SHIK-u, si një “zyrë shtypi” e Ilir Metës

0
43


Nga Mero Baze

Pjesë nga libri “Viti ‘97”

Paralelisht me garat që zhvilloheshin në rrethe, Berisha hapi problemin e tryezës për Komisionin e ri të Zgjedhjeve vendore. Linja e diplomacisë italiane po funksiononte, edhe pse në takimin që pati misionari i Lamberto Dinit me partitë politike të opozitës nuk kishte lënë ndonjë përshtypje të veçantë. Gati askush prej tyre nuk e mori seriozisht. Tema e dialogut mes pozitës dhe opozitës ishte ndërkaq një temë që u ngatërrohej nëpër këmbë socialistëve dhe po përdorej për diferencime pro dhe kundër Nanos nëpër rrethe.

Ndarja u bë e qartë dhe e ashpër. Kudo që shkonte i deleguar Ilir Meta apo njerëz të grupit të tij, shtypi afër Berishës siguronte raporte të plota nga konferenca. Atje ku nuk kishte njerëz të grupit anti-Nano, ndërhynte ShIK-u dhe në gazetën Albania nuk mungonin kurrë raportet. Ato i jepeshin edhe grupit të “reformatorëve” për informim, me qëllim që të studionin njerëzit që kishin pro dhe kundër në bazë.

Një incident me humor ndodhi me konferencën e Pogradecit. Daktilografistja e gazetës Albania, e cila kishte para raportin, filloi ta radhiste atë fjalë për fjalë duke respektuar dhe pikat e ndërprera ku nuk dëgjohej incizimi. Të nesërmen, nga pakujdesia, materiali u botua i pakorrektuar në gazetë dhe u bë skandal. Megjithatë, kjo praktikë vazhdoi deri në përfundim të të gjitha konferencave. Gazeta Albania kishte dosjen e çdo dite nga këto diskutime dhe pasi Arturi, gazetari që mbulonte grupin e “reformatorëve”, konsultohej me ta duke u treguar materialin, zgjidheshin pjesët që do të botoheshin.

Në njërin prej atyre takimeve, kishte dalë edhe emri im. Një socialist në Devoll ishte ankuar për intervistën time te “Zëri i Amerikës”. Ata të redaksisë së gazetës Albania më dhanë materialin e zbardhur, që ta lexoja. Pyetjeve u ishte përgjigjur Hajdaraga, i cili përgjithësisht dinte t’i kalonte mirë këto situata. Megjithatë, ngërçi i grupit anti-Nano para kongresit ndihej qartë.

Pyetjen e parë e kishte bërë dikush që quhej Albert Bruçi. Kishte të bënte me intervistën time me Fatos Nanon.

– Cilët janë guralecët në kryesinë e partisë? – ishte pyetja e tij.

Përgjigjja e Hajdaragës: … Dua të sqaroj se termi “guralecë” nuk është përdorur në mocion nga Fatos Nanoja, por në një intervistë që Fatos Nano i ka dhënë nga burgu Mero Bazes, gazetar i “Zërit të Amerikës”. Aty është përdorur. Them që nuk jemi të fyer nga ky term, por që nuk duhej të përdorej… le të përdorej një term tjetër analog me gazetarin…

Pyetje nga Veip Menedaku: Pse nuk ju lejojnë ju, por gazetarë të “Zërit të Amerikës” të takohen me Fatos Nanon?

Përgjigje e Hajdaragës: Për takim me shokun Fatos Nano kemi bërë përpjekje të gjithë ne nënkryetarët për ta takuar në burg… unë për veten time jam përpjekur katër herë për ta takuar, por në të gjitha rastet nuk jam lejuar…

I lexoja faqet e daktilografuara nga oficeri i ShIK-ut dhe shihej qartë se mocioni e kishte tronditur realisht atë parti, aq fort sa shteti kishte nisur të jetonte me dinamizmin e tij. Në atë verë të vitit 1996, i vetmi oaz i jetës politike u bë viktima më e madhe e politikës së atij viti: godina e Partisë Socialiste.

