SHKODER – 3-4 janar 2010
Përmbytjet, forcat e armatosura ndihmë në terren
Ndërkohë në një njoftim të mbrëmjes së sotme ministria e Mbrojtjes deklaron se forcat ushtarake janë të angazhuara për përballimin e situatës së emergjencës në qarkun e Lezhës dhe Shkodrës. Gjatë ditës së sotme forcat e angazhuara në terren kanë punuar për ndërtimin dhe përforcimin e argjinaturës në Ishull Lezhë me gjatësi 1000 metra. Aktualisht ka përfunduar argjinatura në një gjatësi prej 500 metrash, ndërsa po punohet për përfundimin e plotë të saj. Në njoftim thuhet gjithashtu se po vazhdon puna edhe për riparimin e argjinaturës së Dajçit. Në këtë argjinaturë me gjatësi 14 kilometra, janë vendosur 3000 thasë me rërë dhe janë kryer punime të tjera të domosdoshme për strukturën e argjinaturës.
Forcat ushtarake nisën sot në mëngjes dhe kanë përfunduar rreth mesditës ndërtimin e urës tip “Bejli” me gjatësi 9 metër në Moriqan të komunës Obot. Në fshatin Obot janë shpërndarë me anë të gomoneve dhe motobarkave ushtarake rreth 200 pako me ndihma ushqimore, afërsisht tre ton me materiale të nevojshme për familjet që kanë shtëpitë e përmbytura.
Gjithashtu, forcat ushtarake po punojnë për riparimin e infrastrukturës rrugore në zonat e prekura nga përmbytjet dhe po merren edhe me evakuimin e banorëve të zonave të përmbytura. Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion për banorët që evakuohen, Shtëpinë e Pushimit në Durrës me një kapacitet prej 420 personash. Gjithashtu, është përfunduar dhe vënë në gatishmëri të plotë, një kamping me të gjitha pajisjet, i cili mund të strehoj mbi 130 persona.
Aktualisht janë të angazhuar në terren rreth 164 forca, 48 mjete si; 12 kamionë, 6 gomone, 1 ambulancë, 14 vetëshkarkues, 1 karoofiçinë, 4 fadroma, 2 eskavatorë dhe mjete të tjera. Zonat ku operojnë forcat ushtarake në Qarkun Lezhë: Tale dhe Shëngjin; në Qarkun Shkodër: Obot, Oblik, Dajç, Muriqan, Dërgjat, Shirq dhe Vau i Dejës.
Bilanci i dëmeve
Ministria e Brendshme bëri të ditur sot bilancinë e dëmeve si dhe pasqyroi zyrtarisht situatën në qarkun e Shkodrës pas përmbytjeve të shkaktuara nga hapja e portave të shkarkimit në hidrocentralet e Vaut të Dejës dhe Komanit.
Bazuar në informacionet e ardhura nga Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër, Ministria e Brendshme nëpërmjet zëdhënësit Afler Olli konfirmoi se në Bashkinë Shkodër: “Nga vlerësimi paraprak është përmbytur rreth 600 ha tokë në rajonin nr.1. Në lagjen Ajasem, Bahçallëk dhe Tophane, janë evakuar nga zona e përmbytjes 37 familje, nga të cilat 11 familje janë strehuar në ambjentet e Turizmit në Shkodër”. Po për këtë zonë, zëdhënësi i kësaj ministrie, Alfred Olli bëri të ditur se dje pasdite 130 persona të komunitetit rom janë akomoduar ne repartin ushtarak Melgushë, ku u është dhënë asistencë me ndihma në ushqime dhe ndihmë mjekësore. Sot për këto familje janë duke u dërguar nga Rezerva e Shtetit edhe 100 pako familjare me ushqime.
Por situata me emergjente paraqitet në Obot e Dajc. Kështu sipas të njëjtit burim, komuna Ana e Malit, sipas vlerësimit paraprak është përmbytur rreth 850 ha tokë. “Janë me prezencë uji 130 shtëpi në fshatin Obot, nga të cilat 5 familje janë evakuar. Sot janë dërguar rreth 100 pako familjare me ushqime dhe nga komuna po merren të gjitha masat për ti shpërndarë në çdo shtëpi”.
Komuna Dajç, në këtë komunë janë përmbytur rreth 1000 ha tokë bujqësore. “Në prezencë uji ndodhen 70 banesa dhe janë evakuar 53 familje. Në fshatin Semrisht ka demtime të argjinaturës. Në këtë komunë janë të dislokuara dy zjarrfikse për mbrojtjen nga përmbytja të dy kabinave elektrike”, tha Olli.
