Shikoni çfarë nuk thotë!

0
57

Nga Mero Baze, 14 Maj 2012

Shikoj se ka shumë njerëz të lebetitur nga përroi psikik prej gati dy orësh, që kryeministri shkarkon çdo të hënë mbi trurin e mpirë të deputetëve të tij. Kësaj të hëne ishte veçanërisht rënd. Nuk donte të sqaronte diçka, nuk donte të fliste për ndonjë objektiv a pikë programi, nuk donte të fliste për ndonjë sukses apo dështim, nuk donte të thoshte diçka pas së cilës ti të vrisje mendjen pse e tha… Ishte i vendosur të derdhte gjithë makthin e tij ndaj faktit se opozita po kërkonte paqe gjithandej.

Donte të dukej se e kish tmerruar funerali i Klosit dhe nderimi që iu bë një intelektuali nga shoqëria. Paqja e ditës së fundit të jetës së armikut të tij e paskësh goditur më shumë se sa gjithë jeta e tij. E kish thëthirë fjalimin e Ramës dhe ish gati të citonte çdo rresht, paskësh adhuruar duke mallkuar fjalën e fundit të Rudinës mbi varr, edhe pse kjo e fundit më me qejf do lexonte fjalimin mbi varrin e tij. Por mbi të gjitha e kish futur në makth ideja se dikush mund të nderohet edhe pse ishte armik i pakompromis i tij.

Njësoj pat qenë tërbuar dhe nga varrimi i Dritan Hoxhës, themeluesit të Top Channel, katër vjet më parë, dhe desh ta ringrinte nga varri për ta poshtëruar. E munduaka kaq shumë ideja se mund të mos nderohet kur të vdesë! Unë vetë dyshova dhe u thashë plot miqve të mi se Klosi zgjodhi atë ditë për të ikur nga kjo jetë edhe për faktin se Berisha ishte shumë larg Shqipërisë, në SHBA. Cinizmi i tij me veten dhe jetën e tij i jepte luksin të mendonte këto detaje për njeriun që nuk e honepsi dot kurrë dhe që ia kishte frikën se mund t’ia prishte magjinë e ëndrrës për ta flakur jetën si diçka që nuk vlente nën një diell me Sali Berishën.

Këtë të hënë u binda më shumë për këtë gjë. Berisha ishte shumë larg dhe nuk ia prishi dot varrimin. Nderimi i lartë që i bëri shoqëria dhe një lloj himnizimi që iu bë vdekjes së tij në formë proteste ndaj realitetit, e ka tërbuar Sali Berishën. E do doemos një vdekje të rëndomtë, një vdekje banale, një vdekje për një rrogë ose ndonjë honorar të munguar. Nuk e pranon dot nderimin që prodhoi ikja e tij e heshtur, nuk pranon dot që ai vdiq në opozitë me të, ndaj kërkon të prishë kujtimin e bukur për përcjelljen e tij.

Donte të dukej se e kish tmerruar fakti që opozita po flet për papunësinë dhe programin. Iu duk një paqe e madhe me veten dhe një siguri e tepruar që ata duan të qeverisin së shpejti. U kthye 22 vjet mbrapsht dhe ktheu gjithçka mbrapsht. Batutën më të fortë kundër regjimit në vitet 90-të, që thuhej bordurave të Tiranës se në Shqipëri ka “1 milion të papunë, 1 milion hajdutë dhe 1 milion spiunë” e përmbysi duke thënë se e kishte thënë Ramiz Alia. Për këdo që nuk ka rrjedhur nga trutë, është e qartë se Ramiz Alia nuk ishte aq antikomunist sa të tallej me regjimin e tij në këtë mënyrë. Berishës i ka dhembur dikur kjo batutë si komunist dhe dhimbjen e tij të hershme si sekretar partie sot e paraqet si dhimbje të shoqërisë.

