
Arben Rrozhani, 18.05.2010
“Shënomëni edhe mua”, një titull drame shqiptare shkon shumë për një dramë të ditëve të sotme: atë që po luhet në sheshin mes zyrave të Ekzekutivit dhe të Legjislativit, ku mbi 150 shpirtra për minutë e më të drobitur janë sot në ditën e 18-të të grevës së urisë.
Ky titull dramatik shkon shumë dhe me dëshirën e shumë njerëzve që sapo t’i lënë të futen atje tek ato çadra që janë bërë prej mbrëmjes së 30 prillit simboli i rezistencës që një populli të bashkuar rreth politikës që nuk kërkon asgjë më shumë se të shohë çfarë bëri qeveria e shkuar dhe kryeministri i sotëm me votën e 28 qershorit 2009.
Të shkosh në grevë urie përtej lajmit të ditës, është një nder dhe sakrificë. Janë parë shumë të tilla dhe janë mbushur qindra faqe gazetash.
Shumë prej tyre i ka bërë PD-ja. Si ajo e vitit 1997, kur disa ish-gjyqtarë të ardhur nga shtresa e të përndjekurve mbylleshin në selinë e një partie të djathtë në rrugën “Mine Peza”, nën thirrjet e vazhdueshme për qëndresë të PD-së së dalë në opozitë.
Si ajo e disa prej eksponentëve po të PD-së të ndryrë në një furgon përpara selisë së RTVSH-së, që protestonin kundër përdorimit politik të medias publike nga qeveria e Fatos Nanos.
Apo si greva unikale e Mandelës së Shqipërisë, Pjetër Arbnori, po në atë kohë në emër të lirisë së medias dhe të shprehjes, në njërën prej zyrave të Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë. Apo qoftë edhe si greva e partive të vogla dy vite më parë, kundër Kodit të ri Elektoral, në sallën Plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Këto greva urie, që nuk mund t’i bëjë kush tjetër përveçse opozita që ndjehet e dhunuar nga pozita në pushtet, si në rastet e cituara më sipër janë një pasuri jo vetëm politike dhe historike, por edhe njerëzore.
Sepse pavarësisht fyerjeve dhe sarkazmës nga ana e pushtetit të nginjur, shumica ka shprehur admirimin për lëvizjen paqësore të atyre personazheve, nga Arbnori, Meta e deri te 200 grevistët e sakrificës së sotme të urisë.
Sot është e vështirë të mos jesh sot solidar me këtë formë ekstreme proteste, ndaj një kërkese kaq minimaliste, sa demokratike aq edhe kushtetuese: të shohësh se çfarë ka bërë pushteti me votën tënde të hedhur më 28 qershor 2009.
Shumica prej nesh ka votuar në qendra të qetë dhe të mirëvëzhguara të Tiranës, përballë komisionerësh korrektë dhe buzagaz, me bojë në thua, numrat e identifikimit përbri gjeneraliteteve, mbushjen e fletës së votimit i strukur mirë pas perdes. Por nuk ngjau kështu nëpër Shqipëri. Sepse ndodhi si në Ruzhdie.
Dosja e saj të ngjall neveri dhe pesimizëm. Komisionerë të pushtetit që votojnë në emër të bashkëfshatarëve që kanë ikur nga sytë këmbët për të siguruar bukën e gojës në emigracion, që radhitin numra serialë dhe identifikimi falsë, që kërcënojnë me vdekje kolegët e opozitës pse nuk pranojnë të bëhen pjesë e manipulimit zgjedhor, komisionerë si ai i Ruzhdies, që si për ironi të faktit ka shtëpinë më të mirë në fshatin që po gremiset dhe ku duhet disa orë për të vajtur edhe pse është pak kilometra larg Fierit.
Mbi ta janë urdhëruesit e tyre në Tiranë, që ditën e pasvotimeve e kthyen shesh beteje për të vjedhur mandate të mjafta sa për të siguruar shumicën parlamentare, paçka se ishin zotuar se do të bënin zgjedhje të lira dhe ndershme, siç i ka hije një vendi që sapo ishte pranuar në NATO dhe sapo kishte dorëzuar zarfin e aplikimit për anëtarësim në BE.
Nga Afganistani apo Iraku i përgjakur, te Rumania anëtare e BE-së, kur pati kërkesa të tilla kutitë e hapën, çdo votë u numërua dhe qeveritë dolën të palara para popullit, ndërsa e vërteta në shesh.
Si qytetar është e vështirë të mos jesh solidar me grevën e urisë dhe kundër qeverisë, e cila gati pas një viti, kur lançoi sloganin “Shqipëria po ndryshon” e ka mbajtur fjalën, sipas mënyrës së vet, dhe ky vend po ndryshon përditë e për më keq.
Sepse vetëm një qeveri që merr çfarë të mundë, në fillim votën pastaj paratë mund të bëjë me vendin siç po bën qeveria aktuale me shqiptarët, të cilët po bëhen gjithnjë e më të varfër dhe gjithnjë e më të papranueshëm nga komuniteti ndërkombëtar, përballë një kaste pushteti gjithnjë e më të pasur dhe më arrogante.
Këto ditë qëndrese paqësore, kanë vënë përballë dy kampe në Shqipëri, që kanë interesa të kundërta: nga njëra anë është pushteti me të (pa)ngopurit e tij që nuk kanë ndërmend të lëshojnë asnjë fije të pushtetit të rrëmbyer me mashtrime dhe manipulime në 28 qershor 2009, ndërsa përballë tij është armata e të uriturve, që nëse janë shtuar, kjo është për meritë të keqqeverisjes dhe kanë shumë më tepër arsye të bashkohen paqësisht kundër qeverisë te çadra e urisë, duke kërkuar “shënomëni edhe mua!”.