Aktualisht në terren në Qarkun e Shkodrës, janë dislokuar forcat operacionale, bëhet fjalë për 15 mjete të Policisë së Shtetit për të ndihmuar evakuimin e banorëve, forca të FNSH Shkodër e Tiranë, si dhe reparti Delta Force me dy gomone.
Në qarkun e Shkodrës po veprojnë në terren nga Ministria e Mbrojtjes 112 trupa, 13 mjete transporti vetshkarkuese dhe 6 motobarka gomone.
Sot janë nisur për në Komunën e Ana e Malit 12 forca montimi me dy mjete transporti të ngarkuara me dy ura tip bejli që do të montohen në këtë komunë.
Mijëra ha tokë nën ujë, situata kritike
Pak pas mesditës bilanci në zonat e Shkodrës ku kanë vërshuar ujrat e liqeneve të hidrocentraleve Koman dhe Vau i Dejës nuk paraqitet e përmirësuar.
Burime nga Prefektura e Shkodrës bëjnë të ditur se mijëra ha tokë dhe dhjetra shtëpi janë nën ujë.
Kështu nën ujë ndodhen 600 ha tokë në Bashkinë Shkodër, 850 ha tokë në zonën Ana e Malit, 1000 ha në komunën Dajc. Shtëpi nën ujë ndodhen aktualisht 70 banesa në komunën e Dajcit dhe 130 në fshatin Obot.
Banorët që nuk janë evakuuar po qëndrojnë aktualisht në katet e dyta të banesave.
E bllokuar me ujë vazhdon të mbetet dhe rruga e fshatti Obot që njëkohësisht të lidh dhe me Dajcin. Transporti I ushqimeve dhe veshmbathjeve po bëhet nga ana e ushtrisë me lundra.
Ndërkohë 130 familjet e komunitetit rom të lagjes që u evakuuan nga lagja Bahcallëk e Shkodrës nuk kanë pranuar të qëndrojnë ne ish-repartin e ushtrisë në Bushat por janë rikthyer në banesat e tyre, oborret e të cilave janë ende nën ujë.
Prefekti i Shkodrës Maxhit Cungu deklaroi sot se ka rënie të nivelit të ujit pasi nuk ka patur reshje shiu.
Por ditët në vazhdim premtojnë një mot me shi dhe aspak të qëndrueshëm.
Banorët e Obotit e Dajcit në rrezik. Uji zbret në Shkodër
Ujrat e liqeneve të hidrocentraleve të Komanit dhe të Vaut të Dejës kanë trokitur shumë pranë Shkodrës këtë mëngjes. Gjatë mbrëmjes në lagjen Bahcallëk të qytetit janë evakuuar 130 persona të komunitetit rom dhe janë transportuar direkt në ish-repartin ushtarak në Melgushe. Të evakuuarit janë pajisur me veshmbathje dhe ushqime dhe janë strehuar përkohëssiht në ambientet e ish-repartit. Në ndihmë u kanë ardhru dhe njeëUrdher murgeshash qe ndodhet në lagjen “Dobrac”.
Situatë emergjentë në Dajc
Ndërkohë në fshatin Dajc situate nuk paraqitet aspak e qetë. 460 familje që nuk pranuan evakuimin dje, sot ndodhen në rrezik nga niveli i ujit në rritje. Vetëm 55 familje kanë pranuar të braktisin banesat dhe të largohen nga fshati. Pako me ushqime janë dërguar direct në banesat e tzre me anë të ushtrisë. Katet e para të banesave janë pushtuar nga uji.
Oboti izoluar nga uji
Ndërsa fshati Obot është izoluar tërësisht nga uji, banorët e mbetur kanë refuzuar largimin nga banesat, pasi kanë frikë nga vjedhjet.
Por Shtabi i Emergjencës ka vendosur largimin me forcë të banorëve dhe mendohet që evakuimi të bëhet me lundra. Nuk dihet ende rruga që do të ndiqet se fillimisht duhet të kalohet nga Dajci, i cili aktualisht ndodhet nën ujë.
Përmbytjet në Shkodër, evakuimi i banorëve i veshtirë
ora 08:00-Vështirësi të mëdha për evakuimin e banorëve në fshatrat Obot e Dajc të Shkodrës pas hapjes së portave të shkarkimit të hidrocentraleve të Vaut të Dejës e Komanit.
Mësohet se për shkak të errësirës së madhe dhe nivelit të ujrave që ishin në rritje nuk ka patur evakuime të banorëve gjatë natës, por ky proces do të nisë sot paradite. Pas kundërshtimit që i bënë një ditë më parë banorët e Obotot e Dajcit urdhrit të qeverisë për të braktisur shtëpitë pas hapjes së porave të shkarkimit, evakuimi nuk u realizua 100%. Nga 150 familje vetëm 70 u bindën të linin banesat, por me një kusht, një kryefamiljar të qëndronte ditë e natë në ruajtje të pronës.
