TemA, 14 Mars 2013
Shenasi Rama ka postuar në faqen e tij në Facebook një intervistë të pabotuar të tij rreth braktisjes së ambasadës së Shqipërisë në Uashington, të cilën siç shkruan një redaksi e Tiranës ia ka kërkuar, por më pas nuk e ka botuar. Më poshtë po japim të plotë tekstin.
Ju si shqiptar që jetoni në SHBA jeni ndjerë i mirëpritur dhe i përfillur nga ambasada e Shqipërisë në Uashington?
Një periudhë kohë kam pasur marrëdhënie pune relativisht të mira me ambasadën shqiptare. Kjo ishte periudha e luftës në Kosovë. Asokohe isha zëdhënës i UÇK-së dhe i qeverisë së përkohshme të Kosovës në SHBA. Si zv.Përfaqësues i qeverisë dhe kisha një veprimtari të ngjeshur e takime të shpeshta, shpesh të përditshme në Uashington. Edhe pse zyrën tonë si përfaqësi e qeverisë së përkohshme të Kosovës e kishim në Nju Jork, kemi komunikuar rregullisht dhe në disa raste e kemi vizituar ambasadën e shtetit shqiptar në Uashington DC.
Natyrisht që gjatë këtyre viteve e kam ndjekur me shumë vëmendje gjendjen e ambasadës, ambasadorët, veprimtaritë e tyre e me radhë. Por kam vënë re se më shumë se përfaqësues të shtetit, njerëzit janë caktuar aty si përfaqësues të kryeministrit të radhës dhe vijnë si përfaqësues politikë e me përvoja politike në shërbim të partive. Shpeshherë, të caktuarit në atë detyrë nuk e kanë as përgatitjen e duhur për detyrën që mbajnë sepse ky është një post tejet delikat. Duke i njohur mirë pozicionet dhe të shkuarën e tyre, as kam pritur që të jem i mirëpritur, as jam afruar dhe as nuk jam ndjerë i shpërfillur.
Cili është komenti juaj për letrën e ambasadorit Galanxhi drejtuar Ministrisë së Jashtme mbi falimentimin financiar?
Është për të ardhur keq. Po të paktën ambasadori Galanxhi e tha të vërtetën. Ambasada është në një vend të pranueshëm, dhe ka hapësirë të pranueshme. Por për të funksionuar si duhet në Uashington DC duhen fonde e para. Mirëpo vetë shteti shqiptar është i falimentuar. Si kjo ambasadë janë edhe institucionet e tjera.
Çfarë rëndësie ka për Shqipërinë, ambasada në Uashington?
Ambasada shqiptare në Uashington DC është një nga ambasadat kryesore që ka shteti shqiptar. Edhe pse qeveria e SHBA ka një prezencë të konsoliduar në Tiranë me një ambasadë të drejtuar gjithnjë nga profesionistë të sigurisë kombëtare, për shtetin shqiptar është e domosdoshme që të ruajë praninë e vet në Uashington, një kryeqytet politik ku shpesh vendosen fatet e shteteve. Përtej kësaj, arsyet janë të shumta. Këtu mund të përmenden ruajtja e paraqitjes së sovranitetit si shtet, pasja e një posti që kryen detyrat rutinë diplomatike në një komunitet në të cilin shtetet e tera dërgojnë njerëzit e tyre më të aftë, luajtja e rolit të ambasadës si bërthamë organizuese e kultivuese e vlerave të bashkësisë shqiptaro-amerikane që tashmë është numerikisht, ekonomikisht e profesionalisht e përgatitur dhe në të ardhmen do të jetë edhe burim i mbështetjes politike të nevojshme për shtetin shqiptar. Ambasada kryen shumë funksione të tjera dhe për një shtet normal. Edhe për një shtet që nuk ka sovranitet të mirëfilltë është e domosdoshme që të ketë një post diplomatik të rangut të lartë në një shtet si SHBA.
Cili është reagimi i amerikanëve për dështime të tilla në diplomacinë e një vendi partner?
Gjendja e ambasadës tregon gjendjen e shtetit.
Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare: Të financojë agjencitë lobuese, si Patton Boggs dhe Podesta, apo të fuqizojë përfaqësinë e saj diplomatike?
Gjatë luftës së Kosovës për shumë kohë edhe ne kemi punuar me struktura të tilla. Mirëpo qeveria shqiptare duhet të kuptojë shumë gjëra të tjera lidhur me mënyrën e funksionimit të strukturave sepse duket se nuk ia kanë bërë të qartë se si shihet shteti shqiptar në Uashington. Mënyra se si formulohet politika e jashtme e SHBA, veçanërisht në lidhje me shtetet si shteti shqiptar, lë shumë pak hapësirë për ndërmjetës të tjerë përjashta strukturave të sigurisë kombëtare të SHBA. Por në Tiranë, një lidhje me çfarëdo firme të tillë konsiderohet sipas mendësisë katundare, që ky është “mik i filanit” se “ka mik mikun e filanit” në Uashington, dhe ai “miku i mikut” ka hyrë shtatë herë në muaj në Shtëpinë e Bardhë.
Veprimi për financimin e lobistëve është politik në sensin që duket sikur po influencohet në Uashington për Sali Berishën. Ajo që i intereson kryeministrit është që të duket se është i pranueshëm në Uashington, dhe se, “ka miq të fortë.” Këtë lojë ai e luan me shqiptarët. Por qeveria shqiptare duhet të merret me shqiptarët. Ambasadori i SHBA në Tiranë i ka të gjithë fuqitë e duhura, si dhe një hapësirë vendimmarrjeje të deleguar nga Presidenti i SHBA në lidhje me interesat e SHBA, si në lidhje me interesat jetike ashtu edhe me interesat dytësore. Qeveria shqiptare duhet të qeverisë e jo të bëjë shfaqje estrade me miq të paguar, e lojë katundarësh me fotografi ‘shtrëngim duarsh’. Atëherë edhe të tjerët do ta marrin seriozisht.