Shkodra dhe Lezha me sytë nga qielli

0
42

Nga Tema

Situata pritet që të përkeqësohet, pasi priten reshje të dendura shiu. Banorët nuk pranojnë që të evakuohen nga banesat e përmbytura, ndërsa edhe ata që janë evakuuar, janë rikthyer sërish në banesa, për shkak të kushteve të këqija të jetesës që u kanë ofruar. Argjinaturat dhe e gjithë infrastruktura hidroteknike ishin në pikë kritike. Qeveria do vijojë të shkarkojë ujë drejt këtyre shtëpive

Shirat e ditëve të fundit dhe hapja e kaskadave të Drinit kanë rezultuar më fatale se ç’priteshin, pasi tashmë Shkodra dhe Lezha gjenden nën ujë. Vetëm në rrethin e Shkodrës numërohen më shumë se 750 banesa të përmbytura, ndërsa 200 të tjera janë izoluar totalisht. Banorët e zonave të përmbytura nuk pranojnë të evakuohen, ndërsa kreu i Emergjencave Civile, Alfred Olli, u shpreh se një gjë e tillë do të ndodhë, edhe nëse duhet të përdoret forca. Situata pritet që të përkeqësohet, pasi në ditët në vijim priten reshje të dendura shiu.

Situata

Më shumë se 750 banesa janë përmbytur, ndërsa 200 të tjera gjenden të izoluara, Kjo është situata në rrethin e Shkodrës pas shirave të rëna gjatë ditëve të fundit. Sipas autoriteteve vendore, në këtë situatë të rëndë kanë ndikuar shirat e rrëmbyeshëm të rënë gjatë këtyre ditëve, të cilëve iu shtohet edhe hapja e kaskadave të Drinit. Situata më e rëndë dhe problematike paraqitet në Shirqi, Obot, Bahçallëk, Ajasem dhe Dajç. Në Obot mësohet se rreth 150 shtëpi janë të izoluara plotësisht, ndërsa në Ajasem janë bllokuar 30 shtëpi, në Bahçallëk 10 dhe në Dajç 30. Pavarësisht situatës së rëndë dhe përmbytjeve, mësohet se banorët e Obotit nuk pranojnë që të shpërngulen nga banesat e veta. Banorët nuk pranojnë të evakuohen, pasi nuk duan të braktisin bagëtitë dhe pronat. Por autoritetet iu kanë bërë thirrje atyre që të lënë shtëpitë, pasi situata mund të përkeqësohet në vijim.

Emergjencat Civile, ushtria dhe policia janë të vetmet që hyjnë në fshatin Obot, ku tashmë kalohet vetëm me varka. Ata kanë dërguar ushqime dhe medikamente për banorët e këtyre zonave, që nuk pranojnë të braktisin banesat, edhe pse situata është mjaft e rrezikshme dhe e paparashikueshme. Autoritetet vendore thonë se janë rreth 420 banesa në zonën e Dajçit dhe fshatrat e tjera përreth, që ndodhen nën ujë, por vetëm 50 familje janë evakuuar. Sipas të dhënave të deritanishme, sipërfaqja e tokës së përmbytur gjatë ditëve të fundit në rrethin e Shkodrës është 3500 ha. Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dy ditë më parë, teksa tashmë janë vënë në gjendje gatishmërie forcat e ushtrisë e të policisë. Përveç rrethit të Shkodrës, përmbytje të mëdha ka pasur edhe në zonën e Lezhës. Kështu, dhjetëra banesa janë përmbytur në Ishull Shëngjin, Tale dhe Fushë-Kuqe.

Shkaktar i këtyre përmbytjeve, përveç reshjeve të shiut, është bërë edhe vërshimi i ujit të detit. Autoritetet vendore thonë se shkak për vërshimin e ujërave të detit në zonën e Lezhës është bërë batica detare, ndërsa janë dëmtuar edhe pritat e ngritura përgjatë bregdetit për të parandaluar situata të ngjashme. Burime zyrtare të Drejtorisë së Emergjencave Civile bëjnë të ditur se nga ana e prefekturës janë marrë masat për normalizimin e situatës.

