ResPublica.al, 10 gusht 2012
Berisha synoi ta vinte nën kontroll Shërbimin Informativ Shqiptar (SHISH) që pas riardhjes në pushtet në 2005-ën, kur propozoi që ky shërbim të vihej në varëtsi të Ministrisë së Brendëshme. Por ai hasi në rezistencën e partnerëve tanë strategjikë, sidomos të SHBA-së, dhe u tërhoq. Më pas Berisha provoi që të ndryshonte ligjin mbi SHISH-in, por përsëri hasin në rezistencën e partnerëve tanë strategjikë, sidomos të SHBA-së, dhe përsëri u tërhoq. Përpjekja e tij e fundit e dështuar ishte në vitin 2010, kur PD-ja propozoi që qëndrimit të kreut të SHISH-it t’i vihej një kufizim kohor ligjor, por ardhja në Tiranë e shefit të NATO-s e sprapsi Berishën nga ajo tentativë.
Fill pas zgjedhjes së Presidentit Nishani, ambasadori amerikan në Tiranë deklaroi se SHBA ka patur një marrëdhënie të shkëlqyer bashkëpunimi me SHISH-in dhe kreun e saj Bahri Shaqirin, dhe se shpresonin ta vazhdonin më tej këtë marrëdhënie. Ky ishte një mesazh i qartë publik që paralajmëronte se tentative për zëvendësimin e Shaqirit me dikë tjetër, njësoj si në të shkuarën, nuk do të pritej mirë nga partneri ynë më i rëndësishëm strategjik. Por Berisha, sidoqoftë e zëvendësoi atë me një mëkëmbës të Gazidedes së SHIK-ut famëkeq.
Në mënyrë të ngjashme, në vitin e largët 1995, fill pasi i kishte deklaruar Presidentit Klinton në Uashington se do të respektonte pavarsinë e pushtetit gjyqësor, Berisha erdhi në Tiranë dhe shkarkoi Kryetarin e Gjykatës së Kasacionit, Zef Brozin, të cilit SHBA-ja i dha azil politik. Qysh prej asaj ngjarje, marrdhëniet me partnerin tonë strategjik u përkeqësuan deri në pikën ku SHBA e kritikoi publikisht Berishën për mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet e 1996-ës, dhe kërkuan përsëritjen e tyre të paktën në 40 zona zgjedhore. Sesi rrodhën ngjarjet më tej e di i madh e i vogël…
Po tani si do të rrjedhin ngjarjet?
E. Zaloshnja