Nga Enver Robelli
20-vjetorin e themelimit Lidhja Demokratike e Kosovës e shënoi me disa manifestime që i përngjanin një ceremonie varrimi. Keq për këtë vend, edhe më keq për LDK, liderët e së cilës nuk janë të gatshëm ta reformojnë partinë, sepse nuk duan të heqin dorë nga privilegjet dhe shpirtngushtësia. Sot, në jubileun e 20, kjo parti vetëm përkund mitet e së kaluarës dhe nuk ka përgjigje për të ardhmen
Janë disa pyetje që mbetën pa përgjigje edhe pas manifestimeve njëditore, më 23 dhjetor, me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pa u përgjigjur në këto pyetje LDK vështirë do ta marrë veten, në rastin më të mirë ajo do të jetë vetëm instrument (patericë!) për krijimin e koalicioneve – ose do t’i shërbejë Hashim Thaçit ose Ramush Haradinajt, varësisht se cili prej tyre do të jetë kryeministër i këtij vendi në vitet e ardhshme.
LDK duhet të gjejë përgjigje në këto pyetje:
Pse në 20-vjetorin e themelimit të saj morën pjesë vetëm dy nënshkrues të kartës për krijimin e LDK?
Pse në grumbullimin e LDK në shtëpinë e pavarësisë, në ish-selinë e LDK gjatë viteve ‘90, më shumë kishte truproje, shoferë dhe ndihmës-shoferë sesa aktivistë të mirëfilltë të LDK?
Si ndodhi që në tubimin qendror të LDK nënkryetari Eqrem Kryeziu të mbajë një fjalim aq joinspirues, aq të qullur me legjenda (“Besa, Skënderbeu dhe LDK”)?
Si ndodhi që një grup militantësh primitivë, një version kot i LDK-Jugend-it, ta fyejë dhe t’i fishkëllejë kryeministrit Hashim Thaçi, të cilin LDK e kishte ftuar si mysafir? (Në traditën shqiptare, të cilës i referohej Eqrem Kreyziu, mysafiri i ftuar në shtëpi nuk fyhet, as nuk pështyhet).
A nuk do të ishte më e sinqertë që militantët e LDK t’i fishkëllenin Fatmir Sejdiut, i cili e ka krijuar koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës? (Sepse është shumë e qartë se për gjendjen e rëndë në LDK nuk është fajtor Hashim Thaçi, por udhëheqja e LDK).
Si ndodhi që gjatë një dite të tërë, pra më 23 dhjetor, LDK të merrej vetëm me përkundjen e miteve të së kaluarës?
Pse nuk u prezentua asnjë ide e kësaj partie për të ardhmen më të mirë të këtij vendi?
LDK është parti që kurrë nuk ka pranuar të zhvillojë debate. Lideri i saj historik Ibrahim Rugova problemet i ka zgjidhur ose me heshtje ose me një lëvizje të lehtë dore. Për shkak të kësaj ngathtësie LDK pas vdekjes së Rugovës mbeti pa udhëheqës. Bashkimi i posteve president i Kosovës dhe kryetar i LDK, siç e praktikon Fatmir Sejdiu nën rrogoz, nuk është as në dobi të Kosovës as të LDK, por mund të jetë në dobi të një grupi njerëzish në LDK, të cilët luftojnë kundër reformimit të thellë dhe kundër çdo ideje për futjen e njerëzve të rinj në parti. Derisa para zgjedhjeve të kaluara nacionale PDK e Hashim Thaçit luftonte me të gjitha mundësitë që kishte për të angazhuar intelektualë të pavarur (ndonëse suksesi i PDK në këtë drejtim qe shumë i kufizuar), LDK tashmë kishte rrumbullakuar projektin e përzënies së funksionarëve kritikë (këtu nuk mendohet në grupin e Nexhat Dacit, arsye e largimit të së cilit më shumë ka qenë bajraktarizmi).
LDK prej themelimit ka ndërtuar traditën e keqe të përzënies së funksionarëve të saj. Për këtë arrogancë kjo parti ka paguar një tagër të lartë. Dhe siç po shihet kështu do të vazhdojë, sepse pjesa më e madhe e anëtarëve të kryesisë së LDK e kanë gjetur rehatinë personale dhe financiare në koalicionin me Hashim Thaçin. Si duket te këta njerëz nuk ekziston vetëdija se duhet të krijojnë një klasë politike, e cila do të trashëgojë udhëheqjen e partisë. Në atë çast që LDK shndërrohet në parti të mirëfilltë dhe kur të shtohet konkurrenca brendapartiake, atëherë cunami politik do t’i heq stuhishëm nga karriget ata politikanë, të cilëve u janë vjetruar si kostumet ashtu edhe fjalori politik.
Ta zëmë se nesër LDK fiton zgjedhjet dhe siguron shumicën në Kuvendin e Kosovës për krijimin e qeverisë. Për çdokënd që për politikën e Kosovës mendon larg interesave personale shtrohen disa dilema dhe pyetje.
A ka kjo parti kandidat serioz për kryeministër? Jo.
A ka kandidat për ministër të Ekonomisë? Jo.
Për financa? Jo.
Për punë të jashtme? Jo.
A ka kandidat për Ministrinë e Drejtësisë, Arsimit, Infrastrukturës, Shëndetësisë?
Jo.
A ka program real dhe shpejt të realizueshëm ekonomik, i cili do të përmirësonte gjendjen e rëndë të popullit? Kush ka sy e sheh, nuk vëren diçka serioze.
Megjithëkëtë, LDK dhe krerët e saj sillen me kapadaillëk, me arrogancë e injorancë sidomos ndaj kritikave qëllimmira e konstruktive. Prijësit e LDK janë eventualisht të gatshëm që në partinë e tyre të lejojnë vetëm anëtarësimin e atyre ekspertëve, të cilët s’paraqesin asnjë rrezik për prijësit aktualë dhe të cilët janë të gatshëm që në mënyrë poshtëruese për dinjitetin e tyre profesional t’i shërbejnë LDK si dekor. Me një ofertë të tillë vështirë do të binden njerëz serioz për të përkrahur LDK. S’mund të sillen në LDK njerëz të arsimuar dhe edukuar në Perëndim, nëse prej tyre kërkohet të bëhen këshilltarë të ministrave apo ish-ministrave të LDK, diapazoni mendor i të cilëve s’i kalon përmasat e një kafehaneje të zhurmshme ballkanike. Në ceremonitë që i celebroi këto ditë LDK vërehej më së miri ky shkëlqim i mykur.