Shenasi Rama: Ja e vërteta e rrëzimit të bustit, skandali i Azemit me femrën franceze, Sali Berisha traktat të fshehtë me Ramiz Alinë

0
22

Shenasi Rama, themeluesi i Shoqatës Studentore “Fan Noli” dhe organizatori i grevës së urisë së studentëve, në intervistën për gazetën “SOT” tregon se ishin 108 studentë që filluan grevën e urisë dhe të tjerët u bashkuan nga entuziazmi, kur u pa se fitorja u arrit. Shenasi Rama zbardh edhe prapaskenat sesi Azem Hajdari dhe Berisha kërkonin të sabotonin grevën e studentëve të cilët nuk donin të hiqej emri i Enver Hoxhës nga Universiteti i Tiranës, sepse kishin nënshkruar me Ramiz Alinë traktatin e paqes, dhe tregon për herë të parë, që vendimi për rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës në sheshin “Skënderbej” u mor në dhomën e tij, në godinën numër 6 të Qytetit të Studentëve. Gjithashtu, Shenasi Rama, thotë se 20 shkurti nuk është pikë referimi i PD-së, por ky 20 Shkurt është ruajtja e interesave të familjes Berisha.

– Kush ishte arsyeja që çoi në organizimin e grevës së urisë së studentëve dhe si u bë greva e urisë e shkurtit 1991?

Situata ishte komplekse dhe gjithkush kishte arsyet e veta, që pastaj konverguan në precipitimin e gjendjes dhe në konturimin e organizimin e grevës së urisë. Nga një anë, partitë politike kishin rënë dakord për ndalimin e aktiviteteve të tilla politike. Së bashku me një grup studentësh, ne kishim filluar riorganizimin e strukturave të Lëvizjes Studentore, të ndara nga PD. Bëmë takime, biseda, krijuam një bërthamë drejtuese formale me statut e me objektiva, dhe i dhamë emrin Shoqata Studentore “Fan S. Noli.” Mirëpo, gjërat precipituan ndryshe. Mobilizimi i studentëve filloi në paradrekën e 6 Shkurtit për shkaqe banale. Një natë më parë, Azem Hajdari kishte pasur një skandal të ndyrë me një femër në një pritje në Ambasadën Franceze; në Kryesinë e PD-së i ishin vënë për ta hequr dhe Azemi shkoi në ILB, ku kishte tropojanët dhe mandej erdhi në UT, ku kishte mjaft tropojanë të tjerë si në Degën e PD të UT, ashtu edhe jashtë saj, duke kërkuar mbështetjen e tyre në përplasjen e tij me kryesinë e PD-së. Kështu filluan protestat e studentëve. Mirëpo, kjo është sipërfaqja. Projekti për të hequr e organizuar heqjen e Enver Hoxhës ishte artikuluar që me 19 Dhjetor 1990 nga unë, dhe ishte një nga objektivat kryesorë të Shoqatës Studentore “Fan S. Noli”, që e kishim themeluar asokohe. Sa për ata që iu kujtohet, ka qenë një Plenum i Lidhjes së Shkrimtarëve, ku pata folur direkt e ashpër për mospajtueshmërinë e demokracisë me figurën e Enver Hoxhës, më 19 Dhjetor 1990 dhe ku pata një ngatërresë fizike me mbështetësit e Enver Hoxhës aty. Po ashtu në refleksionet e organizuara nga Ardian Klosi dhe nga Edi Rama në Janar 1991, ku pata folur edhe unë, ishte ngritur sërish kjo temë, nga një këndvështrim tjetër. Kështu që Azemi nisi protestat me tropojanët e degën e PD-së dhe më pas këtyre iu bashkëngjitën disa vetë të organizuar në një Shoqatë Studentore nga Tefalin Malshyti, Blendi Fevziu, e të tjerë. Këta që i kishin organizuar me ngut në Shoqatën Studentore, thjesht për t’iu kundërvënë Shoqatës Studentore “Fan S. Noli”, e morën idenë tonë të heqjes së emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti dhe i filluan protestat me këngë e me humor, që zgjatën për shumë ditë. Në një miting, kur u pa qartë se këta kishin dështuar dhe nuk dinin më se çka duhej bërë, (disa deklaruan se nuk do të vinin më në protesta) me kërkesën e të gjithë studentëve në shesh dhe i pritur me shumë respekt e dashuri prej studentëve, fola në një miting dhe argumentova se çka duhej bërë dhe iu shpjegova se duhej kërkuar vetëm një gjë: heqja e emrit të Enver Hoxhës nga universiteti. Mirëpo reputacioni që kisha, krijonte shumë probleme për të gjithë palët, sepse e dinin të gjithë se nuk më kontrollonte dot njeri. Duke e kuptuar këtë gjë, dhe duke e ditur se do të na kundërviheshin shumë ashpër, me shokët e mi Arben Lika, Edmond Bushati, Arben Sula, Edvin Shvarc, Alban Pici dhe të tjerë ramë dakord që të ruhej Komisioni, ku kishte djem të mirë e shokë tonët. Thjesht nuk donim të përçanim Lëvizjen Studentore. Megjithatë, kishte shumë kundërvënie ndaj meje dhe u tërhoqa. Në komision, formalisht do të ishin këta të Shoqatës Studentore, pra, njerëzit e tyre, të PD-së dhe të tjerëve, por ku të ishte edhe njeriu kyç i kësaj pune, Arben Lika, që ishte heroi i Dhjetorit dhe nënkryetar i Shoqatës Studentore “Fan S. Noli” dhe përfaqësuesi i jonë në atë Komision, ku kishim miq të vjetër tonët. Ata do të ishin fytyra e veprimit, por ne të “Fan Nolit” do të ishim truri dhe do të vinim veton, si përmes Arben Likës, ashtu edhe me mënyra të tjera. Ne e dinim këtë, siç e dinin edhe të tjerët në strukturat e ndryshme, mirëpo si PD, si PPSH ashtu edhe këta të tjerët i gënjente mendja se do të mund të na mënjanonin me kohë. Duke menduar se këta do të kontrollonin komisionin, ku të gjithë kishin njerëzit e tyre, i lejuan gjërat të shkojnë deri në fund. Kështu, në mëngjesin e datës 18 Shkurt, Saliu e mori gjithë komisionin dhe shkuan tek Ministri Skënder Gjinushi për të arritur kompromisin e parapërgatitur që do të shmangte grevën. Kur u kthyen, greva kishte filluar, të gjithë dolën huq dhe situata iu kishte dalë nga duart. Me studentët e mbyllur në Kinoklubin Studenti ishte shumë më lehtë që të kontrollohej loja. Dhe nga aty, herë me të mirë e herë me të keq, objektivat dhe drejtimin grevës ia dhamë ne të Shoqatës “Fan S. Noli”.

