Anila Dushi
“Duhet vendosur tani kur kemi ndeshur, prekur pasojat se më pas harrohet ajo që ndodhi. Praktikisht shteti është transferuar në përballues të situatave, që nuk është natyra e shtetit.
Ndërtimi i urës së re të Bunës ka qenë një nga problemet që e ka mbajtur të pashkarkuar liqenin e Shkodrës”
Me Bypass-in jemi afër autogolit. Po luajmë me paratë tona.Vazhdojmë të merremi me pasojat, dhe jo me shkaqet
SHKODËR – Nënshkrimi i memorandumit mes Shqipërisë dhe Malit të Zi për ndërhyrje në lumin Buna pritet të ketë ndikime pozitive në këtë pellg ujëmbledhës, edhe pse ndërhyrjet kërkojnë një afat kohor relativisht të gjatë, si dhe kosto të madhe. Lidhur me masat afatshkurtra dhe ato afatgjata që pritet të zbatohen në praktikë, kjo pasi marrëveshja të marrë miratimin edhe të kryeministrave të vendeve përkatëse, ndikimin e tyre në minimizimin e efekteve natyrore në pellgun ujor të Shkodrës, shkaqet që çuan në këtë situatë dhe ndikimin e projekteve të pritshme dhe të premtuara për vitin 2011, shprehet specialisti i hidroteknikës dhe pjesëtar i bordit shqiptar që bashkëpunoi me bordin e Malit të Zi në studimin e situatës dhe nxjerrjen e konkluzioneve, inxhinier Ridvan Gjeçaj.
I pyetur nga gazeta “Shekulli” ai thotë se ndërhyrja në Bunë është e nevojshme, por ajo do të marrë kohë, ndërkohë që cilëson si një shkak të përmbytjeve të deritanishme më shumë anën njerëzore sesa atë natyrore.
Gjeçaj thotë se ndërtimi i urës së re të Bunës ka qenë një nga problemet që e ka mbajtur të pashkarkuar liqenin e Shkodrës, pavarësisht rritjes së tij në nivele më të larta se në vitin 1963, ndërsa argumenton se ndërtimi i një by-passi për qytetin i cili do të pengojë kalimin e liqenit në zonën e livadheve, do të sjellë të tjera probleme.
Ju ishit pjesëtar i grupit të punës së palës shqiptare që zhvilloi bisedime në nivel teknik me specialistët malazezë dhe që në bazë të tyre u arrit nënshkrimi i memorandumit të përbashkët për ndërhyrjet në lumin Buna.
Sa janë të mundshme për t’u realizuar këto synime?
Në përgatitjen e draftit që do t’u kalojë kryeministrave të dy vendeve, duhet thënë se pala malazese ka treguar gatishmëri maksimale.
Kjo për të ndërhyrë që nga grykëderdhja e lumit Buna e deri tek disa pika nevralgjike të lumit Buna, siç është Shkalla e Belajve në pjesën shqiptare apo në pjesën malazese, Freskanjeli.
Malazezët janë më të interesuar për pjesën e poshtme të lumit, nga delta deri në det, dhe ndërhyrja këtu nuk shkon kot për asnjërën palë. Në aspektin e zhvillimit global, për ne është një zgjidhje për të rritur kapacitetin e lumit Buna, që mund të jetë e rendit 200-500 m3 ujë në sekondë, ku pretendohet 5000 m3 ujë në sekondë aftësi shkarkuese.
Në masat afatshkurta parashikohet ndërhyrja në Bunë në të gjitha pengesat që ndeshen në pjesën e përbashkët duke përfshirë Belajn, Freskanjelin, pasi kjo shkallë është si ezofag për Bunën, është grykë që në gjerësi është sa gjysma e seksionit normal të Bunës, ndërsa thellësia i shkon tek 12 m.
Në këto masa afatshkurtra u fut dhe zgjerimi i grykës së Vilunit në Velipojë, pasi tani problemi është transferuar në bilancet ujore. Praktikisht, Drini ka hyrë në shtratin e Bunës, kjo para shumë viteve aty nga 1860-ta , dhe praktikisht janë dy lumenj në një shtrat.