Sot do të evakuohen edhe familjet e mbetura, mes të cilëve edhe gra, fëmijë e pleq.
Hapja e protave të shkarkimit që nisi dy ditë më parë ka sjellë dhe pasojat e para tek banorët. Shumica e tyre kanë mbetur pa rezerva ushqimore. Sot ka nisur dërgimi i rezervave me lundra nga ushtria.
Ndërkohë 70 familjet e larguara nga fshatrat nuk kanë pranuar të strehohen në vendqëndrimet e caktuara nga qeveria, sic janë konviktet e Universitetit të Shkodrës dhe Hotel Turizmi i qytetit. Familjet e evakuuara kanë zgjedhur të afërmit të strehohen përb këto ditë emergjence.
Sot herët në mëngjes është mbledhur Shtabi i Emergjencave të Prefekturës së Shkodrës për vendime të reja.
Hapja e protave të shkarkimit të hidrocentraleve të Komanit e Vaud të Dejës erdhi pas rritjes së nivelit të ujrave në liqenet furnizuese. Niveli i tyre kapi kuotat maksimale dhe institucionet përkatëse vendosën hapjen e protave të shkarkimit.
Forcat e Armatosura kanë ndërtuar një argjinaturë 70 metër të gjatë dhe një metër të lartë në vijën e fshatrave Baragjat, Rrushkull dhe Belaj, në mënyrë që këto fshatra të mbrohen nga përmbytjet. Në gatishmëri për mbështetje të menjëhershme janë vendosur 146 forca dhe 138 mjete të tjera, të cilët shërbejnë kryesisht për evakuimin e banorëve me mjete dhe motobarka si dhe për transportimin e mallrave.
Data 3 Janar
Evakuime në Obot, banorët e Dajcit refuzojnë
Paraditen e sotme forca të ushtrisë kanë nisur evakuimin e banorëve në zonat e përmbytura nga hapja e portave të hidrocentraleve në Shkodër. Deri tani në fshatin Obot janë evakuuar rreth 80 familje por me shumë vështirësi, pasi mjetet e ushtrisë nuk kanë mundur të kalojnë nga uji. Për pasojë evakuimi do të bëhet me barka, ndërsa mësohet se do të vazhdojë edhe gjatë natës së sotme. Nga fshati Obot do të evakuohen rreth 100 familje të tjera, shtëpitë e të cilave ndodhen nën ujë dhe paraqesin rrezikshmëri për to.
Ndërsa situata në komunën Dajc është krejt tjetër. Familjet kanë bërë rezistenc dhe nuk kanë pranuar të largohen nga banesat e tyre, edhe pse nën ujë. Deri në këto momente nga komuna Dajc janë evakuuar vetëm 3 familje. Banorët e këtyre komunave edhe gjatë orëve të paradites kanë bërë rezistencë për të mos u larguar nga shtëpitë e tyre. Ata refuzonin të strehoeshin nëpër konvikte. Ndërsa banorët e Obotit kanë pranuar të largohen, në Dajc situata mbetet ende problematike. Kjo pasi edhe Drejtori i Përgjithshëm i KESH deklaroi se shkarkimet e hidrocentraleve do të rriten në ditët që vijnë dhe kjo rrit rrezikshmërinë për përmbytje edhe më të mëdha.
Fillojnë evakuimet në Obot e Dajc
Pas refuzimit te deklaruar, vetëm pasditen e sotme, banorët e zonave të Obot e Dajc të Shkodrës janë bindur të largohen nga banesat që rrezikojnë përmbytjen pas shkarkimit të ujravë që po u bëhet hidrocentraleve të Vaut të Dejës, Komanit e Fierzës. Në banesat, oborret e të cilave janë mbuluar aktualisht nga uji do të qëndrojnë vetëm kryefamiljarët, të cilët do të ruajnë godinat. Gratë, pleqtë dhe fëmijët janë larguar disa nga ushtria të cilat kanë punuar gjatë të gjithë orëve të mbrëmjes së djeshme dhe sot paradite për evakuimin e tyre dhe disa familje të tjera kanë zgjedhur mjete rrethanore sic janë gomonet e vogla. Aktualisht janë evakuuar 60 familje në lagjen Ajasëm të Shkodrës. Kryefamiljaret do te lagohen nga banesa vetem nese shtepia permbytet totalisht nga uji.
