Shënime të fundvitit

0
34

Pëllumb Kulla, 2 Janar 2012

Një katundar zbriti në Tiranë dhe pyeti se si mund të bëhej milioner. I thanë që bëhej ashtu, po të merrej me politikë. Katundari pyeti se çfarë ishte politika. I thanë që është një zanat që ushtrohet duke u kujdesur për fatet e kombit.
U bënë pesëmbëdhjetë vjet tani, që katundari kujdeset pa pushim për fatet e kombit!

* * *

Amerikanët na mësojnë edhe se si kursehet koha. Ata përdorin shumë gërmat e para në vend të emrit të plotë. Psh, thonë JFK, në vend të John Fitzgerald Kennedy. Pastaj përdorin CNN, FBI, CIA e shumë iniciale të tjerë, që ata i quajnë akronime. Për drejtues automjetesh të dehur shënojnë statusin DWI (Driving While Intoxicated). Dhe, ja, me anën e këtyre akronimeve, me 10-12 gërma, ata mund të të tregojnë një histori të tërë, si kjo:
“CNN tha sot se CIA dhe FBI fshehin një raport të vjetër policie mbi JFK të kapur në DWI”
Po të futeshin akronimet në Shqipëri, Sali Berishës do t’i thoshin SB. Duket si shaka, por a e merrni dot me mend sa tonelata bojë do të kursenin përditë gazetat këtu?!

* * *

Atdheu ynë sot është vendi, ku një turp i kombit jeton me mirë se ai që është
“Nder i Kombit”

* * *

“Shtyhet afati për të paraqitur dokumentat për dëmshpërblimin e të burgosurve politikë të diktaturës enveriane, deri në 30 qershor të vitit 2033”
Nga një copë gazetë e shqyer e vitit 2032

* * *

Historinë nuk e bëjnë heronjtë dhe trimat e kombit. Atë gjithnjë e kanë bërë historianët e Akademisë së Shkencave, që paguhen mire për ta bërë atë.

* * *

Dihet mirë tani, se qendrat më të rëndësishme të formimit, në Shqipëri, janë Instituti i Kulturës Sportive dhe Fakultetit i Mjekësisë. Pranimi i studentëve atje, sot, bëhet me shoshë të hollë. Tashmë është kuptuar, se studentët nuk shkojnë atje për t’u bërë trainerë, pediatër dhe kardiologë, por deputetë, ministra dhe kryeministra.
Kështu, pas vitesh fatet e vendit do të jenë në dorën e mundësve!

* * *

Është më mirë kur punët e shtetit i drejtojnë të ngopurit, pasanikët. Që shtetin ta drejtojnë pasanikët, ka dy rrugë: ose pasanikët të bëhen ministra, ose ministrat të bëhen pasanikë! Në vendin tonë po ndodh kjo e dyta: ministrat po pasurohen! Kot bëhet gjithë kjo zhurmë: vjedhjet tek ne bëhen me pikësynime të ndershme.

* * *

Një polic për kilometër! E skandalizuar nga numri gjithnjë në rritje i aksidenteve nëpër rrugë, qeveria shqiptare paska urdhëruar që në çdo kilometër të vendoset një polic! Një polic në çdo kilometër, kjo është direktiva që publikoi Këshilli i Ministrave!
A do ta zgjidhin vallë problemin këta policë të vendosur në çdo kilometër? Jo, nuk është e sigurtë. Ajo që është e sigurtë është ndërrimi i gjuhës tradicionale të popullit. Tani e tutje do të dëgjosh të moshuar që nxjerin kokën nga dritarja e veturës dhe të pyesin: – “Edhe sa policë larg, është Çorovoda që këtu, more bir?” Apo, në një anë të autostradës, një shef i Policisë Rrugore t’i ulurijë një shoferi: -“Si guxon, more maskara, të më fluturosh me dyqind policë në orë?!” Kurse në sheshin ku shiten e blihen veturat e vjedhura, do të dëgjosh: – “Ta gëzosh Benzin e ri! Vetëm mos harro t’i ndërrosh rregullisht vajin, në çdo katër mijë policë!”

* * *

Shpesh, monarkët iknin nga maja e shtetit dhe duke fshehur identitetin, shkonin të bënin punë të rëndomta, si hamej dhe si pjatalarës, që të njihnin jetën poshtë.
Tek ne, në Shqipëri, ndodh e kundërta: njerëz të rëndomtë, duke fshehur identitetin, venë në majë dhe udhëheqin punët e shtetit, që të njohin jetën lart.
E pastaj, aha, nuk kthehen më poshtë!

* * *

Ai që zgjidhte kandidatët për kryesinë e dinte mirë kërkesën e Kryetarit: ata duhet të ishin të bindur, besnikë dhe kurrsesi më të mënçur se Kryetari. Me dy cilësitë e para gjendeshin plot. Me cilësinë e tretë nuk gjendej dot asnjë.

* * *

Mund të ma marrin edhe për mungesë patriotizmi, por unë e them dhe e përsëris se hajdutët e huaj që vjedhin nëpër vendet e tyre, i dua më shumë se hajdutët shqiptarë që vjedhin në Shqipëri.