Duke pasur këto sasi prurjesh, problemi është më shumë njerëzor sesa natyror. Me këto reshje të kohëve të fundit, të rralla në të vërtetë, prurjet kanë qenë si rezultat i kombinimit më të keq të ngarkesave.
E vetmja ngarkesë që nuk është futur këtë herë, është ajo e Kirit dhe Gjadrit, që këtë radhë kanë pasur një kontribut modest, dhe sikur të kishim efekt domino, sipërfaqja e përmbytjes nuk do të ishte 14 000 ha, por më shumë, pasi do të kalonte dhe argjinaturën e Torovicës dhe do të përfshinte Lezhën. Në këtë rast ka ndodhur kombinimi më i keq i liqenit, reshjeve dhe Drinit. Janë aktivizuar burimet nëntokësore të liqenit, si dhe lumenjtë e përrenjtë që sjellin ujë në liqen.
Moraça ka sjellë 2000 m3 ujë në sekondë, prurje kjo e admirueshme dhe për Drinin. Duke qenë se gjatë këtij viti kishim përmbytje të tjera, toka ishte e tejngopur me ujë që nga përmbytjet e janarit dhe kapaciteti i thithjes ka qenë më i vogël, kështu që uji ka qëndruar në sipërfaqe.
Duke mos pasur ku të shkarkonte, pasi të vetmet janë gryka e Belajve dhe ajo e Mertemzës, problemi është transferuar në atë se ku do të shkarkohen të gjitha bilancet negative të ujit. Gryka e Belajve, me të gjitha përmirësimet që mund t’i bëhen, shkon deri tek 2500m3 ujë në sekondë, ndërsa ne na vijnë 5000 m3 ujë në sekondë.
Cilat janë propozimet konkrete që u shtruan në mbledhjet e specialistëve të dy palëve lidhur me minimizimin e efekteve të këtyre fenomeneve?
Një nga propozimet që është i Bordit të Kullimit, është projekti për të krijuar Bunën 2, që është pjesa nga Aurelat e Shirqit deri në derdhjen e saj në det. Kjo do të thotë zgjerim i shtratit të Mërtemzës të rendit 250 m gjerësi, ngritje të argjinaturës që të përballojë një kapacitet prurjesh prej 2500 m3 ujë në sekondë. Kjo është një ndër mundësitë alternative që do të ulë kohën e përmbytjeve.
Tjetër propozim është ai i shkarkimit të ujërave në det, kthimi i Gjadrit në Hajmel tek shtrati i vjetër që bën në mënyrë automatike në nivele të caktuara prurje rreth 5000 m3 ujë në sekondë.
Pra nëse Gjadri vjen 2000 m3 ujë në sekondë, 500 prej tyre shkojnë direkt në det në drejtim të Lezhës. Tjetër propozim është ai i ndërhyrjeve në pjesën e sipërme që kërkon rivlerësimin, rikonsiderimin e Drinit të Lezhës, një sasi e rendit 500 m3 ujë në sekondë. Kur shkarkimet të jenë të mëdha, kjo automatikisht futet në Drinin e Lezhës.
Por kjo duhet parë në tërësi, duhet studiuar i gjithë shtrati pasi mund të ketë ndërhyrje, ngushtime, pranime deri në gjendjen e sotme, si p.sh. ndërhyrja tek Viluni për shkarkimin e kënetës. Këtu ka një alternim të keq me pjesët tjera të ligatinave dhe mbrojtjeve ku më kryesori është problemi i biodiversitetit të zonës, pra vetë lagunës së Vilunit
Kjo vjen nga prishja e kënetës dhe kthimi në lumë në momentin kur do të shkarkohet Buna, pasi në raste të tjera do të vendoseshin në gjendje normale. Do të pastrohen të gjitha kënetat që ndodhen në këtë aks, Ura e Gjolulit, Mërtemza dhe Viluni.
Propozimi i parë është dhe zgjidhja më racionale dhe më e domosdoshme sot për sot.
