ResPublica.al, 10 maj 2013
Le të fantazojmë për një sekondë sikur 27 shtetet që formojnë aktualisht Bashkimin Europian (28 me hyrjen e Kroacisë korrikun e ardhshëm), të “bashkoheshin” me të vërtetë. Do lindte një gjigant ekonomik, politik dhe ushtarak. Por le ta lëmë mënjanë vëzhgimin partizan të një europiani dhe të analizojmë thjesht numrat.
Ekonomia, si fillim. BE-ja gëzon një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 17 mijë miliardë dollarë, ndërkohë që pasuria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mund të llogaritet në 15 mijë miliardë dollarë. Kina renditet e treta me 7 mijë miliardë dollarë, pothuajse 60% më e varfër nga “varfanjakët” europianë. Dhe akoma: 15,6% e gjithë tortës së eksporteve botërore zotërohet nga Bashkimi Europian, shifër kjo tejet domethënëse nëse merret parasysh kuota e amerikanëve veriorë, vetëm 8,3%. Çdo qytetar europian ka një fuqi blerëse katërfish më të lartë sesa një kinez, trefish sesa një brazilian dhe nëntë herë më shumë sesa një indian. Nëse dikush do duhej të zgjidhte se ku të rrisi fëmijën e vet, në BE-në e pllakosur nga kriza apo në të ashtuquajturat “fuqitë në ngjitje”, nuk besoj se do kishte kurrëfarë dilemash.
Fillova analizën me fjalën “sikur”, sepse BE-ja, për fat të keq, nuk është akoma një Shtet federal dhe nuk ka gjasa të jetë i tillë në një të ardhme të afërt. Si gaforret që ecin dy hapa para dhe një hap anash, Gjermania me shokë po kërkojnë të përforcojnë edhe më tej bashkëpunimin politik për të pasur një zë të vetëm, një strategji të vetme dhe qëllime të përbashkëta. Deri atëhere BE-ja është një “gjigand me këmbë prej argjile” i cili ecën me vështirësi por që nuk mund të nënvlerësohet sepse po i preve rrugën, mund edhe të të shtypi. E.Xhanari