– Cilat qenë synimet e studentëve dhe të grevës?

Këta që u bënë të njohur si drejtues e organizues nga ana e Shoqatës Studentore, për një kohë nuk kanë ditur se ç’kanë dashur e ç’kanë bërë. Thjesht po kërkonin protagonizëm dhe mandej u trembën. Në fillim këta të PD-së deshën t’i përdornin këta të Shoqatës Studentore për të shmangur Azemin, tropojanët e mbështetësit e tij të Dhjetorit, çka edhe ia arritën. Mandej, protestat morën një jetë të tyre, dhe këta të shoqatës studentore u frikësuan sa nisën të iknin e të fshiheshin me ditë. Një ditë mbetën vetëm nja 30 vetë në shesh. Atëherë, forca kryesore dhe frymëzuese e Lëvizjes Studentore, ishim dhe mbetëm ne të Shoqatës “Fan S. Noli”. Qëndresa, vendosmëria e qartësia jonë, i shtyu politikanët që të risillnin sërish në shesh Shoqatën Studentore dhe mitingjet komike të tyre. Në këto kushte, ne këmbëngulën vetëm në një objektiv, në heqjen e emrit të Enver Hoxhës nga Universiteti. Ky ishte një objektiv i menduar shumë mirë, me vetëdije të lartë politike për pasojat, me një përgatitje e dijeni, që se priste njeri nga studentët, dhe që do të mbetej akti më revolucionar që mund të bëhej gjatë atyre fillimeve të tranzicionit. Enver Hoxha ishte thembra e Akilit të sistemit. Po të binte Enver Hoxha, le më po ta rrëzonte sistemi vetë, atëherë do të kishte një fillim të ri për të gjithë, edhe për mbështetësit e sistemit. Edhe për të persekutuarit, edhe për njerëzit që ishin të lidhur me sistemin, edhe për strukturat e shtetit. Duhej ndarë Enver Hoxha nga shteti. Duheshin ndarë njerëzit që i shërbenin shtetit nga Enver Hoxha. Duhej që Enver Hoxha të mbarte të gjithë të këqijat e sistemit të kaluar në mënyrë që të kishim një të ardhme më të mirë. Duhej që njerëzit të çliroheshin nga besnikëria ndaj Enver Hoxhës për t’u bërë besnikë të shtetit e të kombit. Ky ka qenë objektivi. Punë tjetër se si e paraqitën dhe si e keqpërdorën, por ky ka qenë synimi fisnik i Shoqatës “Fan S. Noli” dhe ky qe përfundimi që solli Greva e Urisë.

