Andrea Stefani, 16 Qershor 2015
Deputeti i PS, Ben Blushi, gjate nje seance parlamentare, ku eshte ratifikuar me 83 vota pro marreveshja e grantit me Banken Evropiane per Rindertim dhe Zhvillim, si administrator i fondeve grant, te siguruara nga qeveri te vendeve te ndryshme nen fondin e vecante te aksionareve te BERZH, per by pass rrugore te Fierit dhe Vlores./r/n/r/nLawmaker, Ben Blushi, during a parliamentary session.
Nuk është gjë e rrallë në politikë përdorimi i një parimi si armë, si mjet sulmi kundër rivalit që nuk ka respektuar parimin, por jo për të mbrojtur vetë parimin. Parimi bëhet kështu gjethe fiku e një qëllimi politik që nuk ka të bëjë fare me parimin vetë. Një kamuflazh të tillë na duket po përdor edhe deputeti Ben Blushi që kohët e fundit shfaqet tepër i shqetësuar për mungesën e demokracisë në PS. Por sa i vërtetë është ky shqetësim? Apo mos vallë nën maskën e shqetësimit për demokracinë synohet të goditet lidershipi i PS dhe në radhë të parë Edi Rama, rivalitetin ndaj të cilit Blushi e ka shpalosur kohë pas kohe?
Një analizë e qëndrimeve politike të Blushit, e neglizhimit prej tij të disa parimeve themelore për demokracinë kushtetuese, na bën të mendojmë se forca shtytëse e aksioneve të tij të fundme politike, edhe pse nën vel parimor, nuk është shqetësimi për demokracinë, por mpiksja e një kauze që do t’i bënte të mundur rivalizimin e Ramës për kreun e PS. Pra na duket se nuk kemi të bëjmë me një ideal të madh, por me një gjakim të vogël.
Por për të kuptuar se sa i sinqertë (dhe në të kundërt sa hipokrit) është shqetësimi i Blushit për rrezikimin e demokracisë në PS, duhet të vëmë në peshore demokracinë partiake, nga njëra anë, dhe sistemin e ndarjes së pushteteve, që siguron demokracinë dhe lirinë në shtet, nga ana tjetër. Kush është më e rëndësishme? Ndërkaq, duhet të themi se Blushi, ndërsa ka folur pa fund për demokracinë (më saktë mungesën) e demokracisë në PS, ka neglizhuar totalisht çështjen e demokracisë dhe lirisë në shtet. Dhe ky është gabimi i tij. Sepse demokracia në një shtet nuk lind nga demokracia partiake por nga pluraliteti partiak. Prandaj në demokraci partia politike nuk është mbi të gjitha. Edhe demokracia e saj, që Blushi e ka aq merak.
* * *
Përsa i përket partive politike, me kohë është kuptuar se ato si “shtabe lufte” janë, në vetvete, shumë rezistente ndaj demokracisë. Sikundër ka përcaktuar me kohë Robert Michels, partitë e kanë të vështirë t’i shpëtojnë “ligjit të hekurt të oligarkisë”. Natyrisht, do ishte një e mirë shtesë sikur partitë të ishin demokratike, sikur në to të zbatohej si duhet parimi një anëtar një votë apo sikur zgjedhjet për kryetarin të bëheshin në kohën e dukur siç e kërkon statuti. Dhe Blushi nuk e ka gabim kur kritikon Ramën se përse nuk i zhvilloi zgjedhjet për kryetarin pas 21 qershorit. Edhe unë e kam patur të vështirë ta kuptoj përse. Por jam i sigurt se nuk ka qenë ndonjë kalkulim për t’i shpëtuar një konkurrence që ja rrezikonte postin.
Sepse pas fitores së zgjedhjeve, rikonfirmimi si kryetar i PS ishte plotësisht i garantuar për Ramën. Pra, nuk ishte frika e humbjes ajo që e ka penguar. Po çfarë? Me siguri e ka quajtur të kotë realizmin e një procesi zgjedhor në klimën e një fitoreje që paralajmëronte një tjetër fitore. Pra, ka neglizhuar një formalitet. E megjithatë, statuti duhet respektuar si precedent në vetvete dhe jo për rezultatin që mund të sjellin zgjedhjet. E megjithatë sa e rëndësishme është kjo? Dhe më tej, sa e rëndësishme është demokracia brenda nëpër partira, përballë demokracisë jashtë tyre pra, në shtet?