Konferenca e Devollit ishte shumë domethënëse për ndarjen e partisë. Në bazën e Partisë Socialiste dyshohej se nënkryetarët po punonin hapur kundër kryetarit. Ishte krijuar një hije e përgjithshme dyshimi, aq sa të krijohej ideja se çarja ishte e pariparueshme. Njëri nga shkaqet e këtij efekti ishte debati publik dhe pa doreza kundër njëri-tjetrit. Turneu i Hajdaragës në rrethet Devoll, Korçë, Pogradec dhe Elbasan nuk ishte shumë i suksesshëm. Aq shumë probleme krijoi debati i tij i hapur, sa në Elbasan ai u detyrua të përmendte letrat nga burgu të Fatos Nanos. Por skandali nuk ishte tek ajo çfarë ndodhte në bazë, por tek ajo se si ShIK-u përgjonte dhe përpunonte informacionin për këto konferenca.

Përpara se Hajdaraga të vinte nga turneu i tij në Devoll dhe Pogradec, gazeta Albania botonte me përpikmëri debatet brenda konferencave, edhe pse ato ishin me dyer të mbyllura. Një njësi speciale e ShIK-ut i përgjonte ato, i zbardhte urgjent dhe një djalë i ndrojtur i binte çdo pasdite në gazetën Albania, në një zarf të verdhë që nuk i adresohej askujt. Hapej zarfi dhe i jepej daktilografistes. Dhe këtu ndodhi një herë skandali. Një të shtunë, dhe bëhej fjalë për konferencën e Pogradecit, drejtori i gazetës i kishte dhënë daktilografistes zarfin dhe porosinë që, pasi ta mbaronte, t’ia jepte redaktorit. Ajo e kishte kopjuar me fanatizëm përfshi dhe kllapat që tregonin se kaseta nuk dëgjohej mirë. Në fund dhe emri i oficerit që e kishte zbardhur.

Për shkak të një pakujdesie, gjithçka u botua të nesërmen në gazetë, ashtu siç ishte. Ylli Rakipi më tregoi më pas tërbimin e Sali Berishës dhe fyerjet e tij në telefon. E konsideronte si gjëmë faktin që gazeta kishte dekonspiruar pa dashje ShIK-un dhe oficerin e tij. Ylli ishte tronditur nga sulmi i Berishës, por ende s’e kishte kuptuar përmasën e skandalit. “Ajo që më çuditi, – tha më vonë, – është se Ilir Meta nuk m’u ankua, por e kishte marrë me të qeshur.”

Dy ishin në atë kohë problemet që iu krijuan grupit të reformatorëve. I pari ishte presioni ndërkombëtar për dialog me PD-në, nga njëra anë, dhe humbja e mbështetjes në bazën e partisë me këtë veprim dhe, së dyti, kufiri deri ku ata duhej të shkonin në luftën ndaj Fatos Nanos. Strategjia e tyre, nga ana tjetër, nuk ishte shumë konstruktive për Partinë Socialiste. Ata shpresonin që, nëse merrnin nën kontroll partinë, të arrinin një rezultat pozitiv në zgjedhjet lokale me mbështetje ndërkombëtare dhe këtë ta paraqitnin si fillimin e kthesës. Ndërsa, nëse humbnin, do të angazhoheshin për një humbje të thellë në zgjedhjet lokale, me qëllim që të diskreditonin grupin e Nanos. Në fakt, tek e dyta arritën diçka, por jo gjithçka.

Kështu, gjatë takimeve në bazë, Hajdaraga dhe Meta duhej të shpjegonin vazhdimisht faktin pse e kishin filluar dialogun me PD-në për zgjedhjet lokale dhe sidomos për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Berisha kishte thirrur një takim në mes të gushtit, ku kishin shkuar të gjitha palët dhe ishin marrë vesh për ndarjen e barabartë të vendeve në KQZ. Hajdaraga ishte më i shkathët në argumente. Ai arsyetonte se, po të mos shkonin në takimet me Berishën, atëherë ai do të linte në fuqi ligjin e gjenocidit dhe kështu shumë “shokë të partisë nuk do të ishin më në jetën politike”. Ai e arsyetonte këtë me faktin se ai, dhe ata që merrnin pjesë në bisedime, nuk kishin probleme me këtë ligj, kështu që ata shkonin për të mirën e partisë. Por në rrethe të ndryshme, mbështetja kishte kahe të ndryshme. Kështu, në Elbasan, kryetari i degës kritikonte Fatos Nanon, ndërsa në Korçë u paraqit një promemorie për mënyrën se si Fatos Nanoja do t’i paraqiste pikëpamjet e tij në kongres. Në Mallakastër, mbështetësit e Nanos ishin shumicë për shkak të ndikimit të Kastriot Islamit, ndërsa në Lezhë situata ishte më e balancuar. Në Tiranë fitoi Ulqini dhe u eliminua Kastriot Islami, ndërsa në Shkodër dukej se ishte më i fortë grupi afër Fatos Nanos. Në këto kushte, socialistët po shkonin drejt kongresit më të ndarë se kurrë. Shtypi që përcillte zhvillimet brenda tyre, ishte po ashtu shumë i ndarë.

