Arjan Th. Kallço
40 vjet më parë u hap në Tiranë, më 20 nëntor të vitit 1972, Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe. Në të morën pjesë 87 delegatë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, si dhe arbëreshë nga Italia. Kongresit synonte të përcaktonte parimet dhe drejtimet kryesore të hartimit të drejtshkrimit, për të pasur një gjuhë letrare të njësuar. Kongresi i Drejtshkrimit ishte akti më sublim i shqiptarëve, i të gjitha trevave shqipfolëse si një mesazh i qartë i bashkimit të shpirtit, të mendimit dhe të shprehjes së identitetit tonë kombëtar, rreth një gjuhe të ngritur në normë standarte.
Në përkujtim të këtij evnti të pashembullt për një komb dhe veçanërisht të shqiptarëve, u zhvillua në pranë Universitetit Fan S. Nolin ë Korçë një Akademi përkujtimore në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë dhe 40 vjetorit të vetë Kongresit. Ishte një nismë mbarëshqiptare që nga Korça, Tirana në Prishtinë me pjesëmarrjen e të gjithë faktorit shqiptar kudo që ndodhen në Ballkan e më gjerë.
Në seancën e parë që u mbajt më datën 16 nëntor në sallën e amfiteatrit të universitetit morën pjesë disa prej delegatëve të Kongresit, si një dëshmi e gjallë e të gjitha përpjekjeve të emrave më në zë të gjuhësisë shqiptare që dhanë një kontribut tepër të vyer për gjuhën dhe kulturën shqiptare, akademikë, studiues, pedagogë, studentë dhe të ftuar të tjerë që e ruajnë dhe e pasurojnë simbolin më të shenjtë të shqiptarizmës.
Në fjalën e hapjes dekani i fakultetit të edukimit dhe Filologjisë Ali Jashari shprehu mirënjohjen e thellë për delegatët e kongresit, si guri i themelit që nuk mund të rrukulliset dhe të bjerë në kohën e sotme, si homazh i të gjithë firmatarëve dhe emrave më të shquar të shkencës shqiptare. Aktualisht po përballemi me një problem serioz që lidhet me gjuhën dhe mendimet e shfaqura në faqet e shtypit dhe në vend që t’i bëjnë jehonë bashkimit që solli kongresi, përkryerjes së gjuhës, po përpiqen t’i vënë shkopinj në rrota ecjes në këtë rrugë të mbarë që i pati fillesat në vitin 1972. Ai ngriti dy probleme që lidhet me stadin e sotëm të gjuhës: politika e duhur shtetërore gjuhësore e duhet të jetë e detyrueshme dhe evidentimi i arritjeve të deritanishme si baza shkencore e dijeve që shkollat tona duhet të përhapin.
Poeti i shquar Dritëro Agolli në përshëndetjen dërguar Akademisë kujton një vit më parë momentin e nderimit që Universiteti i bëri atij dhe memoriet e gjalla të atyre ditëve të paharrueshme të kongresit. Ai vuri theksin tek një fakt me të cilin po përballemi sot, ndotja e gjuhës shqipe nga fjalët e huaja që i ngjan ndotjes së natyrës ku jetojmë.
Akademiku Rexhep Qosja në mesazhin e vet e konsideron Kongresin si ngjarjen më të madhe kombëtare për identitetin dhe kulturën tonë. Gjuha shqipe i ka të gjitha mundësitë që të pasurohet më tej, por pa ia ndryshuar standartet, duke hedhur poshtë zërat për përpjekjet që kërkojnë ndryshime të tyre.
Profesori i universitetit të Çikagos, Victor Friedman, theksoi se pasurimi është zhvillim dhe për të huajt është e rëndësishme që gjuha të ketë standarte, pasi do të sjellë afirmimin e vetë gjuhës.
Në emër të Akademisë së shkencave përshëndeti akademiku Jorgo Bulo i cili e vuri theksin tek rëndësia e Kongresit të drejtshkrimit dhe të detyrave që ka vetë akademia për mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës. Më pas disa prej delegatëve sollën kujtimet e tyre të nëntorit të 40 viteve më parë, si nismëtarë të ndryshimeve të domosdoshme në emër të nëj ideali mbarëkombëtar.
Rektori Gjergji Mero në emër të senatit nderoi disa prej delegatëve si Nikoleta Cikuli, Emil Lafe, Rexhep Qose etj. në shenjë respekti për veprën e tyre që do të kujtohet gjithmonë nga shqiptarët, pasi ishte një ndihmesë në zhvillimin e gjuhës amëtare, por edhe një trashëgimi historike për brezat.
Në seancat e datës 17 nëntor u mbajtën rreth 40 kumtesa që lidhen me hapin e guximshëm të kongresit dhe rëndësia e tij, me zhvillimin e gjuhës në këto 40 vjet, me standartin e saj, ecuritë dhe problemet e gjuhës në disa treva në Kosovë, Mal të Zi, Fyrom, kontributin e studiuesve dhe patriotëve shqiptarë në gjuhë etj. Në mbyllje të punimeve të Akademisë studiuesi Gjovalin Shkurtaj lexoi një promemorie në emër të të gjithë organizatorëve, pjesëmarrësve dhe kumtuesve duke e vlerësuar kongresin si një realizmin të idealeve kombëtare për një gjuhë të përbashkët të të gjithë shqiptarëve dhe rëndësinë e Akademisë në kujtim të tij, si një detyrë e të gjithëve për ta mbajtur gjithmonë në qendër të vëmendjes gjuhën shqipe, duke e lartësuar në piedestalin e gjerë të kulturës sonë.
Pasdite Akademia u zhvendos në një vizitë tepër simbolike në Voskopojë ku u njohën me historinë e kësaj qendre të shquar të dijes.
*) Pjesëmarrës në Akademinë solemne