* * *
Kam mendimin se problemi kryesor për Shqipërinë sot nuk është demokracia nëpër partitë politike (që e pranoj se nuk është fare aty ku duhet) por demokracia në shtet. Pra, çështja kryesore e pa zgjidhur, është krijimi i institucioneve realisht të pavarura, i pushteteve të ndara dhe të barazpeshuara që kontrollohen reciprokisht. Por pikërisht, për këtë problem kaq të rëndësishëm Blushi nuk shfaqet i shqetësuar fare. Edhe tani që po flitet për reformën në drejtësi ose ndryshe, për krijimin e pushtetit të drejtësisë së pavarur nga politika. Por nuk e kam parë Blushin të flasë dhe as të shkruajë diçka (të paktën me të njëjtën këmbëngulje dhe forcë si për mungesën e demokracisë në PS) për këtë problem kaq themelor dhe jetik për qëndrueshmërinë e demokracisë dhe lirisë në shtet.
* * *
Por mos vallë përpjekja për demokratizimin e Partisë Socialiste nuk është një kontribut edhe për demokracinë më gjerë? Mund të vlerësohet si e tillë. Por është kontribut shumë periferik, shumë i tërthortë. Sepse nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë mes shkallës së demokracisë nëpër partitë politike nga njëra anë, dhe demokracisë në shtet apo shoqëri në anën tjetër. Madje, pikërisht se demokracia nëpër partitë politike nuk është garanci për demokracinë në shtet, është synuar që ky i fundit, shteti, të pajiset me një sistem institucionesh, balancash dhe kundërbalancash, kontrollesh dhe e kundërkontrollesh që lidershipet autokratike të dala nga partitë, të mos mund ta dëmtojnë jo vetëm demokracinë, por as edhe lirinë.
Demokracia liberal-kushtetuese në Perëndim është bërë e qëndrueshme vetëm sepse ka mundur të krijojë një sistem institucionesh që e kanë mbrojtur nga vetë demokracia, d.m.th. nga rezultatet e zgjedhjeve prej të cilave, kanë dalë dhe mund të dalin fitues autokratë apo edhe banditë e deri mafiozë. A nuk qe demokracia, në kuptimin e vullnetit të shumicës, të “zërit të popullit”, ajo që liroi Barabën dhe kryqëzoi Krishtin? A nuk ka ardhur “Hamasi” në pushtet me zgjedhje?
Po Hitleri a s’erdhi në pushtet me zgjedhje? Por tragjedia nuk qe kjo pra, që “populli” gjerman votoi gabim. Tragjedia ndodhi sepse Hitleri mundi ta mbysë demokracinë nga që sistemi i institucioneve, që kontrollojnë dhe kufizojnë pushtetin ekzekutiv, nuk funksionoi. “Akti i Aftësimit” i miratuar nga Rajhshtagu ishte, në thelb, fshirja e ndarjes së pushtetit ekzekutiv me atë legjislativ. Një ndryshim që u bë në dhunim të Kushtetutës së Republikës që sanksiononte ndarjen e pushteteve. Pa miratimin e “Aktit të Aftësimit”, edhe vetë Hitleri nuk do të mund t’i kish shkaktuar aq dëme katastrofike demokracisë, Gjermanisë dhe Botës.
* * *
Dhe pikërisht parimin e ndarjes së pushteteve, këtë parim kaq themelor pa zbatimin real të të cilit nuk mund të ketë shtet me demokraci liberale, Blushi jo vetëm e ka neglizhuar por edhe është investuar kundër tij. Sepse ka qenë një ndër mbrojtësit më të flaktë të ndryshimeve skandaloze të Kushtetutës së Republikës të kryera në 21 prill 2008. Madje, edhe pasi Edi Rama ka kërkuar ndjesë publike për ato ndryshime (e them me plot gojën politikisht skizofrenike!) nuk e kam dëgjuar Blushin të bëjë të njëjtën gjë. Dhe ato ndryshime, në disa aspekte, nuk kanë ndonjë dallim shumë thelbësor nga “Akti i Aftësimit” nazist i miratuar nga Hitleri. Ndaj jo vetëm Blushi, që ka dhënë votën për ato ndryshime, por çdo politikan, çdo qytetar duhet të ishte i alarmuar, sot që ato janë ende në fuqi.
Habia është se ndërsa shfaqet shumë i alarmuar për degradimin e demokracisë në PS (në fakt PS ka po atë demokraci rakitike që ka pasur këtu e 20 vjet) Blushi nuk e vret fare për minën që ndodhet ende në themelet e demokracisë foshnjore shqiptare, për Kushtetutën e Republikës që është akoma e deformuar, për Presidentin e Republikës që mund të zgjidhet vetëm me votat e shumicës etj. Habia është akoma më e madhe që Blushi nuk i referohet fare reformës në drejtësi, që tenton të korrigjojë disa nga ato deformime në sistem që kanë ardhur edhe me kontributin e tij si deputet. Gjë që është haptazi një mungesë përgjegjësie për demokracinë në Shqipëri dhe që nuk mund kamuflohet dot me alarme për mungesën e demokracisë në një parti.
