SHENIM/ Shteti dhe tragjeditë tona kombëtare

0
45

Vizion Plus, 22 Maj 2012

Tragjedia e së hënës në Himarë vuri edhe një herë në provë shtetin që kemi, në terezinë e funksionimit te tij. Ngjarja me bilanc të frikshëm, jo vetëm nuk u parandalua, por edhe pasoja e saj nuk u mirëmenaxhua. U deshën të paktën 13 jetë të reja dhe mbi 20 plagosje, që të ringremë dilemat mbi pasiguritë që na bashkëshoqërojnë, që nga cilësia e diskutueshme e rrugëve pa panele mbrojtëse dhe pa sinjalistikë e deri tek mënyra sesi universiteti organizoi udhëtimin drejt ferrit.

Një ditë pas fatkeqësisë askush nuk di të thotë se pse ndodhi. Mund të mendojmë që rruga buzë humnere përpiu të rinjtë njëlloj siç mund të akuzojmë për këtë cilësinë teknike të automjeteve që përdorim, apo profesionalizmin e drejtuesve të tyre. Menaxhimi i emergjencës ishte sërish një pikë tjetër e dobët.

Edhe pse zelli dukej i padiskutueshëm, çdo gjë tjetër nuk ishte e tillë, qe nga mungesa e gjakut në spitale, lëvizja e ambulancave dhe helikopterëve, për të mos folur për informacionin që tejkaloi çdo logjikë njerëzore. Përgjatë gjithë ditës së hënë dhe paraditen e së martës, pati vetëm një komunikatë nga policia e shtetit, ndërsa të gjitha institucionet në përpjekje për të treguar se po bënin të pamundurën ne këtë situate, u turrën të japin të dhëna të mëvetësishme, që më së shumti shtuan kaosin.

Madje në këtë garë të ashtuquajtur informative u rreshtuan edhe mediat me maninë për të dhënë gjithçka pa asnjë filtër, gjë që kulmoi deri me leximin e 200 emrave të kursit të studentëve të Elbasanit, mes të cilëve duhet të ishin edhe viktimat, duke krijuar një panik të panevojshëm mes familjeve te tyre dhe gjithë shoqërisë që mbante frymën në respekt të tragjedisë. Ngjarja e djeshme për fat te keq testoi shtetin dhe të gjithëve ne. Dhe këtë test, mesa duket nuk e kaluam fort mirë.