Duhet vlerësuar fakti që kemi 20 000 km2 sipërfaqe ujore në ujëmbledhësin e Shkodrës, Liqeni, Drini e Buna, pra është një tërësi ujore e tillë si të rikonsiderosh të gjithë Shqipërinë brenda në Shkodër.
Por duke kaluar në pjesën praktike, duhet vendosur tani kur kemi ndeshur, prekur pasojat se më pas harrohet ajo që ndodhi. Praktikisht shteti është transferuar në përballues të situatave, që nuk është natyra e shtetit.
Kur janë parashikuar të fillojnë ndërhyrjet?
Në marrëveshje janë parashikuar që fazat e para të mos jenë punë konkrete, por janë periudha e hartimit të projekteve të punëve konkrete. Marrëveshja me Malin e Zi lidhet edhe me një projekt që ata e kanë filluar në pjesën e vet, që në këto kushte do të ngadalësohet si ritëm, pasi do të implementohet bashkë me këta të tjerët.
Bëhet fjalë për një degë të deltës së Bunës që ata po e thellojnë, pasi ka depozitime dhe pengon kalimin e mjeteve lundruese. Në rast se ai ka debit të mirë, ndihmon situatën këtu, pakësimin e përmbytjeve, ndonëse në një masë jo të madhe.
Ata e bëjnë për qëllime komerciale, turistike, megjithatë është pjesë e këtij projekti dhe nuk e dëmton atë. Por puna do të ngadalësohet, pasi do bëhet një projekt kompleks bashkë me ne.
Afati është që deri në mars të kenë përfunduar projektet dhe në mars të fillojë zbatimi. Në mars mendohet të fillojë zbatimi në pjesën kryesore.
Pjesa tjetër përshin ato masat afatmesme e afatgjata që do të vazhdojnë pasi ka probleme që lidhen me burimet e financimit, studimin e fenomeneve hidraulike, hidrologjike, hidroteknike e pedologjike që lidhen me transferimin e aluvioneve ose të fundit të Bunës, ndërsjelljen e detit me lumin Buna, atë rregullimin automatik që ato e bëjnë vetë.
Ideja ka qenë që për zonën e deltës të thirren specialistë holandezë, pasi ata kanë përvoja të veçanta në Evropë e botë lidhur me marrëdhëniet e detit me tokën. Duhet të merret parasysh fakti se ekziston një marrëdhënie natyrale të detit me Bunën.
Aty punimet pra janë jo dhe aq të domosdoshme, pasi ato e rregullojnë vetë marrëdhënien mes tyre, ku ka batica ai prag rritet dhe ku ka zbatica pragu thellohet. Ajo është ndoshta ndërhyrja më e fundit që duhet bërë për të mbrojtur deltën e Bunës.
Kjo marrëveshje i hap rrugë mendimit të mirë, nuk është se ajo e zgjidh problemin pa u zbatuar e plotë ajo që thuhet në të dhe që është shumë e gjatë e nuk bëhet për një vit. Është e rëndësishme të fillohet dhe duhet filluar nga poshtë, nga grykëderdhja e jo nga sipër.
Problemi është se duhen finacime të mëdha. Janë volume të mëdha ato të evadimit të dherave. Duhen rikonsideruar të gjitha argjinaturat në nivele të reja.
Pra, përveç kuotave që do të rivlerësohen, duhet bërë dhe në sigurinë e llogaritjes, pasi në këtë rast ne kemi ndërtime në rrezen e argjinaturave që janë krejtësisht të rrezikuara dhe për këtë duhet të rritet siguria e ndërtimit të argjinaturave.
Në qoftë se dikur ato llogariteshin të ishin të sigurta për mbrojtjen e tokave, tani duhet llogaritur siguria e tyre për të mbrojtur jetë njerëzish. Pra, përqindja e sigurisë duhet të ndryshojë. Ligji shqiptar për projektimin e argjinaturave njeh si përqindje sigurie atë të rendit 3-15 %.
Praktikisht sot duhet që argjinaturat të kenë një rend sigurie prej 1%, që do thotë që rastis të ndodhë një herë në 100 vjet. Ndërsa sipas ligjit aktual është parashikuar dhe lejuar që përmbytja të jetë një herë në 30 vjet, pasi është pasur parasysh mbytja e tokës, dhe jo e banesave.