* * *
Dhe ndërsa Blushi i fërshëllen fyellit në vrimën e demokracisë në PS, ne jemi të shqetësuar për mungesën e sistemit të demokracisë liberale në shtet. Nga që besojmë se demokracia shtetërore dhe sistemi i institucioneve të saj, është shumë më jetik për demokracinë liberale sesa demokracia partiake. Sepse mund të kesh sa të duash demokraci në një parti, por po nuk pate demokraci në shtet, demokracia partiake nuk vlen një grosh. Madje edhe po qe se demokracia në parti do të sjellë në pushtet liderë engjëj, ata do të degradojnë, do bëhen djaj të korrupsionit dhe autokratizmit nëse do të mbeten jashtë kontrollit dhe balancave të sistemit pra, nëse do të lihen, si deri më sot, në parajsën e pandëshkueshmërisë.
Në të kundërt, nëse ke një sistem të demokracisë liberale dhe kushtetuese në shtet, mungesa e demokracisë nëpër partira nuk do të mund të shkaktonte shumë dëm. Liderët autokratë që do prodhonin partitë, edhe kur të fitonin zgjedhjet dhe të bëheshin kryeministra, nuk do të mund ta rrënonin demokracinë dhe lirinë sepse do të ishin nën kontrollin e institucioneve të pavarura të shtetit, nën kontrollin e ligjit të realizuar nga prokuroria e pavarur, nën kontrollin e drejtësisë të realizuar nga gjykatat e pavarura. Kryeministri, ministrat, drejtorët, kryetarët e bashkive nuk do të bënin dot padrejtësira, nuk do të mund të hiqnin dot nëpunësit civilë për t’i zëvendësuar me militantë partiakë, nuk do të mund të bënë dot padrejtësi lidhur me pronat, nuk do të mund të bënin korrupsion me tenderat.
Ndërkaq, pamundësia e një qeverie për t’i dhunuar të drejtat e njeriut, është një situatë që nuk mund të mos çojë në kultivimin e qytetarit që nuk i trembet politikës dhe qeverisë por i bën ato të tremben. Shtetasi pushon së qenuri klient i nënshtruar i pushtetit apo i partisë. Ai bëhet qytetar krenar sepse ka të drejta të mbrojtura nga ligji dhe pushteti i pavarur i drejtësisë. Prandaj i del në mbrojtje ligjit edhe kur atë e shkel partia e tij, qeveria që ai ka votuar apo edhe lideri i dashur. Ky qytetar, është qeliza e një shoqërie civile që nuk të le ta ndryshosh Kushtetutën, d.m.th. shtetin, si të duash dhe brenda natës, si në 21 prill 2008.
* * *
Pra lidhur me demokracinë, dhe akoma më shumë lidhur me lirinë, çështja shtrohet me skepticizmin medisonian: Se si të bësh një punë të mirë me disa burra e gra, deputetë apo liderë që, përgjithësisht, nuk janë edhe aq të mirë. Por që mund të bësh punë të mira edhe me burra të këqij, si për shembull të hedhësh themele të qëndrueshme për demokracinë, kjo është provuar.
Baronët dhe lordët anglezë që kufizuan pushtetin e mbretit Xhon me anë të Kartës së Madhe të Lirive (Magna Carta) nuk ishin të gjithë burra të mirë – shkruan Fareed Zakaria. Por hodhën themelet e një sistemi, që e bëri lirinë të përparojë kudo në Perëndim përkundër epsheve për sundim të jo pak burrave dhe liderëve të këqij. Historia e demokracisë perëndimore nuk është historia fatlume e liderëve ëngjëllorë. Jo pak prej atyre që janë zgjedhur me votë për të qeverisur janë karakterizuar nga jo pak epshe të rrezikshme për demokracinë liberale.
Vetëdija për mundësinë e pashtershme të liderëve të këqij e bënte edhe Karl Poperin, që në veprën e tij të shquar “Shoqëria e hapur dhe armiqtë e saj” të nënvizonte nevojën e krijimit të një sistemi që nuk do të lejonte të bënin shumë dëm edhe ata burra të këqij, që do dilnin fitimtarë nga zgjedhjet. Dhe aq më pak të vrisnin lirinë qytetare. Këtë problem Shqipëria nuk e ka zgjidhur akoma. Prandaj, është e rrezikuar nga “hitlerë” të vjetër e të rinj, nga të cilët nuk e mbron dot demokracia partiake, për të cilën alarmohet aq shumë Blushi.