Koha Jonë dhe Dita Informacion ishin mbështetëse të forta të Fatos Nanos, ndërsa Zëri i Popullit mbështeste fort Ilir Metën dhe Luan Hajdaragën. Albania, nga ana e saj, duke qenë një gazetë e vlerësuar si zëri i Berishës, bënte më shumë diversion për grupin e Nanos dhe mbështeste po ashtu pa rezerva grupin e Metës. Një sërë shkrimesh që porositeshin nga Meta dhe Hajdaraga në formën e analizave, gjenin vend në faqet e gazetës, çka sillnin një çoroditje të madhe tek elektorati i majtë. Puna shkoi deri atje sa një grup veteranësh nga Vlora u detyruan t’i shkruanin një letër drejtorit të gazetës për t’i kërkuar shpjegime mbi zhvillimet brenda Partisë Socialiste.

Një dyndje të madhe drejt zyrave të kësaj redaksie pati edhe nga parti të tjera afër opozitës. Në atë kohë, vizitorë thuajse të çdo nate u bënë shumë drejtues socialistë, të cilët i afronte Thoma Gëllçi tek Albania, i cili atëherë ishte kryeredaktor i gazetës Zëri i Popullit. Mes atyre që u bënë vizitorë të rregullt, përveç drejtuesve kryesorë të partisë, ishin dhe Luan Rama, Sherif Bundo, Aleksandër Frangaj etj. Ishte koha kur ky i fundit ishte në konflikt me Nikoll Lesin për problemin e gazetës dhe po ndahej prej tij pas borxhit të krijuar dhe ndërhyrjes së fondacionit “Soros” për t’i dhënë gazetës rreth 250 mijë dollarë. Aleksandër Frangaj, me sa dukej, po kërkonte mbështetjen e PD-së për të shpëtuar nga kriza dhe për ta eliminuar Nikoll Lesin. Donte të hapte një gazetë të re po me emrin Koha Jonë, por me një prapashtesë. Isha bashkë më Ylli Rakipin, kur na ndaloi makinën para këmbëve në bulevard dhe na kërkoi hapur gjithçka. M’u duk pak e neveritshme, edhe pse kisha qejf të shikoja publikisht debatin e tyre. I thashë Yllit mënjanë se do të ishte mirë të dilnin të bënin debat në TVSh. Kaq duhej dhe, për dhjetë minuta, Ylli rregulloi gjithçka. Më pas u gjet mënyra t’i jepeshin menjëherë zyra te ndërtesa e Lidhjes së Shkrimtarëve. U bë gati ekipi i ri. Koha Jonë po imitonte kështu fatin e gjithë opozitarëve të Berishës, që bëheshin me dy kokë. Kështu ishin bërë të gjitha partitë e vogla opozitare dhe aleate, kështu po përfundonte edhe media. Aleksandër Frangaj na takoi ditën kur do nxirrte gazetën.

– Do t’u bie fort të dy krahëve,- tha, – se vetëm kështu mund të hyj në treg.

Më dukej si një shaka pa kripë. Kisha një parandjenjë se nuk do të ndodhte, edhe pse nuk kisha ndonjë dëshirë që sundimi i papërgjegjshëm i gazetës Koha Jonë në tregun shqiptar të merrej si model gazetarie. Vonë, në mesnatë, Preç Zogaj mbërriti në redaksinë e re të gazetës dhe arriti ta ndal botimin e saj. Në krah të tij ishin njerëz të Ambasadës Amerikane dhe u bënë premtime se gazeta do të ndihmohej nga Sorosi dhe do ta kalonte krizën. Aleksandër Frangaj ishte bindur dhe kishte hequr dorë nga “përçarja”.

