Shesheli gojëkeq i Shqipërisë

0
47

Nga Salih Kabashi

“Mati fjalët, zoti president!” Ky ishte titull i një editoriali të shkruar më 1992, që donte ta ndihmonte Sali Berishën dhe ta mësonte se ai duhej të maste fjalët dhe të mos fyente kundërshtarët politikë, gazetarët dhe bashkëpunëtorët e tij, shkurt, që presidenti të ishte pak më zotni. “Mati fjalët, zoti president!” është pasuar edhe me shkrime të tjera që vinin nga bashkëpunëtorë të mi, tiranas, të revistës shqiptare “Republika” të Lubjanës. Sali Berishën, të cilin deri atëherë e kisha nxjerrë disa herë në ballinë, e kisha mbuluar me shumë lavdërime dhe tek i cili kisha varur, jo vetëm shpresat e mia, po edhe të shqiptarëve anembanë, zura ta shoh në sjellje e manitë si të ATIJ. Por ende kisha shpresë se ndoshta me kohë do të mësonte e do të fillonte të funksiononte normalisht si një lider demokratik e jo edhe më tutje si AI, të cilin Berisha e kishte njohur, e kishte adhuruar dhe të cilit i kishte shërbyer.

Edhe pse për 20 vjet me radhë Sali Berisha ka folur kundër PPSH dhe Enver Hoxhës, ai kurrë nuk ka vepruar ndryshe, pos si komunist dhe si prijës autoritar. Ai definitivisht nga shpëtimtari i deklaruar, i promovuar dhe vetë-reklamuar, sot simbolizon shkatërrimtarin këmbëngulës, jo vetëm të demokracisë, por edhe të vetë vendit e popullit të tij. Një fatkeqësi njëzetvjeçare mbi Shqipërinë. Një fatkeqësi vetëm pak më e vogël edhe për Kosovën, ku Sali Berisha gjithmonë ka eksportuar modelin e tij të përçarjes edhe në momentet më të rënda të historisë së saj. Dhe jo vetëm të përçarjes, por edhe të premjes në besë.

Mbrëmë lexova, pashë dhe dëgjova se çfarë foli Sali Berisha në parlament. E, Sali Berisha, Sali Berisha… Kam ndjerë dhimbje për ty. Të kam parë edhe herë të tjera, kur je dukur me hanë të keqe, siç thonë nga Kosova. Mbrëmë ishe i përhantë fare. Çka nuk nxore nga goja… Ti mbrëmë u shfaqe si një shtrigan që të ngjall frikë. Fole plot urrejtje dhe me një fjalor që nuk e lejon as robi, as Zoti. Ti, z. Berisha, mbrëmë ke fituar titullin e kampionit në perversitet dhe në përdorimin e fjalëve të ndyta. Kampioni i deritashëm ballkanik e evropian në fjalime përplot fyerje, amoralitete e fjalë të ndyta më nuk gjendet në liri. Ai tani gjendet në Hagë dhe e quajnë Vojisllav Sheshel. Ia tejkalove Vojo Radikallçit, ideatorit të neoçetnikizmit serb. Vojo tani gjendet në burg. Çka ke zgjedhë për vete, o Sali Berisha? Hapjen e kutive, rënien nga pushteti, burgun? Apo çmendinën? Shfaqja jote e mbrëmshme lë përshtypjen se derën më të afërt e ke në këtë të fundit.

Sali Berisha nuk ka shumë kohë që ishte në Kosovë dhe nga atje u kthye me një grumbull medaljesh e vlerësimesh. Krejtësisht të pamerituara, por kjo nuk çudit, se edhe atje është krijuar një gjullurdi politike berishiste dhe medaljet u jepen edhe atyre që do të duhej, jo të shpalleshin heronj, po të shpalleshin së paku të padëshirueshëm në Kosovë. Nuk i erdhi turp Sali Berishës që të fliste për Kosovën si zemrën e tij. Kujtonte se kosovarët kanë harruar gazetarët e tyre të rrahur në Tiranë, më 1995 e më 1996. Mos kujtonte se kosovarët nuk e dinin se si regjimi i tij vrau Remzi Hoxhën dhe në kohën e sundimit të tij disa kosovarë u dogjën për së gjalli? Nuk e dinin kosovarët se S. Berisha kishte fyer ajkën intelektuale e atdhetare shqiptare të Kosovës? I dinin të gjitha. Edhe naftën tënde për Karaxhiçin e Millosheviçin. Edhe takimin tënd me Bullatoviçin, kur ky i fundit të pat BLERË e të pat MASHTRUAR në kuptimin bukval të fjalës. Sali Berisha thoshte se Kosova nuk ka nevojë për pavarësi, sepse asaj i mjafton të jetojë në “hapësira demokratike” të një Jugosllavie (Serbi e Mal i Zi)…

Sali Berisha, kur ishte në Kosovë, shkoi dhe u fal para Varrit të Adem Jasharit, të cilin Serbia kurrë nuk mundi ta burgoste, por të cilin e pat burgosur SHIK-u i kohës së Berishës president. Sali Berisha vuri lule dhe u përkul edhe para Varrit të Ibrahim Rugovës. Ndërsa më 1996, gjatë vlimeve kundër regjimit të Millosheviçit në Serbi, duke futur përçarje ndërmjet liderëve të Kosovës, po atë Rugovë donte që nga Tirana (!) ta zëvendësonte me Demaçin. Sali Berisha kujton se kosovarët kanë harruar se gjatë luftës së përgjakshme në Kosovë, ai nuk e kishte prioritet daljen zot vëllezërve që po thereshin nga kama serbe, por mitingjet e përditshme për të rrëzuar qeverinë…

Mbrëmë të lexova, të dëgjova dhe të pashë. Kam dhimbje, kur shoh se tash më nuk ka mbetur vend për farë komenti me titull të ngjashëm me atë të 18 vjetëve më parë: “Mati fjalët, zoti president!” Për Ty nuk ka më shpresë. Lamtumirë, z. kryeministër! Nuk ishte ky vend për ty. Këtu ishe gabimisht dhe fatkeqësisht. Rroftë Shqipëria! Rroftë Republika!