Shkatërrimi total i arsimit të lartë

0
30

Nga Victor Meursault, 18 nëntor 2011

Në vijim të një debati që shtrohet shpesh, sa herë një qeveri apo Ministër Arsimi vendos të ndërmarrë të ashtuquajtura reforma që prekin mijëra studentë të tanishëm, të tjerë të ardhshëm e sidomos profesionistët që rreken t’i afrohen tregut të punës, rreshtat e mëposhtëm paraqesin një përpjekje për ta analizuar këtë sistem dhe fazat e ndryshme nëpër të cilat ai është transformuar sipas vullneteve të një pakice që ka vendosur e vetme.

Le ta nisim analizën prej vitit 2005, në kohën kur kemi patur rotacionin e fundit politik që solli ardhjen e PD-sw në pushtet. Gjendja asokohe na paraqitej me universitetet publike e fakultetet përkatëse që gëzonin një autonomi të konsiderueshme, duke nisur nga vendim-marrja e deri te kuotat e studimit dhe mënyrat e pranimit të studentëve që përcaktoheshin nga vetë Institucionet e Arsimit të Lartë në bazë të kapaciteteve dhe mundësive që ato kishin. Paralelisht në kohën që flasim ushtronin aktivitetin e tyre vetëm 3 universitete private, të liçensuara e ende në hapat e parë të zhvillimit të tyre, të përqendruara secila vetëm në një profil studimesh. Kësisoj përqindja e atyre që nisnin ciklin e studimeve të larta ishte brenda normave të pranueshme për një vend si Shqipëria, duke llogaritur indekset përkatëse të popullsisë dhe të nevojave të tregut, ndërkohë që gjithashtu vlen të kujtohet një numër i konsiderueshëm deri diku konstant, i cili çdo vit largohet për të ndjekur studimet jashtë vendit.

Në këtë pikë zë fill ai që mund të konsiderohet shkatërrimi total i arsimit të lartë shqiptar, bazuar në interesa krejtësisht elektorale, personale të biznesmenëve të arsimit e jo vetëm. Ishte një ndër premtimet më të bujshme elektorale të opozitës së atëhershme, rritja e numrit të atyre që vazhdojnë studimet e larta, e në një mënyrë apo në një tjetër e realizuan, për fat të keq në kurriz të të gjithë studentëve, të cilët pa qenë të vetëdijshëm u bënë pjesë e eksperimenteve të një-pas-njëshme që vazhdojnë të bëhen edhe sot.

Në mënyrë marramendëse u rrit numri i Universiteteve Private, të cilat nisën të liçensohen nga Këshilli i Ministrave njëra pas tjetrës e në krye të 5 viteve arritën numrin e frikshëm – 58! Pa u ndalur gjatë tek ato që rëndom quhen “kioska” ku shiten diploma, a më keq pastrohen paratë, qartazi asnjë kriter, asnjë kontroll, asnjë shqetësim për atë që po bëhej, përkundrazi u vazhdua me bindje të verbër nën moton e tregut dhe mbi të gjitha në emër të së drejtës së studimit, kinse si një e mirë e madhe që po u bëhej studentëve të ardhshëm, e që sot mund të themi me sigurinë më të plotë se ishte e keqja më e madhe që mund t’u bëhej. E mira iluzore se askush nuk do të mund të mbetej pa një diplomë në xhep (të merituar apo të blerë), rezultoi me një perfundim të hidhur: një numër sa vjen e më i madh të papunësh me diplomë! Tingëllon si luks për një vend si Shqipëria.

U shqyen njëkohësisht dyert e universiteteve publike, nën të njëjtën moto, këto të fundit humbën çdo të drejtë mbi përzgjedhjen e studentëve të ardhshëm e iu imponuan dy apo tri-fishime të kuotave përkatëse të pranimit, përtej çdo kapaciteti e mundësie.

Është momenti që përfaqëson shkakun e gjithçkaje po vjen e do të vazhdojë të vijë si rrjedhojë katastrofale në arsimin e lartë të këtij vendi e që i shtrin metastazat mbi tregun e punës e pashmangshmërisht mbi ekonomitë e familjeve shqiptare. Është ky burimi i gjithë të këqijave që pasojnë, i gjithë arnimeve që mundohen të imponohen në formë shtrëngesash, në përpjekje për të rregulluar tregun e dalë jashtë kontrollit nga babëzia e privatëve dhe mungesa ose pajtimi i plotë me to i shtetit të kapitulluar.

Të vetëdijshëm për dëmin e pariparueshëm që u shkaktua me këtë politikë, zotërinjtë që gëzojnë diskrecionin e vendim-marrjes mbi çështje kaq delikate, nisën diku nga mesi i vitit 2009 të ndërmarrin një sërë iniciativash legjislative që të mund të rregullonin disi katrahurën që kish rrëmbyer sistemin. Do të ndalemi në tre pika në të cilat gjatë tre viteve të fundit kulmon e gjithë kjo përpjekje qesharake për të pastruar llumin e shkaktuar nga shqyerja e dyerve të universetiteve e inflacioni i diplomave pa vlerë që pasoi. Sigurisht që edhe në këtë tentativë në dukje të nevojshme, janë të përziera shumë interesa që ndërlidhen.

