Shekulli, 14.01.2010
Roli i qeverisë si shkaktare e përmbytjeve në Veri të vendit rëndohet edhe më shumë nga zbulimi i një takimi sekret të mbajtur në një prej restoranteve luksoze të kryeqytetit.
Protagonistë të këtij takimi ishin djali i kryeministrit Berisha, Shkëlzeni, Damir Fazlliç, “miku i familjes” dhe një nga importuesit e energjisë elektrike në vend, si dhe një nga ministrat e kabinetit.
Çdo ditë Shqipëria blen energji elektrike nga kompania “Rudnap” ku është aksioner Fazlliç si dhe kryen veprime shit-blerje me dy kompani të tjera serbe pas të cilave mendohet se qëndron sërish Fazlliç.
Takimi në fjalë është zhvilluar më datën katër janar, vetëm dy ditë pasi ishin hapur portat e hidrocentralit të Fierzës dhe kishte nisur derdhja masive e ujit që po përmbyt çdo ditë e më shumë qarkun e Shkodrës. Rojet e sigurisë të njërit prej pallateve në zonën e ish-bllokut kanë parë serbo-boshnjakun Damir Fazlliç të shoqëruar nga djali i kryeministrit Berisha, Shkëlzenin.
Të dy janë ngjitur në katin e 24-rt të pallatit në fjalë ku ndodhet edhe restoranti luksoz. Pak minuta pas tyre ka mbërritur edhe një nga ministrat e qeverisë Berisha. Sipas burimeve të “Shekullit” në lokalin ku është zhvilluar takimi, gjatë të gjithë darkës është diskutuar vetëm çështja e energjisë elektrike dhe shitja e saj.
Burimet pohuan se “vizita” në restorantin që ndodhet në katin e 24-rt është filmuar nga kamerat e sigurisë të ndërtesës së njohur.
Verifikimi i mëtejshëm ka treguar se Fazlliç ka qenë shumë aktiv muajt e fundit në vendin tonë. Që në tetor të vitit të kaluar, atëherë kur situata hidrike nisi të kthehej në një temë të nxehtë për shkak të rezervës së konsiderueshme të energjisë që kishte krijuar Shqipëria nga fryrja e kaskadës së Drinit. Gjatë të gjithë kësaj kohe ai ka qëndruar në hotel Sheraton në Tiranë. Kjo është konfirmuar edhe nga regjistrat e hotelit në fjalë.
Ndërkohë në postën kufitare të Rinasit janë shënuar të gjitha hyrje-daljet e biznesmenit serbo boshnjak në vendin tonë. Vizitat e tij në Shqipëri janë shpeshtuar sidomos gjatë muajit dhjetor dhe gjithmonë është parë nën shoqërinë e mikut të tij Shkëlzen Berisha.
Damir Fazlliç është një nga njerëzit më të përfolur në Shqipëri për shkak të dhjetëra aferave të dyshimta që ai ka kryer me qeverinë shqiptare.
Ai është favorizuar hapur në të gjitha rastet duke blerë prona me çmim të lirë e më pas duke i shitur ato me çmime shumë më të shtrenjta. Në të gjitha rastet firma që bën konsulencën juridike si dhe përgatit referencat që pranohen nga qeveria është e vajzës së kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezit.
Aferat e Fazlliç me energjinë elektrike janë denoncuar që në vitin 2008 nga ish-drejtori i KESH-it dhe deputeti Andis Harasani. “Miqtë e mikut qeveritar Fazlliç, kompania serbe Rudnap në 2006, shiti energji në Shqipëri me 30 deri në 35 për qind më shtrenjtë.
Arriti të shesë energji, kur ndryshe nga sa thotë ligji i prokurimeve publike, nuk kishte asnjë eksperiencë të mëparshme në Shqipëri. A thua se konsulenca dhe referencat e shkëlqyera legale të firmosura në zyrën e Argitës, vlenin më shumë se ajo që kërkon ligji”,- ka thënë Harasani.
Hetuesit dyshojnë se kompanitë e Fazlliç nuk kanë paguar asnjë detyrim në arkën e shtetit shqiptare
Prokuroria heton aferën e Fazlliç me KESH
Skandali i shit-blerjes së energjisë elektrike nga kompania e Fazlliç apo kompanitë e tjerë të mbështetura prej tij është objekt hetimi i prokurorisë shqiptare.
Në dhjetor të vitit 2008 njësia e task-forcës e Prokurorisë së Tiranës nisi hetimet për atë që u quajt “çështja Fazlliç” dhe më datë pesë zbarkoi në zyrat e prokurimeve publike të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare duke sekuestruar një sërë dokumentesh që kanë të bëjnë me kompaninë austriake “Rudnap” nga e cila shteti shqiptar blen energjinë elektrike.
