Shënjestra e radhës

0
36

Mero Baze

Nga Mero Baze

Debati më i fundit publik mbi zëvendësimin e vendeve bosh në KLD, duke mbledhur Konferencën Gjyqësore në mungesë të një ligji, tregon përpjekjen e shumicës në pushtet për të marrë me çdo çmim kontrollin mbi KLD, të cilën e konsideron hallkën e fundit jashtë kontrollit të saj. Problemi është i thjeshtë. Katër anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë u ka kaluar afati kohor i zgjedhjes, dhe sipas ligjit duhet që Konferenca Gjyqësore t’i zëvendësojë. Ligji i Konferencës Gjyqësore, mbi të cilin ata janë zgjedhur, ndërkohë ka një vit që është bllokuar nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues. Në kushtet e vakuumit ligjor gjatë një viti, qeveria nuk ndërmori asnjë masë për ta amenduar atë në bazë të rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese, edhe pse e ka pasur konsensusin e opozitës në Kuvend.

Shkaku ishte se qeveria nuk e kishte të sigurt para zgjedhjeve, nëse Konferenca Gjyqësore i bindej pushtetit apo jo. Pas zgjedhjeve, kur arroganca e pushtetit duket më e madhe, shumica shpreson se një mbledhje antikushtetuese e Konferencës Gjyqësore mund të favorizojë kandidatët e saj. Por në rastin më të keq për të, edhe nëse nuk i favorizon kandidatët e saj, ajo ka të drejtë të thotë që zgjedhja nuk quhet, pasi Kushtetuesja e ka hedhur poshtë ligjin.

Pra e gjithë kjo zhurmë është thjesht një përpjekje për të kapur një hallkë të pushtetit të drejtësisë që është KLD. Nëse ia arrin, qeveria e quan fitore, nëse jo, e quan antikushtetuese, ashtu si në fakt dhe është. Kjo përpjekje e bën dhe më të keq imazhin e qeverisë shqiptare, e cila është kritikuar ashpër nga Progres-Raporti i BE për përpjekjen e saj konstante për kapjen e pushtetit gjyqësor. Ajo që Perëndimi kërkon nga qeveria shqiptare, është që të demonstrojë se është për një koncept të qartë të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe të ofrojë planin e saj për të ardhmen e sistemit të drejtësisë. Qeveria deri më sot nuk ka paraqitur asnjë strategji mbi formën përfundimtare të sistemit gjyqësor në vend.

Qeveria shqiptare ka shmangur me vetëdije hartimin e një strategjie me konsensus për reformat në drejtësi, me qëllim që të avancojë drejt kapjes së sistemit. Kështu, pavarësisht ligjeve të mira apo të këqija që janë bërë në lidhje me reformat në drejtësi, ato nuk janë në sinkron me një objektiv përfundimtar. Ajo që tani është problem në drejtësinë shqiptare, është se çdo ligj i ofruar për t’u miratuar është një tentativë për të kapur sistemin prej shumicës dhe jo pjesë e një objektivi përfundimtar, të miratuar me konsensus nga të dy palët. Pikërisht për këtë shkak kriza nuk ka të bëjë vetëm me mungesën e opozitës në Kuvend, por me mungesën e një vizioni të përbashkët për drejtësinë, për ta shkëputur atë më tej nga ndikimi politik dhe beteja e vazhdueshme për ta vendosur atë nën kontroll.

Përpjekja për të kapur me radhë shkallët e sistemit të drejtësisë, herë me ligjin për Konferencën Gjyqësore, herë me ligjin për administratën e sistemit gjyqësor, herë me propozime skandaloze, siç është ky i fundit për të zëvendësuar një vendim të Gjykatës Kushtetuese me një rregullore, tregojnë qartë se e vetmja strategji që ka qeveria shqiptare është kapja e sistemit dhe jo ndërtimi i një drejtësie të pavarur. Kjo tendencë shumë negative e qeverisë mund t’iu kushtojë rëndë qytetarëve shqiptarë, të cilët presin që Shqipëria të plotësojë kushtet që Brukseli i ka vënë për liberalizimin e vizave, ku reformat në drejtësi dhe heqja dorë nga kontrolli mbi gjyqësorin janë ndër pikat më të rëndësishme.