën, për qytetin e saj të zemrës, për qytetarët e saj, që të marrë emër nga emri i Shkodrës, përmes një ndryshimi dhe evropianizimi të Bashkisë, një ndryshim premtues dhe i pamundur më parë.

Unë i besoj projektet e Ketit, ndonëse mendoj se ajo nuk do të jetë në gjendje, për shkak të rrethanave, njerëzve e mungesës së parave, që t’i realizojë të gjitha premtimet e saj. Por kjo, jo nga mungesa e dëshirës, e preokupimit apo vizionit. Unë i besoj Ketit, por nuk besoj se ajo mund t’i realizojë projektet e saj vetëm. Dhe paraqitja në këtë fushatë tregoi edhe dobësinë më të madhe të saj. Kjo zonjë e re, e zonja e kurajoze, nuk ka njerëz të mjaftueshëm, të aftë e profesionistë, me të cilët mund të punojë dhe ta transformojë qytetin. Si në një familje, ku prindërit punojnë fort e fëmijët mbesin dembelë, edhe në fushatën e Ketit, u panë disa dobësi që kushtojnë, që mendoj se erdhën nga mos-vlerësimi dhe mos-koordinimi i mirë i punëve nga stafi i saj elektoral, nga mungesa e përvojës dhe e dinamizmit, qoftë edhe e entuziazmit, që kërkon një fushatë elektorale moderne. Një fushatë nuk mund të bëhet vetëm, ashtu si një bashki nuk mund të drejtohet vetëm, sado i aftë të jetë një kandidat.

Stafi i Ketit nuk arriti të ketë sukses në këtë fushatë, që ta dominojë ndjeshëm kandidaten përballë, duke nxjerrë në pah cilësitë individuale dhe menaxhuese të kandidates së tyre, gjë që duhet synuar gjithmonë në fushata të tilla, që zgjedhësit ta kenë më të lehtë ta bëjnë dallimin, në mes kandidatit të suksesshëm dhe më pak të suksesshëm, kandidatit fitues dhe atij humbës. Shembull të mirë kemi Erionin në Tiranë.

Keti nga vajza e një ish- të persekutuari të regjimit komunist, u bashkua me socialistët, pasi e pa se balanca e pushtetit në Shkodër e ka humbur drejtpeshimin. Grupi i njerëzve, që mbështesin PD-në në këtë qytet, kanë vënë diktat mbi qytetin dhe ia kanë zënë frymën demokracisë e zhvillimit pozitiv në qytet, nga paaftësia dhe korrupsioni i tyre. Nga një sistemi monopartiak, Shkodra vijon të sundohet po nga një sistem i tillë, tashmë i krahut tjetër, gjoja. Dje në komunizëm sundonte PPSH në Shkodër, kurse në 25 vjet sundon vetëm PD, përsëri monoparti, prandaj edhe duhet ndryshim. Këtë e ka kuptuar Keti me kohë, por a janë qytetarët shkodranë të vetëdijshëm sa Keti për këtë? Kjo mbetet për t’u parë…

Në këto zgjedhje, vota për Ketin në Shkodër është votë për demokracinë në qytet, ashtu siç ishte më 1990 (1992) vota për PD-në. Por shumë njerëz në Shkodër janë të manipuluar nga propaganda e PD-së, me idenë se Shkodra ka qenë bastion i PD-së ndër vite, duke harruar se Shkodra në fakt ishte bastion i hajnisë së PD-së. Njerëzit mund të mos e kuptojnë ose nuk duan ta pranojnë këtë ndryshim dhe mundet të ndodhë, që Keti të sakrifikohet. Por kjo nuk është një humbje vetëm për Ketin, aq sa është një humbje e madhe për Shkodrën, për qytetin, për zhvillimin dhe ëndrrën e saj.