Kjo ishte batutë që e thoshin shumica e shqiptarëve kundër Ramiz Alisë. Aq popullore ishte, sa Azem Hajdari në fillim të vitit ‘90 e modifikoi këtë batutë në një miting në Krujë, duke deklaruar se në Shqipëri ka “1 milion të papunë, 1 milion komunistë dhe 1 milion spiunë”. Por mendja e roitur e tij nuk bën më dallime se kush ka thënë, çfarë ka thënë dhe ku e ka thënë. Ato që i ka thënë Azemi i duket sikur i ka thënë Ramizi. Atij i duket e tmerrshme shifra 1 milion të papunë dhe do doemos ta lidhë këtë me diçka nga komunizmi. Lidhet në fakt, pasi sot ka realisht 1 milionë të papunë, por ka vetëm një hajdut, dhe ai është Berisha.

Donte të dukej se e kish tmerruar fakti që opozita po firmoste reformën për kodin zgjedhor. Me gjithë sabotimet e përditshme të Berishës dhe dëshirën e tij që reforma të mos bëhet, opozita ka qëndruar në tryezë dhe ka çuar thuajse në fund reformën zgjedhore me garancinë se do të bëhet identifikimi elektronik i votuesve dhe numërimi elektronik i fletëve të votimit. Nuk duroi më dhe plasi. I hodhi poshtë të dyja. Identifikimin elektronik e quajti pikë kufitare në kuti të votimit. Numërimin elektronik e quajti çmenduri të opozitës. Nuk e kupton se si guxon opozita t’i prishë atij planin e vjedhjes së zgjedhjeve dhe të ruajë qetësinë deri në fund për të mos prishur reformën zgjedhore.

Priti deri në limitin e fundit. Tani nuk ka më kohë. Duhet të thotë ose “Po” ose “Jo” për vjedhjen e votave. Ulëriti me të madhe në sy të deputetëve “Po dhe Po”, “u them unë”, …që do të vidhen d.m.th. Nuk mund ta linte të shkonte deri në datë 15 maj kjo punë kështu. Nuk mund të pranonte të dorëzohej tek teknika e paanshme. Ambasadori i OSBE kish kohë që ishte i hutuar se si Berisha po dorëzohej kështu para zgjedhjeve të ndershme. I dha dhe ai një dorë të zgjohej nga “ëndrra e keqe” dhe të griste marrëveshjen.

Por ishte diçka që Berisha nuk e tha, ajo që në fakt e kishte tmerruar. Nuk e zuri në gojë. Nuk donte që askush në sallë të mendonte për të. Nuk pranon të mendoj as vetë dhe nuk do të lejojë askënd të mendojë. Është diçka që një paqe më e gjerë e opozitës ka prodhuar kundër tij, kundër numrave të tij, kundër shumicës së tij. Ajo e ka çmendur.

Dërdëllitja e tij e gjatë prej dy orësh para deputetëve, mpirja e trurit të tyre duke heshtur para fjalimit të tij, para shifrave të tij, para tikeve nervore, para strukturës pyetëse-përgjigjëse dhe vetaprovuese të fjalisë së tij të tipit: “Do më pyesni ju mua, …ua them unë ju… po dhe po, kështu është…”, para humbjes së papritur të kuptimit të fjalisë, para qeshjes së beftë vetëm pse Patozi guxoi të afrojë kokën, pra gjithë ajo rrahje uji në hava për dy orë, ka vetëm një arsye. Të mos flitet për atë që po u ndodh, të mos kenë kohë të mendojnë se çfarë po u ndodh, t’i mbushin mendjen vetes se të gjithë paqet e opozitës janë të rrezikshme për kombin, paqja me të vdekurit, paqja me vizionin qeverisës, paqja me reformën zgjedhore…

Vetëm një paqe ishte e ndaluar të përmendej, paqja e opozitës me atë që Berisha ka tre vjet që qeveris. Të gjithë prisnin diçka për këtë paqe, që i ka trembur realisht, ndaj ai bëri ç’ishte e mundur të fliste gjithë marrëzitë e botës që të mos pyetej për këtë gjë. Atij i duhet doemos një luftë me opozitën. I duhet luftë kundër reformës zgjedhore, kundër zgjedhjeve të lira, kundër programit të opozitës, kundër personaliteteve të gjalla dhe të vdekura të opozitës. I duhet doemos me çdo kusht, si e vetmja mënyrë që i nxjerr makthin nga paqja që nuk e zë dot në gojë. Ndaj mos ia vini re çfarë thotë. Shikoni çfarë nuk thotë dot.