Një prej protagonistëve kryesorë të Lëvizjes së Dhjetorit ’90, Shenasi Rama, u bën një skaner zhvillimeve, turbullirave dhe lëvizjeve të nëndheshme në Partinë Demokratike. Duke u ndalur tek zgjedhja e 150 anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, një prej forumeve drejtuese më të rëndësishme të PD, veprimtari Shenasi Rama pohon se PD është thyer sot në strehë për horrat, banditët, cubat dhe njerëzit e inkriminuar etj. Procesin e reformimit të PD, Shenasi Rama e shikon si implementimin e skenarit të Sali Berishës për të dubluar Lulzim Bashën, me një tjetër të besuar, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Rama thotë se Sali Berisha po e përdor PD për një funksion tjetër, për mbrojtjen e të birit të kriminalizuar, i cili është serbisht i rrezikuar. Rama propozon që të krijohet një opozitë e re jashtë PD, të cilën e konsideron një bandë që merr kaq shumë forma.
Kriminalizimi i PD nga Berisha
Këto ditë ka pasur shumë reagime lidhur me procesin e reformimit të PD-së. Nga një anë Sali Berisha e ka mbyllur lojën formalisht me procesin në PD, dhe duke i vënë si hije fuqiplote kryetarit figurant të PD-së dikë që ai i beson, e kë më mirë se dhëndrin e vet, Jamarbër Malltezin, të njohur ndryshe si Disidenti i Djathit. Nga ana tjetër, pakënaqësia dhe dyshimet brenda radhëve të PD-së janë të prekshme gjithkund. Ranë në sy një shkrim i pjekur i Flamur Kuçit, reagimi i ish-deputetit Fatos Hoxha, e me radhë. Pati edhe një status alegorik te një deputeteje që “sheh qartë e ma qartë e vuan thellë e më thellë” edhe pse nuk është e qartë nga erdhi qartësia dhe cili është shkaku i vuajtjes së thellë. Tani, për të kuptuar qartë se ku është problemi i vërtetë, ia vlen të vihen në dukje e shpejt disa probleme që e bëjnë gjendjen të duket si një krizë e thellë. Së pari, PD është kthyer në një armë të hapur të Trustit të Gështenjave për të ruajtur interesat e këtij Trusti Kriminal që nuk ka lënë gjë pa bërë. Të lidhur me shumë fije, ata që kapën një copë të mirë të ekonomisë shqiptare dhe vunë pasuri të matur në miliarda gjatë tetë viteve të kaluara, nuk kanë ku ikin tjetër. PD, pra, është kthyer në strehën e të gjithë horrave, cubave e banditëve që nuk kanë lanë gja pa ba, dhe që duan mbrojtje politike, sepse të vetëm rrezikohen keq nga të untuarit e palës tjetër të parisë së Tiranës.
Mbrojtja e Shkëlzenit
Së dyti, funksioni politik i PD është që të mbrojë familjen Berisha, të birin e kriminalizuar dhe seriozisht të rrezikuar nga detyrimet që ka krijuar rrugës. Së treti, ati shpirtnor dhe ai që i lidh të gjithë bashkë është Sali Berisha që nuk ka hequr dorë nga pushteti i vërtetë brenda PD-së. Së katërti, duke u tërhequr në dukje edhe vetë, por duke shtyrë dhëndrin e vet që të bëhet vendimmarrësi në PD, Berisha ua këputi krahët edhe atyre që shiteshin sikur ishin dikushi në PD, që u pompuan apo vetëpompuan gjatë këtyre viteve, por dolën flluska sapuni dhe që treguan se u shitën për një kockë e që blihen për një kockë. Do të jenë rreth e rrotull sepse duhen edhe pak, por së shpejti janë të gjithë të djegur edhe pse janë pasuruar, por janë të njollosur keq. PD doli hapur si partia e TGT dhe e familjes Berisha. Sjellja e saj politike është tejet e mefshtë dhe PD po tregon se është partnere në qeverisjen e radhës e jo opozita që duhet. Më në fund, strategjia është se PD po mundohet të shitet si opozita e vetme dhe tenton që të mbledhë të gjithë të pakënaqurit gjatë këtyre viteve të qeverisjes së ardhshme Rameta, të ruajë sa të jetë e mundur pushtetin në nivelin lokal, të përdorë me sukses ndasitë dhe të mbijetojë duke u dukur edhe për ca vite si opozita e vërtetë. Mirëpo ky është edhe dështimi. Rilindja po provohet të jetë Rrujlindje në çdo drejtim përveç të kapjes së pushtetit në të gjithë nivelet e drejtimet.