Qysh nga vizita e Sali Berishës në Kinë, ku Frangaj kishte shkuar për herë të parë pas tij, që prej kohës që ishte dënuar po prej tij me burg, kishte një përpjekje të vazhdueshme të tij për ta përdorur linjën e kontaktit me Berishën kundër ortakut të tij në biznes dhe në profesion, Nikoll Lesit. Ishte e njëjta gjë që u bëri dhe ortakëve të tjerë, me të cilët më vonë themeloi TV KLAN-in, Zhyljen Roshe dhe Marsel Skëndos, të cilët i detyroi t’ia dorëzonin TV KLAN-in pas fitores së Berishës në vitin 2005. I gjithë ky mozaik kishte shumë efekte të gënjeshtërta mbi elektoratin, por një përfundim e kishte të qartë: opozita ishte e ndarë, e copëtuar, e dobët dhe e pariparueshme. Nga ana tjetër, Berisha po e përjetonte këtë si një triumf real, që në fakt nuk ishte i tillë.

Në një mesazh drejtuar socialistëve në prag të kongresit, Berisha, në fakt, dukej se ishte i qetë nga zhvillimet negative brenda socialistëve dhe hidhte disa teza për ndryshime rrënjësore në parti, duke pasur si objektiv identifikimin e tezave të tij me ato të grupit të Nanos.

Po ashtu, një ditë para Kongresit, disa aleatë të Berishës, si Teodor Laçoja, Çerçiz Mingomataj apo Abdi Baleta, hodhën në shtyp deklarata që të linin të kuptoje se kongresin e socialistëve po e drejtonte Berisha. Më i qartë prej tyre ishte Baleta, i cili shpjegonte se “Berisha e ka objektiv kontrollin ndaj socialistëve”. Dukej se në këto deklarata kishte gisht vetë Berisha. Por, nga ana tjetër, Nanoja ishte agresiv. Ditën e kongresit, gazeta Koha Jonë botoi listën e propozuar nga Fatos Nanoja për Komitet Drejtues dhe aty ndarja ishte e qartë. Tanimë secili kishte përpara një fletë votimi dhe një copë gazetë të prerë nga Koha Jonë.

Diskutimet në sallë ishin shumë të tendosura. Më brilante ishin ato të degës së Tiranës, që në përgjithësi ishin kundër Fatos Nanos. Kur balanca dukej se po shkonte kundër tij, në pasditen e së dielës, nga rreshti i parë i sallës u ngrit Dritëro Agolli. Me një paraqitje të kujdesshme, gjysmë i pirë dhe gjysmë inteligjent, gjysmë anti-Nano e gjysmë pro-Nano, i pavarur dhe tërësisht i përkushtuar ndaj partisë së tij, të cilën po e shpëtonte për herë të dytë nga shkatërrimi, ai mbajti një fjalim që, në fakt, i dha fitoren Fatos Nanos. Duke shkuar drejt tribunës, ai rregulloi dy herë protezat e sapovëna të dhëmbëve dhe, kur salla vazhdonte të duartrokiste, ai ngriti vetullat e rënda dhe tha:

– Unë nuk i kam qejf këto duartrokitjet. Taqi, Taqi!… – Salla heshti, sikur dikush i hodhi ujë të ftohtë. Më tej i erdhi radha Fatos Nanos: – Ai na thotë se ne jemi kënetë, po kështu nuk flitet, se ai çfarë është, buf kënete?!… – Përsëri heshtje në sallë. Balanca u vendos. Dritëroi ngriti kokën dhe u duk se e pikasi pushtetin e tij mbi njerëzit e terrorizuar nga përçarja e partisë, njësoj si në vitin 1991, kur ishin të terrorizuar nga ndryshimi i emrit të partisë. Pas kësaj, ai uli tonet: – Mos ma merrni ters që flas kështu, se jam ujk i vjetër unë. O, sa plenume kam kaluar unë… – Këtu qeshi pak dhe në sallë filloi të binte tensioni.