– Cilët ishin organizatorët?

Nga ana e Shoqatës Studentore, më kryesorët kanë qenë Blendi Gonxhe, Ridvan Peshkëpia, Ilir Dizdari, Arian Manahasa, Myftar Gjanaj, Ndue Lugjaj, dhe disa nga Dega e PD-së në Universitet. Nga ana e Shoqatës Studentore “Fan S. Noli” kryesorët kanë qënë Arben Lika, Edmond Bushati, Shinasi Rama, Edvin Shvarc, Alban Pici, Arben Sulaj me disa të tjerë si Fred Gemi që kanë luajtur rol të spikatur në momente te caktuara, por dhe disa miq e mikesha që nuk duan të përmenden me emër. Nga pedagogët dy prej tyre spikatën mbi të gjithë të tjerët, Ukë Zenel Buçpapaj dhe Mehdi Shehu. Por edhe disa djemtë e Shoqatës Studentore ishin shokë të ngushtë tanët që nga fillimet e protestës si Myftar Gjanaj, Ilir Dizdari, apo Ndue Lugja. Kështu që e kishim shumë më të lehtë kontrollimin e gjendjes.

– A kishte intriga dhe prapaskena në ditët që organizonit dhe bënit grevën e urisë?

Po normalisht. Kjo ishte një ngjarje që do të kishte pasoja të paparashikueshme për të gjithë. Në një mënyrë, koha do të ndahej me thikë, në momentin para greve e mbas kësaj greve. Kishte shumë që ishin të vetëdijshëm për këtë metamorfozë cilësore të lojës politike, ndër ta edhe unë. Ajo ka qenë një gjendje shumë e tensionuar dhe nuk do ta ekzagjeroja po të thoja se ka pasur shumë intriga dhe prapaskena. Gjithkush luante lojën e vet, dhe duhej shumë energji e vëmendje për të mos mbetur në kurthet e tyre. Nga një anë kemi pasur praninë e vazhdueshme të ndërmjetësve të Ramiz Alisë, Skënder Gjinushit dhe Ismail Ahmetit, me të cilët kemi zhvilluar negociata të vazhdueshme, ditën e natën. Nga ana tjetër, kemi pasur ndërhyrjet e PD-së dhe praninë e presionet e tyre si individë që mendonin se kontrollonin gjë, si Gramoz Pashko me të vetët, Saliu me të vetët etj. Kemi pasur shqiptarët, që vinin nga jashtë, të huajt që po ashtu ishin të pranishëm, si brenda ashtu edhe përjashta, dhe natyrisht provokimet e Azem Hajdarit që tha se u hoq Enver Hoxha e tani dilni, që u përballuan me shumë kujdes nga studentët si Mond Bushati, Ilir Dizdari, Alfred Gemi e Ndue Lugja, që i vunë kurrizin derës dhe nuk lanë njeri të dilte, e theksoj, ka pasur një shpirt të lartë patriotik e vetëmohues nga të gjithë studentët. Na erdhën në formën e ndihmës mjekësore ca vetë që donin legjitimitet etj. Si kemi hyrë në grevë, të gjithë studentët ndanin një qëllim dhe të gjithë veglat e provokatorët mbetën një grusht i papërfillshëm, që nganjëherë i zinim edhe duke bërë gjëra jo të këndshme. Momentet më të rrezikshme kanë qenë kur pjesëtarë të policisë sekrete hynë në të gjithë sallat dhe nuk shkuleshin prej aty.

– Mendoni se kishte manipulim politik të grevës së studentëve?

Individë të veçantë i kanë manipuluar dhe përdorur. Mua dhe një grusht të tjerësh, që kemi pasur mendime të qarta dhe influencë në këtë proces, jo. Greva e arriti objektivin e saj, që ishte objektivi i jonë, pavarësisht përpjekjeve të tyre. Më pas, dihej se do ta përdornin e manipulonin si ngjarje politike. Mirëpo, të gjithë e dinë se mua nuk më ka kontrolluar njeri. Unë e kam ditur çka dua dhe e kam arritur atë gjë, me një çmim të lartë, por e kam arritur.

– Cili ishte misioni dhe roli që luajti sigurimi dhe forcat e shtetit?

Shteti ishte më këmbë, ishte shumë efektiv dhe luajti atë rol që pritej nga strukturat e kohës. Por është domethënës fakti se një grusht njerëzish, me pak largpamësi e imagjinatë ia doli të thyente strukturat dhe të shkonte në zemër të sistemit, pavarësisht trysnisë së paimagjinueshme të strukturave. Megjithatë, greva dhe heqja e statujës së Enver Hoxhës janë të lidhura si shkak-pasojë me një ngjarje, që e kontrolluan ata dhe me tjetrën, që nuk e kontrolluan dot dhe që ishte themeli i së parës.