Refuzohen konviktet
Momentalisht banorët e zonave qe rrezikohen nga ujrat qe po shkarkohen nga hidrocentralet e tejmbushur janë larguar nga banesat e tyre, por nuk kanë pranuar të sistemohen në hotele e konvikte, duke e zgjidhur problemin me sistemimin tek të afërmit e tyre aty pranë, në ato zona ku nuk ka probleme me përmbytjet.
Aktualisht, forcat e ushtrisë janë në vendngjarje dhe po negociojnë me banorët të tjerë që refuzojnë për evakuimin e tyre për t’i transportuar në konviktin e Universitetit “Luigj Gurakuqi”, aty ku është planifikuar sistemimi i tyre.
Specialistët e hidroenergjitikës i kanë deklaruar se shumë shpejt priten shkarkime në shifra më të mëdha që mund të krijojnë probleme serioze.
Ndërkohë, burime nga prefektura bëjnë të ditur se në gatishmëri të plotë janë edhe strukturat e Spitalit Rajonal të Shkodrës, si dhe ato të Shëndetit Parësor duke përgatitur ekipe të posaçshme për ndërhyrje në rastet që mund të paraqiten.
Sot paradite në Shkodër ka mbërritur edhe kryeparlamentarja e njëkohësisht deputetja e zonës së Shkodrës, Jozefina Topalli. Topalli ka nisur inpektimet në komunën Dajc, në Shirgj, Bërdicë dhe Traush.
Masat per banoret qe refuzojne evakuimin
Ne mbledhjen e shtabit të emergjencës së Qarkut Shkodër paraditen e sotme u vendos evakuimi me forcë i banorëve që nuk pranojnë të largohen nga banesat që rrezikojnë të përmbyten pas hapjes së portave të shkarkimit të hidrocentraleve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës.
Mësohet se 130 familje me rreth 400 banorë në Dajc e Obot të Shkodrës kanë refuzuar largimin nga pronat e tyre, pavarësisht urdhrit të dhënë një ditë më parë nga Kryeministri Berisha pas situatës së krijuar në hidrocentralet e vendit.
Gjatë mbledhjes së sotme, shtabi i emergjencës se qarkut te Shkodres vendosi evakuimin me forcë të banorëve pavarësisht rezistencës që mund të bëhet.
Raportohet se 5 familje në Bahcallkë të Shkodrës i janë bindur urdhrit dhe janë strehuar në ambientet e Hotel Turizmit, Shkodër. Mesohet se ne Obot e Dajc uji ka mberritur ne oborret e banesave.
Pritet që reshjet do të vijojnë në ditët në vazhdim, gjë që do të vështirësojë situatën në këto zona.
Situata
Forca të shumta të ushtrisë janë vendosur në fshatin Obot të Komunës Ana e Malit në zonën e nënShkodrës ku dhe është urdhëruar evakuimi sa më parë i banorëve të kësaj zone. Gjatë gjithë natës forcat e ushtrisë janë munduar të bindin banorët për t’i evakuar me mjetet e tyre, por kanë hasur në rezistencë. Banorët nuk pranojnë të largohen nga banesat.
Vetëm 5 familje kanë pranuar të evakuohen e të vendosen në hotel Turizem, godine e caktuar nga qeveria për strehim. Ata jane banore te lagjes Bahcallek, ne hyrje te Shkodres. Në këtë zonë 100 banesa rezultojnë të përmbytura.
Gjate nates u hapen portat e shkarkimit ne hidrocentralet e Fierzes, Komanit dhe Vaut te Dejes. Vetë kryeministri Sali Berisha vizitoi dje zonën dhe bëri apel për evakuimin me cdo kusht të banorëve.
Një grup deputetësh të Partisë Socialiste janë nisur drejt Shkodrës për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në zonat e përmbytura.
Duke shpallur gjendjen e jashtëzakonshme kreu i qeverisë deklaroi dje ne fshatin Obot se : “Ne do detyrohemi të hapim tunelet per shkarkimet e mëdha të hidrocentraleve” Ai informuar se banorët do të sistemohen ne kushtet më të mira të mundshme.
Zoti Berisha i kërkoi prefektit të qarkut të marrë në dispozicion të gjitha asetet për të përballuar gjendjen e jashtëzakonshme
Lezhe
Edhe në Lezhe situata mbetet e vështirë. Dhjetëra banesa u përmbytën dje në Ishull Shëngjin, Tale dhe Fushë-Kuqe të Lezhës. Shkak për vërshimin e ujërave të detit në zonën e Lezhës, u bë batica detare, ndërsa jane dëmtuar edhe pritat e ngritura përgjatë bregdetit për të parandaluar situata të ngjashme.
Prej tre ditësh Shëngjini është pa energji elektrike ndërkaq informohet se ka rënë niveli i ujit
(m.a/s.g/d.b/BalkanWeb)