Nga Ardian Ndreca, 13 dhjetor 2011
Në fillim të dhjetorit ndërroi jetë shkrimtari dhe politikani Sabri Godo. Kam pasë gjithnji përshtypjen se ishte mësue, urtë e butë e pa u ndie, me i shenjue golat e vet në pushimin e ndeshjeve e kajherë në kohën shtesë, tue u nda gjithmonë të paktën me nji pikë. Partia e tij mbeti deri në fund pa nji profil të fortë, diçka e mefshtë dhe gati e papranishme, si vetë themeluesi, por e gatshme me marrë copën që i takonte në çdo situatë. Dy tri gjana mund t’i kujtojmë Godos si politikan: tonin e shtruem të zanit, çështjen e pronave, sidomos ato të palës së tij, dhe nji lloj kundërvumjet gati instinktive ndaj Greqisë.
Epitetin “plak i urtë” ja pat ngjitë Nikollë Lesi me shpotí, por ndodh kajherë që shpotija të kthehet në nderim, dhe cilësori “i urtë” me shumësinë e vet kuptimore e lejon plotsisht këtë gja. Njiherë pata rastin që të m’a spjegonte ai vetë thelbin e motos partiake: “Atdheu fillon tek prona”. Shpjegimi ishte ma skandaloz sesa vetë motoja, prandaj ia vlen me u marrë pak me ketë çeshtje. Prej nji republikani do të kisha pritë që atdheu, apo jeta shoqnore, të bazohej tek puna, jo tek prona.
Por ja që nji republikan improvizator i shek. XX shpluhnoste nji parim feudal, i cili kishte 100 vjetë që ishte demodé, e madje donte me ua shitë shqiptarëve si të ishte nji shpikje gjeniale. Edhe po t’i bashkoj me mend të gjitha argumentet që përmblidhte Godoja në favor të tezës së tij, nuk mbërrij me krijue as ma të voglin respekt për atë tezë anakronike.
Identifikimi i atdheut me pronën në kontekstin e Godos asht rrjedhojë direkte e nji shkaku historik që la mbrapa dy efekte me randësi. Shkaku asht raporti mohues i sistemit komunist me pronën private, ndërsa efektet e këtij raporti janë themeli i teorisë së gabueme të Godos. Efekti i parë asht mendësia dhe botëkuptimi materialist i jetës që rranjosi ideologjia komuniste në Shqipni. Efekti i dytë ka të bajnë me reagimin e ligjshëm ndaj padrejtësisë që u ba në lidhje me pronën. Ndodh shpesh që mekanizmi i reagimit të çojë përtej cakut të logjikshëm të asaj që asht e drejta në vetvete. Teoria e Godos i kundërven mohimit të së drejtës së pronës private tek ne, ekzaltimin dhe shenjtnimin e saj si bazë e shoqnisë e madje edhe si personifikim i atdheut.
* * *
Prona në vetvete asht diçka sasiore, dhe si e tillë mund të mbarështohet por edhe mund të humbet e të firojë. Me konceptue kësodore atdheun domethanë me e cilësue “ma me atdhe” nji person që zotnon ma shumë prona, ndërsa nji tjetër që ka ma pak prona me e pa si nji që ka “ma pak atdhe”, e si rrjedhojë edhe ma pak të drejta në gjinin e kolektivitetit. Teori për sèri kjo, sidomos për nji republikan!
Pronësia fitohet, humbet, tjetërsohet, ndërsa atdheu jo. Ndodh madje që edhe kur të zbojnë nga atdheu, ti vijon me e trajtue atë si atdheun tand. Rasti i arbëreshëve asht paradigmatik. Ata, edhe pse kishin humbë pronat e tyne prej shekujsh, s’e harruen atdheun dhe pak nga pak i dhanë nji hov lëvizjes kombtare për çlirimin e tij, pa mtue asnji pronë përveç idealit të lirisë.
Në Perëndim ka ma se nji shekull që përfaqsimi dhe vetë zgjedhja e përfaqsuesve nuk bahet në bazë të pronave e në bazë të taksave që paguejnë qytetarët. Në demokraci votojnë dhe zgjidhen si ata që kanë, si ata që s’kanë prona. Kjo ndodh pikërisht pse era moderne ka shti elementin politik, si faktor themelor të jetës publike. Prona kishte randësi themelore në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve në Greqinë dhe në Romën e lashtë, e ma vonë në Mesjetë. Duhet thanë së pari se e drejta e pronësisë asht e lidhun ngusht me pasjen e pronësisë, e ky asht nji koncept mjaft relativ dhe i diskutueshëm, mbi të cilin nuk mund të ndërtohet në mënyrë solide jeta e nji kombi.
E në fakt lindja e kombeve përkon me lindjen e nji konceptimi të ri të pronës. Në antikitet pronësia e parë e njohtun ishte ajo familjare. Soloni psh. ua kishte ndalue pjesmarrjen në agorà, në asamblenë e qytetit, plangprishësve, si të padenjë me u marrë ligjet e qytetit. Ma vonë lindi dhe u forcue e drejta e pronësisë individuale. Pronësia pranë romakëve nënkuptonte idenë e dominium-it, edhe kjo ide sasiore që përfshinte të drejtat e përdorimit, të vjeljes së fryteve, të shitblemjes etj.
