SHENIM/ Basha vijon të “zbulojë” hallet e njerëzve, harron se ka qenë ministër

0
32


Nëse Tirana e të gjitha qendrat e mëdha urbane cilësohen nga demokratët si Kabul, atëherë kryeministri e Basha na kanë kthyer në Afganistan

Kandidati i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar takimet e tij në lagjet e Tiranës, duke thënë se kështu do të njohë më mirë hallet e njerëzve. I shoqëruar nga disa persona që regjistrojnë takimet, i montojnë dhe më pas i nisin në media, Basha po prek për herë të parë Tiranën pasi i është dashur ta shohë atë vetëm me eskortë nga dritarja e makinës si turist.

Por të bie në sy se në takimet që bën në Tiranë, kandidati demokrat nis e premton gjithçka për qytetarët, duke nisur që nga uji, rrugët, shkollat, strehimin, transportin, uljen e çmimeve etj. Duket sikur nuk po garon për të drejtuar një bashki, por sikur po garon për të drejtuar qeverinë.

Ndërsa shëtit në lagjet e Tiranës, gjithandej po përsërit se kur të vijë në krye të bashkisë do e zgjidhë menjëherë problemin e ujit të pijshëm. Është e çuditshme se ai ka drejtuar një ministri që ka pasur direkt në varësi furnizimin me ujë të qytetarëve. Ndoshta Basha nuk e di që e ka pasur dhe e ka akoma në vartësi të tij punën e ujit.

Po ashtu, ky ministër kandidat thotë se do të nxisë punësimin duke e cilësuar si plagën kryesore të vendit. Por nëse punësimi është plagë për një qytet ku jetojnë gjysma e shqiptarëve, pse duhet të krenohet kryeministri se ka shënuar sukses në këtë fushë. Sepse nëse nuk punësohen njerëzit në Tiranë, atëherë i bie që kjo qeveri ka hapur vende të reja punë në Lekbibaj.

Po ashtu është krejt e pakuptimtë që një ministër që synon të drejtojë bashkinë e Tiranës të dalë e të flasë përpara qytetarëve për rritjen e çmimeve, kur përgjegjësinë kryesor për këto rritje, por edhe për uljen e tyre, e ka shefi i qeverisë.

Por nuk është vetëm Basha që vepron në këtë mënyrë. Edhe kandidatët e tjerë demokratë në qytetet e tjera po zbulojnë ngadalë se kanë jetuar në qytete që i quajnë “Kabul”. Meqë qendrat më të mëdha urbane në vend na qenkan kthyer në Kabul, atëherë çfarë paska bërë qeverisja e Sali Berishës në këto mandate? Nëse ka bërë vetëm Rrugën e Kombit dhe ka hyrë vetëm në NATO, atëherë ku është mrekullia ekonomike, ku kanë shkuar ato qindra e mijëra shkolla, ujësjellësa, kanalizime. Sa kuptim ka kjo fushatë për kryeministrin shqiptar që krenohet nga Bubqi se është më mirë se Tirana. Nëse dy mijë banorë të Bubqit jetojnë më mirë se një milion njerëz në Tiranë, atëherë kryeministri duhet të japë dorëheqjen menjëherë.

Nëse kjo mazhorancë e cilëson këtë fushatë për qytetarin, le të qartësojë se ku i ka kufijtë qeverisja vendore dhe ku ajo qendrore, sepse nuk mund të jenë të dyja të barabarta, pavarësisht tentativës së mazhorancës për të quajtur opozitën si përgjegjëse të njëjtë për situatën në vend.