Gjërat ndodhin kaq shpejt në një fushatë dhe duhet të kapësh kohën, për të bindur skeptikët, dhe për ta artikuluar besueshëm vizionin tënd. Por ajo që unë mendoj se Keti Bazhdari bën dhe do të bëjë, është një investim real për Shkodrën, duke i realizuar disa nga projektet e saj, gjë që nuk do mundet ta bëjë kandidatja tjetër Voltana, e cila do të bjerë në moçalin e PD-së së rrënuar në Shkodër, të rrënuar në ide e vizione, aq sa projektet më madhore të ish-kryetarit diletant të bashkisë kanë përfunduar tashmë në ndërtime bumash e gungash në rrugët e qytetit “Evropian”, pa asnjë semafor të Shkodrës…

Nuk ka dyshim se nëse fiton Voltana, ajo do e kthejë bashkinë e Shkodrës, në një bashki kamikaze ndaj qeverisë. Ajo do të ankohet përherë për dështimet e saj, se fajin e ka qeveria. Por a i duhet Shkodrës kjo sakrificë për një parti të korruptuar dhe disa njerëz, që kanë rrjepur miliona nga paratë publike në emër të anti-komunizmit? Politika e PD-së, është një politikë sado-masokiste, që sjellë gjithmonë një marrëdhënie jo të suksesshme të drejtuesve politikë me vetë zgjedhësit, pasi kjo marrëdhënie nuk ofron zgjidhje racionale. Është për t’u habitur se si shkodranët e qytetit të kulturës bien pré e këtij mekanizmi primitiv, dhe e kanë për turp të bëjnë zgjedhje pragmatiste, që i shërben atyre më shumë se kujtdo tjetër. Kjo ndoshta ka ardhur nga autoritarizmi i ushtruar për kohë të gjatë mbi popullsinë e këtij qyteti, aq sa ka krijuar një ndërgjegje autoritare, të nënshtruar, tek qytetarët. Dhe kjo mund të ulë edhe aftësinë e zgjedhësve për të kuptuar demokracinë dhe politikat e zhvillimit, që ofron fenomeni Keti.

Një intelektual shkodran me banim në Itali, radhit 10 arsye, se pse duhet të fitojë Keti, dhe ndër tjera ai përmend se, ajo është e diplomuar për ekonomi; ka patur sukses në menaxhimin e biznesit të saj privat; ka rreth 1000 punëtorë, dyfishin e personelit që ka bashkia Shkodër; se ajo kandidon për Aleancën qeverisëse dhe Shkodrës i intereson të jetë në linjë me qeverinë, me politikat e saj të zhvillimit; se duhet t’i jepet fund sakrifikimit të qytetit për hir të një partie politike; dhe se ujërat që nuk lëvizin kthehen në këneta, në moçal… pra, me një fjalë, zhvillimi e kërkon rotacionin politik edhe në pushtetin lokal!

Ndërsa një qytetar i thjeshtë shkodran, i ulur në bordurë, diku jo larg selisë së PD-së në Shkodër, pyetjes se kush duhet të fitojë iu përgjigj: “kjo – bëri me gisht nga selia e PD-së, – është zonjë Shkodre, por këtë radhë duhet votuar Keti”… Kjo tregon se edhe shkodranët tashmë e kanë kuptuar, se Keti mund të sjellë një zhvillim më pozitiv për qytetin, ku konservatorizmi shkodran valëvitet akoma në ishullin e vet. Por miti i PD-së në Shkodër është thyer, është thyer edhe miti i “burrave të fortë”, përderisa konkurrojnë dy zonja për kryetare bashkie, prandaj një menaxhim korrekt i votave, për të shmangur mundësitë e manipulimit dhe mesazhet përfundimtare të Ketit, para mbylljes së fushatës zgjedhore, do të mundësojnë ndoshta edhe fitoren e saj. Se ato që nuk u bënë aq mirë sa duhet gjatë rrugës, nuk mund të rregullohen më dhe nuk mund as të jenë peng i fushatës së saj, për ta penalizuar me votë.

Prandaj, Shkodra duhet t’i japë një shans Keti Bazhdarit për kryetare bashkie, që Keti t’i japë një shans më shumë Shkodrës në rrugën e saj të zhvillimit dhe të integrimit Evropian.