Shteti i parisë së Tiranës
Shteti shqiptar po bëhet edhe një herë shtet totalitar i parisë së Tiranës ku njerëzit kontrollohen nga ekonomia e nga mendësia me dëbime e me korrupsion, e jo me burgje e me dënime. PD është partnere e bindur në këtë kapje të shtetit sepse po luan me vetëdije dhe po i mashtron njerëzit që e dinë që diçka është gabim, por që janë të rrethuar nga maskarenj e sharlatanë politikë që nuk premtojnë asgjë të mirë përveçse rrenave e krimit. Përtej rrethit të ngushtë të besnikëve të TGT, që nuk kanë ku ikin dhe që janë të kapur me 1000 fije, me biznese, fejesa, martesa, miqësi, e armiqësi të përbashkëta, e me krime të përbashkëta, janë shumë të tjerë. Në TGT janë njerëz që nuk kanë asnjë ndjenjë të shërbimit publik, tipike për katundarët jo të mirë.
Masa e të pakënaqurve
Por, brenda PD-së ka një masë të madhe të pakënaqurish që kërkojnë reformimin e PD. Shumica e tyre janë ish-zyrtarë, njerëz që nuk e thanë asnjë fjalë dhe që punuan pa mëdyshje që të vjedhin e të pasurohen nga PD-ja kur ishte në pushtet dhe tani duan të shiten si kritikë të regjimit e të vetë PD. Këta sërish duan një vend në tavë, mirëpo ua kanë futur bërrylin dhe i kanë nxjerrë jashtë loje. Pakënaqësia e tyre nuk bind njeri sepse këta janë thjesht për një kafshatë dhe iu mbyllet goja me lekë e me pisllëqet që kanë bërë dhe dihet se shumica janë njerëz që duan të mbulojnë të shkuarën e tyre që qelbet me hi mediatik. Në një rreth më të gjerë janë njerëzit e ndershëm që kishin e kanë shpresë tek PD-ja, sado absurde që duket kjo.
Mungesa e alternativave
Mirëpo shumica i ngjitet PD-së sepse nuk ka alternativa të tjera, sepse nuk duan të besojnë se janë përdorur shumë keq gjatë 23 viteve, se nuk duan të pranojnë se kjo është gjendja, apo pse e vetmja mënyrë për me mbijetuar ekonomikisht e familjarisht, me punë e me siguruar ekzistencën është me u duk besnikë të PD-së që tashmë vepron si një familje mafioze politike, e lidhur në aleanca me familjet mafioze lokale. Në rrethin më të gjerë janë ata, të shumtët, që ndjehen të detyruar ndaj PD-së sepse në atë kohë ua kanë zgjidhur hallet, shpesh me ndonjë pisllëk të vogël, apo që e shohin Sali Berishën si idhull sepse duan që me ia lanë në dorë dikujt vullnetin e vet. Më pak e habitshme është ndjenja e identifikimit tek të rinjtë që llogarisin se njëherë do të vijë PD në pushtet, e kështu do të vijë radha e tyre, apo se nuk i durojnë këta që janë në pushtet, dhe kjo është një ndjesi që PD kërkon ta kapitalizojë politikisht. Rrugë e gabuar e zgjidhje e gabuar, por uji shkon tek Mulliri i Sali Berishës. Pavarësisht këtyre problemeve të shumta dhe evidente, PD është një parti që ka qeverisur dhe si e tillë do të ketë besnikë anipse do të vijë duke u mpakur gradualisht. Për më tepër PD ka një prani të fuqishme parlamentare, ka uzurpuar rolin e opozitës, sepse ka foltoren e Kuvendit, dhe lufton me të gjithë mënyrat që të mos lejojë daljen e opozitës së vërtetë dhe të duhur.
Pse PD ka mbetur në qendër si opozitë?
Kështu që paradokset janë shumë të qarta. PD ka mbetur në qendër si opozitë, edhe duke qënë partnere e qeverisjes. PD është thjesht vegël e familjes Berisha, edhe pse shitet si opozitë politike mbarështetërore. PD është nje parti që nuk ka asnjë vlerë politike, është një shportë karavidhesh që shitet për një repart luftarak. PD çirret e bërtet pa bërë veprimin e duhur politik sepse kështu e mbyt mundësinë e daljes së opozitës. E kështu, PD luan teatër politik duke mbajtur peng kombin shqiptar, dhe të ardhmen e tij. Mirëpo ka edhe një frymë krejt tjetër që ndjehet në shkrimet e Grid Rrojit e të Val Karanxhës dhe që vë në dyshim sinqeritetin e gjithë kësaj përpjekjeje të Sali Berishës për të mbajtur PD-në si vegël të TGT e të Familjes, duke luajtur hapur me ndjenjat e shqiptarëve e me interesat kombëtare. Duke i rënë kokës problemit, dhe duke e shtjelluar shumë qartë, si Rroji ashtu edhe Karanxha e bëjnë krejt të qartë se problemi është edhe më i thellë e më i mprehtë se kaq sa duket e duke vënë në dukje paradokset e mësipërme të para nga një kënd tjetër analitik. Port ë gjithë pajtohemi në pikën se PD nuk është opozita, nuk punon e nuk vepron si opozitë, por është vegël e familjes Berisha, e Trustit të Gështenjave të Tropojës, dhe pjesë integrale e parisë së Tiranës.
Intervitoi Adriatik Doçi