* * *

Ime shoqe mua më ka kujdesin e saj të parë. Nuk pyet për veten ajo, ngaqë çdo gjë e imja për të është e shënjtë. Ja, përshëmbull: më shumë kujdeset për vjehrrën time, se për vjehrrën e saj.

* * *

Sado që nuk ka më të shtrenjtë se nëna, kushuriri i tretë i nënës, nuk është nëna vetë!

* * *

Në dramaturgjinë tonë të realizmit socialist, tekstin e personazhit negativ, ne na e shkruante gjithmonë pozitivi.

* * *

Zgjedhjet shqiptare edhe këtë herë patën probleme të shumta, por pa dyshim janë më të mirat e të gjitha zgjedhjeve të zhvilluara deri sot në Shqipëri.
Faqe e parë e gazetës Frankfurter Algemajne e vitit 2049

* * *

Një shoku ynë bënte aq shumë gabime në të folur, saqë, pa ç’pa, nisi të mësonte gjuhë të tjera.

* * *

E nga të mos e ndjej veten të fyer atje në stadium? Kur skuadrat dalin në fushë të fillojnë ndeshjen, vetëm unë nuk e di rezultatin.

* * *

Fatos Nano po boton veprat e plota. Interesante është vepra e tij e 19-të: është një libër i trashë me fletë të bardha, boshe!… Shumë e kanë menduar këtë si defekt të maqinerive të shtypshkronjës. Është e sigurtë që kjo vepër do të blihet brenda ditës, sidomos nga brezi i ri. Shtëpia botuese doli me njoftimin se nuk do ta heqë atë nga tregu. Zëdhënësi i saj tha se vepra e 19-të e shokut Fatos nuk është me fletë të bardha, as si pasojë e gabimeve teknike të shtypshkronjës dhe as e destinuar si bllok shënimesh për shkollarët, por është një botim i plotë, besnik dhe i hollësishëm i heshtjes së Fatos Nanos në gjyq, kur akuzohej për vjedhjen e ndihmave italiane.
Heshtja botohet për herë të parë.

* * *

Politikanët e sotëm shqiptarë i shohin milionat e grumbulluara nga kundërshtarët, jo si objekte për t’i hetuar, por si objektiva për t’i tejkaluar.

* * *

Edhe komshiu ynë pensionist botoi një libër në këtë fundviti. Në atë libër ai rri e kujton fijepërpe se ç’ ka hequr gjatë diktaturës. Kujton fijepërpe se ç’i kanë bërë dhe si u është përgjigjur ai. I tregon me hollësi dhe është e çuditshme se si ai i mban mend ngjarjet fijepërpe. E kjo nuk ka lidhje, nëse ato që tregon komshiu ynë kanë ndodhur apo jo.

* * *

Ju them unë, se kur do të trokasë demokracia në Shqipëri: deklarimet pompoze, përgjërimet se në Shqipëri ka liri, demokraci dhe rend të plotë, janë fishekzare! Demokracia tek ne nis atë ditë, kur ata që marrin pushtetin nuk ndërrojnë doganierët.

* * *

Shkrimtari L.M. shkruan e boton pa pushim. Ai me të shkruar e ne me të lexuar, nuk po e arrijmë që nuk po e arrijmë dot.

* * *

Njerëzit që flasin shumë janë për të qarë hallin, se nuk kanë fare hapësirë të dëgjojnë të tjerët.

* * *

Këta pasanikët e rinj po e kalojnë gjysmën e jetës duke u filmuar ngado që venë dhe gjysmën duke parë filmimet.

* * *

Tërë kurvat kanë pasion të veçantë të zbulojnë kurva të tjera: sa më shumë!

* * *

Atdheu ynë e flaku komunizmin dhe ka nisur rrugën e gjatë për në Amerikë. E përderisa bota është e rrumbullaktë Shqipëria nuk po kalon nëpër Europë, por po i bie këtej, nëpër Azi.

* * *

Njerëzit janë hileqarë kur theksojnë se peshku i madh e ha të voglin e nuk e zenë hiç në gojë që njeriu i ha që të dy këta peshq!

* * *

Eh, moj motër, si kanë ardhur kohët! Sot të vjen nusja te burri me veshë të pashpuar e ia shpon e vjehra që t’i varë vëthët. Ato që duhet t’i shponin tek e ëma, i shpojnë te burri, kurse ato që duhet t’i shponin te burri, i kanë të shpuara që tek e ëma!”

* * *

Zotrote e ke mirë se kur të fryhet barku, shfryn me bythët e botë!

* * *

Shkolla që mban emrin e Naim Frashërit e fton vazhdimisht Mensurin në mbledhje të prindërve. (Mensuri, Naim Frashërin e di drejtor të shkollës!)

* * *

Fjala e urtë thotë “zgjidhi shokët më të mirë se veten”. Kjo e ngatërron shumë botën e njerëzve. Shokët e mi, përshembull, nuk e bëjnë dot. Se nuk mund ta bëjnë edhe ata, kur e kam bërë unë.

* * *

Njëherë vaktit, shteti i rripte lëkurën individit për të mirë të përgjithëshme. Sot për të mirë të tij, individët po i rrjepin lëkurën e përgjithëshme shtetit!…