Prandaj kjo duhet riparë, duhet të ndryshojë ligji dhe për këtë duhet një VKM që ligjëron ndryshimin e këtij ligji. Gjithë këto tregojnë se duhen rikonsideruar si proces në tërësi.
Si shtet kemi fituar aftësi, përvojë në përballimin e pasojave, por kjo është ndër përvojat më të këqija që i duhen një shteti.
Po luajmë me paratë tona, pasi nuk është prodhim, zhvillim, por thjesht përballim i një situate që mund të minimizohet. Masat duhen filluar nga shumë lart. Ne vazhdojmë të merremi me pasojat, dhe jo me shkaqet.
Pra, problemi maksimal, shkaku kryesor është në sistemin hidrografik që kemi, i cili është praktikisht i pamaturuar, është i pamatshëm. Problemi është minimizimi i pjesës vizuale, që do të thotë shuarjen e energjisë së këtyre përrenjve pasi ne jemi një vend me pjerrësi mesatare të lartë.
Duke pasur një intensitet të lartë shpyllëzimesh, ndodh që uji duke rënë në kontakt me sipërfaqen e tokës merr inerci direkte se nuk pengohet.
Pra, duhet shuar energjia e lumenjve dhe kjo arrihet me ndërtim pritash malore, pyllëzim të pjesëve që kanë lidhje direkte me ujin, ndërtim pritash të gjata lumore në pjesën e poshtme të rrjedhjes që pengojnë zhvendosjen e depozitimeve ose aluvioneve në drejtim të tokave të punueshme që prodhojnë. Këto ndikojnë pozitivisht dhe tek bazenet ku shkarkohen, pasi ai bazen ka jetë më të gjatë e nuk mbushet nga aluvionet.
Atëherë duhet një plan masash që të jetë i shtrirë në kohë, të jetë intensive, pasi ne jemi përmbytur dy herë në vit, në janar e dhjetor, ndërsa 5 herë si territor përfshirë përmbytjet vetëm të tokave.
Marrëveshja e fundit me Malin e Zi, gatishmëria maksimale e tyre është pozitive pasi ne jemi vuajtësit e mëdhenj. Shpresojmë që kjo marrëveshje të japë një produkt, atë më të mirin, por nuk duhet shpresuar se kjo mund të bëhet shpejt, në një vit, por shumë më gjatë.
Do të ketë ndërhyrje të shumta në çdo pikë të marrëveshjes, ndërhyrje që lidhen me dëmtimet konkrete në argjinatura, dhe në qoftë se duhet një rivlerësim dhe i Mërtemzës e Vilunit. Këto kërkojnë argjinatura që të kenë një sipërfaqe betoni dhe në pjesën e kontaktit me ujin, që të mos kenë dëmtime në rastin e shkarkimeve nga kaskadat.
Këto duan kohë dhe burime financiare të mëdha. Në llogaritjet e bëra prej meje vetëm për variantin e shkarkimit nga shkalla e Beljave, poshtë Malit të Gjymtit, trajtimin e katër kënetave që duhen pastruar deri tek Viluni, në mënyrë që të përballojnë një prurje prej 2500 m 3 ujë në sekondë , kostoja është 30 milionë euro. Kemi shpronësime të 150- 300 ha tokë.
Është shteti ai që vendos për gjërat më të rëndësishme, për strategjitë. Materiali i përbashkët yni dhe i malazezëve i është vënë në dispozicion dy kryeministrave që kur të takohen, do kenë më shumë të dhëna për çfarë të diskutojnë.
Në fakt, malazezët janë shumë më operativë, të lidhur me bankat, operojnë me këmbë në tokë, ndërsa ne jemi më populistë. E rëndësishme është që të dy vendet duan, pasi ka qenë një psikozë sikur nuk duan malazezët. Por në fakt ata janë dakord.
A jemi ne të gatshëm për këtë? Gjithë këtë kohë ka pasur intensitet pune në verifikimin e fakteve e arritjen e konkluzioneve dhe bordi i përbashkët shqiptaro- malazez ka gjetur mirëkuptim. Por problemi është më konkret dhe duhet ndërhyrë pa kaluar koha.