– Si u mposht frika ndaj forcës së diktaturës?

Një njeri që niset për të vdekur, ose e vret, ose i hap rrugë. Vetëdija politike për atë që po ndodhte, e për atë që mund të ndodhte, na ka shtyrë që të mos kishim frikë për jetën. Çka të duhet jeta kur jeton si krimb edhe kur ke zgjidhje tjetër? Ai ishte një moment për të ofruar një shërbim publik, që nuk e ofronte dot njeri tjetër në atë pikë, me i çliruar të gjithë, me e lënë të shkuarën mbrapa, për të pasur një fillim tëri për të gjithë. Çfarë vlere do të kishte jeta e një njeriu, apo e një grushti njerëzish nëse do të duhej që të jetohej nën një diktaturë të kamufluar? Nëse duhej një kurban për kombin, do të bëheshim ne kurbani. Por, ashtu si në Dhjetor të 1990-s ishim krejtësisht të vetëdijshëm se këta skuthat e politikës, nuk do të lejonin që të kishte shpresë e një fillim të mbarë për shqiptarët. Mirëpo, në atë përpjekje nuk e kontrollonim dot as kohën, as momentin që precipitoi ashtu si precipitoi. Në lidhje me veprimet që kam bërë unë kam patur bekimin e tim eti dhe mbështetjen e gjithë familjes sime. Në lidhje me pasojat. Pasojat po i jetojmë përditë, se jemi në kurbet, me familje të shkatërruara në atdhe, të rrethuar me heshtje e me urrejtje, e me injorim të studiuar nga të gjithë palët. Pse duhet të jem unë në kurbet e të mos jem në vendin tim? Kush m’i kthen lotët e dhimbjen e nënës sime, poshtërimin e keqtrajtimin e diskriminimin që i është bërë familjes sime nga të gjithë strukturat e palët gjatë këtyre 23 viteve? Nëse dikur të nisnin në internim, tani na kanë shkatërruar me breza.

– Ishte një nismë studentore, apo fshihej një motiv politik?

Nga ana e Shoqatës Studentore ka pasur motive politike për të ruajtur kontrollin e PD-së mbi studentët, mbi UT dhe për të ulur tensionet, duke i kthyer mitingjet në shfaqje. Nga ana e strukturave, kjo ndërhyrje e tyre u kthye në një përpjekje për të thyer përfundimisht studentët dhe për t’i kthyer në bishta të politikës së palëve të parisë. Nga ana e Shoqatës Fan Noli, ka pasur një përpjekje për të ruajtur Lëvizjen Studentore, për të bërë një shërbim publik, për të ndihmuar me sinqeritet e pastërti, me vetësakrifikim e me përkushtim në ruajtjen e shtet-kombit. Shkurt, ishte një nismë studentore e Shoqatës “Fan S. Noli” me objektiva të qarta politike, iniciativë, e cila u përvetësua nga Shoqata Studentore dhe më pas u bë objekt përplasjesh shumë të forta politike midis partive. Në këtë përplasje, edhe pse një grusht, ne e mbërritëm synimin tonë. Mirëpo, mbetëm me një veprim politik, sepse, mbas grevës, ishim si në shënjestër, ashtu edhe të izoluar.

– Si u mor vendimi për rrëzimin e bustit të Enverit?

Vendimi për heqjen e emrit të Universitetit është marrë nga Shoqata “Fan Noli” dhe i është imponuar Komisionit. Është marrë në dhomën time në Godinën Numër 6, së bashku me Arben Likën, Edvin Shvarcin, Alban Picin, Mond Bushatin dhe Arben Sulën. Mandej, në lidhje me ndihmën që mund të na jepnin nga jashtë, sepse grevën kemi dashur ta ruajmë të ndarë nga gjithçka tjetër, edhe si presion të fuqishëm psikologjik, edhe pse kishim objektiva të qarta të ndryshme nga të gjithë, kemi pasur takim me përfaqësuesit e sindikatave, që erdhën në grevë dhe kërkuan të na ndihmonin. Ne iu thamë që statuja ishte ende tek sheshi. Kishim edhe shumë ndërmjetës të partive politike e të individëve që vinin e që iknin. Duke e parë që psikologjikisht i mbanim ne peng njerëzit dhe nuk do të tërhiqeshim, strukturat dhe njerëzit e tyre, me të cilët ne nuk donim të kishim punë, i drejtuan njerëzit tek Sheshi Skënderbej. Megjithatë, ne e vazhduam grevën deri në momentin kur e hoqën emrin e Universitetit të Tiranës.