Ky ishte diskutimi dramatik që përmbysi situatën në favor të Nanos, pasi, pas gjithë akrobacive të fjalëve dhe shprehjeve populloro- politike, në fund Agolli bëri thirrje të mbështetej Fatos Nanoja. Ilir Meta do të fliste në orën 18.00. Diskutimi i tij vinte tashmë pas një humbjeje në balancë në favor të Nanos. Foli gjatë dhe thuajse pa letër. Një diskutim i mirë, që kishte brenda edhe kujdesin për të mos i shpallur luftë të hapur, por dhe aftësinë për t’u distancuar nga ai. Ishte nga fjalimet e mira të tij. Kishte njëfarë vendosmërie në të folur dhe mbushej herë pas here nga thirrjet e mbështetësve të tij. Por fjalimi i tij nuk u regjistrua askund, përveç transmetimit direkt në RTSh, që bënte kujdes të transmetonte të gjithë fjalimet kundër Fatos Nanos. Gazeta Zëri i Popullit, që duhej ta botonte fjalimin e Metës të nesërmen, nuk kishte asnjë kopje të tij. Thoma Gëllçi u detyrua ndërkohë të shkonte te gazeta Albania, për të parë mos “kishte ardhur posta”, siç thuhej me humor për zarfet që ShIK-u i dërgonte me materiale të zbardhur, sipas porosive që kishte për të ndihmuar “reformatorët” e PS-së. Dhe ndërsa Gëllçi priste, zarfi arriti. Të nesërmen, gazeta e Partisë Socialiste e botoi fjalimin e pashkruar të Metës nga zbardhja e ShIK-ut! Por kjo nuk i binte në sy askujt.

Në kongres, një problem më vete ishte dhe telegrami i Gramoz Ruçit nga Greqia, ku ai kishte shkuar ndërkaq. Në fakt, letra u paraqit sikur vinte nga malet e Salarisë, ndërsa kishte dyshime se atë e kishin shkruar Kastriot Islami ose Guro Zeneli në bashkëpunim me Ruçin në telefon. Ishte një letër e kujdesshme dhe në favor të Fatos Nanos. Ajo bënte thirrje për mbështetje të fortë dhe direkte për të, ndërkohë që nuk ishte shumë i ashpër me ata që e sulmonin Fatos Nanon. Kjo dukej shumë interesante, po te kishe parasysh faktin se njerëzit më të gëzuar në Partinë Socialiste, kur u largua Gramoz Ruçi jashtë shtetit, ishin pikërisht ata që Ruçi i kursente në letrën e tij. Letra e Ruçit kishte një dimension tolerance. Shumë vet nuk besonin që ai ta kishte shkruar vetë, edhe pse shihej qartë identiteti i tij në tezat që kishte hedhur. Por pas asaj klime mosbesimi dhe ai bënte shumë kujdes që të mos merrej vesh kurrgjë nga kjo histori.

Ndërsa po afroheshin propozimet për zgjedhje, njeriu më aktiv u bë Monika Kryemadhi, e cila ishte komandantja de facto e Forumit Rinor Eurosocialist. Njerëzit e saj në sallë u bënë promotorë të propozimeve dhe rrëmujave.

Një incident ndodhi me Ndre Legisin dhe për pak përfundoi në rrahje. Të tilla kishte plot gjatë gjithë kongresit dhe ato nuk munguan deri në orën 05.00 të mëngjesit, kur njëri nga djemtë e Forumit, i futur në komisionin e numërimit të votave nga Kryemadhi, u rrah me Petro Koçin dhe me një vajzë nga Fieri, pasi dyshoi se po favorizonin Fatos Nanon.

Në mëngjes u shpallën rezultatet. Situata dukej e balancuar, me një epërsi të lehtë të Nanos. Njeriu më i votuar ishte Dritëro Agolli dhe pas tij Namik Dokle. Akuzat për manipulime në kongres ishin zëra shumë të dobët dhe nënkryetarët duket se u mundën në garën e tyre kundër Fatos Nanos.

Tabuja e vetme e tyre, kandidimi përballë Nanos, nuk arriti të thyhej dhe ai konkurroi i vetëm, duke marrë rreth 145 vota kundër.