Preç Zogaj, 11.03.2010
Falë tyre, prej dy dekadash tashmë, ekonomia e Shqipërisë shtrihet në Greqi, në Itali, në thellësi të Europës, deri matanë oqeanit Atlantik dhe nuk vdes.
Janë emigrantët zgjatimi i kësaj ekonomie pa fizionomi; janë të larguarit me viza dhe pa viza, kryesisht pa viza, në një ikje që nuk ka shoqe në histori, me “anijet” e ambasadave të huaja, me anijet e flotës tregtare, me skafe, me not, me tokë, me zvarritje, me marshime të gjata nëpër male, natën, ditën, në shi, në dëborë, në vapë, në uri, në rraskapitje. Ikja e secilit është një odise më vete, e denjë për penën e Xhek Londonit.
Por, të gjitha këto ikje, një gjysmë milioni a sa mund të jenë, i bashkon ankthi se mos do të mbyten në det, se mos do t’i qëllojnë me armë nga prapa, se mos do të ngrijnë nga të ftohtit, se mos do të rrokullisen në humnerë, se mos do të përfundojnë në burg, se mos do t’i kthejnë nga kanë ardhur, se mos nuk do të gjejnë punë, se mos do të mbesin rrugëve, se mos nuk do t’ia dalin, se mos nuk të mbajnë në këmbë jetën e tyre të re në vendin e huaj ku nuk u përket gjë prej gjejë.
Edhe pse kanë kaluar vite, ky ankth vazhdon në forma të reja e nuk ka të sosur. Kam përshtypjen se është vetë jeta e emigrantit.
E atij që ka ikur tashmë, por edhe atij që po kërkon shtigje të ikë. Shqipëria vazhdon të hedhë matanë, ku të mundet e si të mundet popullin e vet. Deri dje për shkak të varfërisë që la pas diktatura komuniste.
Tani për shkak të paaftësisë së qeverisë për të krijuar punë dhe punësim, standardin e demokracisë dhe shijen e të jetuarit.
Atyre që kanë ikur u qan zemra për t’u kthyer. Këtyre që kanë mbetur u qan zemra për të ikur. E rrallë, epike, e trishtë, por jetëdhënëse është saga e emigracionit shqiptar. Kemi folur pak, kemi shkruar pak, kemi bërë pak ose aspak për emigrantët.
Nganjëherë – të më falin të gjithë për këtë që po them – më shkon mendja se nuk presin ata ndonjë gjë prej askujt, se linden vetëm për të bërë për të tjerët, se ky qe fati i tyre, të cilin ata e çojnë përpara me bindje dhe me shpresë se nesër do të jetë ndryshe.
Gjithë këto vite ata kanë qenë komuniteti që vetëm është shfrytëzuar. I kanë shfrytëzuar, kundrejt shpërblimit, brenda dhe jashtë rregullave, padronët ku janë punësuar në të bardhë dhe në të zezë. I kanë shfrytëzuar tërthorazi vendet ku punojnë dhe jetojnë.
I ka shfrytëzuar në kuptimin e mirë, por edhe te keq te fjalës atdheu i tyre, Shqipëria. Me paratë që kanë dërguar pranë familjeve, ata kanë mbajtur prej dy dekadash ekuilibrat makroekonomikë të Shqipërisë.
Mbi mundin, djersën, bujarinë dhe talentin e tyre është ngritur mburrja shumëvjeçare e parisë së Tiranës për stabilitetin e lekut, për qëndrueshmërinë e inflacionit, për qëndrueshmërinë e tregut. Megjithëse larg, me paratë e tyre, me prurjet, me dijet, me të rejat dhe me përvojën e tyre të re, emigrantët e kanë bërë më civile Shqipërinë.
Mendjet më të kthjellëta të bashkatdhetarëve tanë jashtë mbajnë në qortim të vazhdueshëm deformimet e demokracisë në pallatet e politikës në Tiranë.
E kanë merituar një përmendore në Durrës, në vendin ku u nisen në eksodin e parë biblik drejt Italisë; një tjetër në sheshin Omonia të Athinës, po ta lejonte qeveria greke; i kanë merituar disa lapidarë apo kroje në vijën kufitare ku zgjateshin dikur telat me gjemba; e presin emigrantët dhe jo vetëm ata, por gjithë shqiptarët një shtyllë përkujtimi për të rënët që nuk ia dolëm dot, që humben në fund të deteve apo në luginat e maleve.
Nuk kemi bërë asgjë, u kemi dhënë më pak dinjitet me sjelljen tonë në Shqipëri se sa na kanë dhenë ata ne me sjelljen, me punën dhe paratë e tyre jashtë Shqipërisë.
Të rrimë shtrembër e të flasim drejt. Ua kemi premtuar një projekt të madh emigrantëve: të drejtën e votës.
E kanë pasur dhe e kanë në program disa parti politike, të mëdha e të vogla. U fol gjerë e gjatë nga viti 2005 e këndej për votën e emigrantëve. U zhvilluan takime, seminare, tubime, debate.
Si përfundim, gjithçka mbeti në nivelin e dëshirës së mirë, për të mos thënë të demagogjisë. Partitë dhe politikanët nuk gjetën dot modalitetet dhe mundësitë për të mbajtur fjalën e dhënë.
Por… por – për turp e faqe të zezë – në disa kuti votimi, që nuk dihet sa janë për arsye se kutitë nuk janë hapur, emigrantët “votuan” pa qenë të pranishëm.
Lajmi më tronditës nga kutia e Ruzhdijes, e vetmja që është hapur deri tani, ishte “votimi” me dorën e komisionerëve të Partisë Demokratike i tetëdhjetë emigrantëve që nuk kishin qenë fare në Shqipëri në 28 qershor.
Në Zadrimë të Lezhës kemi konstatuar të njëjtën dukuri. Qindra emigrant s’patën nevojë të shpenzonin asnjë qindarkë për të “konsumuar ” të drejtën e votës.
Votuan bozhibozukët për ta. Këta e mbajtën premtimin e partive, në mënyrën më cinike që mund të mendohet: duke firmosur për ta, duke votuar për ta partinë që donin vetë. Lista e zgjedhësve në emigracion u shndërrua papritur në një rezervë të artë për kaçakët e zgjedhjeve.
Kjo është fyerja më e madhe që mund t’u bëhet atyre që kanë mbajtur stabilitetin e treguesve makroekonomike, stabilitetin e lekut, stabilitetin e inflacionit, stabilitetin e familjeve.
Por ky është ndërkohë edhe shfrytëzimi më i padurueshëm që mund t’i jetë bërë e mund t’i bëhet kësaj kategorie. Një shfrytëzim që i mohon si qenie dhe i llogarit vetëm si emra për hesapet e pushtetit.
Nuk mund t’i dimë përmasat e një maskarade të tillë. Thjesht me aq sa ka dalë në dritë nga kutia e fshatit Ruzhdije, dikush duhet të kërkojë falje.
Është minimumi që mund të bëhet për të qetësuar shpirtrat e lënduar të mijëra emigrantëve, pavarësisht nga simpatitë politike. Vota është shpirti. Çdo gjë mund të delegohet, por shpirti nuk delegohet.
Të votosh ne emër të tjetrit është njëlloj, madje më keq se t’i futesh tjetrit si hajn në shtëpi dhe të mos i lesh gjë pa marrë. Kjo që ka ndodhur është një kambanë alarmi për mbarë shoqërinë. Nuk mjafton dënimi i falsifikatorëve. Duhen kërkuar zgjidhje që kjo maskaradë të marrë fund.