– Berisha asokohe, si kryetari i PD-së, a ishte dakord që të rrezohej busti i Enver Hoxhës?

Jo, jo. Saliu ka qenë kundër deri në momentin e fundit, si kundër heqjes së emrit, ashtu edhe kundër heqjes së statujës së Enver Hoxhës, sepse ai kishte një detyrë për të kryer dhe deri aty e kishte lejen. Asnjëherë nuk ka folur kundër Enver Hoxhës, edhe pse kalonte përditë para statujës së tij. Ai e dinte se nga kjo mund t’i ikte koka. Dhe Saliu nuk ishte aq trim, sa të luante me kokën e vet. Ai nuk ka guxuar të fshijë një gëlbazë që i është hedhur në fytyrë tek Xhamia e jo më të rrezikonte jetën.

– A kishin rol misionet e huaja diplomatike në organizimin e protestave, pakënaqësive dhe a ishin nxitës të grevës ata?

Po. Këta të tjerët nga partitë dhe disa studentë u kthyen në vegla edhe të të huajve, sepse si katundarë të vërtetë, donin një aga që t’i drejtonte dhe besonin se do të fitonin pikë. Për sa më takon mua, absolutisht jo. Unë nuk i kam besuar lëkurën sime e jo të tjerëve. Tradita politike, të cilës i kam takuar, dhe edukimi familjar që kam pasur, ka qenë i bazuar tek një mosbesim të thellë tek interesat dhe influencat e të huajve në lidhje me shqiptarët. Objektivi i vetëm i joni ishte me ndarë shtetin nga Enver Hoxha, të ruanim të gjithë dhe të hynim në këtë fazë të re me një objektiv përbashkues, që në mënyrë të pashmangshme, e shihte problemin shqiptar këndej e andej kufirit si një e të pandashëm. Por, edhe në kalkulimin tonë, të huajt ishin të domosdoshëm. Nga ana e tyre, nuk do të lejohej një masakër në mes të Tiranës mbi studentët që protestonin paqësisht. Të huajt kishin shumë lidhje në PD e në PS, me strukturat dhe me individët e ndryshëm, përmes lidhjeve familjare, etj, që u gjallëruan shpejt, si dhe përmes gazetarëve nga të gjithë anët etj, që gjendeshin gjithkund dhe që ishin të informuar vullnetarisht nga paria e segmentet e saj.

– Greva ishte spontane, apo një taktikë e një strategjie politike largpamëse?

Po të organizohej mbas zgjedhjeve, si edhe e planifikonim ne të Shoqatës “Fan S. Noli”, mbasi të kishim shtrirë strukturat në Universitet e më gjerë, greva do të ishte pjesë e strategjisë për të ruajtur Lëvizjen Studentore të pavarur nga politika dhe për ta kthyer në një shpresë të kombit, duke vepruar si strukturë e shoqërisë civile. 15 mijë studentë në Tiranë dhe po aq në institutet e tjera në rreth do të kishin gjetur vetëdijen e tyre dhe sensin e shërbimit publik, përmes arritjeve dhe kontributeve të vetë studentëve. Kjo do të ishte një investim shumë i madh dhe i paçmueshëm. Ashtu siç edhe u bë, greva kishte një element pakontrollueshmërie që e bëri shumë spontane. Greva iu binte ndesh interesave të të gjithëve dhe ishte me pasoja të rënda për sistemin e shoqërinë, kështu që ndërhyrjet e shpeshta e rritën pa parashikueshmërinë dhe kontrollin e palëve mbi procesin.

– Kush do të përfitonte dhe kush do të humbiste nga kjo grevë?

Nga kjo grevë do të përfitonin të gjithë shqiptarët. Do të humbisnin forcat e errëta dhe të urrejtjes. Do të çlirohej shteti. Do të çliroheshin edhe pjesëtarët e strukturave, të shtetit dhe ata që ishin të lidhur me PPSH-në, me një mijë fije legjitimiteti të pazgjidhshme. Do të çliroheshin edhe të persekutuari, që do të ndjeheshin njerëz normalë dhe me të drejtat e detyra si të gjithë. Ky ishte qëllimi i jonë, dhe ai u arrit për disa ditë, sepse mjafton të të kujtoj ndjesinë e çlirimit shpirtëror, që përjetoi shteti shqiptar në ditët e mëpastajme. Si erdhi puna, të gjithë kanë kërkuar ta manipulojnë, përdorojnë, shtrembërojnë, etj. Mirëpo, kanë përfituar të gjithë, sepse ajo ishte goditja për vdekje në zemër të sistemit. Nga ajo pikë varej se cila rrugë do të ndiqej dhe këta, të gjithë bashkë, sepse nuk dilnin dot nga lëkura e tyre, zgjodhën më të keqen e mundshme.