Tue nisë prej fillimeve të ‘800 e drejta civile asht zhvillue në linja krejt tjera e sot ideja e pronësisë shpreh të drejtën që njerzit kanë me i gëzue dhe me i përdorë gjanat lirshëm, me kusht që mos me veprue kundër ligjeve. Megjithëse prona ndahet në publike (res publica) dhe private (res privata), Godoja kërkonte me e justifikue idenë e tij të atdheut tue u mbështetë tek shenjtnija e pronës private.
Kushtetutat dhe ligjet republikane e trajtojnë pronën private si të nënrenditun në raport me pronën publike, prej këtu rrjedh instituti i shpronësimit me ligj, tue parashikue shpërblimet përkatëse, kur nji akt i tillë kërkohet për me realizue të mirën publike. Me triumfin e kësaj logjike, prona nuk shihet ma (si në lashtësi) si nji atribut i personalitetit të njeriut, por zhvillohet në vetvete si çështje në kapitullin që i takon raporteve ekonomike të së drejtës civile.
Pra, çeshtja e pronës lidhet ngushtë, jo thjesht me titullarin e saj, por edhe me ata që janë pjesë e bashkësisë civile. Prona fiton kështu nji funksion social dhe kjo gja ban që të tejkalohet koncepti individualist i pronësisë. Fryt i këtij zhvillimi asht tatimi mbi pronësinë dhe e drejta e shtetit me vjelë tatimin e kalimit të pronësisë. Kjo gja i lejon bashkësisë (res publica) me u imponue si subjekt unitar dhe sovran përballë shumësisë së pronarëve të veçantë.
Kurse ideja e Godos na kthen edhe nji herë tek koncepti i vjetër individualist i pronësisë, mbasi tentativa e tij me e bazue idenë e atdheut tek faktori pronë paraqitet sot thjesht si nji ide antirepublikane. Mendime të tilla janë fryt i nji bote me dimensione të mbylluna, pa horizonte shpirtnore, të mbrujtuna me tharme të forta materialiste. Prapseprap Godos i ka dalë mbarë themelimi i partisë republikane, edhe pse kjo parti s’ka dhanë ndonji kontribut për t’u mbajtë mend në politikën shqiptare, përjashto këtu atë të ministrit Mediu.
Vrionasit janë ata që deri tashti kanë përfitue ma shumë se kurrkush prej damshpërblimit të pronave. Ketë gja e dëshmon edhe vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 13/7/2011, që u dha atyne nji shumë mjaft të majme si damshpërblim. Ç’ftyrëzim i trishtueshëm: atdheu/pronë i konvertuem në euro që shtegton në mënyrë anonime drejt bankave të botës! Ato të holla, sado të ligjshme që të jenë, nuk mbartin me vete asnji karakteristikë të atdheut; të kundërten mund ta besojnë vetëm ndonji ndjekës i thekun i Karl Marksit.
* * *
Por s’duhet harrue se plaku i urtë Godo, si konformist i klasit të parë deklaroi, në gushtin e kaluem, tek emisioni Fakt i Ç. Pekës, se simbas tij Berisha duhet të bahej President i Republikës dhe Basha, meqë asht nji “burrë fisnik”, duhet të bahej kryeministër dhe leader i PD. Pohime të tilla nuk i bajnë sot as vetë korifejtë e PD-së, por Godoja shtyhej kaq shumë për me sigurue nji “captatio benevolentiae”, si për partinë e tij fantazmë e pa asnji karakter republikan ashtu dhe për interesat e tija personale.
Me atë rast kryerepublikani Godo, tue iu bashkue korit, nuk i kurseu kritikat ndaj presidentit Topi për “diapazonin e tij prej 100 fjalësh” në zgjidhjen e krizës. Nji që e njeh kushtetutën tonë i di mirë edhe atributet e presidentit në ketë fazë kaq delikate. Aq ma tepër që atëherë kur Presidenti i Republikës quhej “puçist”, kryerepublikani i urtë Godo nuk mbërrinte me lidh dy fjalë kuptimplote.
Duhet thanë se vetë Godoja nuk asht shque për nji diapazon të gjanë fjalësh. Madje edhe ato i ka shqiptue me za të ultë, si plak i urtë që ishte, aq sa i mjaftonte me zgjidhë punët e veta. I paqortueshëm në konformizmin e tij, s’mbrrijti nji herë të vetme me e thanë nji fjalë kundër rrymet. Më lind shpesh dyshimi se ata që kanë ba Shqipninë e mosvarme, këtu e 100 vjet të shkueme, nuk mendonin me e nda atë në nji mori zagnash për me i shitë turrë nën halí, tue grabitë m’nji anë pronarët e ligjshëm, e çka asht edhe ma keq tue grabitë Shtetin shqiptar.
Edhe mbas 20 vjetësh që ka ra regjimi komunist, nji kob i madh na ndjek: njerzit vijojnë me u vra për pronën. Shqipnia dhe fati i saj politik janë lanë në mëshirën e të padenjëve, kurse për pronat vijon me u derdhë gjak i çmueshëm shqiptarësh. Por asnjiherë nuk do ta zgjidhim çeshtjen e pronës private (res privata), po nuk u forcue e po nuk pati dinjitet respublica, pse asht pikërisht ajo që na bashkon.
E ajo që na bashkon duhet të jetë ma e fortë në ndërgjegjen e shqiptarëve se ajo që na ndan në ngastra a në zagna shpirtnore e landore.