Pyetje: Në këto përmbytje është folur shumë dhe për rolin e liqenit.
Përgjigje: Liqeni i Shkodrës ka arritur kuotën e tij historike me 10 m e 55 cm, ku më 1963 ishte 10m e 35 cm, pra në këto përmbytje nuk është Drini krejt shkaktari, por dhe liqeni autokton. Duhet theksuar dhe fakti se epiqendra e këtyre përmbytjeve ka qenë Liqeni i Shkodrës.
Kjo për disa arsye. Së pari, prurjet e jashtëzakonshme të lumenjve e përrenjve që shkarkohen në liqen. Së dyti, ngushtimi i grykëderdhjes së Bunës, burimit të saj. Së treti, ndërhyrjet pa kriter që janë bërë në shtrat, kanë hyrë në të dhe pengojnë grykën, si lokale, banesa, pika karburanti etj. dhe së katërti Ura e Re e Bunës.
Pyetje: Si ka ndikuar ndërtimi i urës së re të Bunës, që akoma nuk ka përfunduar?
Përgjigje: Ndërtimi i urës së re të Bunës është arsye kardinale që ka krikuar një kapërderdhje që masa nuk i dihet, e rendit 20- 30 cm, që ka penguar një rrjedhje natyrale të lumit, dhe që duke u përkthyer në sipërfaqe i takon 100-ra shtëpi të përmbytura në qytetin e Shkodrës prej urës së re. Mënyra e teknologjisë së përdorur për ndërtimin e saj, nuk njihet në teknologji.
Me mbyll shtratin e lumit, një lumë ky si Buna që ka teka dhe është çelësi i gjithë atij liqeni, për të ndërtuar këmbën, është e papranueshme . Kjo ka krijuar kapërderdhjen dhe llogarit që gjysma e atij materiali është derdhur në shtrat, pra ka një lëvizje mekanike natyrale.
Sigurisht që dhe Drini në zonën e Zuesit, ndërhyrjet mekanike me ndërtime, depozitim materialesh për të krijuar sheshe ka ndikuar. Në zonën nga Alibegaj deri tek Shkëmbi i Sutës, ka distancë rreth 50 metra. Nuk mund të hidhet Buna në atë lloj shtrati.
Pyetje: Qeveria ka deklaruar se vitin që vjen, pra më 2011-n do të fillojë ndërtimi i Bypass-it të Shkodrës, që shihet si shpëtim për pjesën e livadeve, udhakryqit, ish zooteknikës etj. Sa afron zgjidhje të problemit ky investim?
Përgjigje: Me Bypass-in jemi afër autogolit. Arritëm në konkluzionin që ato objekte që kanë zënë shtratin e Bunës të prishen, të lirojnë shtratin e saj. Bypassi është ndërtim që zë shtratin e liqenit në një sipërfaqe të madhe dhe i gjithë ai volum uji që do të derdhej në sipërfaqe, tani shkon në rrjedhë. Kjo do të rrisë nivelin se nuk ka ku shkon. Në qoftë se ka sjellë 500 m 3 ujë në sekondë do të sjellë 200 m 3 ujë në sekondë.
Duke u rritur niveli, të gjitha veprat hidroteknike të tarume me kuotën e liqenit normal, dalin jashtë llogaritjeve dhe do përmbyten në mënyrë intensive. Këtu përshihen rruga e Shirokës, molija e lumit Buna dhe deri edhe tek ura e re e Bunës.
Në këto kushte jemi krejt jashtë llogaritjeve, jashtë një mendimi hidroteknik të mirëfilltë. Bypassi nënkupton bllokimin e ujërave që të shkojnë në livade. Atëherë çfarë ndodh? Liqeni ka një veçori, është liqen me furnizim karstik, ujëra nëntokësorë.
Në kushtet e sotme, meqënëse sipërfaqja ujore e superon mundësinë e pamjes vizuale të burimeve, duket sikur liqeni është një pjesë që fle. Aktualisht janë të aktivizuara shtresat ujëmbajtëse të liqenit, furnitorët që vijnë nga alpet që në këtë rast kanë pasur aktivizime të larta, pasi dhe natyra e reshjeve në Alpe ka qenë e rendit shi, dhe jo dëborë.