– A ishin me të vërtetë studentët ”heronjtë vetëflijues” apo pionierë të demokracisë së brishtë shqiptare?

Po. Me ndërgjegjen më të pastër të them se kemi qenë të vetëdijshëm. Ka pasur që kanë hyrë në grevë për të fituar kredi politike për mamin e për babin, e tani na del se kanë hyrë edhe për vjehrrin, ka që kanë hyrë si pengje të shumëfishtë, edhe të sistemit edhe tonët, si gruaja e njërit që ka hyrë për vjehrrin, dhe këta e kanë treguar fytyrën e tyre. Por në lidhje me veten e me shokët e mi, them se nëse dikush niset për të vdekur për një objektiv që iu shërben të gjithëve, e arrin atë objektiv dhe nuk vdes, e si shpërblim merr poshtërime e përbuzje për 20 e ca vjet, e prapë nuk pret asgjë, si do ta quani ju? Ka shumë djem e vajza në shtetin shqiptar që e meritojnë këtë respekt. Nuk është problem puna e listave se janë videot dhe njerëzit identifikohen lehtë. E bukura është se populli shqiptar pati me mijëra djem e vajza të tilla studentë e studente që në një moment historik, bënë atë shërbim publik që nuk e ka bërë dot njeri tash 23 vjet. Shumë prej tyre kanë bërë kompromise dhe janë thyer, por ka shumë miq të mi shumë që jetojnë me atë vetëdije për çka kanë bënë, dhe asgjë në jetën e tyre nuk i mbushë e nuk iu jep atë ndjesi që iu jep kontributi që kanë dhënë për kombin e shtetin në atë pikë. Me vetëdije e them se të gjithë e kemi pasur një copë heroi në vetvete, punë tjetër a e kanë shitur, përdhosur, apo humbur shumë nga ata që ishin pjesë e asaj Lëvizjeje Studentore. Ato kohë kanë përcaktuar se kush jemi ne. Nga ana tjetër, kemi qenë edhe pionerë të demokracisë shqiptare. Ne, studentët, i kemi bërë zgjedhjet e para të lira demokratike me 11 Dhjetor 1990. Mirëpo, ne nuk e kemi kuptuar demokracinë si një mobilizim të katundarëve për të vjedhur nga thesari i shtetit, por si një mënyrë për të zgjedhur njerëzit që do të bënin më të mirën për kombin e shtetin. Humbëm ne, dhe fituan çakallët e hienat e parisë, skuthat e inteligjencies dhe të strukturave, mirëpo, kjo nuk e ka ndryshuar qartësinë dhe saktësinë e atij kuptimi e besimi të demokracisë nga ana e jonë.

– Cilat ishin forcat e brendshme që e shtynë përpara kryerjen e këtij misioni historik dhe cilët ishin ata që punuan natë e ditë kundër zhvillimit dhe suksesit të ndërmarrjes studentore?

Eh, ky tranzicion është kthyer në një tragjedi kombëtare pikërisht sepse këta që ishin në lojë, pjesëtarët e parisë së Tiranës, Blloku, inteligjenca, profesorati dhe profesionistët e lanë popullin në baltë dhe punuan vetëm e vetëm për interesat e tyre. Këta janë strukturat që e lanë shtetin në mes të katër rrugëve; intelektualët që u turrën të bëhen milionerë; politikanët që shkatërruan ekonominë, industrinë e bujqësinë; paria që e përbuzi dhe e refuzoi për t’i shërbyer popullit të vet; triumfi i krimit dhe i të keqes morale që u tolerua dhe u promovua sistematikisht e qëllimisht nga paria e Tiranës. që i kishim të gjithë kundër e dinim me kohë, mirëpo gjatë kohës së grevës e kuptuam shumë qartë se edhe ata na kishin shumë frikë. Kështu e mbyllën universitetin, i nisën studentët nëpër shtëpia dhe në tre ditë me anijet ikën 6.000 studentë nga shteti shqiptar. Të mos flasim për përndjekjet, arrestimet, tentativat për vrasje, presionet e gjithfarë metode tjetër. Megjithatë, zgjidhja e duhur kalon pikërisht tek ai shtegu që kemi thënë ne: ndërtimi i duhur i shtet-kombit shqiptar, demokratik, me një ekonomi tregu të institucionalizuar, me drejtësi e ligj në shërbim të të gjithëve, me mbrojtje për të gjithë, dhe me një interes kombëtar të qartë e të padiskutueshëm.