Së pari çdo student që përfundon ciklin e parë të studimeve (të quajtur Bachelor) dhe dëshiron të vazhdojë studimet e një niveli më të avancuar (mundësitë janë Masteri Profesional që zgjat rreth 1 vit dhe Masteri i Shkencave që zgjat 2 vjet), detyrohet me Ligjin e Arsimit të Lartë (Neni 26) që të mbrojë Gjuhën Angleze përpara se të përfundojë këtë cikël të dytë studimesh. E si të mos mjaftonte kjo, nuk njihet dëshmia përkatëse që lëshon Fakulteti i Gjuhëve të Huaja (UT) prej shumë kohësh, dokument i cili është plotësisht i vlefshëm në raste aplikimesh për punësim, duke u anashkaluar kështu në favor të TOEFL-it (nëpërmjet partnerit ndërkombëtar ETS Global që gëzon të drejtën eksluzive të çertifikimit për Shqipërinë), e njohur si e vetmja mënyrë për studentët, sigurisht kundrejt pagesave përkatëse jo të vogla që u shtohen 4-5 viteve të shkollimit dhe duke kujtuar vlefshmërinë e kësaj çertifikate që duhet rinovuar çdo 2 vjet. Nuk është e vështirë të kuptohen interesat që fshihen pas kësaj nisme, fat i madh për qendrën e ETS Global me TOEFL-in e saj në Tiranë!

Së dyti duhen përmendur politikat e ndërmarra së fundmi, me ligjin mbi Profesionet e Rregulluara të miratuar nga Parlamenti, i cili dëmton rëndë xhepat e studentëve dhe familjeve të tyre. I ashtuquajturi stazh i cili do të aplikohet për çdo të ri që del nga dyert e shqyera të universiteteve, për një periudhë që varion nga 1 deri në 3 vjet në varësi të profesionit, duke hequr shpërblimn e mëparshëm prej 50% të pagës për ata që i nënshtroheshin këtij stazhi, në këmbim të pagimit të siguracioneve në librezën e punës, është një politikë e dështuar që në gjenezë. Askush nuk do të jetë i interesuar për t’iu përmbajtur ligjit: studentët nuk mund të punojnë pa pagesë, në këtë formë ata kthehen në skllevër të punëmarrësve e detyrohen të paguajnë sërish për ta kaluar edhe këtë hallkë që u është imponuar. Askush nuk i mbron, bëhet fjalë për një shkëmbim të rëndomtë. Edhe këtu nuk është e vështirë të kuptohet se interesat e kujt favorizohen, fat i madh për punëmarrësit që do të lëshojnë këto dëshmi në fund të stazhit!

Pika e tretë ka të bëjë me atë që quhet Provimi i Shtetit, fillimisht për 10 profesione (si mjekësia, arkitektura, inxhinieritë, avokatia etj.). Si të mos mjaftonin të gjitha hallkat e renditura më sipër, që në thelb janë të gjitha kohë dhe para’ e humbur, studenti që aspiron të ushtrojë njërin prej këtyre profesioneve detyrohet t’i nënshtrohet provimit të Shtetit, duke patur të drejtën të provojë deri në 5 herë në rast dështimi, sigurisht me një kosto progresive që kulmon në miliona lekë vetëm si tarifë regjistrimi, pa i hyrë këtu marifeteve korruptive alla-shqiptarçe…

Të llogariten shpenzimet komplesive të 4-5 viteve të studimeve të larta, mbrojtja e Gjuhës Angleze, kostot e stazhit pa pagesë 3-vjeçar dhe provimi i Shtetit që të jep të drejtën për të ushtruar profesionin. Një proces që zgjat nësë ke fat (dhe para’/pushtet mbi të gjitha) minimalisht 6 vjet e shkon deri në 13 vjet (nëse je i ndershëm dhe mbështetesh mbi shpatullat e tua). Sepse çdo pushtet nuk mund t’i harrojë njerëzit e tij, e ata që i kanë mundësitë nuk do ta kenë problem ta zgjidhin këtë çështje në favor të tyre. Sepse këto masa shtrënguese me hije të dukshme klientelizmi godasin shumicën, godasin të pambrojturit dhe ata që nuk janë pjesë e interesave të fshehura.

Arsimi i Lartë në Shqipëri po shkatërrohet, universiteti publik po shkon drejt falimentimit dhe mijëra familje shqiptarësh do ta ndiejnë këtë barrë mbi supet e tyre shumë shpejt. Ekonomia shqiptare gjithashtu do të vuajë pasojat e aventurave të një grushti njerëzish që vendos për të gjithë pjesën tjetër. E sigurisht që kjo pakicë sunduese do nxjerrë përfitime të mëdha, qartazi siç u shpjegua më sipër. Në kurrizin tonë!