Sekuestrimi i këtyre dokumenteve, në mesin e tyre oferta dhe kontrata mes shtetit shqiptar dhe kompanisë “Rudnap” janë bërë pjesë e fashikullit të hetimit të dosjes hetimore ndaj serbo-boshnjakut Damir Fazliç.
Me urdhër të prokurorit Besnik Cani hetuesit e çështjes kanë hyrë në zyrën e prokurimeve publike duke kontrolluar dhe sekuestruar të gjitha ato dokumente që mendohet se janë të nevojshme për hetimin e shtetasit Damir Fazliç për kryerjen e veprës penale të “pastrimit të parave”.
Burimet nga prokuroria, të pyetur për këto sekuestrime janë shprehur se “meqenëse Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH-i) prej disa viteve importon energji nga kompania austriake “Rudnap” ku dyshohet se edhe personi nën hetim Damir Fazliç është pjesë e aksionerëve të kësaj kompanie, është gjykuar e nevojshme sekuestrimi i disa dokumenteve për të verifikuar denoncimet publike për lidhjet e personit nën hetim për pastrim parash nga shteti shqiptar me këtë kompani.
Janë sekuestruar të gjitha ofertat e kompanisë austriake, të dhënat e ndryshme për këtë kompani dhe kontratat e nënshkruara nga KESH-i me përfaqësuesit e shoqërisë së “Rudnap” që nga viti 2004″.
Gjithashtu, sipas akuzës, mësohet se po verifikohen dhe kontrollohen në zyrat e drejtorisë së tatim-taksave për tetë kompanitë që figurojnë nën emrin e personit nën hetim për pastrim parash Damir Fazilç.
“Deri më tani ka rezultuar se në zyrat e tatimorëve asnjë prej tetë kompanive që janë sekuestruar nga Gjykata me kërkesë të prokurorisë nuk kanë derdhur asnjë të ardhur si detyrim tatimor në arkat e shtetit, që kanë lindur dyshimet e shmangies së detyrimeve tatimore, akuzë kjo që pritet të ngrihet në ditët në vazhdim”-thanë burimet.
******************
Kërcënimi i kryeministrit në Kuvend: Po të doni jua sjell Damir Fazlliç këtu. Kam filmime për korrupsionin tuaj
Berisha: Po, Fazlliç është miku im!
Në shtatë tetor të vitit 2008, në kohën kur Damir Fazlliç sapo ishte liruar me arrest shtëpia pas arrestimit për korrupsion në Bosnje, Sali Berisha mburrej për mikun e tij.
Kreu i qeverisë jo vetëm që ka pranuar se e njeh Fazlliç, por në momente euforie ka deklaruar se është i gatshëm ta sjellë atë edhe në Kuvend për të dëshmuar për gjithçka flitet në media dhe jo vetëm në të, duke vërtetuar në këtë mënyrë afrimitetin dhe lidhjet e ngushta që ka me të. “Po të doni jua sjell këtu edhe zotin Damir Fazliç. Jo e njoh, por dua t’u them këtu që nëse s’keni frikë prej tij, pranojeni t’ju dëgjojë se ai ka harxhuar shumë kohë me ju.
Po s’e doni nuk e sjell”, – u shpreh kryeministri gjatë fjalës që mbajti në Kuvend. “I falënderoj dhe do ju dëshmoj gatishmërinë time të plotë dhe totale, të paraqitem para këtij parlamenti.
Të betohem zonja kryetare që e pres me kënaqësinë më të madhe atë mocion vetëm të përgatitemi për transparencën më të madhe në historinë e këtij vendi, të arkivës së krimit. Jam i detyruar të mbaj një heshtje që mezi e kam mbajtur, nuk e mbaj më”, – tha më tej Berisha.
Pavarësisht gatishmërisë së tij për t’iu nënshtruar kërkesës për debat, Berisha nuk ka nguruar të kërcënojë edhe një herë deputetët e opozitës se disponon dosje dhe materiale filmike që sipas tij implikojnë ata në afera të dyshimta.
Sipas tij, dita kur do të bëhet mocioni për debat do të jetë dita e së vërtetës jo vetëm për personin e tij, por edhe për deputetët opozitar. “Mos i harxhoni gjërat tani se siç e dini kjo do jetë ora e transparencës, dita e transparencës. Kaq ju them, do sjell filmime të vërteta, fotografi të vërteta, do sjell gjithçka të vërtetë”, – ka kërcënuar Berisha deputetët e majtë.