– Cili ishte roli i partive politike në atë periudhë?

Ramiz Alia kishte frenat në dorë, dhe, pavarësisht çka ndodhi me ne, u soll si burrë shteti. Partitë e tjera politike ishin në një gjendje terrori. Përpjekja e të gjithëve ishte që të shmangej ajo që ndodhi. Edhe me ndihmën e studentëve brenda grevës së urisë, nuk ia arritën. Dikush do të dalë e të tregojë se si për tre ditë, të gjithë ishin peng të një force që nuk e kontrollonin dot.

– Cili ishte roli që luajtën udhëheqësit e PD-së, Berisha dhe Hajdari?

Çfarë roli? Këta ishin vegla. Me Azemin jemi përplasur shumë herë. Ca dihen, ca nuk dihen. Në një rast erdhi për të prishur grevën dhe e vumë të rrinte tek një derë e shkulur nevojtoreje. Saliu ishte i vetëdijshëm se çka po ndodhte, ishte ndërmjetësi i strukturave dhe ishte tërësisht kundër Grevës së Urisë. Do të flas herë tjetër për Saliun. Por ishte kaq i pafytyrë sa edhe kërkoi të mbyllte grevën. Ia hoqa mikrofonin nga dora, në miting fola vetë dhe nuk bënte as gëk as mëk. Ata mijëra vetë që kanë qenë në Qytetin Studenti, nëse e mbajnë mend se çka kam thënë, do të thonë se kam thënë se çfarë shërbimi ishte kjo grevë për kombin e shtetin nga ana e Lëvizjes Studentore dhe se ishte e shkëputur nga partitë politike e nga kontrolli i tyre. Por edhe këta duheshin. Sistemi na toleroi, sepse gjatë dy ditëve të para derisa hyra në Komision unë e Fred Gemi besonin se PD i kontrollonte studentët drejtues.

– Kush mori pjesë në grevën e urisë? Ka shumë emra, debate por nuk ka lista të plota?

Lista ka, por do të dalin kur të vijë koha. Greva duhej të përdorej si gjethe fiku politike për shumë njerëz dhe, ashtu si pritej, u përdor për të mbuluar krimet e poshtërsitë e tyre gjatë tranzicionit. Deri në mëngjesin e 18 Shkurtit ka pasur vetëm 108 emra në listë. Të tjerët i mori vala dhe hynë në grevë, kur panë entuziazmin e momentit të hyrjes në grevë së këtyre 108 vetëve dhe u bënë 753 vetë. Mirëpo, nuk ka rëndësi aq shumë kjo gjë, kush hyri e kush ishte, sepse kjo grevë iu shërbeu të gjithëve dhe iu takon të gjithëve. Aq më mirë, që nuk ka formalisht lista të plota. Sepse kjo është greva e shqiptarëve e jo vetëm e atyre që ishin brenda. Tuneli iu takon të gjithë udhëtarëve e jo atyre që e gërmojnë. Greva ishte tuneli për t’i nxjerrë në dritë shqiptarët.

– Kush ishte fati i studentëve grevistë dhe i universitetit?

Duke e parë vullkanizimin e gjendjes, universiteti u mbyll nga Ramiz Alia, Skënder Gjinushi, Kastriot Islami etj. Tashmë, Universiteti është kthyer në një gjendje mjerane, sa kur e sheh Qytetin Studenti, apo ndërtesat, të merr vaji. Mirëpo është e kuptueshme. Një kohë, politikanët e parisë e kishin më shumë frikë rininë studentore se ushtrinë, që e kishin nën kontroll dhe për të thyer rininë, ndërtuan më shumë mejhane e disko, se sa klasa. Në lidhje me ata që ishin pjesëmarrës të saj, shumë nga studentët morën rrugët e mërgimit. Ata që iu shërbyen strukturave, morën shpërblimin, duke u bërë deputetë, drejtorë, e me radhë. E kështu heshtën me ndërgjegje, shtrembëruan të vërtetën, shkëmbyen një akt historik e nderin e tyre me kotheren dhe tani as nuk duan të flasin për atë veprim historik, që duhet t’iu japë nder e dinjitet, mirëpo as nuk guxojnë që të flasin. Mirëpo, greva është një fakt historik. Pavarësisht nga sjellja e secilit, ajo është një nga momentet më të ndritura në historinë shqiptare. Ajo na takon ne, është kontributi i jonë, dhe nuk ka kodosh politike shqiptare që ta përvetësojë.