Por Alpet janë gëlqerorë përgjithësisht të ajrosura, të çara dhe grabieni i shpejtësisë me arrit në liqen është zvogëluar duke sjellë aktivizim të shtresave ujëmbajtëse dhe burimet. Çfarë ndodh me Bypassin? Të gjitha këto burime që sot nuk i shohim, vazhdojnë të burojnë. Shiu që bie do të depozitohet këtu. Thuhet se do të ndërtohet një hidrovor.
Zakonisht Buna nuk është shterë kurrë me kova. Hidrovori është një element hidroteknik që shkarkon një pike të vdekur, të ulët, nën nivelin e kanalit ku do të shkarkojë, por me energji elektrike.
Llogaritet që kur të shkarkohet gjithë zona me ujërat sipërfaqësore, do të shkarkohet prapë tek Buna. Lumi Buna me nivelet që do të arrijë pas ndërtimit të Bypassit do të ketë tendencën për të kaluar nën Bypass, se do të gjejë mënyrën më të shpejtë me rrjedh.
Fenomeni është shumë i ndërlikuar dhe nuk zgjidh praktikisht problemin. Qoftë kjo dhe për natyrën e Bypassit, zgjidhjen e tij me kurorë 52 m, që do të thotë 5-fishi i unazës si kurorë.
Prej ku do të marrë furnizim ky segment rrugor? Ne sot kemi 10.5 m unazë dhe e kemi bosh, po kur të jetë 5-fishi çfarë do të bëhet? Problem tjetër është ai se çfarë zgjidh ky Bypass në grykë. Mbetet i njëjti segment rrugor. Cili është fitimi? Ka një aspekt panoramik, turistik në pranverë, pas ai shfaqet në pjesën kur Buna është poshtë.
Pra, Bypassi nuk do të rregullojë por do çrregullojë. Aktualisht, pas këtyre përmbytjeve, rruga e Shirokës është dëmtuar deri në aks. Është 5 km rrugë turistike që Bypassi e nxjerr jashtë loje, pasi e mbyt, sepse është një volum i madh uji që i mohohet e drejta për t’u shtrirë.
Atëherë do rritet centimetra më lart, dhe praktikisht ligji i enëve komunikuese vepron automatikisht pa na pyetur ne. Flitet se do vijnë italianë nga Firence për bonifikimin e kësaj pjese por deri sot nuk ka një projekt për ndërtim hidrovori, që flitet se do bëhet aty. Llogarit të ndërtohet Bypassi pa pasë hidrovor! Çfarë efektesh ka?
Do e bësh pengesën pa e pasë të zgjidhur si do ta largosh ujin. Ato duhet të jenë paralele. Ka një kosto të madhe dhe është një punë që do të ndodhë në çdo moment, në çdo sekondë. Nuk mund ta ndalësh punën në hidrovor nëse nuk ke energji elektrike që nuk e ke paguar, se e mbyt.
Kemi një stacion pompash të ujërave të zeza që nuk punon prej 10 vitesh, pasi nuk ndizet asnjë pompë. Kjo po nxjerr jashtë pune gjithë sistemin e ujërave të zeza të qytetit meqenëse dekantimi i materialeve të futura nëpër tubacione ka arritur në një nivel gati katastrofik. Kjo është një kosto për qytetin, për bashkinë, për mirëmbajtjen e vazhdueshme të pompave, të hidrovorit etj.
Bypassi ka nivele, që nuk e di nëse janë korrigjuar në kushtet e tanishme, ka kuotë bazë. Për të pasur një zgjidhje komplekse, duhen ndërtime të tjera, vepra ndihmëse që nuk lidhen me Bypassin siç janë muret që prishin panoramën. Pra që Shiroka të mos mbytet, rruga e molos po ashtu etj, janë një sistem i gjerë zinxhir që duhet vlerësuar.
Ky shkrim asht marre prej faqes Shekulli Online