ResPublica.al, 27 janar 2013
Burime të brendshme i kanë thënë Balkanweb se socialistët kanë nisur prej kohësh përpjekjet për të afruar në koalicionin e PS-së edhe Aleancën Kuq e Zi. Pas deklaratave publike të bëra edhe nga kreu i partisë, Edi Rama, burimet bëjnë të ditur se ka pasur kontakte konkrete me këtë forcë të re politike.
Njoftim zyrtar brenda PS për ndonjë zhvillim konkret nuk ka akoma, por përpjekjet për ta afruar edhe Kreshnik Spahiun kanë qenë me sa duket të vazhdueshme. Ende nuk bëhet e qartë se cila do të jetë forma e bashkëpunimit me këtë forcë të re politike, për të cilën kreun socialist, Edi Rama ka deklaruar se dera është e hapur. Ndërsa nga ana e tij, publikisht, Kreshnik Spahiu ka mbajtur një qëndrim kritik edhe ndaj Partisë Socialiste.
Pavarësisht se të vendosura qartë kundër Kryeministrit dhe qeverisjes së tij, qendrimi i Aleancës Kuqezi është mjaft më radikal dhe kërkon një rrëzim të qeverisë para zgjedhjeve.Para disa ditësh, mediat njoftuan se Vangjel Dule, duket se e ka kushtëzuar praninë në koalicion me atë të AK. Nga ana tjetër, popullariteti i AK dhe sondazhet e kohëve të fundit e vënë në pozicion komod për të zgjedhur.
k.c.