– Sot, pas 23 vjetësh, sa është përmbushur ajo ëndërr dhe luftë për demokraci?

Ëndrra jonë ka mbetur ëndërr. Shkurt, shteti dhe kombi janë peng i forcave të errëta të parisë së Tiranës. Kemi më shumë mall e më pak vlera, më shumë krim e më pak moral, me shumë sende e më pak dashuri për tjetrin. Ka triumfuar e keqja, babëzia, lakmia, zvetënimi dhe ndyrësia njerëzore. Edhe pse jemi më mirë, jemi edhe më keq. Jemi thuajse në të njëjtën pikë humbjeje shprese e nevojë për ndryshim, në të cilën po e kuptojmë se kjo rrugë na ka çuar në një pikë tjetër të zeros nga ku duhet filluar ndryshimi i vërtetë.

– Po sot, si duhet kremtuar 20 shkurti i 1991-shit?

Mos u merrni me PD-në, sepse Lëvizja Studentore dhe PD janë dy gjëra të ndryshme. Greva nuk është bërë për të bërë demokracinë, sepse nuk bëhet demokracia duke shembur, demokracia bëhet duke ndërtuar. Greva është bërë për të shembur idhujt e rremë dhe për të çliruar shqiptarët, që pastaj, mbi shembjen e të keqes, të mund të ndërtonin demokracinë e të ardhmen e duhur, pa idhuj të rremë e duke ruajtur shtetin.

– Dhe a është pikë politike vetëm e PD-së 20 shkurti i 1991-shit, apo është pikë referimi për të gjitha forcat politike?

20 Shkurti nuk është pikë referimi për PD-në, e jo më të jetë pikë politike e saj. Nuk e solli PD-ja 20 Shkurtin. Atë e ideuan, organizuan e drejtuan studentët, Shoqata Studentore “Fan S. Noli” dhe të gjithë ata që dolën në shesh dhe e rrëzuan statujën, si dhe të gjithë shqiptarët që e kuptuan rëndësinë e asaj dite dhe morën frymë lirshëm. Ajo është prika që një brez, brezi i shkëlqyeshëm i Lëvizjes Studentore, ia bëri ardhmërisë së shqiptarëve.

– Protesta që do të organizojë PD-ja në 20 shkurt 2014, a kanë rezonancë me idealet e grevës së urisë të 20 shkurtit 2014?

PD-ja po kërkon të përdorë një moment historik, ta përvetësojë, të lidhë shembjen e sistemit të atëhershëm me shembjen e sistemit të bijve, kjo është hilja e tyre. Mirëpo 20 Shkurti i atëhershëm ishte fillimi për të gjithë, dhe ky 20 Shkurt është ruajtja e interesave të familjes Berisha. Djallëzia e Berishës nuk ka fund, mirëpo edhe duhet kuptuar. Nuk ka rrugë tjetër për të ruajtur familjen dhe qentë kur grinden për kocka, fillojnë e kafshojnë njëri-tjetrin.

– Ju përse u distancuat nga PD-ja?

Ashtu si ishte imagjinuar nga PPSH-ja, PD-ja do të ishte partia e krundeve të sitës. Unë vija nga një familje e kohës. Familja ime nga babai ka qenë shumë e lidhur me sistemin; familja nga nëna edhe pse shumë atdhetare ka qenë shumë e persekutuar. Por, unë vetë jam rritur si kombëtarist dhe atdhetar. Nuk kam qenë për hakmarrje por për vetësakrifikim, s’kam qenë për urrejtje, por për shpresë, jo për vazhdimin e të keqes nga një palë por për një fillim tëri për të gjithë.

– Çka ndodhi pas Grevës së Urisë?

Pas Grevës së Urisë, nisëm një projekt për një parti të Përparimit Kombëtar, po nuk gjetëm mbështetje, çka edhe pritej, sepse, kush ishim ne? Duke ndjerë presionet e forta, dhe duke e ditur se ngado që të shkonte loja, po të mos iu ngjitesha këtyre partive si vegël e përdorueshme, unë isha i humbur, edhe me konsensusin e palëve, u largova nga shteti shqiptar si kryetar i një delegacioni, i ftuar nga jashtë. Pra, zgjedhja e ime ishte më mirë vetëm e me nder duke sprovuar jetën e hidhur të kurbetit, se në shoqëri të plehrave, milioner dhe i përdhosur për jetë. Po atë që ka ndodhur këta nuk e zhbëjnë dot, dhe unë jam krejt i qetë me ndërgjegjen time, sepse ai rast është për të treguar veten dhe dashurinë për popullin tënd, nuk i vjen kujt dy herë në jetë.

Intervistoi: Jakup B. GJOÇA