Edhe në qarkun e Durrësit shumë banesa në zonën e plazhit janë përmbytur gjatë ditëve të fundit. Shkak është bërë bllokimi i një kolektori, ndërsa drejtuesit e prefekturës bënë të ditur se së shpejti do të ketë ndërhyrje në zonë duke prishur, sipas tyre, “ndërtime mbi kolektorin e ujërave, me qëllim stabilizimin e situatës”.

Stojku: Sistemi energjitik, në gjendje të jashtëzakonshme

“Sistemi energjetik ka kaluar në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të situatës mjaft të rënduar hidrike”. Kështu u shpreh drejtori i KESH, Muharrem Stojku, gjatë ditës së djeshme, duke dhënë alarmin për situatën aktuale. Ai është shprehur se niveli i ujit në hidrocentrale është ngritur në nivelet maksimale historike.

“Prurjet rekord në rangun 1 mijë metra kub ujë për sekondë e kanë ngritur nivelin e ujit në hidrocentrale në maksimumet historike, duke kërcënuar me përmbytje”, – tha Stojku. Ky i fundit u shpreh se do të vazhdojnë shkarkimet e ujit, pasi nuk mund të përballohet kjo prurje uji.

“Kemi shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në KESH dhe OST. Nga Fierza po shkarkojmë 460 m/kub në sekondë, nga Komani 900 m/kub në sekondë dhe po e njëjta sasi nga Vau i Dejës. Jemi të detyruar të bëjmë shkarkimet e duhura për të mos rrezikuar gjithë vendin”, – tha Stojku. KESH njoftoi se të gjitha hidrocentralet janë duke punuar me kapacitetin maksimal, por kjo nuk mjafton për të përballuar nivelin e lartë të prurjeve. “Objektet po punojnë me fuqinë maksimale. Po eksportojmë 11.5 milionë kw/orë në ditë”, – përfundoi Stojku.

Niveli i ujit në Fierzë ka arritur në 293.2 metra mbi nivelin e detit, nga 296 metra që është pika kritike. Për këtë arsye janë duke u bërë shkarkime të shumta uji, çka ka ndikuar edhe në përmbytjen e qindra banesave në rrethin e Shkodrës dhe Lezhës.

Parashikimi, ditët në vijim, reshje të shumta

Situata e zonës së Shkodrës dhe Lezhës duket se do të përkeqësohet. Sipas parashikimit, ditët në vijim do të shënojnë reshje të shumta shiu, çka do të ndikojë në përkeqësimin e situatës. Shërbimi Sinoptik ka paralajmëruar se reshjet do të vazhdojnë edhe këtë javë, çka do ta çonte situatën në një nivel shumë të lartë emergjence. Prej disa ditësh, qindra shtëpi janë bërë të pabanueshme dhe kanë nisur evakuimet.

U evakuuan nga përmbytjet, kthehen në shtëpi për shkak të kushteve të këqija

Më shumë se 130 banorë të një lagjeje rome në Bahçallëk të Shkodrës, të cilët u evakuuan dy ditë më parë për shkak të përmbytjeve të shtëpive, janë rikthyer dje në banesat e tyre që ndodhen nën ujë. Shkak për këtë, sipas tyre, janë bërë kushtet e vështira të jetesës në kapanonet e repartit ushtarak të Melgushës, ku edhe ishin strehuar nga Emergjencat Civile. Ata janë rikthyer në banesat e tyre vetëm pak pas një prononcimi të kreut të Emergjencave Civile, Alfred Olli, i cili tha se ata u akomoduan në kushte shumë të mira. “Dje pasdite 130 persona të komunitetit rom janë akomoduar në repartin ushtarak Melgushë, ku u është dhënë asistencë me ndihma në ushqime dhe ndihmë mjekësore. Sot për këto familje janë duke u dërguar nga Rezerva e Shtetit edhe 100 pako familjare me ushqime”, – tha Olli.